Dr. Arbër Veliu, specialist Gastroenterolog – Hepatolog

22:23 / 9.04.2012
Gastrohepatologu është specialist i traktit digjestiv dhe mëlçisë. Trakti digjestiv përfshijnë tubin e gjatë për përcjelljen e ushqimit dhe lëngjeve, plus mëlçinë, pankreasin dhe tëmthin. Këto organe zbërthejnë dhe absorbojnë ushqimin dhe lëngjet që ne i marrim gjatë ditës, pastaj materiet ushqyese kalojnë në qarkullimin e gjakut deri ne qelizat trupore. Kur këto organe nuk funksionojnë normalisht atëherë pacienti është i detyruar të kërkojnë ndihmën e gastroentrologut/hepatologut.

Dr. Arbër Veliu, specialist
Gastroenterolog – Hepatolog
tel. 044 165 624
www.dr.arberveliu.4t.com


Përshëndetje doktor. Këta 5-6 muajt e fundit kam pasur disa shqetësime të vogla në vrimën anale, në sipërfaqen e saj kam pasur fryrje. Shokët më thonë që kjo më ndodh si mungesë e lëngjeve trupore ngaqë unë nuk i ha gjellët.
Jam shumë i shqetësuar dhe do doja ndihmën tuaj.
Më falni për shqetësimin.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Fryrja në sipërfaqen anale zakonisht krijohet si pasojë e noduleve hemorroidale ose hemorroide të jashtme. Ato kanë shumë faktorë të paraqitjes, por më kryesori është konstipacioni (kapsllëku), vështirësi në dalje jashtë, duke pasur vështirësi dhe duke bërë presion në kanalin anal, krijohet mundësia e fryrjes së venave ose siç quhet ndryshe, hemorroide. Konstipacioni vjen si pasojë e mos përdorimit të ushqimeve me fibra, perimeve, frutave dhe ujit (lëngjeve). Dmth, duke përmirësuar ushqimin me shumë fibra dhe lëngje, ju parandaloni konstipacionin dhe paraqitjen e hemorroideve. Një ekzaminim fizikal dhe endoskopik (rektoskopia) mund të diagnostikojë hemorroidet me saktësi të plotë.


Përshëndetje, jam 27 vjeçar. Ka 2 vite që më fryhet fundi i barkut dhe më jep temperaturë, më dhemb koka. Disa mjekë më kanë thënë se duhet të operohem prej bruhi, disa të tjerë më kanë thënë që kam probleme në zorrë të trashë. Të gjitha analizat kanë dalë mirë, por dhimbja vazhdon. Nuk po di se ku të orientohem, kërkoj ndihmën tënde.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Fryrja në fund të barkut mund të paraqitet në disa mënyra dhe nga shumë faktorë. Hernia hiatale inguninale mund të jetë një nga shkaktarët e fryrjes dhe kjo lehtë mund të diagnostikohet nga kirurgu abdominal, që pastaj mund të trajtohet në mënyrë kirurgjikale. Një tjetër mundësi mund të jetë si pasojë e gazrave në zorrën e trashë e shoqëruar me konstipacion që krijon ndjenjën e fryrjes në pjesët e veçanta të zorrës. Unë ju rekomandoj të vazhdoni konsultën tek kirurgu dhe gastroenterologu për t’u ekzaminuar dhe diagnostikuar saktë.


Jam 22 vjeçar, prej disa vitesh kam një dhimbje të lokalizuar në anën e djathtë, në pjesën e sipërme të abdomenit. Fillimisht dhimbja është e lehtë, më pas vështirësohet dhe fillon të më fryhet abdomeni, ndjejë rëndesë gjithashtu. Ndonjëherë kam edhe temperaturë, gjithashtu edhe gazra. Para një viti isha te mjeku gastroenterolog – hepatolog, bëra incizim me ultrazë të abdomenit dhe nuk kisha ndonjë komplikim. Nga mjeku u diagnostikova me gastritis dhe helycobacter pylori. Pas shfrytëzimit të terapisë së rekomanduar kisha përmirësim të dukshëm, mirëpo nuk isha shëruar plotësisht. Tani dhimbjet më janë veshtirësuar shumë.
Ju lutem doktor, pres ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja në anën e djathtë zakonisht i referohet pengesave në zorrën e trashë dhe problemeve me kolecistën. Kur keni gazra dhe fryrje barku, të shoqëruara me konstipacion atëherë ka mundësi që kjo dhimbje të jetë më e shprehur dhe me intervale më të gjata. Gjithashtu duhet të përsëritet testi i helicobakter pylorit përmes fecesit për të vërtetuar shërimin. Mirë është të përsëritet ultrazëri i abdomenit, sipas nevojës dhe ankesave pastaj edhe ekzaminimet endoskopike. Ushqimi dhe dieta luan një rol të rëndësishëm që ju duhet të keni vëmendjen, një ushqim më shumë yndyra, djegës, të thata dhe ëmbëlsirat shtojnë prezencën e gazrave dhe dhimbjen në anën e djathtë. Ju rekomandoj të ri-konsultoni gastroenterologun për evaluaim të mëtutjeshëm.
Nganjëherë problemet dispeptike nevojitet përsëritja e trajtimit me medikamente dhe në rastin tuaj ndoshta ka nevojë të përsëritet mjekimi si herën e kaluar, për disa ditë ose javë.


Përshëndetje doktor, jam 17 vjeç. Gjatë kryerjes së nevojës së madhe po kam gjakosje, mirëpo pa dhembje. Vendosa të shkruaj ty sepse s’po di se është diçka rrezik, po brengosem shumë dhe nuk di se ku te orientohem.
Pres me padurim përgjigjen tuaj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në shumicën e rasteve gjakderdhja nga zorra e trashë ka origjinën nga hemorroidet e brendshme ose të jashtme. Në raste të rralla është si pasojë e sëmundjeve tjera siq janë polipet, divertikulitet, angiodisplazionet dhe tumoret. Unë mendoj së tek ju bëhet fjalë për hemorroidet që janë fryrje venave në zorrën e trashë, si pasojë e shumë faktorëve, duke filluar nga konstipacioni, shtatzënia,ushqimet dhe faktorët gjenetik. Komplikacion i shpeshtë i hemorroideve janë gjakderdhjet, kjo gjakderdhje mund të jetë me sasi të pakët ose herë herë edhe e zgjatur dhe e bollshme që kërkohet intervenim kirurgjikal. Hemorroidet nuk janë rrezik për jetë dhe shëndet por që në masë të madhe çrregullon kualitetin e jetës.Trajtimi bazohet në dieta dhe medikamente topikale, yndyra ose suposte. Duke rregulluar konstipacion dhe duke konsumuar ushqim të shëndetshëm ju në masë të madhe zvogëloni mundësinë e paraqitjes së hemorroideve dhe gjakderdhjes. Nëse nuk keni ekzaminuar zorrën e trashë unë ju rekomandoj që ta bëni që të vërtetohet burimi i gjakderdhjes dhe hemorroidet.


Jam 24 vjeçar, vuaj nga lukthi qe 5 muaj. E kam bërë gastron qe 4 muaj. Gati më kishte kalua sëmundja,.por tani më është paraqitur sërish. Më vjen të vjelli, jam i lodhur, kam humbur shumë peshë, gjithnjë jam nervoz. Trupi më mpihet nganëherë. Mendoj se po vdes ose do të çmendem.
Të lutem doktor, pres ndihmën tënde.

PËRGJIGJE:
Prshëndetje. Ndodh shpesh që problemet gastrike me mundim, vjellje dhe dhimbje të paraqiten pas ndonjë terapie të caktuar. Unë nuk di diagnozën tuaj endoskopike dhe e kam të vështirë të përcaktoj sëmundjen tuaj. Ju rekomandoj të bëhet një ultrazë abdomenit (barkut), të bëhen disa analiza laboratorike dhe sipas nevojës të përsëritet gastroskopia. Rënia në peshë nuk është shenjë e mirë dhe duhet të konsultohesh me mjekun tuaj gastroenterolog për mjekim dhe për të përcaktuar shkaktarin e rënies në peshë, a është me origjinë organike apo psikotike. Shërimi juaj është i mundur, por duhet të vazhdoni konsultat me gastroenterologun dhe kërkuar ekzaminime shtesë për ankesat tuaja.


Doktor, kam nje problem, qe një vit kam një therje kohë pas kohe në anën e majtë të barkut. Më duket sikur më vlojnë zorrët, më mbushën me ajër edhe gazra.
Në pritje të përgjigjes suaj, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja në anën e majtë rreth fleksurës hepatike që shoqërohet me dhimbje, kërcitje të zorrëve dhe pozitës shtrirë ndodh për shumë arsye. Një nga faktorët është konstipacioni dhe gazrat në zorrë, por gjithashtu edhe problemet me unazat e boshtit kurrizor, deformimet dhe ndryshimet eventuale në unaza mund të shoqërohet me dhimbje.
Unë ju rekomandoj një ekzaminim endoskopik të zorrës dhe një fotografim të unazave. Kujdes në ushqime, duke larguar ushqimet djegës, ëmbëlsirat dhe ushimet në skarë. Gazrat në zorrë duhet të redukohen në mënyrë që ju të ndjeheni më mirë, ekzistojnë tableta për largimin e gazrave, siç është Espumisan (simetikon) dy herë në ditë për disa ditë.


Jam 20 vjeçare, kam probleme me lukth qe 3 vite! Kam bërë dy gastroskopi, është konstatuar se nuk kam asnje problem, por unë vazhdoj të kem dhimbje të mëdha, zakonisht në mëngjes.
Ju lutem më ndihmoni!

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nëse gastroskopitë kanë rezultuar normal, atëherë shkaktari i dhimbjes nuk është stomaku, por dicka tjetër që duhet të hulumtohet. Ju mund të lajmëroheni tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm.


I nderuari mjek. Kam një kërkesë, të më jepni sqarime për këtë diagnozë: Dg: Gastritis chronika superfittialis Gradus I?
Faleminderit për kohën dhe angazhimin tuaj.

PËRGJIGJE:
Gastriti superficial është term histologjik që tregon shkallën fillestare të gastrit kronik. Shkaktari kryesor për gastrit kronik është helicobakter pylori, pastaj përdorimi i gjatë i medikamenteve jo steroide si Diklofen, Brufen, përdorimi i gjatë i aspirinës etj.
Varësisht nga shkaktari bëhet edhe mjekimi.


I nderuar doktor. Ka disa muaj që më janë paraqitur disa probleme në anus (vrimën anale), dyshoj nëse mund të jetë ndonjë lloj hemorroidesh ose majasëll. Është bërë si një kokërr dhe kohë pas kohe kam kruarje, por ajo që më shqetësoi më shumë para disa ditësh, kisha edhe gjakderdhje. Pas gjakderdhjes nga vrima anale, kokrra ose puçrra është zvogëluar krejtësisht, por tani më janë shfaqur edhe më shumë kruarje.
Çka mund të jetë kjo? A është e rrezikshme kjo gjakderdhje dhe si mund të shërohet?
Me shpresë që do të kem një përgjigje të shpejtë nga ju, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ju vuani nga nodulet hemorroidale (majasëll), dhe ato hasen deri në 15-20% të popullatës. Shkaktarët janë të shumtë, por më të shpeshtë janë konstipacioni (kapsllëku), shtatzënia, obeziteti. Simptomatologjia më e shpeshtë është dhimbja, kruarja, djegia dhe gjakderdhja. Gjakderdhja është e me ngjyrë të kuqe të qartë, herë-erë më e errët nëse qëndron më gjatë në zorrë. Gjakderdhjet e shpeshta dhe një kohë të gjatë mund të krijojnë anemi (pagjakësi). Çdo gjakderdhje nga zorra e trashë duhet të verifikohet endoskopikisht (rektoskopia/sigmoidoskopia), para diagnozës përfundimtare. Gjakderdhja nuk është e rrezikshme nëse verifikohet se origjina e saj është nga hemorroidet, por mund të keqësohet gjendja nëse ajo zgjat dhe krijonë pagjakësi (atëherë vie deri te lodhja, dobësia trupore, marramendja). Varësisht nga shkalla e hemorroideve varet edhe terapia. Ajo konsiston në medikamente (supposte) që vendosen përmes rektumit zorrës së trashë, që janë analgjetik, antiinflamatorë, ligatura e hemorroideve dhe trajtimi i fundit kur tjerat nuk kanë sukses është intervenimi kirurgjikal.


Përshëndetje doktor. Jam 25 vjeçare dhe kam probleme me lukth që nga viti 2008 kur kisha një infeksion ne lukth. Dhimbjet nuk po më ndalen. Çdo muaj ose kur të zgjohem në mëngjes më vjen gjak të qes ngapak prej gojës. Kam bërë endoskopinë dhe më kanë thënë se kam Hernie të diafragmës.
Doktor, jam në pritje të ndihmës tënde.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Hernia diafragmave (apo hernie hiatale) është çrregullim anatomik ku një pjesë e stomakut përmes diafragmës kalon në kavitetin e toraksit. Ekzistojnë hernie paraesofageale dhe hernie rrëshqitëse(që shpesh në terminologjinë endoskopike quhet si hernie aksiale). Rreth 15-20% e popullatës vuajnë nga hernia hiatale, por jo të gjithë kanë simptomatologji. Zakonisht identifikohet gjatë procedurës endoskopike ose ekzaminimin radiografik të stomakut. Simptomat kryesore janë gromësira, urthi, djegie gjoksi dhe shtrëngim, mundim dhe herë-herë të vjella. Në disa raste më të rënda hernia hiatale tek personat në pozitë të shtrirë, krijon dhimbje, djegie, vështirësi në frymëmarrje dhe ekstrasistola. Hernia hiatale nuk shkakton gjakderdhje, gjakderdhja mund të ndodh vetëm pas vjelljeje të shpeshta dhe dëmtimit të pjesës së ezofagut si pasojë e vjelljes siç është (Mallory-Weiss, çarja e mukozës së ezofagut, apo Erosionet tipit cameron që lokalizohen në pjesën e sipërme të stomakut, gjatë prolapsit gastroesofageal).
Trajtimi i hernies konsiston në trajtimin medikamentoz të njëjtë si për reflux gastrik, dhe atë kirurgjikal (kur hernia hiatale është gjigante dhe krijon probleme për pacientin. Zakonisht përdoret PPI si omeprazoli, pantoprazoli ose lansoprazoli për një kohë prej 3-6 javë, me dietë që konsiston në largimin e ëmbëlsirave, lëngjeve të gazuara, lëngjeve të portokallit, ushqimeve të tharta, qepës , hudhrës. Gjatë natës koka në shtrat duhet të ngritët për disa shkallë, dhe racioni i fundit para gjumit të jetë së paku 3 orë, disa racione ushqimi gjatë ditës dhe me sasi të pakët.
Çdo trajtim më i gjatë duhet të jetë nën konsultën e gastroenterologut.


Përshëndetje doktor. Jam 17 vjeçe, gjatë kryerjes së nevojës së madhe po kam gjakosje, mirëpo pa dhembje.
Vendosa të të shkruaj sepse s’po nëse është diçka e rrezikshme.
Pres me padurim përgjigjen tuaj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Shkaktari më i shpeshtë i gjakderdhjes nga zorra e trashë është noduli hemorroidal (ose fryrja e venave) . Zakonisht gjakderdhjet janë pas zbrazjes së zorrës, posaçërisht tek vështirësia në dalje jashtë ose onstipacionit (kapsllëkut). Paraqitet në çdo moshë, kohën e fundit edhe tek fëmijët e vegjël.
Çdo gjakderdhje duhet të ekzaminohet endoskopikisht, dmth me anë të rektoskopisë ekzaminojmë rektumin dhe kanalin anal për burimin e gjakderdhjes. Pas konstipacionit, ushqimi është një nga faktorët që rëndon gjendjen ose e nxit paraqitjen e tyre. Duhet të evitohen ushqimet pikante (djegës), salcat, ushqimet e thata etj. Terapia vendoset pasi të caktohet burimi i gjakderdhjes dhe shkaktarët e saj.


Tung dr. Arbër. Kam dhimbje në lukth, sidomos në raste kur bëhem nervoz më fillon dhimbja. Më zihet fryma, më humb fuqia, po ashtu kam një erë shumë të keqe sado që i pastroj dhëmbët dhe më bën të ndihem keq ...
Ju lutem më tregoni si të veproj!
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nervoza dhe gjendja psikofizike është një nga shkaktarët e problemeve gastrike që shoqërohet me dhimbje, nauze dhe herë-herë të vjella. Nëse ankesat zgjasin më shumë se 3 javë dhe me rënie në peshë, at[herë duhet të paraqiteni tek gastroenterogu për evaluim të mëtutjeshëm. Era e keqe nga goja mund të vie nga shumë faktorë, duke filluar nga goja, dhëmbët, fyti dhe pastaj stomaku, çdo problem dhe çrregullim eventual në këto hapësira nxit erën e keqe nga goja. Duhet të vizitoni stomatologun për të ekzaminuar dhëmbët dhe gjendjen e tyre, pastaj specialistin e ORLsë për të ekzaminuar gojën dhe fytin, dhe pastaj tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm. Unë mund t’ju rekomandoj të bëni analizën e helicobacter pylorit, dhe sipas rezultatit të paraqiteni tek mjeku. Pastaj edhe ushqimet dhe zbërthimi i tyre ndikon në paraqitjen e erës në gojë, ushqimet e veçanta dhe zbërthimi i tyre nga bakteret në stomak dhe zorrë mund të ndikon në paraqitjen e kësaj dukurie. Sidoqoftë ju duhet të lajmëroheni tek mjekët që ceka më lart dhe shikuar se ku qëndron problemi.


Përshëndetje, unë jam një paciente, kam probleme me zorrë dhe si duket edhe më lukth. Kur jam e uritur, jam më mirë, ndërsa kur konsumoj ushqim, kam probleme serioze me gazra dhe kur jam e mbushur kam edhe një djegie në lukth. Djegien në lukth zakonisht e kam natën kur jam shtrirë dhe jam e mbushur me gazra, nuk mund të lirohem prej tyre deri sa të ngritëm dhe të shkoj në banjë, pastaj gjatë lirimit prej gazrave kam edhe dhimbje. Enkas duhet të ngritëm natën dhe të lirohem më vështirësi, përndryshe më duket se jam kah pëlcas.
Në fillim të zorrës më duket sikur e kam një pengesë që mezi lirohem prej gazrave dhe me vështirësi e kryej nevojën edhe pse nuk kam kapsllëk. Më herët, para 4 viteve kam bërë një incizim të zorrëve dhe më kanë thënë që kem hemorroide të brendshme në fillim të zorrës, por gjakderdhje nuk kam asnjëherë. Por, tash gjendjen e kam më të rëndë dhe të lutem më këshilloni se çfarë duhet të bej dhe cilat janë arsyet që unë kam shumë gazra.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ushqimi, gjendja psikofizike e pacientit dhe lloji i ushqimit janë faktorët kryesorë të gazrave në stomak dhe zorrë. Zakonisht ushqimet me shumë karbohidrate, produkte të qumështit dhe lëngje të gazuara krijojnë gazra në zorrë, dhe moslirimi i rregullt i tyre krijon fryrje barku dhe dhimbje. Gjendja e stresit dhe lodhjes krijojnë spazma në zorrë dhe dhimbje e shoqëruar me gazra. Sa më shumë aktivitete fizike dhe lëvizje, ecje. Ju duhet të largoni ushqimet që vështirësojnë daljen jashtë, shtojnë aciditetin në stomak qepa, hudhra, lakra dhe ëmbëlsirat, çokollata, lëngjet e gazuara shtojnë sasinë e gazrave në stomak. Tableta simetikone janë të preferueshme në rast të gazrave të tepërta në zorrë, mund të merren dy herë në ditë për disa ditë dhe sipas nevojës. Për hiperaciditet në stomak mund të përdorni antacid dhe PPI. Më shpejt dhe më lehtë është mirë të bëhet një Ultrazë barkut që të vizualizohen organet e brendshme. Nëse përkundër kësaj nuk ka përmirësime, lajmëroheni tek gastroentrologu për trajtim të mëtutjeshëm.


Përshëndetje i nderuar. Djali ime është 7 vjeçar dhe ka këtë diagnozë të biopsisë së zorrës së trashë: megacolon congenitum (morbus hirschsprung).
Pyetja ime është: Nëse nuk operohet nga ky problem cilat janë pasojat?
Pyetja tjetër: Nëse operohet a mund të ketë komplikime pas operacionit dhe cilat janë ato? Kam dëgjuar se mbas operacionit nuk mund ta kontrollojë nevojën e madhe!
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. M.hirschprung është një çrregullim motorik i zorrës, si pasojë e dëmtimeve nervorë në kohën e zhvillimit embrional të frytit. Si pasojë e mungesave të ganglioneve (fijeve nervore), zorra e trashë apo një segment i zorrës në rectum ose sigmë nuk relaksohet dhe krijohet obstruksioni funksional i zorrës. Zakonisht përfshihet një segment i zorrës në rectum ose sigmë dhe ndodh në 1:5000 fëmijë të porsalindur. Siç e dini edhe ju, simptomat paraqiten menjëherë pas lindjes me fryrje barku, vështirësi në dalje jashtëm dhimbje barku, nganjëherë paraqitet edhe me barkqitje të shpeshta.
Terapia dhe trajtimi i vetëm dhe i suksesshëm është intervenimi kirurgjikal, largimi segmentit te zorrës që është prekur nga mungesa e inervimit, dhe pastaj kapja e zorrës së mbetur për pjesën distal të rektumit (anus). Në këto raste kur intervenimi është i mirë, dhe nuk është prekur sfinkteri anal, fëmija nuk ka mundësi të ketë pasoja ose inkontinencë të nevojës. Edhe pse inkontinenca e shoqëruar me barkqitje dhe konstipacion mund të paraqiten herë pas herë pas operacionet, ato nuk janë të rrezikshme për jetë dhe fëmija mund të ketë një kualitet të mirë të jetesës.


Përshëndetje. Jam një vajzë 28 vjeçe. Kam përshtypjen se vuaj nga koliti. Në momentin e parë që ndiej pak ftohtë, fillon shqetësimi në bark: fryrje të tij, marramendje, dhimbje koke, nervozizëm. Shpeshherë gjej qetësim duke vendosur shishe me ujë të ngrohtë në bark.

Ju lutem doktor, një përgjigje se kjo gjendje më ndodh gati çdo ditë dhe tashmë është bërë e padurueshme.

Faleminderit, në pritje të përgjigjes suaj.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për kollon irritabil (IBS) që përcillet me dhimbje barku dhe fryrje. Mirë është të lajmëroheni tek gastroenterologu për të caktuar analizat dhe ekzaminimet përkatëse për të parë gjendjen tuaj .


Përshëndetje. Unë kam problem me zorrën e trashë, kam dhembje gjatë kryerjes së nevojës dhe shpeshherë kjo shoqërohet me gjakderdhje. Më shumë i preferoj ushqimet e thata dhe mendoj se e kam nga kjo, por sërish kisha dashur të di diçka më tepër, frikësohem mos ka ndonjë rrezik, apo duhet të konsultohem me ndonjë mjek? Ju lutem, më ndihmoni. Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për hemorroide, por nëse gjakderdhja nga zorra e trashë paraqitet më shpesh, atëherë duhet të lajmëroheni tek gastroenterologu për të bërë një ekzaminim endoskopik (Sigmoidoskopi) për të verifikuar me saktësi burimin e gjakderdhjes. Zakonisht personat që hanë ushqim të thatë, marrin pak ujë dhe lëngje, konsumojnë sasi të vogla të pemëve dhe perimeve, kanë predispozita për të zhvilluar hemorroide të brendshme si pasojë e jashtëqitjeve të forta dhe me dhimbje. Unë ju rekomandoj të ndryshoni stilin e të ushqyerit dhe të përdorni më shumë ushqime të lëngshme, më shumë fibra dhe produkte të drithërave.


Përshëndetje. Jam një vajzë 28 vjeçe. Kam përshtypjen se vuaj nga koliti. Në momentin e parë që ndiej pak ftohtë, fillon shqetësimi në bark: fryrje të tij, marramendje, dhimbje koke, nervozizëm. Shpeshherë gjej qetësim duke vendosur shishe me ujë të ngrohtë në bark. Ju lutem doktor, një përgjigje se kjo gjendje më ndodh gati çdo ditë dhe tashmë është bërë e padurueshme. Faleminderit, në pritje të përgjigjes suaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për kollon irritabil (IBS) që përcillet me dhimbje barku dhe fryrje. Mirë është të lajmëroheni tek gastroenterologu për të caktuar analizat dhe ekzaminimet përkatëse për të parë gjendjen tuaj .


Përshëndetje. Unë kam problem me zorrën e trashë, kam dhembje gjatë kryerjes së nevojës dhe shpeshherë kjo shoqërohet me gjakderdhje. Më shumë i preferoj ushqimet e thata dhe mendoj se e kam nga kjo, por sërish kisha dashur të di diçka më tepër, frikësohem mos ka ndonjë rrezik, apo duhet të konsultohem me ndonjë mjek? Ju lutem, më ndihmoni. Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për hemorroide, por nëse gjakderdhja nga zorra e trashë paraqitet më shpesh, atëherë duhet të lajmëroheni tek gastroenterologu për të bërë një ekzaminim endoskopik (Sigmoidoskopi) për të verifikuar me saktësi burimin e gjakderdhjes. Zakonisht personat që hanë ushqim të thatë, marrin pak ujë dhe lëngje, konsumojnë sasi të vogla të pemëve dhe perimeve, kanë predispozita për të zhvilluar hemorroide të brendshme si pasojë e jashtëqitjeve të forta dhe me dhimbje. Unë ju rekomandoj të ndryshoni stilin e të ushqyerit dhe të përdorni më shumë ushqime të lëngshme, më shumë fibra dhe produkte të drithërave.


Përshëndetje. Jam 15 vjeçare dhe qe një vit e gjysmë kam probleme me obstipacion. Këtë problem e kam pasur që kur kam qenë e vogël, mirëpo asnjëherë nuk më ka penguar, edhe pse zbrazja e zorrës ka ndodhur vetëm një herë në javë. Tani që jam me e rritur, ka filluar të më pengoje shumë për shkak se kam edhe fryrje të barkut nga moszbrazja e zorrëve. Para një viti kam filluar të përdorë laksativ të ndryshëm e çaje për shkak se pas përdorimit të tyre ndihesha më mirë, mirëpo ato nuk mund t'i përdorja për një kohë të gjatë pasi më pengonte në aktivitetet shkollore.
Para 4 ditëve kam vizituar gastroenterologun dhe kam bërë analizat e gjakut, urinës, dhe irigografinë të cilat kanë dalë shumë mirë, zorra ka rezultuar pak më e madhe që nga lindja dhe për shkak të mbajtjes së masës për një kohë të gjatë. Sipas doktorit ky nuk është problem serioz, është vetëm diçka e lindur. Doktori më ka përshkruar të ha pemë, perime dhe sa më shumë lëngje, meqenëse e kam zorrën dembele.
Desha të di vetëm këshillën tuaj për këtë rast dhe sa kohe do të shkojë derisa të kthehem në normalitet.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Konstipacioni zakonisht shkaktohet nga çrregullimet funksionale të zorrës, dhe shumë rrallë nga ndryshimet organike, në rastin tuaj kemi të bëjmë me çrregullime funksionale. Ka shumë faktorë që shkaktojnë konstipacionin, si psh. pirja e sasive të vogla të ujit, sasi e paktë e ushqimeve me fibra, konsumim i tepërt i produkteve të qumështit, stresi, përdorim i i zgjatur i laksativëve dhe çajeve laksativ, depresioni, hipotireoidizmi, kolloni irritabil, dhe më e rralla dhe më me rrezik është kanceri i zorrës së trashë që shoqërohet me konstipacion, rënie në peshë dhe anemi.
Në rastin tuaj, pasi që irigografia ka rezultuar në kufij të normales dhe pa ndryshime organike, terapia e vetme është ushqimi me shumë fibra, musli, kivi, pemë, perime, shumë ujë, aktivitete fizike dhe ushtrime dhe me kohë zorra merr funksionin normal. Mund të provoni me pirjen e një gote ujë të ngrohtë çdo mëngjes 30 minuta para ushqimit, kjo e nxit lëvizjen e zorrës. Sa më larg laksativëve, stresit dhe depresionit.


Përshëndetje. Jam 23 vjeç dhe si duket kam problem me hemorroide. Rastësisht para pak jave zbulova pak gjak në jashtëqitje (deri tani kam hasur edhe 2 herë tjera). Tretjen e kam shumë mirë dhe nuk kam asnjë problem tjetër me jashtëqitje. Analizat e gjakut i kam bërë më herët, kanë dalë të shkëlqyeshme. A mund të jetë ndonjë shkak tjetër pos hemorroideve dhe sa serioze mund te jenë hemorroidet?
Përpos dietës ushqimore, çfarë preferoni tjetër për trajtim?
Do jem mirënjohës nëse mund të më sugjeroni edhe ndonjë klinikë për konsultim të specializuar.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Hemorroidet janë zgjerim venoz në kanalin anal dhe anus, këto zgjerime venoze dalin si pasojë e dobësimit muskulor në këtë pjesë dhe faktorëve tjerë precipitues si konstipacioni, shtatzënia, ngritja e peshave të rënda dhe faktorë tjerë. Hemorroidet shoqërohen me dhimbje, djegie, kruarje dhe herë-herë me gjakderdhje. Çdo gjakderdhje nga zorra e trashë duhet të ekzaminohet endoskopikisht (rektoskopia/sigmoidoskopi) për të vërtetuar burimin e gjakderdhjes. Nëse verifikohet se burimi i gjakderdhjes janë hemorroidet, atëherë fillohet me trajtim medikamentoz, me yndyra dhe suposte. Duke u shoqëruar me dietë që konsiston në largimin e ushqimeve djegës, farave, salcave dhe ushqimeve që shtojnë konstipacionin. Nëse hemorroidet komplikohen me gjakderdhje dhe dhimbje të forta, atëherë ato duhet të largohen kirurgjikisht, por vetëm pas mendimit përfundimtar të gastroenterologut.
Hemorroidet nuk janë rrezik për jetë ose shëndet, por kualiteti i jetës është më i dobët duke vuajtur nga ato.


Përshëndetje dr. Arbër. Ka një kohë të gjatë që kur ha (shumë pak, sepse nuk mundem) më rëndohet lukthi dhe më fryhet barku. Në vitin 2003 kam pasur polip të lukthit + gastrit kronik, ku pas terapisë që kam marrë, nuk kam pasur problem. Në ushqim mundohem të jem e kujdesshme, ha dy herë në ditë (ndoshta rrallë), pijet e gazuara nuk i përdor kurrë. Kam bërë një kontroll te mjeku gastroenterolog, kam bërë analizat e gjakut dhe analiza për antitrup kundër H. pylori që kanë dalë negative
Për momentin përdori Ulkosan 1/1 dhe Espumisan 2/1.
Kërkoj edhe këshillën tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Polipet në lukth janë të rrallë dhe ato shpesh zbulohen aksidentalisht pas endoskopisë, rrallë herë kur janë të mëdhenj dhe të ndryshuar në strukturë mund të shkaktojnë gjakderdhje dhe probleme dispeptike. Këshilla me e parë është që ju të përsërisni gastroskopinë dhe të shihet gjendja e polipit dhe ndryshimet eventuale. Shumica e polipeve janë beninje, por disa tipe mund të ndryshojnë me kohë.
Dispepsia që paraqitet tek ju mund të trajtohet me medikamentet që jeni duke marrë, ato mund të përdorni disa ditë dhe sipas nevojës, dieta gjithashtu luan rol duke filluar disa racione në ditë dhe me sasi më të vogël, të largohet kafja, makiato, lëngjet e portokallit dhe ëmbëlsirat, ushqimet pikante dhe të tymosura në skarë. Sa më shumë pemë, perime dhe ujë natyral.


Jam 18 vjeçare, ndjehem shumë keq qe 4 muaj, kohë pas kohe kam temperaturë, dhimbje barku, vjellje, jashtëqitje, më kërcasin zorrët, kam gazra shumë dhe gogësime,sidomos verës. Kam pasur shumë problem me frymëmarrje, analizat e urinës dhe gjakut më kanë dalë mirë. Me 2 Qershor kam pasur një abort 5 javor me vakuum, i cili më ka stresuar shumë, mirëpo nuk kam pasur ndonjë komplikim në organizëm. Në muajin gusht për herë të parë kam marrë tableta kundër shtatzënisë, jam ligështuar për vdekje, kam qëndruar në spital duke marrë infuzione. Në shtator, sërish e kam marrë edhe një tabletë kundër shtatzënisë, pas marrëdhënies. Kisha simptomat e njëjta, mirëpo kësaj radhe edhe gjakderdhje nga vagina, kurse ciklin menstrual e prisja me 21 shtator.
Ju lutem doktor, më ndihmoni sepse edhe kam humbur shumë peshë, nganjëherë nga mundimi më vjen t’i jap fund jetës.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kontraceptivët si çdo medikament tjetër kanë edhe efekte negative, dhe ato mund të shfaqen varësisht nga gjendja e përgjithshme e pacientit. Shumë ankesa që ju i përshkruani dhe që shfaqen pas marrjes së tabletave janë efekte anësore të këtyre tabletave. Unë ju rekomandoj që për fillim të ndërpritni marrjen e kontraceptivëve dhe të përcillni gjendjen, nëse vazhdoni me të njëjtat ankesa, atëherë lajmëroheni tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm.
Mirë është të analizohet fecesi për parazit dhe infeksion të mundshëm, një ultrazë të barkut është i preferueshëm, dhe pastaj si opsione të fundit janë ekzaminimet endoskopike.
Marrja e antiemetikëve dhe PPI mund të lehtësojnë gjendjen, si klometol tbl ose omeprazol dhe pantoprazol caps për disa ditë deri në vizitën tek gastroenterologu. Gjithashtu ju rekomandoj të konsultoni gjinekologun për mënyrën e përdorimit të kontraceptivëve.


Përshëndetje. Jam 21 vjeçar jam nga Presheva. Ka 2 vjet që kam probleme me lukthin. Kam bërë shumë kontrolle. Mjekët më kanë preferuar që të ndërpres lëngjet me gaz, cigaret, kafenë, ushqimet me yndyrë. Kam bërë vizitë mjekësore edhe në Belgjikë. Mjekët atje më kanë dhënë terapi, si omeprazole mylan 40mg, omeprazole eg 20mg, primperan 5mg, por pa ndonjë ndryshim në shëndetin tim.
Doktor, jam shumë i brengosur dhe pres ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Unë nuk shoh arsye për brengosje, ju keni bërë shumë analiza dhe ekzaminime, por pa diagnozë të qartë, dyspepsia dhe GERD mund të jenë një nga shkaktarët e shqetësimeve tuaja, që trajtimi i vetëm është dieta dhe terapia me PPI si omeprazol ose pantoprazol. Mirë është të bëhet një ultrazë i abdomenit (barkut) dhe analiza e hlicobakter pylorit në feces, edhe pse mendoj se edhe atë e kanë ekzaminuar në Belgjikë, sidoqoftë ju mund ta përsërisni analizën. Ju rekomandoj të lajmëroheni tek gastroenterologu me gjitha analizat e bëra dhe historinë e sëmundjes dhe pastaj të vlerësohet gjendja.


I nderuari dr. Arbër. Jam shume e shqetësuar dhe mezi pres përgjigjen tuaj. Vëllai im, 39 vjeçar, kishte dhënë një dozë gjaku për t'i ndihmoj gruas së tij e cila vuan nga koliti ulceroz, por papritmas gjatë testimit të gjakut doli prezent virusi i Hepatitit B. Menjëherë është analizuar edhe gjaku i gruas së tij, por nuk e ka këtë problem, ndonëse ka mjaftë telashe me kolit (edhe përdor rregullisht terapinë). Menjëherë ka marrë vaksinën kundër hepatitit B, porse unë jam shumë e brengosur. Sinqerisht ju përshëndes duke shpresuar në ndihmën tuaj. Një lexuese nga Mitrovica.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Shumë raste të hepatitit kronik B ose pacientë me HbsAg pozitiv zbulohen pas dhënies së gjakut ose aksidenteve dhe përgatitjes para ndërhyrjeve kirurgjikale. Pasi që vëllai juaj është në moshë të re duhet të bëjë një sërë analizash dhe ekzaminimesh duke filluar nga markerët e hepatitit viral, gastroskopia, analizat biokimike si proteinat totale, albuminat dhe hepatogrami, ultrazëri abdomenit dhe si përfundim HBV DNA një markerë viral që behet përmes PCR sistemit. Duke vlerësuar sasinë e virusit në gjak vlerësojmë edhe gjendjen e pacientit dhe nëse ka nevojë për terapi antiviale, ose jo.
Kjo analizë determinon terapinë dhe shërimin. 20-30% e pacientëve gjatë gjithë jetës mbetet me virus hepatik B ose HbsAg pozitiv, por HBeAg neg. Ju duhet te jeni në konsulta të vazhdueshme me haptologun.

 


Përshëndetje, dr.Arbër. Jam 33 vjeç, kam probleme me zorrën e trashë dhe pas kryerjes së nevojës fiziologjike po kam kruarje dhe më shumë gazra (para një muaji kam përdorur edhe Rudakol). Kohët e fundit m’u larguan këto kruarje, por po kam dhimbje në mes për shkak të vështirësive gjatë kryerjes së nevojës fiziologjike. Kur isha herën e fundit të gastroenterologu para dy javëve, më rekomandoi të bëj koloskopinë. Jam në dilemë se po frikohem mos ka dhimbje prej kësaj dhe mos ka efekte negative në të ardhmen.

 

 

Kërkoj një sqarim nga ju doktor.

Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Konstipacioni është një problem shëndetësor mjaft i shprehur në popullatë, kjo lloj gjendje çrregullon në masë të madhe kualitetin e jetës dhe vështirëson aktivitete në masë të madhe. Një nga pasojat e konstipacionit është paraqitja e noduleve hemoroidale, zgjerimeve venoze në kanalin anal si pasojë e vështirësisë në daljen jashtë dhe prolapsin hemoroidal. Këto hemorroide mund të shoqërohen me djegie, kruarje, dhimbje dhe gjakderdhje, kur paraqitet gjakderdhja atëherë duhet të intervenohet kirurgjikisht ose në mënyrë endoskopike me anë të lidhjes së tyre. Çdo dhimbje dhe gjakderdhje në fund të zorrës që zgjatë për një kohë, rekomandohet ekzaminimi endoskopik, rektoskopia ose sigmoidoskopia, në raste të rralla kolonoskopia. Si çdo procedurë ka komplikimet e veta, por në përgjithësi procedura sigmoidoskopia tolerohet mirë nga pacienti. Të dhënat e endoskopise dhe rezultati ka vlerë diagnostike të jashtëzakonshme.

Sa i përket terapisë, unë ju rekomandoj dietë me shumë pemë, perime, kivi, musli, misër, bizele, ujë dhe lëngje.


Tung dr. Arbër. Kam dhimbje në lukth, sidomos kur bëhem nervoz, më fillon dhimbja nga fundi deri te fyti, më bllokon dhe më zihet fryma, më humb fuqia. Poashtu, kam një erë shumë të keqe, sado që i pastroj dhëmbët më vjen nga lukthi dhe më bënë të ndjehem keq.

Ju lutem, më tregoni si te veproj, nuk kam qenë asnjëherë në vizitë te mjeku!

Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Dhimbja e stomakut, e shoqëruar me dhimbje fyti, gromësirë, urth zakonisht është si pasojë e refuksit gastroesofageal dhe problemeve dispeptike si pasojë e hiperaciditetit, thartirës së shtuar në lukth, kjo shpesh nxitet nga gjendja psikofizike, nga stresi i tepërt, gjendja ankthi etj, por edhe nga ushqimet jo mirë të konsumuara.

Unë ju rekomandoj të konsultoni gastroenterologun për analiza dhe ekzaminime të nevojshme, ju në ndërkohë deri në vizitën e planifikuar mund të përdorni një PPI si omeprazoli ose pantoprazoli, një herë në ditë në mëngjes esëll para ushqimit për disa ditë deri sa të bëni konsultën tek mjeku. Dieta, më pak lëngje të gazuara, qepë, ëmbëlsira, makiato dhe produkte të tharta, është e preferuar në rastin tuaj.

 


Përshëndetje! Do të dëshiroja të dija për intolerancën nga gluteni dhe refluksin e ezofagut bazik, çfarë diete mund të mbash dhe çfarë medikamentesh mund të përdorësh në rast shqetësimesh? A ka ndonjë specialist që merret me këtë problem se dua të kontaktoj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Së pari refluxi gastroesofageal është një sindromë si pasojë e kthimit të përmbajtjes së lukthit në ezofag dhe si pasojë personat kanë dhimbje, djegie gjoksi, gromësirë dhe urth. Janë shumë faktorë qe e shkaktojnë refluxin si psh. Hernie hiatale ax, hiperaciditeti, mbipesha dhe ushqimi jo i rregullt. Terapia varet nga shkaktarët, por më kryesorja është ulja e aciditetit si përdorimi i PPI si omeprazoli, etj., disa javë dhe e shoqëruar me dietë dhe ushqim të rregullt. Intoleranca nga gluteni, apo sëmundja e celiakisë, apo enteropatia gluteinike është një sëmundje autoimmune, me origjinë gjenetike që i përfshijnë gjitha moshat duke filluar nga fëmijëria e hershme. Simptomatologjia është me diarre të shpeshtë, pas ushqimit me përmbajtje te gliadinës, foshnjat nuk mund të marrin qumështin nga gjiri i nënës, lodhje, dobësi trupore, rënie në peshë, dhimbje të forta abdominale, anemi kronike fryrje barku etj. Personat me këtë sëmundje kanë alergji në proteinën e quajtur gluten që gjendet në produktet e grurit, elbit dhe thekrës. Nëse konsumohen këto ushqime atëherë vie deri tek dëmtimi i mukozës së zorrës së hollë dhe mosbasorbimi i materieve ushqyese dhe diarre e zgjatur. Shërimi dhe trajtimi i vetëm është ndalja e marrjes së ushqimeve me luten, siç i ceka më lartë. Dhe kjo vlen për gjithë jetën. Si zëvendësim i ushqimit është misri dhe produktet e sojës.
Gastroenterologu është specialisti që merret me këtë problematikë dhe sëmundje.


Përshëndetje. Unë jam Afrimi dhe desha të konsultohem në lidhje me një problem që në fakt po më shqetëson. Kam një puçërr, pak më lart zorrës së trashë. Tani kam dhimbje, jam konsultuar me disa mjekë, por më kanë preferuar që të bëja një operacion si pasojë e kësaj më thonë mjekët është qimja e cila është futur në lëkurë. Tani për momentin, jam vizituar edhe te një mjeke e lëkurës ku për momentin më ka udhëzuar të përdori Augmentin 625mg dhe një fishek për lyrje chlormephmical 5mg dhe betadin 10!% Desha edhe një këshillë nga ju, mos është diçka shumë serioze?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për absces perianal, që ka shumë faktorë por një nga ato është edhe inkapsulimi i qimes nën lëkurë dhe infeksionet dytësore nxisin krijimin e abscesit. Mirë është të vizitohesh nga gastroenterologu ose kirurgu për të parë nga afër këtë formacion. Nëse vërtetohet abscesi, atëherë terapia e vetme pas marrjes së antibiotikëve është intervenimi kirurgjikal dhe largimi dhe pastrimi i asaj pjese.


I nderuar doktor. Kam problem me hemorroide qe 20 vite, jam kontrolluar disa herë te mjeku. Kam përdorur barna, mirëpo problemi qëndron te zorra e trashë që gjatë nevojës së madhe, del jashtë anusit, mirëpo pa ndonjë problem kthehet në brendësi. Pastërtinë e mbaj në nivel të lartë. Doktor, meqenëse kjo gjendje vazhdon një kohë të gjatë, më preferoni ndërhyrjen kirurgjike apo mund të vazhdoj kështu dhe, a më kanoset ndonjë rrezik.
Ju falënderoj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nodulet hemorroidale janë zgjerime venoze të lokalizuara në kanalin anal dhe jashtë saj, ato mund të ndahen në 3-4 shkallë, varësisht nga gjendja, shkalla e 3-4 janë ato si i përshkruani edhe ju vetë kur dalin jashtë dhe herë-herë kthehen brenda, vetvetiu ose me forcë. Hemorroidet mjekohen dhe kjo mund të zgjasë me vite. Për shkak të dhimbjeve të forta dhe gjakderdhjeve të shpeshta që mund të sjellë deri te anemia e thellë intervenimi kirurgjikal është i vetmi opsion dhe shërim i plotë. Në rastin tuaj, nëse hemorroide nuk ju shkaktojnë probleme të mëdha, nuk ju prishin kualitetin e jetesës, atëherë mund të mjekoni me suposte dhe yndyra, por nëse keni dhimbje dhe gjakderdhje të shpeshta, atëherë, intervenimi kirurgjikal është trajtimi adekuat. Hemorroidet, në asnjë formë nuk shndërrohen në kancer.


Kam një pyetje për dr.Arbrin, të cilin e përshëndes dhe e përgëzoj për punën që bën. Në prill të vitit të kaluar kam pasur helikobakterin 1.08, kurse tash më ka dalë 1.12. Dmth ka pasur rritje. Muajin e fundit kam pasur probleme me lukth, sepse kisha ngapak dhimbje dhe nuk ma duronte ushqimin. Kam filluar të përdor Famosan, 20 mg, nga 2 herë në ditë qe një javë dhe po e ndjej veten më mirë. Doktor, sa kohë duhet të përdori këtë preparat, sepse po më ndihmon.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Pas trajtimit dhe mjekimit kundër helicobakter pylori, analiza më e saktë dhe më e sigurt për të vërtetuar largimin e HP apo shërimin e plotë është analiza e fecesit për helicobakter pylori. Duhet të keni të qartë se 15-20% e pacientëve që marrin terapinë kundër HP nuk arrijnë ta largojnë atë, dmth terapia nuk ka sukses për shkak të shumë faktorëve, prandaj tek këta persona rekomandohet përsëritja e terapisë me disa modifikime, por gjithmonë përsëritja pasi që është ekzaminuar me saktësi HP. Famosani është në antihistaminik që ulë aciditetin në stomak, është një medikament i vjetër, por që rrallë ordinohet. Sidoqoftë, ju mund ta merrni atë sipas nevojës, por rekomandimi im që më vonë të kaloni në PPI si omeprazoli, lansoprazoli apo pantoprazoli, pasi që efektet anësorë janë më të vogla dhe efekti është më i mirë dhe më i shpejtë.


Përshëndetje Dr.Arbër. Kam dhembje të shumta në bark, po ashtu shtrëngim në gjoks dhe dhimbje në mes shpatullave, ndonjëherë kapsllëk dhe diarre. Jam konsultuar edhe me një doktor tjetër dhe ai më propozoi të marr espumisan, për shkak të gazrave në bark, por pa ndonjë efekt.
Kam bërë edhe ultrazërin, mirëpo nuk ka ndonjë përkeqësim në zorrë.
Ju, si gastroenterolog, çfarë më propozoni?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbja dhe shtrëngimi në gjoks mund të jenë me origjinë kardiake ose gastrike. Sa i përket problemeve gastrike ato mund të vijnë si pasojë e refluksit gastroezofageal ose GERD, që është kthimi apo regurgitimi i lëngut dhe përmbajtjes gastrike në ezofag. Këto ankesa shfaqen kur keni aciditet të shtuar në stomak, kur ushqimi nuk është i rregullt dhe përmban ushqime që shtojnë aciditetin dhe refluksin. Prandaj unë ju këshilloj që të merrni një mendim kardiologu për të larguar origjinën kardiake të dhimbjeve në gjoks dhe pastaj me gastroenterologun të vazhdoni mjekimin. Si terapi fillestare për reflux është PPI, si omeprazol, lansoprazol ose pantoprazol 1-2 herë në ditë për disa javë së bashku me dietë që konsiston në largimin e ëmbëlsirave, makiatos, lëngjeve të portokallit, ushqimeve pikante dhe të tharta.
Sa i përket barkqitjes dhe kapsllëkut që ndryshojnë kohën dhe periudhën, ato mund të jenë si pasojë e kolonit irritabil. Mund të ekzaminoni fecesin për parazit dhe infeksion, sipas nevojës edhe ekzaminimet endoskopike.


Përshëndetje zotëri i nderuar. Unë jam 32 vjeçare dhe kam probleme me lukthin qe një kohë të gjatë dhe më përsëritet herë pas here. Kam pezmatim të lukthit, hiperaciditet dhe lukthin e kam të varur poshtë ose të zhdjergur, siç i thonë. Jam bërë echo, dyshohej edhe për praninë e helicobakterit, por rezultati doli negativ. Vazhdimisht kam turbullime, më vjen për të vjellë, nuk mund të ha asgjë kur jam kështu, ndjej lodhje, nervozë dhe rri e uritur shumë. Më duhet të ha shpesh. Lukthi më rri i zbrazur dhe më shkakton lodhje fizike, sepse e kam edhe fëmijën duke e ushqyer me gji. Jam duke marrë terapi lanzul, cost, rupurut, inkeksione Eglonyl dhe Bevipleks. Këto më duket që më ndihmojnë për momentin, por prapë më përsëriten shqetësimet. Ky problem më është paraqitur para dy-tri viteve.
Doktor i nderuar, mbes me shpresë se do ta lexoj përgjigjen tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Sy dispeptik është sindromë që përfshijnë gjitha ato ankesat që ju i keni përshkuar. Është sindromë që kryesisht shfaqet me probleme dhe diskonfort epigastrik, dhimbje, mundim, herë-herë të vjella, Infeksioni me helicobakter pylori mund të jetë pozitiv por dhe negativ, ushqimi dhe stresi janë faktorë tjerë që e shkaktojnë dispepsinë.
Unë ju rekomandoj që edhe njëherë të përsëritet analiza e HP, në ndonjë laborator të sigurt, Të vazhdohet me Lanzul 2 herë në ditë, jo rupurut. Gjithashtu ushqimi i rregullt është me rëndësi, të largohen sa është e mundur, ushqimet pikante, qepa, hudhra, lakra, ëmbëlsirat, makiato, lëngjet e gazuara dhe portokallit, ushqimet e tharta dhe mishi i tymosur. Nëse përkundër terapisë dhe dietës nuk ka përmirësime duhet të lajmëroheni tek gastroenteorlogu për trajtim të mëtutjeshëm.


Përshëndetje doktor. Jam 24 vjeç dhe që nga dhjetori jetoj në Francë. Merrem me futboll. Ka 2 muaj që kam probleme me bark. Në fillim më janë paraqitur hemorroidet (të jashtme dhe të brendshme) për shërimin e të cilave kam përdorur Proctologue krem dhe suposte përmes zorrës..Kam pasur gjakderdhje 2 herë sepse jashtëqitja ishte e vështirë, por vetëm nga 2-3 pika në fund dhe më është ndalur. Gjatë kësaj kohe kam qenë edhe në stres. Pas disa ditësh fillova të ndiej dhimbje në bark. Vizitova doktorin e përgjithshëm i cili më dha Ultra Levure por dhimbjet nuk pushuan. Dëgjoja zhurmë në zorrë. Pastaj kam vizituar edhe gastroenterologun i cili më ka sugjeruar të përdori Rocgel për 1 muaj. Në të njëjtën kohë jam duke përdorur edhe Meteospasmyl për zhurmë në zorrë rekomanduar nga doktori i përgjithshëm dhe tani dhimbjet janë të herë pas hershme por jo të padurueshme. Më shumë i ndiej gjatë natës. Jashtëqitjen e kam një herë në një ditë e gjysmë apo 2 ditë. Analiza e helicobacter më ka dalë negative. Kërkoj sugjerimin tuaj. Faleminderit për kohën.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbjet e barkut të tipit kërcitje apo gurgullimave të zorrës ndodhin si pasojë e spazmave të zorrës, lëvizjeve të zorrës si pasojë e ushqimeve të ndryshme dhe gjendjes psikofizike. Hemorroidet janë të shpeshta edhe tek futbollistët, prandaj ju këshilloj që të keni kujdes shumë me ushqim dhe të konsumoni sa më shumë fibra, perime, pemë dhe ujë. Meteospasmyl është një spazmolitik i mirë që ndihmon qetësimin e dhimbje dhe kërcitjes së zorrëve, mund ta merrni sipas nevojës 1-2 herë në ditë, varësisht nga gjendja, kjo të kombinohet me dietë dhe ushqim sa më natyral dhe jo pikante, jo kafe dhe jo salca të ndryshme. Një ultrazë të barkut dhe një feces me koprokulturë, është mirë të bëhet.


Përshëndetje! Ju falenderoj për punën e madhe që po e bëni. I nderuar doktor, jam 20 vjeçar. Para disa ditësh e kam bërë gasteroskopinë dhe diagnoza është:
Dg Hiatus hernia axialis interm. Oesophagitis refluxogenes LA (A). Panagastritiss biliaris reactiva. Sy Megenblasse. Kam marrë terapi prej 2 jave me Pantoprazol 40 1x1 dhe Ursobil 150 1x1. Pas 2 javësh, ia kam sjell doktorit rezultatet e analizave që më pati kërkuar dhe të gjitha kanë qenë në rregull me përjashtim të Antigjeneve e H. pylori në feces që më kanë dalur pozitive (H. Pylori Ag.). Rezultati Pozitiv, ndërsa Vlera referente negative. Pas konsultimit me mjekun kemi filluar terapinë për zhdukjen e bakterit si vijon:
Pantaprazol Genericon 40 2x1
Lekoklar 500 2x1
Ospamox 1g 2x1.
Mirëpo vetëm 2 ditë pas fillimit të terapisë, të cilën e kam për detyrë ta përdor një javë, kam pas barkqitje që në mëngjes deri në mbrëmje deri sa kam marrë një infuzion që të qetësohem. Tani doktori më rekomandoi që ta ndaloj terapinë deri sa të qetësohem pak dhe lukthi, poashtu. Mirëpo, ka më shumë se dy javë që po pres të qetësohet lukthi. Dy ditë fillon të qetësohet dhe përsëri kam barkqitje në mëngjes. Nuk e di kur të filloj t’i përdor tabletat për zhdukjen e bakterit, sepse kam frikë se mos po kam përsëri efekte anësore.
Desha të di, çfarë më rekomandoni ju dhe a ekziston ndonjë shurup apo tjetër tretman për largimin e bakterit nga lukthi.
Ju faleminderit!

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Një nga efektet anësore më kryesore të terapisë kundër HP është barkqitja, dhimbja barku dhe shija e keqe e gojës (shija metalike). Unë, pas çdo ordinimi të terapisë, pacientëve iu tregoj efektet anësore të medikamenteve që ata të jenë të vetëdijshëm për pasojat e terapisë. Kjo ka ndodh aktualisht tek ju, klaritromicina si efekt anësor kryesor e ka barkqit

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Ju lutem respektoni rregullat e portalit.
Shih të gjitha rregullat për komentim
Dr. Arbër Veliu, specialist Gastroenterolog – Hepatolog
Dr. Arbër Veliu, specialist Gastroenterolog – Hepatolog
Dr. Arbër Veliu, specialist Gastroenterolog – Hepatolog
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
19:26 / 21.05.2012

Bleona aktron përkrah Steven Seagal

Bleona Qereti para pak kohesh i ka njoftuar fansat e saj se ka përfunduar xhirimet për një serial televiziv përkrah të fam...
Teknologji
20:11 / 21.05.2012
Microsoft lanson rrjetin e vet social

Microsoft lanson rrjetin e vet social

Në mënyrë shumë diskrete, Microsoft ka lansuar rrjetin e vet social, faqen So.cl, e cila tani është në dispozicion në t...
Ekonomi
16:16 / 21.05.2012

Dy oferta për privatizimin e KEDS-it

Dy kompanitë turke “Limak” dhe “Çalik” të cilat kanë vendosur që të formojnë konzorcium si dhe kompania “Else...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.