Dr. Bujar Berisha, Psikiatër me qasje psikoterapeutike
Psikoterapitë: definohen si terapi të psikikës ose, ndryshe, mund të quhen si mbështetje psikologjike me qëllim trajtimi. Qëllimi i psikoterapisë është që të ndryshojë rrënjësisht dhe në kohë të gjatë personin, apo një situatë të dhënë përmes intervenimeve terapeutike.Dr. Bujar Berisha
Psikiatër me qasje psikoterapeutike
tel: 045 640 656
Përshëndetje, jam studente në vitin e dytë në fakultetin e arkitekturës. Kohët e fundit kam rënë në depresion të thellë. Prej që kam hyrë në fakultet, ndjehem shumë e stresuar saqë edhe nuk kam shumë vullnet për mësim. Shumë shpejt nervozohem fare lehtë dhe i marr gjërat shumë afër zemrës. Si tip jam e mbyllur dhe më pëlqen të rri vetëm. Nuk mund të duroj zhurmën dhe vendet me shumë njerëz.
Mirëpo, kohët e fundit tek unë është paraqitur një rast që nuk e di si mund ta quaj. Kam fobi prej errësirës dhe nuk mund të qëndroj në vende të errëta. Bëhesha gati të bie të fle dhe pasi e fika dritën m’u duken para syve të mi disa fytyra të çuditshme dhe menjëherë ia fillova vajit dhe nuk mundesha të kontrolloj veten. Ky rast më ka ndodhur edhe një herë tjetër, por këtë herë nuk ishte nga errësira, por pas një debati në familje nuk mundesha të duroj dhe fillova të qaj. Nuk mundesha të ndalem e ta kontrolloj veten.
Ju lutem të më këshilloni se çfarë duhet të bej, më jepni një sugjerim.
PËRGJIGJE:
E nderuara studente, nuk jeni i vetmi person që reagon në këtë mënyrë ndaj ndryshimeve që ndodhin në jetë dhe që ne e quajmë si papërshtatshmëri në rrethana të reja. Kjo iu ka ndodhur edhe juve që me fillim të studimeve. Janë shumë faktorë që ndikojnë në këtë papërshtatshmëri dhe pastaj pasojat i bart vet individi siç iu ka ndodhur edhe juve duke u manifestuar me fobi apo edhe reagime jo adekuate ndaj situatave sociale.
Këshilla ime: kontaktoni profesionist të shëndetit mendor, besoj se pas disa konsultave ju do të gjeni vetveten.
Përshëndetje jam 18 vjeçar. Nga mosha 14-15 vjeçe kam vuajtur nga veset, ose gjeste palidhje të cilat, sipas mendjes time kushtëzonin të bëhej diçka e keqe. Tash po vuaj nga frika e njerëzve që ma kanë inati ose më thonë fjalë të këqija, frikohem se do të rrahëm, ndoshta të vdes. Po ndjehem keq sepse nuk po arrij ta mposhti këtë frikë. Unë nuk dal në pushim, qëndroj në bankë, jam i izoluar psikikisht e fizikisht. Jam duke vdekur me këtë ankth që po ma pushton zemrën. Po mendoj nëse mund ta lë krejt shkollën ose ta ndërroj klasën. Përndryshe jam në vitin e tretë në gjimnaz, gjithmonë me sukses shembullor, kam të kryer kursin e pianos, të anglishtes.
Ndoshta e vlen të them se në familjen time ka pasur shumë dhunë fizike dhe psikike.
Doktor, ku mund të gjej ndihmë?
Shumë faleminderit?
PËRGJIGJE:
I nderuar lexues, mendoj se keni nevojë të konsultoheni me psikiatër dhe këtë me faktin se nga frika se mund t’ju ndodh ndonjë gjë keni filluar të izoloheni dhe të zhvilloni mendime te zhdrejta karshi shokëve dhe shokëve te klasës. Nuk mund të arrini që i vetëm të tejkaloni të gjitha ato ndjesi që keni ne raport me të tjerët, vërtet ju duhet ndihma. Daljen tuaj nga kjo gjendje e shohë përmes konsultimeve duke ju mësuar teknika të relaksimit dhe menaxhimit të emocioneve gjë që do t’ju ndihmonte shumë të përballonit situatat sociale në të cilat gjendeni. Edhe dhuna në familje siç e cekni ju mund të jetë një kontribuues i gjendjes suaj, prandaj kontaktoni me mjekun tuaj për fillim të një terapie eventuale.
I nderuar dr Bujar. Unë jam 25 vjeç, ballafaqohem me ankthin prej moshës 17 vjeçe. Kam ndërruar shumë doktorë. Në shumicën e rasteve jam diagnostikuar me GAD. Poashtu, e kam merak të krahasoj simptomat e mia në internet... dhe gjithmonë GAD më është përshtatur më së shumti. Kam edhe momente depresioni Depersonalizmi/ Deralizmi të cilat i barti gjatë gjithë kohës. Ilaçet nuk kam mundur t’i marr me rregull, sepse gjithmonë më kanë munduar fizikisht dhe mendërisht.
Desha të pyes doktor nëse keni dëgjuar për disa alternativa që i shoh në internet, p.sh ‘The linden method’, a janë këto alternativa vetëm biznis apo edhe mund të ndihmojnë?
Edhe një pyetje direkte, ndoshta pak banale. A keni shëruar ju personalisht ndonjë pacient tuajin nga ankthi?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Që në fillim po ju them se gjendjes suaj i ka kontribuar shumë edhe pasiguria e juaj në raport me diagnozën dhe ndërrimin e shumë mjekëve. Sa për dijeni, diagnozën që keni është nganjëherë normale të kërkohet ndihmë nga shumë mjekë edhe të hulumtohen literatura të ndryshme. Unë mendoj se për të arritur në stabilizim të gjendjes duhet të zgjidhni një mjekë psikiatër i cili do të përcillte gjendjen tuaj për një kohë dhe tek i cili ju do të gjenit sigurinë dhe nuk do të hamendeshit duke humbur kohë në internet apo edhe shëtitjet nëpër mjekë të tjerë. Të gjitha organizmat që mund t’i gjeni në internet ato japin kryesisht informacione mbi sëmundjen ndërsa kontaktet direkte me profesionist të shëndetit mendor do t’ju ndihmonin të tejkaloni gjendjen tuaj dhe të arrinit të keni një vetëvlerësim më adekuat dhe të mposhtni pasigurinë. GAD është çrregullim psikik që trajtohet me sukses por kërkohet kohë dhe durim si nga ana juaj ashtu edhe nga ana e mjekut.
Jam një vajzë 27 vjeçe. Para 3 vite e gjysmë kam marrë një këshillë shumë të keqe prej familjes time, por së pari kam pasur një sulm nervor dhe kam vizituar mjekun, i cili më ka dhënë tableta 5 javë (Eglonyl). Pasi i pyeta familjarët, ata më thanë se kjo është diçka shumë e keqe dhe e rrezikshme dhe që do të kem mendime të këqija, unë, tamam, i mora seriozisht fjalët e tyre. Pastaj krijova një frikë të madhe në mendjen time se do të çmendem, të cilën e kam edhe sot. Pas disa ditësh, u keqësua shëndeti im, vizitova psikiatrin. Ai më dha tab.Demetrin, pastaj Citolopram, me rekomandim të motrës sime, 3 cila kishte pyetur mjekun në Austri, por pa ndonjë përmirësim. Përmes internetit kontaktova me një psikiatre dhe ajo më dha Zoloft, për 3 muaj, por e ndërpreva për shkak të dhimbjeve në lukth. Nj mjeke tjetër më tha të përdori Neurobex dhe Diazepam. Tash e disda ditë nuk po i përdori, sepse fare pak po kanë efekte.
Endje kam frikë për çdo mendim, nuk jam e sigurt në veten time, ndonjëherë djersitem nga frika. Bëj gjumë të mirë, punoj në shtëpi. Nëna dhe motra ime më kanë folur se edhe ato si të reja kanë pasur shqetësime të tilla, porse më vonë nuk kanë pasur probleme.
I nderuar doktor, pres mendimin tuaj për këto shqetësime që më përcjellin
PËRGJIGJE:
E nderuara lexuese, mendoj se shumë më rëndësi për njeriun është se si i pranojmë informatat pastaj si i përpunojmë ato dhe në fund si i interpretojmë. Juve ju ka ndodhur të keni interpretim të zhdrejtë të informatave, gjë që pastaj krijon ankth dhe obsesione (ves – vese) duke shkaktuar gjendje detresi tek ju. Të gjitha ato shenja që përshkruani i përkasin një gjendje ankthi. Gjithashtu sugjestionoheni shpejtë nga të tjerët gjë që edhe më tepër ndikon në gjendjen tuaj.
Sipas asaj që përshkruani keni përdorur shume lloje të ilaçeve që për kohë të caktuar ju kanë ndihmuar. Ju sugjeroj që të keni mjekun tuaj psikiatër që përmes këshillave, do t’ju ndihmoj shumë duke ju përkrahur në vështirësitë aktuale që prezantoni.
Jam 24vjeqe, para 3viteve kalova një depresion të papritur. Më erdhi një mendim spontan qe t’i jap fund jetës, gjithçka m’u bërë bajat. Kisha frikë, pasiguri, monotoni dhe shumë probleme tjera psikike, nuk kisha as besim në veten time. Vizita ime parë te neuropsikiatri ishte shumë e trishtueshme, sepse mendoja se vetëm të çmendurit vizitohen te neuropsikiatri. Ai më tha të marr fluksetin 20mg, 1x0, xanax 0.5mg 1+0+1. Një vit e kma përdorë këtë terapi, isha edhe në Qendrën e Shëndetit Mendor, flisja me ato motrat, dy herë në javë. Ato, bashkë më psikiatrin, sërish më këshillat e tyre, më kanë kthyer në jetë.
Ka dy vjet që e kam ndërprerë terapinë, në fillim kisha disa probleme të vogla, pasiguri, u izolova për disa muaj, më pengonte, madje edhe zhurma, djersitesha, më rrihte zemra, po e kalova disi këtë periudhë. Pastaj u fejova, tash qe 8muaj fejesa ma largoj krejt këtë problem, këtë fobi, por ende kam frikë se mos po më kthehet gjendja e mëparshme, sidomos periudha kur kisha frikë të madhe dhe mendoja se me thikë do ta mbys ndokënd.
Doktor, të lutem më jep një këshillë që do të më ndihmojë. Allahu të shpërbleftë me gjithë të mirat.
PËRGJIGJE:
Çfarë shoh pozitive tek ju se keni qenë mjaftë kurajoze në tejkalimin e vështirësive që keni pasur 3 vitet e fundit. Besoj se keni burime të mjaftueshme të brendshme që të përballoni edhe këtë gjendje me faktin se keni arsye të forta, pasi që keni definuar mirë ardhmërinë tuaj dhe atë duke e parë vetën si bashkëshorte dhe nënë të ardhshme. Për të krijuar një qëndrueshmëri të personalitetit tuaj ju nevojitet që të bisedoni me terapeutin tuaj ne Qendrën e Shëndetit Mendor lidhur me menaxhimin e emocioneve më qëllim të arritjes të një qëndrueshmërie psikike.
Përshëndetje doktor. Jam 26 vjeçar, i martuar dhe kam një fëmijë. Problemi im është se kam depresion. Para rreth një viti e kam ndërpre pirjen e duhanit, diku pas nja 2 muajve pata një depresion i cili shpjegohet në këtë mënyrë: Merakosesha për gjërat që nuk i kam bërë mirë në të kaluarën edhe për gjërat që ndoshta nuk mund t’i kryej si duhet në të ardhmen, për kohën që kam kaluar (edhe për gjëra të parëndësishme). Kjo më bënte të mos fle i qetë dhe të mos ushqehesha mirë (pagjumësi dhe anoreksi).
U vizitova te një doktoreshë, këshillat e saj më ndihmuan shumë dhe me një antidepresiv (më duket citalopram) të cilin e kam përdorë për 3 muaj deri sa mendova se e kam kaluar komplet stresin dhe depresionin.
Tash para rreth 2 muajve kam pas një intervenim (heqje dhëmbi) te stomatologu ku edhe me ka ra të "fikët" dhe nga ai moment unë ndjej pasiguri dhe ndjenjë të fikëti. Kam fobi nga dentisti dhe nga vendet ku duhet të rri.
Para pak kohe në një aksident ka humbur jetën një i afërm, dhe nga ai moment më është kthyer depresioni, ku filloi pagjumësia, anoreksia dhe mungesa e vullnetit për punë e për gjithçka, thuajse.
Kur e kam vizituar fëmijën tek pediatri, i tregova për gjendjen time dhe më këshilloi Bedoxin B6 dhe Lexilium 1.5mg. Ndjej se me është përmirësuar gjumi dhe po ashtu kam përmirësim në të ushqyer, me një fjalë, ndjehem disi më mirë, por megjithatë zgjohem pak si i merakosur dhe zakonisht më del gjumi kah ora 06.00, por edhe më herët fle disi me ndërprerje.
Edhe diçka, jam njeri shumë i ndjeshëm dhe merakosem shumë për shëndetin tim, herë pas here kemi mosmarrëveshje me familjarët, pastaj nervozohem dhe mërzitem shumë.
Jam shumë i kënaqur me jetën që bëj, me familjen, me punën, me arsimimin dhe gjendjen financiare.
Dua te di a shërohet plotësisht kjo gjendje (depresioni) apo herë pas here kthehet
Me respekt, ju përshëndes.
PËRGJIGJE:
Me atë se çfarë më përshkruani gjendjen tuaj, ju prezantoni gjendje ankthi (frikë të brendshme), frikë të ballafaqimit në situata të caktuara që pastaj tek ju paraqitet me pasiguri, gjë që shkakton ndjenjën e frikës paraprake për ngjarjet – merakosjet. Ankthi në përgjithësi prezantohet me pasiguri, dialog të brendshëm (kaloni kohën duke diskutuar vetë më vete), fobi në situata te caktuara dhe fiksime në kohë apo për ndonjë veprim. I tërë ky kompleksitet i simptomave që kanë të bëjnë me ngarkesën psikike konvertohet në simptome fizike vetëm e vetëm që përballë të tjerëve të dukeni se vuani nga një sëmundje organike pasi që në këtë formë është me e kapshme për të tjerët dhe mund të përfitoni nga vizita e mjekut qoftë edhe pediatër. Mendoj se ju nuk vuani nga sëmundje kronike, por nuk jeni trajtuar për kohën sa është e nevojshme.
Psikoterapitë janë mjaftë efikase për këtë lloj çrregullimi që prezantoni, kuptohet duke u kombinuar edhe me terapi medikamentoze.
Përshëndetje! Qe tri vite jam diagnostikuar me shifër F22 dhe kam marr fillimisht
Respiridon, Helex, më vonë Zyprex (20,25,10 mg) e tash Zyprex (Zalasta 5mg) të kombinuar me Haldol 2 mg dhe Mendilex. Në situata të caktuara më përsëritet ndjenja se vazhdimisht jam i ndjekur, përgjuar nga persona të njohur e të panjohur me qëllim të më bëjnë keq mua dhe familjes sime.
Ju lutem për mendimin tuaj: a është kjo terapi adekuate me gjendjen time apo është më mirë të ndërpresë këtë dhe të fillojë me seancë psikoterapeutike. Nëse më rekomandoni psikoterapinë a mund të më thoni a ka në Kosovë mjekë që ushtrojnë këtë.
Edhe diçka, ju lutem: çfarë është PSECT dhe PET, a rekomandohet tek rasti im dhe ku mund të bëhet kjo?
Ju faleminderit!
PËRGJIGJE:
I nderuari lexues, mendoj se mjeku juaj fillimisht iu ka shpjeguar lidhur me diagnozën tuaj. Kuptohet se psikoterapia ju ndihmon jashtëzakonisht shumë, mirëpo assesi nuk duhet ndërprerë ilaçet dhe këtë për arsyen se terapia me ilaçe krijon tek ju një gjendje që mos të jeni i preokupuar me mendimet e juaja nga frika se përgjoheni apo jeni i përndjekur kështu që jeni më të koncentruar dhe më të vëmendshëm karshi situatave gjë që bënë edhe psikoterapitë të kenë më shumë efikasitet.
Sa i përket PSECT dhe PET, janë metoda diagnostikuese radiologjike gjë që nuk ju kisha rekomanduar në rastin tuaj pasi që tashmë ju jeni diagnostikuar.
Përshëndetje jam 25 vjeçare, ka momente që nuk mund ta kontrolloj veten e sidomos ku ka shumë njerëz ndihem tmerrësisht keq. S’kam vetëbesim fare, më kaplon një nervozë, më dridhet trupi, kam frikë për çdo gjë edhe nëse vendos me dal në shopping ose te pi një kafe, dridhem nga frika …Këto kriza i kam prezente zakonisht kur ka njerëz rreth meje, psh. në lokale, në fakultet, ndërsa në shtëpi ndjehem pakëz më e qetë. E përjetoj shumë keq këtë ndjenjë e cila më ka izoluar brenda katër mureve, thuajse qe një vit.
Të lutem doktor, më ndihmo (të bëj vizitë te psikologu apo neuropsikiatri, cilit t’i drejtohem?).
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Gjendja e ankthit në ballafaqim me situata të tilla quhet Agorafobi e që lidhet me fobinë ndaj turmës ose ndryshe frika nga vende të hapura ku ka qarkullim të njerëzve. Ky lloj çrregullimi është mjaft i njohur dhe gjithashtu mirë trajtohet. Momentet kur fillon njeriu të izolohet, njëjtë siç ju ka ndodhur juve, tregon se kanë filluar të shteren forcat e brendshme dhe vështirë e keni të mobilizoni veten për sfidën e radhës, qoftë ajo edhe imagjinare pasi që jeni të përqendruar kryesisht ndaj vetes e jo rrethit.
Është mirë të prezantoheni tek terapeuti (psikiatër apo psikolog të trajnuar në psikoterapi) për të mësuar disa teknika të relaksimit dhe të ballafaqimit në mënyrë që të arrini të funksiononi. Po ju përkujtoj se, ne jemi qenie shoqërore dhe duhet të funksionojmë si të tillë, pavarësisht sfidave të jetës.
Përshëndetje doktor. Jam 33 vjeçare dhe ka 7 muaj që jam në stres. Kjo më ka ardhur vetvetiu, pa ndonjë problem. Jam duke u mjekuar tek një neurolog i cili më ka thënë se ke ngarkesë psikike. Kam përdorur qetësues të ndryshëm, tani jam duke marrë citalopram 20mg në mëngjes dhe në mbrëmje si dhe diapazam mëngjes dhe mbrëmje. Mirëpo, unë ka ditë që ndihem mirë shumë, pastaj ka ditë që nuk jam mirë, me dhimbje koke, marramendje si dhe disa therje në kokë.
Ju lutem, më tregoni se a mund të kem ndonjë problem tjetër apo vetëm gjendje stresi dhe si ta kaloj këtë gjendje që më frikëson shumë.
Me respekt.
PËRGJIGJE:
Zakonisht ankthi vjen papritmas si shenjë alarmi që lidhet me konfliktin intrapsikik apo ngjarje jetësore. Në ato momente është vështirë të kontrollohet situata dhe mendoni se gjithçka nuk është reale apo jetoni me ndjenjën se në çdo çast mund të ndodh ndonjë gjë. Me kalimin e kohë,s simptomat zbuten, por ndjenja e frikës paraprake mbetet gjë që shkakton një ndjenjë pasigurie.
Psikoterapia ka një rol të mirë në këto gjendje pasi që ndikon në menaxhimin e emocioneve dhe vetëkontrollit duke ndikuar në rritje të vetëbesimit. Një rol të rëndësishëm gjithashtu kanë edhe medikamentet, mirëpo nëse shihet mosefikasiteti i tyre, atëherë duhet parë alternativa tjera.
Përshëndetje doktor. Jam 30 vjeçar, i martuar. Që nga vitet e para në shkollën fillore kam pasur sugjestione, si p.sh. frikë nga vetvetja, nga zëri im, kam pas frikë të rri i vetmuar etj. Intensiteti i tyre është rritur çdo herë, sa që pas luftës kam ra në depresion të rëndë. Para 5 viteve kam filluar t’i nënshtrohem terapisë. Në fillim kam përdorë Oxcetin 20 mg për 1 vit e gjysmë. Diku 6 muaj nuk kam përdorë terapi sipas konstatimit të mjekut, por pas asaj periudhe prapë më është keqësuar gjendja dhe kam filluar të përdorë Citalopram 20 mg të cilin jam duke e përdorë ende. Ka pas periudha ku doza e Citalopramin nga ana e doktorit më është ngritur deri në 40 mg. Për momentin jam duke përdorë 10 mg. Mirëpo, në rastet kur e zvogëloj dozën pas një periudhe të shkurtër më keqësohet gjendja. Jam shumë keq emocionalisht. Nuk mundem të mendoj pozitivisht, kam përshtypjen se po tranohem, shumë herë mendoj ta lë punën, ka periudha kur mendoj të bëj edhe vetëvrasje, nuk kam disponim, nuk më bënë përshtypje asgjë, ndihem shumë i lodhur, sado që të fle, prapë ndihem pa gjumë, nuk mund të koncentrohem, etj.
Të lutem doktor, më trego se a kam rrugëdalje nga kjo situatë? A ka shërim nga kjo sëmundje apo do të vuaj kështu tërë jetën? Çfarë më sugjeroni të bëj?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Ju përshkruani një gjendje depresive dhe anksioze të përzier që nga mosha e hershme, mirëpo edhe përkundër këtyre vështirësive keni arritur të funksiononi, të keni familje dhe punë. Mendoj se kjo është më pozitivja që mund të ketë ndonjë njeri. Për këtë duhet të jeni krenar dhe i vetëdijshëm për arritjet tuaja.
Tretmani aktual mund të vazhdojë, kuptohet nën kontrollin e mjekut tuaj. Gjithashtu është me rëndësi që të fokusoheni në menaxhim të ndjenjave tuaja për të arritur një stabilitet emocional me qëllim të forcimit të personalitetit tuaj. Kjo është e mundshme.
Janë 3 akse kryesore në psikoterapi:
1. Aksi psikonalitik
2. Aksi i psikoterapisë së njohjes dhe sjelljes
3. Aksi i psikoterapisë sistemike (familjare)
Orientimi dhe analiza e pyetjeve do të bëhet përmes psikoterapisë së njohjes dhe sjelljes
Përmes Psikoterapisë së Njohjes dhe Sjelljes intervenohet në tri nivele: në kognicion (të menduarit, opinionet, besimet apo procesin e trajtimit të informatave nga truri), në gjendjen emocionale dhe në sjellje.
Ndryshe nga psikanaliza, kjo qasje psikoterapeutike nuk përkon me origjinën e problemit, por fokusohet në trajtimin e manifestimeve të dukshme.
I nderuar doktor, kam pasur depresion tri vite, kam përdorë demetrin, oksetin, rivotril. Një kohë kam qenë shumë mirë, pastaj u punësova, jam martuar qe 6 muaj dhe prapë nuk po e ndjej veten mirë. Zgjohem me dhembje koke, temperaturë në kokë, pa shpresë për jetë. Të gjithë anëtarët te familjes s'kam dëshirë me i pa me sy, gjithçka që më flasin mua, më duket budallallëk.
Jetoj në një familje 20 anëtarëshe, thjeshtë jetë si në filma.
Të lutem doktor, më ndihmo.
Me respekt B.
PËRGJIGJE:
Kjo se çfarë përshkruani është depresioni i rikthyer, por tani në rrethana tjera. Gjithashtu edhe papërshtatshmëria juaj në ato rrethana të reja ka ndikuar që të keni simptomat që i keni cekur. Janë momente që ju nuk arrini mirë të menaxhoni veten dhe situatën përreth dhe këtë e shprehni me ankesa të ndryshme. Prandaj për të mos u thelluar gjendja juaj, ju kisha rekomanduar të kontaktoni mjekun tuaj për ndonjë trajtim eventual.
Përshëndetje i nderuar doktor Bujar. Jam 26 vjeçe. Prej moshës 17 vjeçare kam anoreksi. Kam qenë njëherë e hospitalizuar në kliniken infektive në vitin 2004 për shkak të peshës 35 kg, kam pas faza të përmirësimit, mirëpo jo të mënjanimit të plotë të problemit. Më ka përcjell anoreksia dhe bulimia njëkohësisht, megjithatë kam vazhduar studimet dhe kam pas shumë sukses. Para 2 javësh kam vendos t’i vë pikën problemit tim dhe kam filluar të ushqehem mirë, mirëpo kam përjetuar ankth, me tension të lartë, frikë natën, frikë nga vdekja, frikë në rrugë nga zhurmat, frikë në qytet, në lokale, frikë nga thika, frikë se nuk do mund të flas, të përcjella me mundime, djersitje, me mendje se do çmendem apo do më ndodh diçka e keqe. Të gjitha këto për mua kanë qenë irracionale dhe ngadalë kanë filluar të largohen, tentoj të mos u iki takimeve me shoqet, bisedave, dua të përballem me këto, mirëpo e shoh se ende kam presion dhe kjo më humb vullnetin.
Doktor, dua të di, a është kjo gjendje kalimtare sepse më duhet koncentrimi për mësime.
A kam nevojë për trajtim mjekësor?
Ju faleminderit. Me të mira.
PËRGJIGJE:
E nderuar, ju e përshkruani shumë mirë një gjendje të krizës së ankthit (ndryshe krizë paniku) që ju ka ndodhur pas të gjitha atyre përjetimeve qe keni pasur. Problemi bazik mendoj se mbetet gjithmonë imazhi që keni ndaj vetes e që është manifestuar për një kohë të gjatë me mbizotërim të mendimeve disfunksionale, fokusuar ndaj ushqimit, trupit tuaj dhe vetëvlerësimit.
Tek ju shoh dy gjëra të veçanta që nuk janë paraqitur në të njëjtën kohë, por që kanë të përbashkët ankthin. E para, frika nga pamja trupore dhe e dyta, frika nga ballafaqimi. Mendoj se keni nevojë për një trajtim qoftë edhe pa ilaçe me fokusim në ngritje të vlerave individuale dhe rritje të vetëbesimit dhe sigurisë në vete.
Përshëndetje, i nderuar doktor. Jam 30 vjeçare. Në mbrëmje kam përshtypjen sikur diçka po më shkon pas, nuk shoh asgjë, por thjeshtë sikur jam e sigurt që dikush i padukshëm është pas meje, dhe, derisa sillem nëpër shtëpi, unë kthehem pas dhe nuk ndihem aspak rehat. Është një frikë e cila nganjëherë di të jetë shumë e bezdisshme. Në mendjen time them se nuk ka asgjë, prapëseprapë kjo nuk po mjafton që ta mposht dhe të mos mendoj për të.
Ju falem nderit.
PËRGJIGJE:
Kjo situatë që e përshkruani ndodhë te njerëzit në gjendje ankthi, por që zakonisht kanë histori traumatike, ndodhi nga një ngjarje e përjetuar. Kjo ndjenjë e çuditshme kuptohet nga ju dhe ju jeni e vetëdijshme për çrregullimin që ju ka kapluar, por gjendja konfuze është më dominuese dhe bënë që të përfundoni në dilema.
Është pozitive që ju jeni e vetëdijshme për rrezikun imagjinar që mund të ndodhë, në ndërkohë, sistemi i të menduarit tuaj krijon imazhe anksioze me qëllim të mbajtjes suaj në gjendje gatishmërie duke aktivizuar alarmin. Alarmi tek ju është marrja e veprimeve duke u siguruar dhe risiguruar që në çdo moment ta testoni realitetin. Nuk e di a keni të njëjtat simptome kur ka edhe njerëz në shtëpi tek ju. Nëse këto simptome nuk paraqiten kur jeni e shoqëruar, atëherë ju propozoj që sa më shumë të bisedoni me njerëzit lidhur me preokupimet tuaja pasi që edhe kjo mund t’ju ndihmoj pa pasur nevojën e mjekut. Përndryshe nëse keni persistim të simptomave dhe kjo gjendje vjen si pasojë e traumave, ju kisha këshilluar të kontaktoni ndonjë terapeut.
Përshëndetje. I nderuari mjek, jam 33 vjeçe. Kisha pas dëshirë të me sqaroni diçka rreth ankthit tim. Ka momente që nuk mund të kontrolloj veten, kam përshtypjen se po tranohem, jetoj me ankthin e pritjes se ndonjë gjë mund të ndodh, nuk mund të flejë, kam frikë dhe nuk e di nga më vjen. Kam filluar të kufizoj lëvizjet me frikën se mund të më ndodh diçka e keqe.
Ju lutem, nëse keni ndonjë përgjigje për këtë…
PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, po ju them se terapia e njohjes dhe e sjelljes në gjendje ankthi në këtë gjendje çfarë jeni ju, është mjafte efikase. Fillimisht, përqendrohuni në të menduarit tuaj, sa të shtrembëruara janë informatat që keni ndaj një situate të dhënë, pastaj mundohuni të analizoni qasjen e juaj ndaj rrethit dhe ndaj vetes. Të menduarit negativ ju qon në investim të emocioneve negative të cilat ndikojnë në të menduar duke shkaktuar në këtë formë vështirësi psikologjike. Duhet bërë sforcime për të ndryshuar mënyrën e të menduarit duke identifikuar fillimisht ato mendime që të shkaktojnë ankth që ne profesionistët i quajmë mendime automatike (mendimet e pa vetëdijshme) psh; përshtypje se po tranohem ose nuk e di nga po më vjen, etj….dhe pasi të keni identifikuar këto mendime, filloni gradualisht t’i zëvendësoni me mendime më pak anksioze deri sa të gjeni një mendim apo ide që nuk ju shkakton ankth, me fjalë të tjera, zëvendësoni mendimet negative me të menduar pozitiv.
E kuptoj gjendjen tuaj dhe sikletin që ju shoqëron dhe jam i vetëdijshëm se nuk është lehtë të manipulohet me veten, mirëpo për të larguar këtë kompleksitet të simptomave, ju kisha këshilluar që të kontaktoni mjekun psikiatër i cili përmes këshillave dhe trajtimit iu ndihmon të dilni nga kjo krizë....
Jam student 23 vjeç, më ka ndodhur që të kem kriza të ankthit këta 3 muajt e fundit.
Këto kriza i kam prezente zakonisht kur ka njerëz rreth meje, si psh. në lokale, bibliotekë apo amfiteatër. Veten e ndiej mirë vetëm kur jam në shtëpi dhe i rrethuar me anëtarët e familjes.
Në momentet e ankthit kam përshtypjen se jam i observuar dhe i gjykuar në vazhdimësi nga njerëzit. E përjetoj shumë keq këtë ndjenjë e cila më shfaqet me të dridhura të gjymtyrëve, të djersitura, ndjenjë se nuk po ngopem me frymë dhe një mendim për t’u larguar sa më shpejt nga situata të tilla. Nganjëherë si mbrojtje i shpërfill gjërat duke injoruar shikimet e tjerëve dhe duke gjetur arsye me banale për shmangie të situatave. Jam i lodhur prej kësaj gjendje, çka është më e keqja kam filluar të mos dal dhe kam mungesa në ligjërata.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Rasti juaj ka të bëjë me ankthin social, që do të thotë se, nuk ndiheni mirë në situata sociale apo e keni vështirë të shpreheni në aso rrethanash. Ky është shkaku edhe i izolimit tuaj nga rrethi dhe mungesat në fakultet. Sa për informacion, ankthi social përbën një sëmundje mjaftë të përhapur, përfshinë diku 4-14 % të moshave 19- 40 vjeçe, që do të thotë se nuk jeni ju i vetmi që vuani nga kjo sëmundje. Sforcimet eventuale të ballafaqimit që bëni edhe përkundër ankthit mund t’ju ndihmojnë sadopak pasi që në çdo ballafaqim situatash intensiteti i ankthit zvogëlohet. Ju inkurajoj që të mos rrini i mbyllur dhe sa më shumë të keni kontakte se kjo ju krijon ndjenjë të sigurisë në vete dhe ndaj rrethit.
Ju sugjeroj të kontaktoni psikiatrin ose psikolog të trajnuar në psikoterapi për të mësuar disa teknika të menaxhimit të emocioneve dhe të kontrollit që do të lehtësonin thellësisht gjendjen tuaj.
Jam 36 vjeç, ka 2 vite që jam në depresion, kam provuar mjek të ndryshëm dhe barna të llojllojshme. Aktualisht jam në gjendje të rëndë. Kjo gjendje ka vënë në pyetje relacionet me familjen dhe nuk mund t’ju flas për relacionet shoqërore që pothuajse janë inekzistuese. Vështirësi kam shumë me gjumin, zgjohem herët me mendime të llojllojshme në kokë. Nuk kam dëshirë për asgjë, nuk e di kur kam fjetur për herë të fundit me gruan, gjë që edhe më tepër po ndjehem në faj. Ju lutem doktor, a ka dalje nga kjo gjendje?
PËRGJIGJE:
I nderuar lexues, po arrij të kuptoj gjendjen tuaj, nuk e keni të lehtë pasi që keni dy vite që jeni në këtë gjendje. Do te mundohem që përmes disa këshillave sado pak t’ua lehtësoj gjendjen tuaj. Fillimisht ju kisha rekomanduar që sa më pak të keni preokupime rreth vetes suaj dhe të orientoheni në ndryshim të mendimeve negative që ju përcjellin përgjatë kohës. Kjo arrihet në atë mënyrë duke parë botën me realisht dhe të pranoni në vete mendime pozitive. Pra, analizoni si mendimet e juaja influencojnë ndjenjat dhe disponimin tuaj. Është shumë me rëndësi të identifikohen dhe evaluohen mendimet negative që pastaj të zëvendësohen me ato pozitive dhe në fund t’i përshtaten realitetit në të cilin jetoni. Gjithashtu, është me rëndësi që të jeni i rregullt edhe në përdorimin e barnave pasi që ato kanë një rol të madh duke ndikuar në krijimin e një gjendje indiferente në raport me mendimet negative.