Dr. Ahmed Payasli, Specialist i Gjinekolog dhe Obstetër - IVF

Publikuar: 23:08 / 13.10.2013
Dr. Ahmed Payasli, Specialist i Gjinekolog dhe Obstetër - IVF
0shares
komente

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Ahmed Payasli
Specialist i Gjinekolog dhe Obstetër - IVF
Spitali Special “Bahceci”, Kosovë
tel. 049 263 222
email: apayasli@bahceci.com


Përshëndetje doktor. Kam pak vite që jam martuar dhe që në muajin e parë të martesës mbeta shtatzënë, e pas një muaji e gjysmë abortova vet, pa shkak. Pas një viti më përsëritet e njëjta gjë. Më thanë që kam bërë një abort selektiv. Në dhjetor të 2010 sërish mbetem shtatzënë, e bëj një barrë jashtë mitre. Më presin tubin fallopian të djathtë. Mbasi mora veten, nisa të bëj një sërë ekzaminimesh si dhe kontrollin e tubit të mbetur. Më planifikuan për laparoskopi të cilën e bëra në dhjetorin e kaluar.
Në letrën e ekzaminimit të spitalit shkruhet me shkrim dore (po e shkruaj ashtu si e kuptoj, më falni për ndonjë gabim në terma). Përshkrimi i interventit: U evidentua uterus normal. Tubi i djathtë i amputuar në pars ampularis, e pranishme vetëm pars isthmica deri në mesosalpings. Aderenca të pakta pari tubo-ovariale derter dhe me paretin abdominal. Tubi sinistra i lirë, por me fimosis në pars ampularis. Të dy ovaret me madhësi në kufi të normales.
U bë adherentiolisis dhe prova e kalueshmërisë tubare me blu metilen. Rezulton eliminim i pakët i kontrastit në tubin e majtë. U bë DEK dhe tubotomia isthmica derter.
Kjo ishte doktor dhe unë nuk e kuptoj mirë çdo të thonë këto, më thanë vetëm që dola mirë e tubin e kam të lirë, mund të bëj fëmijë. Por, kanë kaluar 4 muaj e asgjë akoma.
Çfarë më këshilloni të bëj? Nga operacionet kam dhimbje dhe cikli tani më vjen një herë në 33 ditë, temperaturën trupit e kam gjithmonë pothuajse 37, por kam vite me këtë temperaturë. Nuk djersij asnjëherë dhe të ftohtin e ndiej shumë. Analizat e gjakut, të mykut e të infeksioneve, janë të mira, gjithmonë. Doja t’u vija në dijeni se ne në shtëpi kemi pasur gjithmonë kafshë, mace e unë jam rritur me to. Nuk e di doktor nëse kjo ndikon?
Dhe doja t’u pyesja për molen që ha fetusin në bark (nuk e di nëse keni dëgjuar), thonë që mjekësia e njeh. Çfarë analizash duhet të bëj për të parë nëse kam ndonjë gjë të tillë? Me falni që u zgjata, por po vuaj shumë të kem një fëmijë, është qëllimi i jetës time.
Ju lutem, më ndihmoni.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Së pari, qoftë e kaluar. Unë e lexova me vëmendje problemin tënd. Aq sa arrita të kuptoj, dy shtatzëni spontane keni pasur dhe një shtatzëni jashtë mitre.
Kur ballafaqohemi me aborte spontane në fillim të shtatzënisë, atëherë kryesisht kemi të bëjmë ose me ndonjë problem të frytit dhe, vet organizmi e hedh jashtë, ose kemi të bëjmë me probleme rreth faktorëve të koagulimit, me çrast vjen deri te formimi i droçkave të vogla të gjakut në pjesën ku embrioni duhet furnizuar me gjak.
Atë çka unë ju kisha preferuar juve është që shtatzëninë ta planifikoni, çka nënkupton para se të mbeteni shtatzënë të vizitoni një qendër mjekësore të specializuar, me një laborator të pajisur mirë dhe me një ekip të specializuar.
Rreth asaj që ju vazhdimisht keni qenë me qen dhe mace, janë disa analiza të caktuara që mund të detektojnë nëse organizmi juaj ka imunitet të përhershëm apo ballafaqohet me sëmundje akute.
Por, më mirë kishte me qenë të vizitoni spitalin tonë dhe ne do të mundohemi t’ju zgjedhim problemin me të cilin ballafaqoheni.
Me respekt.Dr.Ahmet Payasli.


I nderuar doktor. Ka disa vite që unë kam cikël të çrregullt dhe pas vizitave të bëra dhe analizave hormonale, më rezultoi që kam PCO ovaries dhe nivel të rritur të testosteronit, për çka u mjekova rreth 6 muaj me Diane 35 dhe Metformin, por prapë nuk m’u rregullua cikli. Pastaj u martova. Tash gati një vit e gjysmë e ndërrova mjekun për shkak se nuk pata sukses me përdorim të terapisë 6 mujore dhe një mjek tjetër më rekomandoi të merrem me endokrinologun dhe diku rreth 5 muaj jam me këtë terapi: Aldactone, Metformin, Prednisone, muajin e parë, pastaj muajin e dytë më ndërpreu Aldactone, por pasi më ndërpreu, nuk më erdhën gati 3 muaj.
Nga kjo që përshkrova më lartë besoj që e kupton shqetësimin. Njëherë kam përdorë Klomifen, nuk ka pas ovulacion, tashmë mjekja ime thotë që këtë cikël që më vjen duhet ta stimulojmë me HMG+Clomifen. Kam paksa frike mos ka hiperstimulim ose përkeqësim te gjendjes sime ose shtatzëni të shumëfishtë, por më duhet t’ju njoftoj se nuk kam kurrfarë dhimbje të vezoreve përveç pak shtim në peshë dhe qime në trup.
Dua të di nga përvoja juaj se a ka gjasa që me PCO të mbes shtatzënë me medikamente për stimulim ngase kam lexuar që shanset për abort janë të mëdha. Cilën metodë ta përdor sipas mendimit tuaj që të mund ta kem një fëmijë në duart e mia, apo patjetër të bëj IVF ose të ngjashme?
Paraprakisht të falënderoj.
Respekt për punën.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Së pari, PCO Syndroma, është një çrregullim hormonal që kërkon një kohë më të gjatë të trajtimit, së paku 12-18 muaj, në mënyrë që të shihet suksesi i trajtimit. Ju qenkeni nën kontroll të gjinekologut dhe endokrinologut.
Rreth stimulimit të vezoreve ju lutem të keni kujdes, nëse vendosni t’i nënshtroheni, duhet të jetë një stimulim i kontrolluar nga ana e specialistit i cili merret me një problematikë të tillë, ashtu që të evitohen edhe komplikimet e mundshme.
Sa i përket përzgjedhjes së metodës për të arritur një shtatzëni, mosha e juaj është një faktor shumë me rëndësi që do të na drejtonte neve për të zgjedhur rrugën e duhur.
Me respekt.


Përshëndetje. Kam pasur dy aborte spontane, kam bërë shumë analiza nga rezultatet e të cilave nuk është zbuluar akoma shkaku i abortit. Kohët e fundit bëra një vizitë dhe një doktor më tha se kam një problem me mitrën, pjesa e sipërme nuk është e drejtë, por pak e përkulur. Diagnoza: Uterus Subsepta dhe për këtë duhet bërë një ndërhyrje që quhet histeroskopi operative.
Doja t’ju pyesja, a duhet bërë kjo ndërhyrje dhe a ndikon në abort.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Meqenëse keni pasur dy aborte spontane dhe është diagnostikuar se keni një septum të shprehur, atëherë duhet t’i nënshtroheni intervenimit të lartpërmendur, ashtu siç ju ka rekomanduar mjeku juaj.
 

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.