Dr. Ali Mesut, Gjinekolog Obstetër – Specialist për IVF

22:57 / 8.12.2011
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Ali Mesut
Gjinekolog Obstetër – Specialist për IVF
amesut@bahcecı.com
Spitali për Gjinekologji dhe Infertilitet
Tel. 038 58 22 22
info@spıtalıbahcecı.com
www.spıtalibahceci.com
Magjistralja Prishtinë-Shkup, km. i 9-të


Përshëndetje doktor. Pas lindjes së katërt, me menstruacione po kam probleme. Para ardhjes së tyre, 10 ditë apo 2 javë më kaplojnë mundime, më ftohet trupi, më merren mendtë, por kur më vijnë menstruacionet, çlirohem shumë, më kalojnë mundimet.
Doktor pres përgjigje për shqetësimet dhe mundimet e mia.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Gjatë një cikli menstrual, te femra, hormonet pësojnë një disbalans, e sidomos pas ovulacionit, hormoni progesteron rritet dhe te disa femra mund të shkakton probleme siç i cekët ju.
Për një përmirësim të gjendjes së tillë, disa doktorë preferojnë dietë ushqimi, konsumimin e vitaminave ose përdorimin e tabletave në dozë të vogël me hormone.
Ju lutem, vizitoni gjinekologun.


Jam 20 vjeçe, e fejuar, mbrohem nga shtatzënia, por jo me tableta. Pas vizitës te gjinekologu, më është rekomanduar mbrojtja me hapa kontraceptiv.
Doktor, pres mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Mjetet më të sigurta për mbrojtje nga shtatzënia janë tabletat kontraceptive, por shumica e femrave të reja kanë frikë t’i përdorin. Në kohët e fundit tabletat kontraceptive përmbajnë fare pak estradiol dhe nuk kane ndonjë efekt anësor, janë shumë të sigurta (më e dëmshme është cigarja se këto tablete). Te femrat që nuk kanë lindë, nuk ju preferoj spirale, kurse kondomi mund të mbrojë shtatzëninë po ashtu edhe të mbrojë nga sëmundjet ngjitëse seksuale, por nuk janë te sigurt sa tabletat kontraceptive. Kurse sa i përket mbrojtjes natyrale, mos derdhja e spermës brenda vagjinës, nuk është mbrojtje aq e sigurt.
Me respekt, dr. Ali Mesut.


Përshëndetje doktor. Kam lindë një vajzë të vdekur para dy muajsh. Më është thurur në kërthizë 8 ditë, pa lindë. Tashti kam mbetur shtatzënë qe një javë.
A mund të kem ndonjë problem që nuk kam bërë kontroll te gjinekologu?
Do të doja të di, a do të kem shtatzëni normale pas lindjes së fëmijës së vdekur.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Qoftë e kaluar, është e dhimbshme që në muajt e fundit të shtatzënisë të humbësh fëmijën, por nuk do të thotë që në shtatzëninë e ardhshme të përsëritet një gjë e tillë. Përkundër të arriturave më të reja teknologjike, ndonjëherë gjërat e tilla nuk mund t’i shohim. Por para së gjithash, urime ju qenkeni shtatzënë dhe mos keni frikë. Ju lutem të vazhdoni vizitat e rregullta te gjinekologu juaj e sidomos në javët e fundit të shtatzënisë me ultrazë -Dopler.


Përshëndetje doktor. Jam 15 vjeçare dhe ende nuk me ka ardhur menstruacionet.
Ju lutem, pres përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Te disa vajza ndodhë që menstruacionet e para mund të vonohen dhe duhet që të presin deri në moshën 16 vjeç. Nuk preferoj ndonjë terapi, por është mirë që ta shohim pacienten (zhvillimin e jashtëm fizik), poashtu preferoj që të bëhet një analizë të hormoneve dhe në këtë mënyrë të vendosim se si të vazhdohet tutje.
Me respekt, dr. Ali Mesut.


I nderuar doktor, kam dhembje në gjirin e majtë. Ndjenjë një djegie.
Çfarë më këshilloni?
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbjet e gjirit munden me qenë dhimbje të lehta, por mbrapa tyre munde të fshihen gjëra shumë serioze. Nëse një paciente është në moshë dhe ka hasur në diçka patologjike në gji, sekret nga gjiri, ndryshim i ngjyrës, trashëgimi familjare, këto të gjitha duhet të vlerësohen së bashku dhe duhet të vendoset më vonë, por pacientet në moshë të re para ciklit menstrual, munden të kenë dhimbje dhe zmadhim të gjoksit. Ky është një problem hormonal.
Nëse në kontrollin e gjirit është gjithçka normale dhe kontrollohen disa hormone me një terapi të thjeshtë, mund të kalojnë problemet.
Preferenca ime është të bëhet një kontroll i gjirit dhe mjeku do t’ua caktoj terapinë e nevojshme.


Përshëndetje doktor i nderuar Ali Mesut. Jam 28 vjeçe, qe 6 vite jam martuar dhe ende nuk kam fëmijë. Analizat e mia tregojnë që jam e shëndoshë, mirëpo bashkëshorti im numrin e spermatozoideve të lëvizshëm e ka shumë të vogël. Kam provuar vitin e kaluar IVF dhe me rezultat 39.9, mjeku më tha se kam arritur shtatzëninë, mirëpo pas 2 jave menjëherë kam pasur menstruacione që don të thotë se kam dështuar. Tash prapë po filloj për herë të dytë me IVF, mirëpo kam shumë frikë se do të dështoj
sërish. Po kërkoj nga ju të më tregoni sa janë gjasat që të ketë sukses hera e dytë e IVF.
Ju falënderoj dhe pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Së pari, qoftë e kaluar ajo që ju ka ndodhur, pasi që ju jeni me moshë të re, shanset për të mbetur shtatzënë mendoj që i keni të mira dhe shpresoj që edhe lajmin e mirë të shtatzënisë ma tregon me e-mail. Shtatzëninë dhe shanset e shtatzënisë i përcaktojnë shumë faktorë, ndër gjërat e para që ne i mendojmë janë vezët dhe kualiteti i tyre, kualiteti i spermës, kualiteti i embrionit, zhvillimi i embrionit, gjendja e endometriumit dhe statusi hormonal. Kuptohet që në IVF është i rëndësishëm shumë laboratori dhe klinika. Në provën e parë BHCG-ja të ka dalë me një vlerë, mandej ajo shtatzëni nuk ka vazhduar dhe ka ndodhë një shtatzëni biokimike. Shpresoj që herën e dytë të kesh një shtatzëni klinike.
Ju dëshiroj ditë të shëndetshme.


Përshëndetje për ju. Së pari iu përgëzoj për punën e mirë që ju e bëni dhe iu kisha lutur që të më ndihmoni. Unë kam një fëmijë në moshën 6 vjeçare dhe kam dëshirë të kem edhe një Mjekët e një spitali privat kane vërejtur se në mitrën time ekziston një polip dhe më kanë preferuar që ta largoj me historoskopi. Ju lutem, më tregoni se mbas largimit të polipit me historoskopi, sa kohë unë nuk guxoj të mbes shtatzënë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë. Polipet i hasim shpesh te pacientet. Ne si mjek preferojmë që nëse një polip është në një madhësi prej 1 cm, të largohet me histereskopi, por nganjëherë kur një paciente është në cikël të IVF, që të mos e ulim shansin për shtatzëni, te ajo paciente, ndonjëherë i heqim edhe polipe më të vogla. Normal, histereskopia nuk është një problem që pas saj të mos mbeteni shtatzënë dhe në përgjithësi, heqja e polipeve, bëhet menjëherë pas ciklit menstrual dhe nuk shkakton mitra asnjë patologji. Pasi që ju keni një vajzë, urojme që të keni një shtatzëni të shpejt.


Jam 31 vjeçare, ciklin e kam të rregullt, folikulat rriten në masën e duhur, por nuk shpërthejnë. Kam marr një dozë 500ml herën e parë edhe 1000ml herën e dytë për të shpërthyer, por pa sukses. Gjinekologu më thotë se membrana e folikulit është e trashë dhe nuk shpërthen dot. Tash më ka caktuar do pilula që t’i marr një herë në javë për të holluar membranën. Jam pak e shqetësuar për shkak të moshës. Doktor, pse nuk shpërthejnë, mos është ndonjë anomali që nuk ma ka thënë doktoresha?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Zonjë, e disa femra ka mundësi që të mos pëlcet folikula, por ky është një rast që rastisim më rrallë. Kur të arrin madhësinë 16-17mm duhet të pëlcet. Në rastet kur nuk pëlcasin, këtë rast e quajmë LUF. Nuk e di qe sa vite jeni e martuar, por nëse keni dëshirë të keni fëmijë, ndoshta keni nevojë për terapi më serioze. Nëse ndodheni në Kosovë, mundemi t’ju ndihmojmë.
Me respekt Dr.Ali Mesut.


Jam 30 vjeçare, kam një vajzë 5 vjeçe. Qe pesë muaj kam provuar që të mbes shtatzënë, por pa sukses. Pas një kontrolli tek gjinekologu, vezoret janë mirë, vetëm që kam një miomë 23x23 cm. Kam urinim të shpeshtë, menstruacione të bollshme, por i kam të rregullta. A paraqet problem mioma që të mbes shtatzënë dhe a mund të ketë rritje gjatë shtatzënisë. A është më mirë të hiqet para shtatzënisë.
Ju lutem të më ktheni përgjigje të menjëhershme!

PËRGJIGJE:
Nëse pas lindjes së parë nuk mund të ngeleni shtatzënë, ne më shumë dyshojmë në kanalet. Për këtë arsye, unë ju preferoj që të bëni një incizim të mitrës dhe kanaleve. Mioma të asaj madhësie ekzistojnë te shumë femra, por nuk shkaktojnë shumë probleme. Është shumë e rëndësishme se ku është i vendosur miomi, nëse është në mbrendësi të mitrës, atëherë mund të hap rrugë serioze, por nëse ndodhet në murin e brendshëm të mitrës, jashtë mitre ne nuk preferojmë që të intervenohet.
Me respekt, Dr.Ali Mesut


Doktor, jam në moshën 47 vjeçe, më 29 nëntor të vitit të kaluar kam bërë fekondim artificial në Stamboll, testet e shtatzënisë pa 12 ditëve më dolën pozitive, por pas tri kontrolleve, doktori më tha në fund se duhet të pastrohem se vetëm mbështjellësi ishte zhvilluar. Kështu, më 10 janar të këtij viti, jam pastruar dhe menstruacionet më kanë zgjatë diku 15 ditë, por prej atëherë, menstruacionet më nuk kam pasur.
Desha t’ju pyes, a është e dëmshme të përdori ndonjë medikament për të më ardhur menstruacionet, sepse pastaj dua sërish të provoj edhe njëherë IVF ( 4 qeliza i kam të ruajtura në Stamboll).
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar, një paciente në moshën 47 vjeçe, pasi të mbetet shtatzënë, problemet gjenetike të cilat ndodhen në embrione, kanë një rrezik të madh për dështim. Pas moshës 40 vjeçe, shanset për fëmijë janë të vogla, por pasi që ju keni embrione të ngrira, për ju është një shanse e madhe. Pa humbur kohë duhet të provoni shansin e embrioneve të ngrira që keni. Unë ju preferoj që të konsultoheni me gjinekologun tuaj dhe të përgatitni endometriumin për transferin e embrioneve. Pasi që ju nuk keni cikël të rregullt, konsultoheni me gjinekologun, ai do t’ju jep terapinë e nevojshme për rregullim të ciklit.
Me respekt, Dr.Ali Mesut.


Jam 27 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të moshës 10 dhe 8 vjeç. Kam një problem në qafën e mitrës e cila është ënjtur dhe skuqur, pak e gjakosur, më shkakton dhimbje barku. Gjinekologu e ka konstatuar një polip të madhësisë së kokrrës së misrit. Më ka udhëzuar ta bëj Papa testin i cili më ka dalë në shkallën e dytë. Vezoret janë mirë në prekje, pa reagim, por problemet me qafën e mitrës i kam qe 3 vite.
Ju lutem doktor, më këshilloni se çka të bëj?
Ju faleminderit. Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Sa i përket dhimbjeve që i përshkruani, polipi nuk shkakton dhimbje, por mund të shkaktojë gjakderdhje të paparashikueshme. Nuk është ndonjë kancer apo diçka që ju të shqetësoheni.
Ne, çdoherë, preferojmë që të hiqet polipi dhe të bëhet HP (biopsia). Për këtë arsye konsultoheni me gjinekologun tuaj, Papa testi pasi që ka dalë, shkalla e dytë, është diçka e mirë, por unë ju preferoj që ta përsëritni çdo vit.
Me respekt, Dr.Ali Mesut.


Përshëndetje dr. Së pari ju falënderoj për këshillat dhe ndihmën që na ofroni.
Unë i kam dy fëmijë. Shtatzëninë e parë e kam pasur normale, por kam lindur me prerje cezariane. Pas fëmijës së parë kam tentuar të mbes shtatzënë gati për 4 vite, por pa sukses. Një mjek më këshilloi të bëja një incizim të thellë të kanaleve ku rezultati doli mbyllja e kanaleve. Po i njëjti mjek më këshilloi që të bëj IVF. Unë e mora këtë hap edhe linda edhe fëmijën e dytë. Unë dhe bashkëshorti im dëshirojmë të kemi edhe një fëmijë. Cila do të ishte këshilla juaj. Të provoj me hapje të kanaleve apo sërish me IVF?
Me sinqeritet, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuari pacient. Së pari, më vjen mirë që ju jeni prindër të dy fëmijëve. Ne, shumë shpesh, kemi raste të tilla që pas operacioneve pësojnë me mbyllje të kanaleve dhe për t’u takuar sperma dhe qeliza vezë së bashku, duhet që kanalet të jenë të hapura. Këto paciente, normal, nuk munden të mbeten shtatzënë. Nëse dëshirojnë fëmijë, atëherë duhet bërë patjetër, fekondimi artificial (edhe ju tregoni që, fëmija i dytë, ka qenë në atë mënyrë). Hapja e kanaleve më nuk bëhet, sepse nuk iu sjellë pacienteve asnjë rezultat. Operacionet bëhen në kanale, ato nuk mund të bëhen shumë funksionale; në këtë mënyrë rritet rreziku për shtatzëni jashtë mitre (extrauterine) si dhe rreziku sërish i mbylljes së kanaleve.
Nëse më pyetni mua, unë ju preferoj të bëni përsëri IVF. Kujdesuni për veten. Ju uroj shumë fat dhe ditë të shëndetshme.


Përshëndetje. Jam e martuar qe 10 vite, por ende nuk patëm fatin të bëhemi prindër. Kam provuar edhe IVF, 3 herë, por pa sukses. Të gjitha analizat dalin mirë. Doktor, ka një vit që më nuk kam kërkuar mjekim, po mërzitem, shpresat më kanë humbur. Të lutem, më jep një këshillë si të veproj?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Qofshin të kaluara, ju paskeni kaluar tri procedura të IVF dhe me të vërtet qenkeni lodhur me të drejtë. Ndoshta keni vendos që të mos vizitoni mjekët, por këtë duhet t’ua them se, ka shumë paciente që në provën e parë të IVF nuk mund të mbesin shtatzënë dhe duhet që ajo procedurë të përsëritet. Këtu nuk duhet të ikim një fakti: në çdo klinikë, laboratori, përvoja e mjekut, teknikat e laboratorit - nuk janë të njëjta. Pacientet sikur ju, duhet të hulumtohen më me detaje, transferi të bëhet në një mënyrë tjerë, po ashtu edhe stimulimi. Kuptohet, duhet të hulumtohet dosja e së kaluarës suaj dhe zhvillimi i embrioneve. Preferenca ime është që të mos hidhëroheni në mjek dhe të vazhdoni mjekimin. Një gjë duhet ta keni parasysh: sa më shumë që kalon koha, kualiteti dhe sasia e vezëve tuaja do zvogëlohet. Tjetër, nëse kërkoni ndihmën time, atëherë mund të më kontaktoni.


I nderuari doktor, po ju shkruaj shumë i hidhëruar në adresë të mjekëve gjinekolog. Jemi të martuar qe 15 vite dhe ende nuk kemi fëmijë. Pas luftës kemi qenë pacientë te dy doktorë me emër në Kosovë, por mjekimi ka rezultuar i pasuksesshëm. Pastaj, kemi bërë IVF-ne në Turqi, 6 herë. Herën e katërt ka ngelë gruaja shtatzënë, por në muajin e dytë ka abortuar. IVF e kemi bërë dy herë me vezore të gruas dhe 4 herë tjera kemi bërë me vezore të huaja. Doktor, shpresat sikur kanë humbur, megjithatë presim mendimin tuaj.
Në pritje të përgjigjes, ju falënderojmë.

PËRGJIGJE:
Së pari, qoftë e kaluar. Keni të drejtë të hidhëroheni, por mos harroni se mjekët çdoherë mundohen të bëjnë atë që mundemi. Sukseseve i gëzohemi çdoherë, ndërsa mossukseset tentojmë t’i eliminojmë sa më shpejt dhe me rrugë të drejtë. Kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, në Turqi, por edhe kudo në botë. Nuk e di se sa vjeçe është bashkëshortja juaj, porse, unë mendoj se ju paskeni problem me vezë. Siç shihet, në këtë gjendje, nuk keni ndonjë alternativë tjetër përpos donacionit. Pasi ta hulumtojmë mirë mitrën dhe nëse nuk ka ndonjë problem, të gjitha femrat munden me mbet shtatzënë. Për të hulumtuar arsyen e abortit dhe duke shikuar brendësinë e mitrës, atëherë gjasat që të keni fëmijë, janë të mundshme. Nëse bashkëshortja juaj nuk është në moshë të shtyrë dhe nëse nuk ka probleme shëndetësore, atëherë ju preferoj të shkoni në një qendër të IVF-së.


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Ju lutem respektoni rregullat e portalit.
Shih të gjitha rregullat për komentim
Dr. Ali Mesut, Gjinekolog Obstetër – Specialist për IVF
Dr. Ali Mesut, Gjinekolog Obstetër – Specialist për IVF
Dr. Ali Mesut, Gjinekolog Obstetër – Specialist për IVF
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
19:26 / 21.05.2012

Bleona aktron përkrah Steven Seagal

Bleona Qereti para pak kohesh i ka njoftuar fansat e saj se ka përfunduar xhirimet për një serial televiziv përkrah të fam...
Teknologji
20:11 / 21.05.2012
Microsoft lanson rrjetin e vet social

Microsoft lanson rrjetin e vet social

Në mënyrë shumë diskrete, Microsoft ka lansuar rrjetin e vet social, faqen So.cl, e cila tani është në dispozicion në t...
Ekonomi
16:16 / 21.05.2012

Dy oferta për privatizimin e KEDS-it

Dy kompanitë turke “Limak” dhe “Çalik” të cilat kanë vendosur që të formojnë konzorcium si dhe kompania “Else...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.