Dr. Avni Kryeziu, internist-reumatolog

0:00 / 17.05.2012
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Avni Kryeziu,
internist-reumatolog
tel. 044 317 322


Përshëndetje, jam një vajzë 22 vjeçare. Ndonjëherë kur të zgjohem prej gjumit më lëshon këmba, nuk mund të qëndroj, rrëzohem. Ky problem ka filluar të më shpeshtohet, kjo ndodh veç në këmbën e djathtë, kam dhembje të durueshme, por më bën nervoz. Kisha pas dëshirë të di për këtë problem.
Faleminderit, shpresoj që nuk je i lodhur.

PËRGJIGJE:
Edhe problemin tuaj duhet hulumtuar në aspektin e hulumtimit të nervave, qoftë në boshtin kurrizor, qoftë në nervat periferik, pra në këmbën përkatëse. Ju këshilloj që të bëni hulumtime të unazave të boshtit kurrizor të regjionit të belit si dhe të këmbës në kuptim të ekzaminimit të nervit dhe muskujve të këmbës së djathtë. Duhet të bëni një vizitë tek mjeku në mënyrë që për së afërmi të merrni udhëzimet e duhura.


Përshëndetje dr .Kryeziu. Ka dy vite që ka filluar të më mpihet gishti i madh i këmbës së majtë. Këtë e kam vërejtur në fillim si një mpirje e vogël, ndoshta e ndonjë ene gjaku, mirëpo me kohë kjo po zgjerohet, posaçërisht në pjesën e sipërme të gishtit të madh të këmbës së majtë. Nuk kam kurrfarë pengesa vetëm kur shtrihem e vërej se është gishti dhe pjesa te nyja e mpitë. Qe disa ditë po e vërej se po më mpihet gishti i madh i dorës së majtë. Kjo për momentin nuk më brengos, por kam frikë nga e ardhmja. Jam 53 vjeçare dhe e kam kaluar klimaksin, ka tre vjet nuk kam pas kurrfarë telashesh gjatë kësaj periudhe. Më intereson të cili doktor duhet të shkoj dhe cilat analiza duhet bërë pa bredhë nëpër ordinance të shumta.
Ju falënderoj paraprakisht për këshillë!

PËRGJIGJE:
Problemet e tilla siç i përshkruani ju, mund të jenë pasojë e problemeve qendrore, pra në tru, ose mund të jenë pasojë e problemeve periferike, pra që ndodhin në nervat periferik në gjymtyrë. Ju duhet të bëni ekzaminimet e trurit dhe nervave periferik në mënyrë që të gjendet shkaku i ankesave tuaja. Ju këshilloj që të lajmëroheni te neurologu, pasi problemi juaj me gjasë, më shumë i përket natyrës neurologjike.


Përshëndetje Dr.Avni, unë jam një vajzë 19 vjeçare. Ka një muaj që i kam gishtat e dorës të ënjtur dhe më mpihen. Poashtu, edhe të dy këmbët poshtë gjurit i kam të ënjtura, kam pasur dhimbje të hatashme të gjurit, por kaluan tash me ndryshimin e motit, por kam dhembje në kërdhokulla dhe në dorë.
Të gjitha analizat kanë dalë mirë, ASTO,CRP, RF, WR. Kam edhe disa probleme me qafën dhe shpinën.
Doktor, çfarë mendoni, ku është problemi tek unë.
Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhembjet, ënjtjet, mpirjet dhe shtangimi në gjymtyrë, sidomos në mëngjes, në të shumtën e rasteve mund të jenë pasojë e ndonjë procesi inflamator (pezmatues) reumatik në organizëm. Fakti që rezultatet e analizave tuaja, kanë rezultuar në normë, e vë në mëdyshje këtë që e thamë më lartë. Megjithatë, ju këshilloj të vizitoni Internistin reumatolog edhe një herë, të bëni ekzaminime dhe analiza të nevojshme në mënyrë që të dimë se përse bëhet fjalë në rastin tuaj. Shpeshherë analizat laboratorike nuk i përgjigjen gjendjes reale të organizmit, pra, nuk përkojnë me ankesat e pacientit dhe kjo ndodh nga shumë arsye. Duhet të vazhdoni të tentoni që deri në fund të zbuloni shkakun e ankesave tuaja.


I nderuari doktor Avni. Kam dhembje të nyjeve, të gishtërinjve të duarve qe një kohë të gjatë. Kam përdorur edhe osteopan, dexomen dhe gel fastum për lyerje, mirëpo nuk kanë pasur kurrfarë efekti. Të gjitha analizat e bëra më kanë dalë në rregull me përjashtim të sendimentit që vazhdimisht më del i ngritur 35-40. Analizën e fundit e kam bërë edhe anti-CCP, edhe ajo ka dalë në rregull.
Doktor, a mendoni se sendimenti i lartë del si pasojë e kësaj dhimbje dhe çka më këshilloni të bëj më tutje.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Dhembjet në nyjet e vogla të duarve të cilat janë simetrike, pra në të dy duart, që përfshin dy apo më shumë nyje, që përcillet me ënjtje dhe ndjeshmëri palpatore dhe që përcillen me shtangim mëngjesor që zgjatë më shumë se 1 orë, flet në të shumtën e rasteve për një sëmundje reumatike inflamatore (pezmatuese) që në mjekësi e quajmë Arthritis rheumatoides. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh shfaqet ndërmjet moshës 25-50 vjet dhe paraqitet më shpesh te femrat se te meshkujt në raport 3:1. Gjithashtu, kjo sëmundje përcillet edhe me ndryshime në analizat e gjakut, si Sediment të eritrociteve të ngritur, ndryshime në rëntgenin e shuplakave si dhe disa teste reumatike që kanë vlera të veçanta. Sipas pyetjes suaj, ju keni disa ankesa në nyjet e gishtërinjve të duarve si dhe një sediment mbi vlerat normale që neve na shtyn të mendojmë për sëmundjen e lartpërmendur. Megjithatë për të vërtetuar ose përjashtuar një gjë të tillë dhe, që përfundimisht të gjejmë diagnozën e saktë, ju ftoj ta vizitoni Internistin reumatolog dhe të veproni sipas udhëzimeve të tij.


Djali im, 8 vjeç, që nga mosha 2 vjeçare ka pasur ankime të kohëpaskohshme dhimbje gjunjësh. Pas kontrolleve që kam bërë, mjekët zakonisht më kanë thënë se mund të jetë nga rritja dhe se me kohë do t’i ndalet dhimbja. Por, edhe tani vazhdon të ketë ankesa dhe dhimbje të gjunjëve, por edhe të nyjeve të tjera nga gjunjët e poshtë. Kam bërë kontrolle dhe analiza, kontrollin e zemrës, mushkërive. Analizat kanë treguar se djali ka probleme me reumë apo diçka të tillë pasi që ai vazhdon të ketë dhimbje, sidomos gjatë mbrëmjes çdo të dytën ose të tretën natë (në gjunjë dhe në nyje të tjera).
I nderuar doktor, pres një këshillë nga ju që të më udhëzoni se si të veproj.
Ju përshëndes.

PERGJIGJE:
Jam i kënaqur që djali juaj nuk ka asnjë problem në organet në të cilat ju i keni hulumtuar. Dhembjet e nyjave në moshat e reja siç është edhe djali juaj, mund të jenë si pasojë e rritjes dhe zhvillimit të hovshëm por, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë problemi reumatik. Nuk kam njohuri se çfarë ekzaminimesh keni bërë për të sqaruar problemet reumatike, në rastin konkret përveç atyre që i keni përmendur më lartë (kontrolli i mushkërisë dhe zemrës), por ju këshilloj që të lajmëroheni te mjeku përsëri në mënyrë që ti bëni edhe disa ekzaminime dhe analiza që janë adekuate në aspektin reumatik dhe pastaj mund të themi se a bëhet fjalë për problem reumatik apo jo.


Kam një dhimbje mesi në anën e majtë, ka 2 javë që më dhemb këmba e majte nga rrëza e kofshës deri te gjuri. Dhimbjet i kam therëse dhe të padurueshme, sidomos kur çohem nga pozicioni ulur në këmbë. Mbasi bëj disa hapa me vështirësi, filloj të eci .I kam bërë masazhe me kremra të ndryshëm dhe kam pire eksedrina për t’u qetësuar, po dhimbjet vazhdojnë njëlloj, qetësohen disa e përsëri vazhdojnë.
Ju lutem doktor, çfarë më rekomandoni pasi vuaj dhe nga stomaku dhe nuk pi dot aspirina apo ilaçe që më ngacmojnë.
Faleminderit !

PERGJIGJE:
Dhembjet e mesit që përcillen poshtë në këmbë, janë si pasojë e problemeve në unazat e boshtit kurrizor, të regjionit të ijëve (lumbosakral). Ju duhet të bëni analizat e nevojshme (CT ose MRI të boshtit kurrizor, të regjionit përkatës) në mënyrë që të caktohet saktë problematika dhe në bazë të rezultateve të fituara, duhet të bëhet mjekimi qoftë medikamentoz ose operativ. Barnat për dhembje duhet t’i merrni me shumë kujdes pasi keni probleme me lukthin dhe gjithmonë pas marrjes së ushqimit!


Jam 37 vjeçar. Kam dhimbje të nyjeve, të gjitha nyjeve: krah, bërryla, duar, gishtërinj, gjunjë, etj. Qe tri vite marr injeksione çdo 3 javë. Në bazë të analizave të gjakut, ASTO-n e kam pasë të lartë 420, kurse tash 315. Çfarë të bëj?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhembjet në nyje, mund të jenë si pasojë e një sërë sëmundjesh reumatike. Analiza e ASTO-s dhe marrja e një injeksioni në tri javë, nuk janë të mjaftueshme që të diagnostikohet dhe mjekohet sëmundja juaj. Për vet faktin se ju ndjeni ende dhembje dhe keni probleme të tilla që i keni cekur në pyetjen tuaj, tregon se duhet të bëni edhe disa analiza shtesë në mënyrë që çdo gjë të jetë e qartë. Unë ju këshilloj që të lajmëroheni te Internisti- Reumatolog, të bëni ekzaminimet e nevojshme dhe që të filloni mjekimin e duhur eventual.


Përshëndetje i nderuar doktor. Unë jam Linda 30 vjeçare. Kam problem me dhimbje të nyjeve, kryesisht, sidomos në pjesën e gjunjëve ku lëvizjet i kam të kufizuara nga dhimbjet. Çdo ditë kam dhimbje, nganjëherë më pak. Po ashtu edhe krahët më dhëmbin. Testi reumatik ka treguar negativ, kam qenë te reumatologu, por jam lodhur nga këshillat e tij për analiza të ndryshme qe disa as nuk bëhen tek ne. Kam përshtypjen se në pleqëri nuk do të mund të lëviz fare ose do të plakem para kohe sa i përket eshtrave. Nuk po kuptoj çka është në pyetje. Këto ankime kanë filluar gati që 9 vite.
Ju falënderoj për këshillë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Nuk do të thotë që çdo dhembje në nyje ose në muskuj, të jetë me natyrë reumatike. E shoh një dozë zhgënjimi tek ju, por, mendoj që këtu nuk ka vend për zhgënjim. Ju duhet të jeni optimiste, të kërkoni me këmbëngulje ndihmë dhe ta gjeni atë. Ju keni bërë shumë analiza dhe konsulta tek reumatologu, por, duhet pasur parasysh se janë një sërë sëmundjesh në reumatologji që ende nuk u dihet shkaku apo mund të jenë ne fazën fillestare dhe, as analizat nuk na japin informata të mjaftueshme, që do të na qonte drejt diagnozës së saktë. Unë ju këshilloj që prapë ta vizitoni Internistin – Reumatolog, të bëni analiza sipas këshillës së tij, dhe, jam i bindur në masë të konsiderueshme se nuk do ndaheni e zhgënjyer.


I nderuar doktor, jam 46 vjeqare dhe kam dhembje të nyejve të dorës së majtë. Dhimbjet përcillen edhe me tërë krahun, domethënë se kam dhembje të eshtrave. Ndej edhe dhimbje, peshat e rënda nuk mundem t’i përballoj. Në krahun e djathtë, dhimbjet i kam me intensitet më të ulët. Kam bërë analiza, rëntgen të kurrizit.
Diagnoza: Syndroma cervicalis et lumbalis chronica.
Ju lutem doktor, ma shpjego këtë diagnozë dhe çka më preferon sepse terapia që ma ka përshkruar mjeku me barna bimore nuk po më ndihmon.

Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Diagnoza e shënuar nga mjeku juaj do të thotë probleme me unazat e qaf[s dhe të belit (ndryshime degjenerative në unazat e boshtit kurrizor) të cilat përcillen me dhimbje, mpirje, rënie e funksionit të gjymtyrëve përkatëse. Nëse vërtet qëndron diagnoza e lartpërmendur (gjë që nuk mund ta konfirmoj ose ta përjashtoj, sepse nuk i kam dokumentat e juaja që të bëj një gjë të tillë), mund të mjekohet me terapi medikamentoze si dhe me terapi fizikale njëkohësisht. Andaj ju rekomandoj që të bëni vizitë te reumatologu në mënyrë që të sqarohet diagnoza juaj dhe nëse është e nevojshme, ta vizitoni edhe Fiziatrin për terapi fizikale eventuale.


Jam 26 vjeçar nga Prizreni me profesion jam tregtar. Kam një problem me këmbën e djathtë, shputa e këmbës, afër gishtërinjve më rri gjithherë e ftohtë dhe e mpirë. Herë-herë djersitet. Ka një vit që më është paraqitur, verës më mpihen muskujt e të dy këmbëve, ndërsa vjeshtës vetëm këmba e djathtë ka të ftoftë dhe mpihet. Kam qenë te ortopedi-traumatologu, më ka udhëzuar i kam bërë të gjitha analizat e gjakut që kanë dalë mirë. RTG e shpinës ka tregua disa shenja në boshtin kurrizor, ndërsa CT e kurrizit, thotë: Në të gjitha nivelet e paraqitura shihen shenja për Schmorll herni. Në nivelet e paraqitura nuk shihen shenja për ngushtim të rëndësishëm të kanalit epidural.
Ortopedi më ka dhënë këtë terapi:
tab. Rheumatac Retard 75mg 2x1
caps. Muscoflex 4mg 2x1
xhel. Topogel 2,5%, 2 herë në ditë.
Mirëpo, këto që i kam maer, nuk më kanë ndihmuar aspak.
Doktor, kërkoj mendimin dhe ndihmën tënde?
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Ankesat tuaja mund të kenë lidhje me ndryshimet në unazat e boshtit kurrizor, në nivelin e fundit të shpinës. Fakti që në ekzaminimin e CT-së janë identifikuar ndryshime të tilla, tregon që në nivelin e këtyre unazave, janë zhvilluar disa ndryshime që ne i quajmë degjenerative, të cilat mund të ngacmojnë rrënjët e nervave që pastaj përcillen me dhimbje, mpirje apo ngërçe në regjionet përkatëse që inervohen nga nervat përkatës.
Së pari ju rekomandoj të bëni edhe disa analiza shtesë (testet reumatike, testet për Brucelozë, ekzaminimet e enëve të gjakut të gjymtyrës përkatëse) që të përjashtohen shkaqet tjera që mund të shfaqin simptoma të njëjta. Më pastaj, nëse këto teste janë në normë, mjekimin e ndryshimeve në unazat e juaja duhet mjekuar me terapi medikamentoze si dhe terapi fizikale. Në këto raste preferohet edhe mjekimi në Banjë rehabilituese që ne, për fat të mirë, i kemi disa të tilla këtu në vendin tonë.


I nderuar doktor, ka dy muaj që më dhemb këmba dhe shpeshherë më shkon dhimbja edhe në gju, po ashtu edhe në tërë pjesën anësore të këmbës së majtë. Dhimbja është e fortë dhe nëpër eshtra. Kam bërë fotografimin me rëntgen, por ortopedi nuk ka vërejtur asgjë, kam bërë një CT, po duket se kam pak mangësi në yndyrë ndërmjet eshtrave. Jam duke përdor një terapi që do të zgjasë tre muaj (Kondroin forte), mirëpo qe dy javë që po i përdori, nuk po vërejë ndonjë ndryshim.
Pres ndihmën tuaj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Dhembjet në këmbë mund të jenë të natyrave të ndryshme duke filluar nga lëndimet, infeksionet e ndryshme, sëmundjet e ndryshme sistemike, ato malinje, etj... Së pari unë nuk e kam të qartë se cilin regjion të këmbës e keni ekzaminuar, keni bërë rëntgen dhe CT të mbigjurit, nyjes së kofshës apo të kurrizit. Nëse mjeku i juaj ua ka ordinuar terapinë e lartshënuar, me siguri që e ka parë të arsyeshme, këtë nuk dua të komentoj. Nëse ju keni dhembje të vazhdueshme, me siguri që ka ndonjë arsye tjetër pos asaj që deri më tani keni gjetur në ekzaminimet që i keni bërë. Duhet të insistoni në këtë drejtim, të bëni prapë nje vizitë tek mjeku të cilin ju e preferoni, mundeni edhe tek reumatologu, të shikohen për së afërmi të gjitha ato ekzaminime dhe mandej nëse është e nevojshme, të bëhen edhe ekzaminime shtesë dhe përfundimisht të gjendet shkaktari i problemit tuaj.


Jam në moshën 56 vjeçare, nuk kam bërë densinometrinë, por ka kohë që vuaj prej dhembjes së nyjeve. Kam bërë rëntgen dhe analiza të gjakut, aty nuk vërehen ndryshime, por unë kam dhembje gjithnjë e më intensive. Dhembja është më e shprehur në nyjen metatarzale të gishtit të madh të këmbës dhe kam dhembje në formë të therjes dhe djegësimit. Doktor, po më intereson, a mos është kjo ndonjë giht apo diçka tjetër se me pasqyrë të gjakut nuk po vërejmë ndryshime që jep sëmundjen e Giht-it. Përdori me kufizime antireumatikët, sepse kam ulcerën ventriculi dhe mundohem t’ju largohem. pak, supostet nuk më ndihmojnë fare. Nëse keni mundësi të më propozoni diçka për terapi dhe konsultime, ju falënderoj shumë. Pacientja nga Gjakova.

PËRGJIGJE:
E nderuar, dhembjet në nyjet e mëdha, që janë josimetrike dhe që përcillen me ndonjë vatër infeksioni kudo në organizëm, quhen ndryshe si Arthritis reactiva. Artriti urik apo gihti, paraqitet si pasojë e çrregullimit të metabolizmit të acidit urik në organizëm dhe pezmatimin e nyjeve nga depozitimi i kristaleve të acidit urik. Për të diagnostikuar këtë sëmundje bëhen një varg ekzaminimesh, por më i thjeshti dhe më i shpejti është përcaktimi i vlerave të acidit urik në gjak që për meshkuj është deri 7mgdl dhe për femra 6mgdl. Nëse në analizat e bëra nga ju rezulton të keni vlera të larta të acidit urik në gjak, atëherë duhet filluar mjekimin adekuat për sëmundjen në fjalë. Sido që të jetë, ju duhet të vizitoni reumatologun me analizat e bëra në mënyrë që të këshilloheni për hapat që duhet vazhduar më tutje në drejtim të diagnostikimit të problemit tuaj.


Jam 21 vjeçare nga Shqipëria, jam e martuar edhe e pres femijen tim të parë, jam në muajin e nëntë të shtatzënisë. Kam pasur vizita të njëpasnjëshme të rregullta te gjinekologu dhe më ka thënë se gjendja ime dhe e fëmijës është shumë e mirë, por kam 2 muaj e më shumë që më mpihen duart shumë, sidomos gishtat e duarve, dhe më dhembin shumë, nuk më lënë as të fle. Në mbrëmje edhe gjatë ditës non-stop më dhembin, s’mundem t’i duroj dot më, me zor i bëj punët me duar të mpira. I kam bërë analizat, më kanë dalë mirë.
Ju lutem, më ndihmoni, nuk di ç’të bëj?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Shtatzënia është një gjendje mjaft specifike, delikate dhe e ndjeshme e cila, sidomos tek primiparet (tek femrat që për herë të parë bëhen nëna) mund të sjell gjendje fizike dhe psikologjike ndryshe para shtatzënisë. Nuk përjashtohet mundësia që ju mund të keni dhe probleme reumatike, por, në shtatzëni nuk preferohet të merrni medikamente për shkak të efekteve anësore që kanë për frytin tuaj.
Ju këshilloj që të merrni ndonjë medikament të lehtë, siç është Paracetamoli, të merrni me shumë tableta minerale dhe vitamina derisa ta përfundoni shtatzëninë. Tek pastaj, ju mund të bëni analiza të nevojshme dhe të merrni mjekim adekuat nëse është e nevojshme.


I nderuari Dr.Kryeziu. Jam 45 vjeçare dhe qe një vit vuaj nga një dhembje e këmbëve që sa vjen e bëhet më e padurueshme. Më dhembin sidomos muskujt e dy këmbëve prej gjurit e poshtë, mbrapa deri te zogu i këmbës. I kam bërë analizat e gjakut si edhe një ekzaminim se mos janë në pyetje venat e brendshme, mirëpo dopleri ka dalë mirë. Doktor, dua të më ndihmoni sadopak. Ndjej dhembje vetëm në qetësi, kur ulem në mbrëmje. Ecjen e preferoj shumë, gjatë ditës, minimum eci 2 orë, mirëpo gjatë ditës tërë kohën qëndroj ulur në zyre.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Dhimbjet në këmbë, mund të jenë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga problemet lokale që mund të ndodhin në vet gjymtyrët, deri te ato të përgjithshme që mund të jenë si pasojë e sëmundjeve të ndryshme, si, sëmundja e sheqerit, sëmundjet sistemike të indit lidhor dhe një varg patologjish tjera. Nuk janë vetëm problemet në enët e gjakut që mund të sjellin shqetësime të tilla. Në pyetjen tuaj nuk keni ofruar të dhëna të mjaftueshme për gjendjen tuaj të përgjithshme shëndetësore, profesionin, konstitucionin (peshën trupore) tuaj etj., të dhëna që do të ishin me mjaft interes në rastin konkret. Megjithatë, ju preferoj të bëni një vizitë tek Internisti-reumatolog, në mënyrë që të merrni udhëzime më të sakta se çfarë duhet vepruar më tutje për të hulumtuar shkakun e shqetësimit tuaj.


Jam 29 vjeç, kam probleme në të ecur, që nga lindja. I kam bërë analizat te neurologu, kanë dalë mirë, poashtu rezonanca. Neurologu thotë se problemi është sipërfaqësor. Unë, nuk mundem ta shtrijë këmbën deri në fund, pothuajse me shputë nuk e preku asnjëherë. Eshtrat e këmbëve nuk më dhëmbin asnjëherë. Po ashtu, këmbët nuk mundem t’i bëj kryq. Doktor, cila kishte me qenë këshilla juaj?
Ju faleminderit

PËRGJIGJE:
I nderuar. Problemin që ju e parashtroni, me sa kuptova, është një problem që e keni nga lindja dhe i cili, si i tillë, ka qenë dashur të trajtohet menjëherë pas lindjes dhe jo të pritet deri në këtë moshë. Me siguri, bëhet fjalë për ndonjë dëmtim ose patologji të sistemit neuromuskulor lokal, në këmbën gjegjëse. Sidoqoftë, ky problem më shumë i takon sferës neurologjike dhe fiziatrike, andaj, përveç vizitës tek neurologu, ju preferoj që të bëni vizitë permanente edhe tek fiziatri për terapi fizikale, pasi këto terapi do të ishin shumë të dobishme në rastin tuaj. Mjekimi jashtë vendit, me siguri që do të ishte i mirëseardhur, por një gjë e tillë kërkon sakrificë dhe nuk e di se a do keni mundësinë ta bëni këtë.


I nderuar doktor, jam 33 vjeçe, qe 8 vite vuaj nga dhimbja e eshtrave. Në gjithë trupin kam dhimbje që kanë filluar mbas shtatzënisë së parë. I kam bërë të gjitha analizat,  kalciumi është në vlera më të ulëta. Pas lindjes së dytë kanë filluar dhembjet më te theksuara, ndërsa tani kam dhimbje edhe nëpër të gjitha nyjet e trupit. Jam vizituar te  shumë mjekë, por pa sukses.

Së fundmi kam përdorur këtë terapi: Tab osteocare, Jointac, vertigo, melebek. Kam përdorur edhe këtë terapi: tableta ideos, kondroin forte.

Të gjitha analizat gjatë kësaj kohe, përveç kalciumit, kanë qenë në vlera normale (1,85, ndërsa vlera normale është 2.02).

Pas këtyre terapive, mjeku më ka këshilluar të bëj një dexa-osteodenziometri dhe vlerat janë këto: Z score -0.3 (0,8).

Dg. epicondylitis cubitiletarix dextri. Morbus schmorl (ro). Uncarthrotis vertebrae cervicalis (ro).

Doktor, ju lutem, më ndihmoni çfarë të bëj dhe se a është fjala për osteoporozë.

PËRGJIGJE:

E nderuar, dhembjet që ju i përshkruani, padyshim që mund të jenë si pasojë e problemeve reumatike, por që me terapi adekuate, ato dhembje do të duheshin të pushonin ose të paktën të zbuteshin. Diagnozat që ju i përmendi ,padyshim qe janë problematike, por nuk besoj që do të duheshin të jepnin dhembje të padurueshme dhe të pandërprera.

Ju duhet të bëni analiza tjera shtesë që të hulumtoni ndonjë problematikë reumatike inflamatore ( pezmatuese ) eventuale pasi nuk e kam të qartë se çfarë analiza keni bërë saktësisht dhe se a i keni bërë ato që janë adekuate për këto problematika.

Edhe osteoporoza mund të përcillet me dhembje, por ajo korrigjohet nëse i përmbaheni një regjimi dietetik të pasur me minerale dhe vitamina, të bëni aktivitet  fizik permanent dhe të merrni medikamente adekuate të cilat janë shumë efikase për shërimin e kësaj sëmundje. Ndër këto medikamente mund të përmenden  preparatet e kalciumit, vitamina D, mandej disa medikamente që e stimulojnë prodhimin e qelizave eshtërore si bifosfonatet, etj.

 

I nderua dr. Kryeziu, jam një nënë nga Struga, e kam vajzën 13 vjeçe, por ka nja dy-tre muaj që i dhemb gjuri i majtë. E dërguam në spitalin e eshtrave në Ohër, i bëmë rëntgen. Rezultati ishte ky: Osteochondrosis juvenili tibiae I.sin. Mjeku përshkroi Ibuprofen kundër dhimbjes,  por këtë javë i dhemb edhe gjuri i djathtë. Unë desha të di a ka mjekim për këtë sëmundje?

PËRGJIGJE:

E nderuar. Dhembjet në nyjet e mëdha, që janë jo simetrike, që janë migratore, pra që migrojnë herë në një nyje e herë në tjetrën, që përcillen me ënjtje dhe me skuqje lokale në lëkurën mbi nyjen përkatëse, kufizim të lëvizjeve dhe që pasohen ose jo nga ndonjë infeksion eventual në grykë, mund të bëjnë fjalë për një entitet reumatik që ne e quajmë ethe reumatike. Kjo sëmundje është karakteristikë sidomos për moshat e reja, siç është vajza juaj.  

Ju këshilloj që të bëni një ekzaminim më të thukët dhe në detaje të vajzës suaj, të bëni ekzaminimin e grykës, të bëni testet reumatike. Të gjitha këto të shikohen nga një mjek specialist që merret me reumatologji, sepse diagnoza të cilën ju e potenconi nuk është bindëse dhe nuk e përshkruan shkakun, por vetëm pasojën.


I nderuar dr. Kryeziu. Jam një grua 39 vjeçe. Pozicionin e punës e kam ulur në karrige. Para një viti u operova nga hernia diskale L4,L5. Pas operimit, tre muaj nuk lëvizja dot këmbën e majtë. Kisha një dhimbje nga gjuri në gjatësi deri te gishti i vogël. Pas kësaj bëra një rezonancë dhe dola tek T11-12 hernie diskale e djathtë. Ndryshime paraspinale sin. si dhe në recesin lateral. Vazhdova me gjashtë muaj mjekim me antiiflamator josteroid.

Tani që po ju shkruaj kam dhimbje në këmbën e majtë, mpirje, dhimbje të dy kupave të gjunjëve dhe ftohje të këmbëve. Bëra analizat dhe rezultatet dolën kështu: Hb-127, sendimenti-10, pcr-negative, fr-negativ, aso-pozitiv.

Kam përdorur: 6 shishe me aloe vere, 5 tenoksikane ampula, diazepan dhe analgin.

Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:

E nderuar, dhembjet në këmbë mund të jenë si pasojë e ndryshimeve degjenerative në unazat e regjionit të belit të cilat janë prezente  tek ju. Edhe intervenimi kirurgjik të cilin e keni pasur më parë është pasojë e rrëshqitjes së diskut intervertebral dhe shtypjes së nervit, i cili nuk do të thotë që është riparuar plotësisht, pra mund të përcillet edhe më tej me dhembje, mpirje etj. Nuk e kam të qartë pyetjen tuaj në vazhdim kur e përmendni rezonancën e bërë në T11-12  dhe që keni një herni diskale plus, përveç asaj që keni pasur më herët në L4 –L5, dhe nëse keni pasur intervenim në atë regjion, apo jo.

Analizat e gjakut të cilat i përmendni janë në kufij normal dhe nuk flasin për inflamacion (pezmatim ). ASO testi është pozitiv, por nuk është domethënës nëse nuk ke probleme me fyt, në të kundërtën duhet të bëni ekzaminime të fytit që të përjashtoni ndonjë infeksion eventual me streptokok.

Sa i përket dhembjeve në këmbë, ju këshilloj që të vizitoni neurokirugun edhe një herë në mënyrë që të përjashtohet intervenimi  kirurgjik eventual. Poashtu, duhet vizituar edhe fiziatri për terapi fizikale  e cila ka një rëndësi të posaçme në këto raste.


Jam 43 vjeçe, ka 9 muaj që jam diagnostikuar në Beograd (pasiqë asnjë mjek në Prishtinë nuk më përshkruante diagnozë) me atritis reuma seropozitiva. Një mjek më preferoi  që të bëj analizat jahstë vendit. Tani jam me terapinë e dytë MX dhe prednol 2mg, ndjehem shumë më mirë, por herë pas here kam enjte të gjurit dhe bërrylit të djathtë. Punktimi më është bërë para dy muajve, më nuk kam pas probleme vetëm se prof. reumatolog në Beograd më ka thënë se nëse prapë më përsëritet ënjta nëpër nyje,  vjen në konsiderim bio terapia me vaksinat 6 mujore kundër antitrupthave.

Dr. Avni, kërkoj mendimin tuaj rreth kësaj terapia dhe a jepet kjo në Kosovë?

PËRGJIGJE:

E  nderuar, Arthriti rheumatoides është një sëmundje reumatizmale inflamatore (pezmatuese), kronike, e cila përfshin nyjet , indet e buta, enët e gjakut dhe pothuajse të gjithë organizmin në tërësi. Është sëmundje progresive dhe po qe se nuk mjekohet si duhet dhe me kohë, mund të lë pasoja të pakthyeshme.

Edhe tek ne  në Kosovë ekziston shërbimi i Reumatologjisë në kuadër të Klinikës interne të QKUK-se në të cilin trajtohet kjo sëmundje me shumë sukses sikur edhe të gjitha sëmundjet tjera reumatike. Në vendin tonë, sot, kjo sëmundje trajtohet  njëjtë siç trajtohet në të gjitha vendet e botes, me medikamentet më të reja që përdoren edhe në vendet më të zhvilluara, andaj asnjë pacient nuk ka arsye që për këto probleme të kërkojë ndihmë jashtë vendit.

Sa i përket terapisë me substancë biologjike tek kjo sëmundje, është një terapi që është duke u përdorur kohët e fundit, është terapi mjaft efikase, por me një kosto mjaft të lartë për kushtet tona ekonomike. Nëse mjekimi me metotreksat jep rezultate të kënaqshme, të kisha preferuar që të vazhdohet me këtë mjekim, sepse mjekimi duhet të zgjatë shumë kohë, ndoshta edhe me vite dhe jo menjëherë të fillohet mjekimi me substancë biologjike.


I nderuar doktor, ka dy muaj që më dhemb këmba dhe shpeshherë më shkon dhimbja edhe në gju, po ashtu edhe në tërë pjesën anësore të këmbës së majtë. Dhimbja është e fortë dhe nëpër eshtra. Kam bërë fotografimin me rëntgen, por ortopedi nuk ka vërejtur asgjë, kam bërë një CT, po duket se kam pak mangësi në yndyrë ndërmjet eshtrave. Jam duke përdor një terapi që do të zgjasë tre muaj (Kondroin forte), mirëpo qe dy javë që po i përdori, nuk po vërejë ndonjë ndryshim.
Pres ndihmën tuaj.
Me respekt, Milazimi.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Dhembjet në këmbë mund të jenë të natyrave të ndryshme duke filluar nga lëndimet, infeksionet e ndryshme, sëmundjet e ndryshme sistemike, ato malinje, etj... Së pari unë nuk e kam të qartë se cilin regjion të këmbës e keni ekzaminuar, keni bërë rëntgen dhe CT të mbigjurit, nyjes së kofshës apo të kurrizit. Nëse mjeku i juaj ua ka ordinuar terapinë e lartshënuar, me siguri që e ka parë të arsyeshme, këtë nuk dua të komentoj. Nëse ju keni dhembje të vazhdueshme, me siguri që ka ndonjë arsye tjetër pos asaj që deri më tani keni gjetur në ekzaminimet që i keni bërë. Duhet të insistoni në këtë drejtim, të bëni prapë nje vizitë tek mjeku të cilin ju e preferoni, mundeni edhe tek reumatologu, të shikohen për së afërmi të gjitha ato ekzaminime dhe mandej nëse është e nevojshme, të bëhen edhe ekzaminime shtesë dhe përfundimisht të gjendet shkaktari i problemit tuaj.


Përshëndetje dr. Avni. Nëna ime është 58 vjeçe. Ka një vit që po vuan nga mpirja e duarve dhe krahëve deri tek brryli. Kjo mpirje shpesh po e lë edhe pa gjumë. Ka bërë analiza të gjakut dhe i kanë dalur të gjitha mirë. Ka bërë vizitë tek fiziatri, ai i ka propozuar të bëjë disa seanca fizioterapeutike me parafinë dhe ushtrime. Fizioterapinë e ka bërë, por edhe ushtrimet vazhdon t’i bëjë edhe në shtëpi. Problemi është se nuk ka aspak përmirësime. Nuk po e dimë nëse rasti i saj është më shumë i ndërlidhur me reumatologun, apo kemi bërë mirë që kemi vizituar fiziatrin?
Çfarë më këshilloni? Ndonjë analizë, vizitë tek ju, apo ndonje terapi qetësuese?
Ju falemnderit!
Koja.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Dhembjet e krahëve që shoqërohen edhe me mpirje mund të jenë në shumicën e rasteve si pasojë e problemeve në unazat e qafës. Poashtu, nëse dhembjet shoqërohen me shtangime dhe me ënjtje sidomos nëse këto probleme paraqiten në nyjet e vogla të shuplakave dhe që janë simetrike, kemi të bëjmë me sëmundje inflamatore reumatizmale që në mjekësi njihet si Arthritis rheumatoides. Për të sqaruar këto dilema, duhet të bëhen një varg analizash si ato laboratorike, testet serologjike dhe rëntgeni i unazave të kurrizit dhe i shuplakave. Pasi të diagnostikohet sëmundja, duhet filluar mjekimin adekuat pasi patologjitë e ndryshme kërkojnë edhe mjekim të ndryshëm nga njëri-tjetri. Në të dyja këto problematika, cilado që të jetë, qoftë problemi nga unazat e qafës apo siç quhet në mjekësi Spondylosis cervicalis ose sëmundja inflamatore reumatizmale që quhet Arthritis rheumatoides, duhet përcjellë edhe mjekim ndihmës fiziatrik, andaj përveç reumatologut, ju padyshim duhet vizituar edhe fiziatrin.


Jam në moshën 56 vjeçare, nuk kam bërë densinometrinë, por ka kohë që vuaj prej dhembjes së nyjeve. Kam bërë rëntgen dhe analiza të gjakut, aty nuk vërehen ndryshime, por unë kam dhembje gjithnjë e më intensive. Dhembja është më e shprehur në nyjen metatarzale të gishtit të madh të këmbës dhe kam dhembje në formë të therjes dhe djegësimit. Doktor, po më intereson, a mos është kjo ndonjë giht apo diçka tjetër se me pasqyrë të gjakut nuk po vërejmë ndryshime që jep sëmundjen e Giht-it. Përdori me kufizime antireumatikët, sepse kam ulcerën ventriculi dhe mundohem t’ju largohem. pak, supostet nuk më ndihmojnë fare. Nëse keni mundësi të më propozoni diçka për terapi dhe konsultime, ju falënderoj shumë. Pacientja nga Gjakova.

PËRGJIGJE:
E nderuar, dhembjet në nyjet e mëdha, që janë josimetrike dhe që përcillen me ndonjë vatër infeksioni kudo në organizëm, quhen ndryshe si Arthritis reactiva. Artriti urik apo gihti, paraqitet si pasojë e çrregullimit të metabolizmit të acidit urik në organizëm dhe pezmatimin e nyjeve nga depozitimi i kristaleve të acidit urik. Për të diagnostikuar këtë sëmundje bëhen një varg ekzaminimesh, por më i thjeshti dhe më i shpejti është përcaktimi i vlerave të acidit urik në gjak që për meshkuj është deri 7mgdl dhe për femra 6mgdl. Nëse në analizat e bëra nga ju rezulton të keni vlera të larta të acidit urik në gjak, atëherë duhet filluar mjekimin adekuat për sëmundjen në fjalë. Sido që të jetë, ju duhet të vizitoni reumatologun me analizat e bëra në mënyrë që të këshilloheni për hapat që duhet vazhduar më tutje në drejtim të diagnostikimit të problemit tuaj.


Përshëndetje, jam 18 vjeçe, kam probleme me eshtra qe 11 vite. Kur ndryshon koha kam dhimbje. Kam qenë te mjekë të shumtë, ata më kanë thënë se kam filluar të rritem shumë shpejt dhe zgjaten eshtrat, prandaj është normale të kem dhimbje. Më kanë thënë se kam edhe reumë të fëmijëve që kalon. Kam përdorë ilaçe, por pa ndonjë ndikim. Kam dhembje në duar, në nyje dhe kur eci.
Pediatri dhe reumatologu më kanë rekomanduar terapi antireumatike dhe Extencillin në çdo tre javë (ka vazhduar për një vit radhazi).
Nyejt e duarve dhe këmbëve nuk janë të ënjtura, as të skuqura, përveç duarve.
Tableat: Aspirin c 2x1 të tretuar në ujë dhe Beviplex 3x1.
Kam bërë analizat: Homgrami, SE, urina, glikemia, Z-Rose, Latex, Asto, IgG, Iga, Igm, CRP, strisho e fytit dhe hundës me antibiogrram.
Rezultatet e analizave: Proteinuri dhe bakteriuri, analizat tjera kanë vlera normale.
Kam përdorë Omega 3.
Doktor, çfarë më rekomandoni?

PËRGJIGJE:
E nderuar, dhembjet në nyje që përcillen edhe me ënjtje dhe skuqje lokale, janë shenjë e ndonjë problemi rematizmal për të cilin duhet hulumtuar dhe vërtetuar se përse bëhet fjalë saktësisht. Ankesat e juaja i keni që në moshë të re, gjë kjo që nuk e përjashton mundësinë e ndonjë problemi reumatik pasi reumatizëm ka edhe në fëmijëri. Ju keni bërë një varg analizash dhe ekzaminimesh të cilat i keni prezantuar në pyetjen tuaj prej të cilave vetëm urina ka rezultuar me infeksion, kurse analizat tjera qenkan në normë. Duke pasur parasysh se cilado vatër infeksioni në organizëm, kudoqoftë ajo, mund të pasqyrohet me probleme reumatike, gjegjësisht mund të rezultojë me dhembje, ënjtje dhe skuqje nëpër nyjet e trupit, atëherë është e mundur që infeksioni në rrugët tuaja urinare, të jetë shkak i këtyre problemeve. Për të saktësuar këtë që e thash, ju duhet të bëni analiza tjera shtesë, siç është ekzaminimi mikrobiologjik i urinës në mënyrë që të bëhet mjekimi i saktë i saj dhe tek pastaj mund të presim rezultate. Infeksionet urinare janë mjaft rezistente në terapi, andaj edhe duhet një përkushtim dhe durim mjaft i vëmendshëm gjatë mjekimit të tyre.


Përshëndetje doktor, unë jam një vajzë 21 vjeçe dhe kam një problem me krahun e djathtë. Kam shumë dhembje, më pengon të lëviz normal krahun. Dhimbje kam natën dhe në mëngjes kur zgjohem pasi e kam si të mpirë, ndërsa gjatë ditës sikur më lirohet. Po ashtu, më dhemb dhe ana e djathtë e qafës sa e bllokon gjithë krahun (nëse dua, psh, krahun ta ngjis, apo të kap flokët, nuk mundem, pasi ndjej dhembje. Ju lutem, nëse mund të më ndihmoni me një këshillë tuajën se si mund të veprojë.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar, dhembjet ne qafë dhe në krah mund të jenë si pasojë e problemeve në unazat e qafës pasi aty fillojnë rrënjët e nervave që e inervojnë tërë atë pjesë të krahut dhe të dorës deri te gishtërinjtë. Ju nuk më keni dhënë të dhëna për kohëzgjatjen e këtyre problemeve si dhe se cili është profesioni juaj, pasi këto të dhëna janë mjaftë të rëndësishme, por sido që të jetë, ju këshilloj që të merrni barna kundër dhembjes dhe inflamacionit të ashtuquajtura Antireumatikët jo steroid (Brufen, Diclofen, etj.), pastaj të bëni ekzaminimet e nevojshme, siç janë; Rtg i unazave të qafës, i nyjës së supit, të bëni eventualisht EMNG apo të matet funksioni i muskujve dhe nervave në atë regjion dhe në bazë të rezultateve të fituara, të behet edhe mjekimi adekuat. Në këto raste, rëndësi ka edhe terapia fizikale e cila jep ndihmesë mjaft të madhe, andaj duhet konsultuar edhe fiziatrin.


Përshëndetje i nderuar. Jam 32 vjeçe, kam reumë, ndjej dhembje në gjurin e majtë, më ënjten duart, lodhem shumë kur të jem në këmbë. Kam bërë edhe një operim në gjurin e majtë, kam nxjerrë lëngun nga gjuri, por nuk pata sukses. Tash bëhen 12 vite që lëngoj nga kjo sëmundje, vendosa të bëj operimin e bajameve me këshillën e mjekut otorinolaringolog, qe 4 muaj jam operuar (dg.synovitis geni lat sin recc.obs synovitis villonodularis pig entosa arthroscoia dg. Lavage geni.biopsio). Kam përdorë barna, injeksione, por pa ndonjë efeket.
Doktor, pres këshillën tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Problemin që e keni në gjurin tuaj, mund të jetë poashtu pasojë e ndonjë infeksioni lokal apo ndonjë infeksioni kudo në organizëm që ka rezultuar me probleme në nyje, konkretisht në gjurin tuaj. Vet fakti që mjeku juaj ka rekomanduar që të bëni heqjen e bajameve pak a shumë plotëson këtë që sapo e përmenda. Poashtu ju keni probleme edhe në nyjet tjera si në duar e gjetiu, gjë që na bën të kuptojmë se nuk është pra problemi lokal, vetëm në nyjën e gjurit, por është një problem më i gjerë, më sistemik i cili ka prekur edhe nyjet tjera dhe që përcillet më pastaj me lodhje dhe plogështi të përgjithshme.
Ju rekomandoj që të vizitoni mjekun Reumatolog në mënyrë që të bëni një varg analizash sipas protokollit që të diagnostikoheni saktë, sepse diagnoza që keni dhënë në lidhje me gjurin, nuk është diagnozë definitive, është diagnozë simptomatike, është përshkruar vetëm ajo që është parë në gju, por nuk është diagnozë definitive që tregon se cili është shkaktari i problemit në gjurin tuaj, por edhe në nyjet tjera.


Jam 17 vjeç, kam therje në këmbën e djathtë dhe nën të. Dua të di, pse më ndodh kjo. Kam qenë te urologu, kam përdorë disa ilaçe, por dhimbja ka filluar të më përsëritet përsëri. Kur punoj diçka, këmba e djathtë, aty ku bashkohet me penis (nuk po di m’u shpreh) fillon të më pihet dhe të më dhemb shumë.
Ju lutem, kisha dashtë të më përgjigjeni.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Dhembja në këmbën e djathtë që ju e potenconi, mund të jetë për shkaqe të ndryshme. Ndër shkaqet e shumta, janë edhe infeksionet e ndryshme në organizëm, të cilat reflektojnë me dhembje në nyje (Artrite Reaktive). Poashtu, ankesat e tilla, mund të kenë lidhje edhe me unazat në boshtin kurrizor, në regjionin lumbal. Ju thoni që keni bërë kontroll te urologu, por nuk më keni shkruar diagnozën për të cilën jeni mjekuar tek ai. Sidoqoftë, unë ju këshilloj që të vizitoni Reumatologun në QKUK, Prishtinë, në mënyrë që t’i bëni ekzaminimet e nevojshme reumatologjike dhe që të filloni mjekimin adekuat në bazë të rezultateve.


Përshëndetje. Jam Valtoni, 14 vjeç, i gjatë 1.85 cm. Kohët e fundit kam pasur shtrëngime të rënda muskulore në anën e majtë saqë nuk mund të përmbahem. Në atë moment kur më kaplojnë goditjet, as frymë s’mund të marr. Kam qenë tek një mjek i përgjithshëm, më tha të përdorja vitamina dhe kalcium.
Ju lutem, më ndihmoni?

PËRGJIGJE:
Të dhënat e juaja janë të pamjaftueshme për problemin tuaj. Unë nuk e di se a keni shtangim në anën e majtë të gjoksit, të barkut, të kokës apo të tërë trupit, pasi ju nuk e keni potencuar këtë në pyetjen tuaj. Në bazë të moshës që ju jeni prezantuar, nuk mendoj që bëhet fjalë për ndonjë problem serioz, por megjithatë, ju paraprakisht, pra, para se të filloni të merrni terapinë që e keni përmendur, duhet t’i bëni analizat e nevojshme, të konsultoni mjekun me rezultatet e fituara dhe pastaj, nëse është e nevojshme, të merrni terapinë.


Jam 25 vjeç, këmbët, gati gjithmonë, i kam të ftohta. Gjithashtu edhe duart. Kur i ngrohë mirë këmbët, më djersiten. Më është bërë kompleks dhe nuk po kam guxim të vizitoj mjekun.
Ju faleminderit për mirëkuptim. Pres përgjigje.

PËRGJIGJE:
Nuk keni asnjë arsye që të bëheni kompleks dhe aq më pak që të mos e vizitoni mjekun. Përkundrazi, ju duhet të bëni vizitë, t’i merrni sugjerimet dhe këshillat e mjekut. Ankesat që ju i përmendni në pyetjen tuaj, janë për shkak të pamjaftueshmërisë së vaskularizimit periferik, dmth. enët e gjakut në këmbët dhe duart tuaja ngushtohen, gjë që përcillet me ftohje dhe zbehje të lëkurës. Kjo mund të ketë shkaqe organike, por mund të jetë edhe pasojë e ndonjë çrregullimi në sferën emocionale. Ju duhet gjithsesi, të vizitoni mjekun, pa hezitim dhe pa frikë, të bëni ekzaminimet e nevojshme dhe të merrni mjekimin e duhur nëse ka nevojë. Pa dilemë se, pas gjithë kësaj, ju nuk do keni më komplekse për shëndetin tuaj.


I nderuari dr.Kryeziu. Jam 48 vjeçe, ka dy muaj që ndiej dhembje në gjurin e majtë, dhembja pastaj përhapet edhe në gjithë këmbën. Më tepër dhimbje ndiej atëherë kur e përkuli gjurin, kur p.sh dua të ulem në gjunjë, kur vishem etj. Pasi jam në marrëdhënie pune kisha dashur të di se ku mund të t’ju gjej dhe në çfarë kohe për një vizitë tek ju. Me respekt, Ahterja.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Dhembjet në gjunjë mund të jenë të natyrave të ndryshme duke filluar nga lëndimet e nyjes, sëmundjet e reumatizmit inflamator, sëmundjet e reumatizmit degjenerativ (jo inflamator), sëmundjet sistemike të indit lidhor, etj. Fillimisht, ju këshilloj që të bëni një rëntgen të thjesht të gjurit dhe pastaj ta vizitoni mjekun. Sa i përket vizitës tek unë, unë punoj në QKUK, Kliniken Interne, në shërbimin e Reumatologjisë, çdo ditë pune, prej orës 7-15 ku edhe mund të më gjeni.


Përshëndetje doktor. Vëllai im tani ka 20 vjet, por dora e majtë nuk i është zhvilluar normal, qe 3 vite është vërejtur që zhvillimi i duarve nuk është i njëjtë, por gjatë lindjes këtij i është nxjerrë krahu. A mund të jetë kjo pasojë e atij problemi apo diçka tjetër dhe kur merr diçka me peshë të rëndë 2kg, i dridhet dora. Ju lutem a mundet tash me ndërmarr diçka, megjithatë sa mjekët i kanë thënë se tashmë vonë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Lëndimet e rrënjës së krahut gjatë procesit të lindjes së vështirësuar, tek fëmijët e porsalindur, nuk janë të rralla. Ato mund të lënë pasoja pastaj tek njerëzit ashtu siç i përshkruani edhe ju. Por, për dallim nga ju, zakonisht lëndimet e tilla, zbulohen qysh në fëmijërinë e hershme. Thënë të vërtetën, problematika të cilën ju e potenconi, i takon më shumë lëmisë së neurologjisë sesa reumatologjisë. Andaj, ju këshilloj të bëni vizitë tek Neurologu. Në raste të tilla, ndihmë të madhe, për mos t’thënë ndoshta edhe kryesore, jep terapia fizikale (ushtrimet) e dorës që është zhvilluar dobët, andaj, është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme edhe konsulta e fiziatrit.


Përshëndetje, jam 48 vjeçe edhe kam një problem me eshtrat. Kam dhimbje në tërë trupin, në nyje edhe dhimbja ime ka filluar të shpeshtohet shumë, të bëhet e padurueshme. Jam kontrolluar me shumë mjekë, ata më kanë identifikuar me osteoporozë. Jam duke përdorur Omega 3 edhe osteopan, ka kohë që i përdori, por nuk kanë efekt pozitiv. Gjithashtu, desha të pyes për një injeksion me pesë miligram të substancës “cid Zoledroni”, a mundem ta përdori? Faleminderit shumë, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Dhembjet tuaja mund të jenë si pasojë e ndonjë problemi eventual reumatizmal. Diagnozen Osteoporosis që ju e potenconi, mund edhe ta keni, por nuk mund të jetë ajo e vetme që iu shkakton të gjitha ato dhembje. Nuk mjafton që t’i merrni barnat që i keni cekur dhe që të ndalen vuajtjet tuaja. Ju duhet që, në mënyrë të drejtë të hulumtoni shkakun e dhembjeve duke bërë hulumtime dhe ekzaminime në sferën reumatike dhe tek pastaj të filloni një mjekim adekuat konform rezultateve të fituara. Ju këshilloj gjithsesi të vizitoni mjekun In

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Ju lutem respektoni rregullat e portalit.
Shih të gjitha rregullat për komentim
Dr. Avni Kryeziu, internist-reumatolog
Dr. Avni Kryeziu, internist-reumatolog
Dr. Avni Kryeziu, internist-reumatolog
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
19:26 / 21.05.2012

Bleona aktron përkrah Steven Seagal

Bleona Qereti para pak kohesh i ka njoftuar fansat e saj se ka përfunduar xhirimet për një serial televiziv përkrah të fam...
Teknologji
20:11 / 21.05.2012
Microsoft lanson rrjetin e vet social

Microsoft lanson rrjetin e vet social

Në mënyrë shumë diskrete, Microsoft ka lansuar rrjetin e vet social, faqen So.cl, e cila tani është në dispozicion në t...
Ekonomi
16:16 / 21.05.2012

Dy oferta për privatizimin e KEDS-it

Dy kompanitë turke “Limak” dhe “Çalik” të cilat kanë vendosur që të formojnë konzorcium si dhe kompania “Else...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.