Dr. Dëfrim Koçinaj, kirurg pediatrik
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.Dr. Dëfrim Koçinaj,
kirurg pediatrik
QKU - Prishtinë
Tel: 044 218 543
E kam vajzën trevjeçare, ankohet prej zorrës së trashë. Pas lindjes kishte probleme, pasi bëri më mirë, por tani sërish ka të njëjtin problem, ndodh që nga dy javë nuk e kryen nevojën e madhe. Mjeku në Gjilan na ka udhëzuar t’ia bëjmë Irigografinë, sepse e ka zorrën më të gjatë. Mjeku në Prishtinë thotë se vajza nuk e ka zorrën më të gatë, por e ka fundin e zorrës të ngushtë. Ka përdorë supp.glicerini ½, pa ndonjë sukses. As çajet në ushqim nuk i ndihmojnë. Vajzës duhet bërë vazhdimisht klizmat.
Të lutem doktor, pres përgjigjen dhe ndihmën tuaj.
PËRGJIGJE:
Zonjë, për të të thënë saktë se a ka problem kirurgjikal apo jo vajza juaj, duhet ekzaminuar nga kirurgu pediatrik me ekzaminim digitorektal. Incizimet që i keni bërë patjetër që përjashtojnë disa sëmundje të cilat mund të japin kapsllëk të vazhdueshëm. Nëse ekziston anomalia anatomike, p.sh. kanali i ngushtë në fundin e zorrës, intervenimi kirurgjikal është i pashmangshëm dhe duhet bërë menjëherë dhe jo të pritet deri në moshën 12 vjeçare. Prandaj, duhet konsultuar kirurgun pediatrik për vlerësim të mëtejmë. Ekzistojnë protokolle të caktuara edhe në lidhje trajtimin konservativ (jokirurgjik), gjithmonë nëse përjashtohet nevoja për ndërhyrje kirurgjikale. Nuk duhet bërë vazhdimisht klizmat, siç thoni ju! Njëkohësisht duhet përmirësuar dietën.
Me nderime, Dr. Dëfrimi
I nderuar doktor, kam djalin 4 vjeç dhe tani vumë re që urinon në një vrimë rreth gjysmë centimetri, afër vrimës kryesore. Kirurgët më thanë qe kjo quhet hipospadi dhe duhet operuar. A është i suksesshëm operimi dhe e paraqet rrezik. Ju vet keni kryer operacion të tillë. Harrova të them që djali ka lindur i bërë synet, me kokën të zhveshur, jo plotësisht.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Të nderuar familjarë, problemi i fëmijut tuaj pikërisht është hipospadia, e që është një anomali e lindur e penisit. Ka dy lloj hipospadish, proksimale-ku vrima është shumë afër rrënjës së penisit dhe shoqërohet edhe me moszhvillim adekuat të trupit të penisit dhe distale-vrima është më afër majës së penisit dhe trupi i penisit është zakonisht mirë i zhvilluar. Këto të fundit kanë prognozë më të mirë dhe suksesi i trajtimit kirurgjikal është më i mire. Në bazë të asaj që treguat, djali juaj e ka formën distale të hipospadisë, si rrjedhojë dhe suksesi i trajtimit do të jetë më i madh, megjithatë duhet sjellur djalin për një vlerësim sa më objektiv, pastaj mund të bisedojmë për mundësinë e komplikimeve. Përvoja jonë ëshë shumë e mirë dhe rezultatet i kemi të njëjta edhe me vendet shumë më të zhvilluara se Kosova, megjithatë mundësia e komplikimeve shkon deri në 20%.
Me respekt, Dr Dëfrimi.
Doktor, vajza ime është operuar para një muaji prej dy ngushtimeve të kanalit të urinës Dg.Stenosis juxtavesicalis, por ka probleme me urinin të shpeshtë (brenda 2 min urinon). Para, gjatë dhe pas urinimit, ka dhimbje dhe djegësi, sidomos gjatë natës më shumë. Është duke përdorur acid nalaksidik, Bactogram.
Çka mendoni ju se si të veproj më tutje?
Ju falënderoj për një përgjigje sa më të shpejt.
PËRGJIGJE:
I nderuar. Mua me intereson mosha e vajzës tuaj e cila është mjaft e rëndësishme për sëmundjen në fjalë. Një muaj pas operacionit është ende herët që ta bëjmë një vlerësim adekuat. E para që duhet të bëni është urinokultura me antibiogram. Pas kësaj duhet të konsultoheni me kirurgun tuaj pediatrik për evaluimin e mëtejmë të fëmijut tuaj. Është e nevojshme të përsëritet ultrazëri, apo/dhe cistografia miksionale për të parë gjendjen e fshikëzës urinare. Ju këshilloj që t’i jepni fëmijës tuaj sasi të konsiderushme të lëngjeve, qoftë çajëra apo lëngje të ndryshme. Vet operacioni i vajzës tuaj ka qenë një traumë mjaft e madhe për organizmin e saj, prania e kateterit urinar etj. prandaj, në konsulltë të vazhdueshme me kirurgun tuaj pediatrik, besoj që do ta zgjidhni këtë problem.
Me respekt, Dr Dëfrimi.
Përshëndetje doktor, djali im tash mbush 6 vjet dhe akoma urinon naten pa vetedije. A mund t’i ndihmojë synetia. Djali po ndihet keq për shkak të urinimit. Kam dëgjuar se disa barna që përdoren për këtë trajtim, ndikojnë më vonë në sterilitetin e tij. Sa është e vërtetë kjo.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
Zonjë, urinimi natën në moshën 6 vjeçare nuk është i pazakontë. Megjithatë, ju duhet ekzaminuar djalin tuaj tek kirurgu pediatrik dhe duhet bërë disa analiza të domosdoshme, për të menjanuar shkaqet anatomike, si analizat laboratorike dhe ultrazërin. Trajtimi specifik fillon pas moshës 7 vjeçare. Masat e nevojshme që duhet marrë janë: urinimi para shkuarjes në shtrat, shmangia e sasive të mëdha të lëngjeve gjatë orëve të mbrëmjes dhe shmangia e kafeinës (koka kola, çokollata, kakao) pas orës tre pasdite, përdorimi i terapisë medikamentoze të ordinuar nga mjeku përkatës, etj. Bërja synet ose jo, nuk ka të bëjë direkt me problemin e djalit tuaj, por duhet analizuar edhe këtë gjë, edhe në drejtim të infeksioneve. Ndërsa, përdorimi i barnave psikogjene për trajtimin e këtij problemi, nuk është verifikuar që ka efekte afatgjata në sterilitetin mashkullor, sepse ato përdoren për një kohë të caktuar, jo përjetësisht. Prandaj, zonjë mos u shqetësoni, sepse djali juaj ende është i vogël dhe mundësitë e trajtimit janë të mëdha, nëse lind nevoja për një gjë të tillë.
Me nderime, Dr.Dëfrimi
Kam vajzën dy vjeç e gjysmë, ajo shpesh sëmuret nga temperatura e lartë që i zgjat deri në katër ditë me diarre dhe vjellje. Brenda një viti ka qenë dy herë e shtirë në spital, ka pasur SE mbi 50, CRP 96, ASTO 800, Urina çdo herë me proteina +++ dhe ++ si dhe me mjaft eritrocide. Është trajtuar me antibiotikë për kohë të gjatë dhe shumë herë i përsëritet e njëjta gjendje. Një mjek më ka thënë t’i bëhet cistografia disa më kanë thënë jo.
Ju lutem, më tregoni si të veproj dhe çka mund të ketë vajza ime.
PËRGJIGJE:
Zonjë, fillimisht duhet bërë një ultrazë, pastaj analizat laboratorike, më saktësisht duhet bërë urinokulturën me antibiogramë (e cila bëhet 3 ditë rradhazi). Nëse këto analiza japin të dhëna për mundësi të anomalive të traktit urinar, atëherë duhet bërë cistografinë miksionale, e ndoshta edhe ekzaminime tjera varësisht rezultateve. Por, për të qenë të sigurt, të gjitha këto ekzaminime duhet bërë duke u konsultuar vazhdimisht me kirurgun pediatrik. Me respekt, Dr.Dëfrimi.
Përshëndetje doktor. Unë e kam djalin 4 vjeçar dhe po ankohet shumë nga dhimbjet e barkut. Gjatë verës ka pasur dehidrim nga jashtëqitja e tepërt dhe vjelljet, ndërsa tani ka 3 ditë që ankohet për dhimbje në bark (nuk vjell, mirëpo e shoh që është i zverdhur në fytyrë dhe rreth syve është i nxirë). Është shumë nervoz, analizat e urinës i kanë dalë mirë. Rri shumë i etur, shpesh pi ujë? Çfarë mund të jetë doktor?
PËRGJIGJE:
E nderuara zonja Fadile, duhet bërë një vizitë kontrolluese të djalit tuaj tek kirurgu pediatrik për të përjashtuar ndonjë problem kirurgjik. Kërcimet dhe lojërat e ndryshme mund të çojnë në ndonjë tërheqje të fijeve muskulare, apo edhe manifestimin klinik të hernisë inguinale (shembjes në ije), por nuk është shkaktar i kësaj të fundit. Pirja e shpeshtë e ujit teorikisht mund të jetë sinjal për diabet apo për probleme me veshka. Prandaj, duhet bërë ultrazërin e barkut dhe të traktit urinar dhe duhet bërë edhe analizat më të detajuara të gjakut, pasqyrën e gjakut, biokiminë e gjakut, etj. sepse mund të identifikohen sëmundje pediatrike. Përshëndetje.
Përshëndetje dr. Defrim. Ju shkruaj për mbesën time 3 vjeçare, sepse na shqetëson urinimi i saj i pa vullnetshëm. E vumë re këtë fakt para 5 muajsh kur ajo ishte 2 vjeçe e gjysmë, sepse atëherë e hoqi bebelinon (pampersin) dhe filloi të shkonte vet në tualet të kryente nevojat e saj. Çdo gjë shkon mirë, ajo shkon vet në tualet, por gjithë pjesën tjetër të kohës edhe pasi ajo sapo ka urinuar në tualet asaj i pikon urina pa e kuptuar duke lagur kështu pak e nga pak të mbathurat. E pyesim pse e bënë dhe ajo thotë që nuk e di, nuk e ndjen. Fillimisht të gjithë na thoshin që sapo ka hequr bebelinon dhe nuk e kupton se është e vogël, por kaluan tashmë 5 muaj dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Në muajin gusht i kemi bërë një analizë urine dhe një analize fecesi dhe të dyja i dolën mirë. Analizën e feces ia bëmë, sepse kur ishte 2 vjeç doli që kishte Oxyures (krimba të vegjël) dhe bëri 2 herë mjekimin që na thanë. Ju lutem, na jep një shpjegim, çfarë duhet të bëjmë, ku ta çojmë, çfarë analiza ose ekzaminime të tjera duhet t’i bëjmë.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë. Problemi i mbesës tuaj mund të jetë i natyrës urologjike, apo/dhe neurologjike, por dhe mund të mos jetë fare problem. Megjithatë, mbesa juaj është e vogël në moshë dhe i duhet kohë mekanizmave për t’u maturuar. Deri në moshën 5 vjeçare problemet e tilla mund të konsiderohen normale. Ju duhet ta kunsultoni kirurgun pediatrik apo/dhe pediatrin nefrolog. Paraprakisht, duhet bërë një Rëntgen të pjesës fundore të boshtit kurrizor (L/S), për të përjashtuar Spina Bifida dhe EKO-n e organeve të barkut dhe të traktit urinar. Pas këtyre ekzaminimeve dhe konsultës së mjekëve të lartpërmendur, mund të vijmë deri tek diagnoza apo edhe tek nevoja për ekzaminime tjera shtesë.
Me nderime, Dr.Dëfrimi
Djalin e kam të moshës 8 vjeçe, vuan nga jashtëqitja e pakontrolluar vetëm ditën, kurse naten nuk urinon, as nuk e kryen nevojën e madhe në krevat. Nuk zhytet shumë, vetëm sa fillon të kryen nevojën dhe thotë nuk e di si më vjen në mënyrë të pakontrolluar.
Ju lutemi, cili doktor merret me këto lloje të sëmundjeve dhe çka duhet të ndërmarrë.
Prindi i brengosur.
PËRGJIGJE:
I nderuari Besim, problemet e djalit tuaj mund të kenë nevojën e konsultës së kirurgut pediatrik. Duhet bërë një ekzaminim të detajuar për të eliminuar praninë e ndonjë anomalie të lindur, apo të fituar të djalit tuaj.
Ekzistojnë edhe metoda të trajtimit konzervativ të këtyre problemeve, poashtu ekzistojnë edhe protokolle të trajnimit të muskujve përgjegjës për kontrollimin e jashtëqitjes. Prandaj, lajmërohuni tek kirurgu pediatrik për konsultim dhe këshillim të mëtejmë. Me respekt, dr. Dëfrimi.
Përshëndetje, i nderuari mjek. Ju uroj për këto përgjigje shume te qarta dhe ju faleminderit. Kam një pyetje e mundësisht të më përgjigjeni. Unë kam djalin një vjeç e gjysmë. Kur kam lindur, mjekët kanë thënë se ka problem, gjegjësisht ka një kanal me te ngushtë urinar.
Desha ta dijë a mundet kjo te jetë pasojë e infeksionit gjatë shtatzënisë, edhe pse unë analizat i kam përcjell çdo herë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje, kanalet e urinës, si dhe të gjitha organet tjera të organizmit të njeriut zhvillohen gjatë tre mujorit të parë të shtatzënisë. Kjo është periudha kur ndikimet e faktorëve të ndryshme tek shëndeti i nënës, mund të ndikojnë direkt në keq-zhvillimin e organeve të caktuara të bebes. Në këtë kontekst, edhe infeksionet e ndryshme mund të ndikojnë në anomali të ndryshme. Por, ngelet të hulumtohet çfarë problemi në fakt ka djali juaj, pavarësisht ecurisë së shtatzënisë suaj. Pra, ju duhet ti drejtoheni kirurgut pediatrik (të fëmijëve) për ta konsultuar në lidhje me këtë problem.
Ju drejtohem për vajzën e vëllait e cila është 2 vjeçe dhe ka një problem me jashtëqitje. Problemi është se vajza nuk mund ta kryej me rregull jashtëqitjen qe 2 muaj dhe atë e kryen me mundime te mëdha. Gjithashtu, ka pasur jashtëqitje me gjak, por gjaku nuk ka qenë shumë i përzier me jashtëqitje, ndërsa që nuk dihet se ku qëndron problemi. Ne kemi dërguar në vizitë te mjeku i cili e ka kontrolluar. Mjeku pediatër ka udhëzuar disa analiza, të cilat kane qenë ne rregull. Megjithatë, pediatri kishte një vërejtje se vajza kishte sasi të ulët të hekurit dhe anemi. Ai ka urdhëruar te përdoren disa ilaçe që vendosen në zorrë të trashë para jashtëqitjes, me siguri që ta lehtësoj jashtëqitjen, por prapë se prapë jashtëqitja ka shkuar me vështirësi dhe mundime të mëdha, gjë që në kohën e jashtëqitjes tani po shkakton frikë tek vogëlushja 2 vjeçare . Neve na duhet këshilla e juaj se çka duhet ajo të përdor dhe si të veprojmë ne për këtë vajzë. Nëse është e mundur, ju lutëm na këshilloni.
PËRGJIGJE:
I nderuar, problemet e jashtëqitjes në moshën 2 vjeçare mund të jenë të natyrës jo serioze dhe ka të bëjë me mënyrën e ushqyerjes. Ndërsa, në rastet kur këto probleme fillojnë qysh pas lindjes, mund të ketë dyshime për sëmundje të lindura të zorrës së trashë, çka nënkupton që mund të ketë nevojë për intervenim kirurgjikal. Pra, në rastin e vajzës së vëllait tuaj besoj që problemi do të jetë dietetal dhe trajtohet me barna. Por, për të qenë të sigurt, duhet ekzaminuar me parë pacienten, duhet marr të dhëna të sakta nga prindi i saj në lidhje me problemin në fjalë dhe pastaj duhet të përshkruhen barnat eventuale. Me shumë rëndësi është ushqimi adekuat i fëmijëve. Me respekt, Dr. Dëfrimi.
Ju përshëndes fillimisht, desha t’ju pyes për një rast me sindaktili e një foshnje afër 2 vjeçe, në gishtat tre dhe katër të dorës së majtë. Mundësia e operimit për rastin në fjalë i takon kirurgjisë plastike apo kirurgjisë së fëmijëve dhe si shkon procedura e operimit.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
I nderuari zotëri, problemi i sindaktilisë ndonjëherë është mjaft kompleks, sepse varet nga gjendja lokale e keqformimit, gjendje e cila determinon edhe qasjen kirurgjikale. Është me shumë rëndësi të bëhet incizimi i dorës së fëmijës tuaj me rëntgen (pra me rreze X), për të parë se këta 2 gishta i kanë kockat e ngjitura ose jo. Shpesh është e nevojshme të merret një pjesë e lëkurës nga pjesë të tjera të fëmijës dhe të vendosen si pjesë shtesë ndërmjet dy gishtave. Edhe kjo varet nga gjendja lokale. Këtë operacion konkretisht në Kosovë për momentin e realizojnë kolegët e mi kirurgët plastik, edhepse në botë dhe regjion shpesh e realizojnë edhe kirurgët e fëmijëve.
Përshëndetje.
Përshëndetje dr. Kam vajzën 9 muaj, ka infeksion në kanalet urinare, në anën e majtë, lart, në ureter me pielectasia omolaterale. 4 ditë ka qenë në spital dhe më thanë që në shtëpi, 6 ditë i duhet dhënë augmentinë dhe pastaj një muaj Zimox deri në kontrollin e ardshëm ku do t’i bëhet një radiografi cistoscintigrafike.
Doktor, ju lutem, çfarë infeksioni është në pyetje dhe a është diçka rrezik dhe si zhvillohet kjo radiografi. Sa është e sigurt?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Sipas asaj që e përshkruani ju, vajza juaj ka një problem me traktin urinar i cili duhet të hulumtohet edhe me ekzaminime tjera shtesë. Kjo anomali ka favorizuar infeksionin urinar, prandaj mjekët tuaj i kanë dhënë antibiotik. Duhet të bëhen disa analiza imazherike, si cistografia miksionale, urografia intravenoze dhe scintigrafia dinamike e veshkave, e cila përdor radioizotope dhe tregon saktësisht me përqindje funksionin e veshkave, pra sa përqind ato kanë apo nuk kanë funksion. Këto procedura imazherike kanë një shkallë rrezatimi, por kur janë të domosdoshme, janë të pashmangshme, prandaj iu këshilloj që ti realizoni që ta dimë saktësisht se çfarë problemi ka vajza juaj dhe se a ka nevojë për ndërhyrje kirurgjike apo jo. Përshëndetje.
I nderuari doktor, Dëfrim. Vajza ime është 3 muaj, po atë ditë që ka lindur, mjekët e kanë vërejtur që e ka një anomali në zorrë të trashë (pozita e daljes se zorrës nuk është në pozitën e duhur) dhe operacioni është i pashmangshëm sipas pediatrit. Kirurgu pediatrik konkludoi në diagnozën: "Fistula ano - perinealis", rast shumë i rrallë dhe i vështirë për t’u operuar dhe me mundësi pasojash.
Ky lloj operacioni a ka sukses në Kosovë, si duhet te veprohet më mirë?
Pres përgjigjen tuaj. Ju falënderoj.
PËRGJIGJE:
I nderuar, sëmundja e vajzës tuaj është mjaft serioze. Ekzistojnë një sërë anomalish të lindura të këtij regjioni të cilat në vija të përgjithshme klasifikohen në dy tipe: të tipit të lartë dhe të tipit të ulët. Në bazë të asaj që thoni ju, vajza juaj e ka tipin e ulët, e që nënkupton prognozë më të mirë se tipi i lartë, si në aspektin kirurgjikal, poashtu edhe në atë funksional. Pasojat mund të jenë ato të pamundësisë së kontrollimit të jashtëqitjes. Tek ne në Kosovë kemi përvojë të mjaftueshme gjatë viteve të pasluftës dhe rezultatet janë të ngjashme me ato të vendeve të regjionit..
Përshëndetje dr. Dëfrim. Kam djalin 4 vjeç dhe njërin nga testikujt e ka më të madh sesa tjetrin. Dua të theksoj se kur ia prek, ia dalloj kokrrat në dyja anët, por si madhësi anën e djathtë e ka më të madhe. Më duhet ta çoj ta vizitoj apo është diçka normale për të gjithë fëmijët. Synet nuk e kam bërë akoma.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje, madhësia e testiseve nuk është gjithmonë e njëjtë tek meshkujt, por duhet verifikuar madhësinë e tyre duke u ekzaminuar nga ana e kirurgut pediatrik. Duhet të përcaktohet vendlokalizimi i tyre, konsistenca, madhësia dhe ndonjë ndryshim eventual. Pas ekzaminimit klinik përcaktohet se a ka nevojë të bëhet ultrazëri i testiseve apo jo? Prandaj, mendoj që nuk është asgjë serioze, por ia vlen konsultimi me kirurgun pediatrik. Sa i përket synetit, nuk ka lidhje fare me këtë problem.
Përshëndetje. Dr. Dëfrimi
Përshëndetje doktor. Jam një nënë nga Prishtina, kam vajzën 20 muajshe, ka një hemangiomë mbi buzët vaginale. Para ca muajsh ka pasur një gjakderdhje të vogël, por kam përdorur gentamicin 0.1% dhe një pjesë e hemangiomës është zhdukur. Kam dëgjuar se nëse nuk zhduket deri në 18 muaj, nuk do zhduket pa ndërhyrje kirurgjikale. Më intereson të di nëse është mosha e përshtatshme për operim tani apo ta lemë dhe një kohë pasi nuk po shfaq ndonjë problem.
Këshilla juaj cila do ishte në këtë rast?
PËRGJIGJE:
Përshëndetje, hemangiomat janë anomali të enëve të vogla të gjakut, të cilat janë të pranishme që në lindje, por që fillojnë e rriten gjatë vitit të parë të jetës, kur edhe ndalojnë së rrituri. Pas këtij momenti, me kalimin e viteve ato nuk rriten më dhe fillojnë e regredojnë, pra tërhiqen. Periudha e tërheqjes mund të zgjasi deri në moshën 15 vjeçare, moshë kur mendohet që tërhiqen 99% e hemangiomave. Intervenimi kirurgjikal indikohet kur lokalizimi i hemangiomave rrezikon jetën apo estetikën e fëmijut. Prandaj, në rastin e vajzës tuaj nuk duhet të nxitoni, por duhet pritur ende. Megjithate, duhet me qenë nën përcjellje të vazhdueshme tek mjeku përkatës.
Përshëndetje doktor e kam vajzën 3.5 vjeç. Në moshën kur i ka pas 1 vit e 10 muaj e kemi zbuluar se e ka echeria coli me anë të analizës së urinokulturës. Pas marrjes së dy antibiotikëve dhe çajit të Bosnjës, i ka kaluar edhe përnjëherë u plotësua me peshë. Mirëpo, tash qe disa muaj ka filluar të urinoj shpesh edhe kur t’i vjen s’mundet me e mbajt urinën, i lag teshat. Para një jave kishte temperaturë, i vinte me vjell dhe thoshte se ka dhimbje barku. Tash ia kam bërë ultrazërin e abdomenit ku i ka dal diagnoza cystitis acuta, ftohje në kanalet e urinës. Rezultatin e urinokulturën, ende se kemi marrë. Ju lutem doktor, a është kjo diçka serioze si dhe te cili mjek të drejtohem me rezultate të analizave, pediatri, urologu apo gjinekologu. Vajza ime ka humbur shumë në peshë dhe është zbehur shumë si dhe nuk po han thuajse asgjë si dhe natën nuk po e bën gjumin e rehatshëm, qan, bërtet në gjumë si dhe shqelmon. Gjatë ditës është më shumë agresive se herëve tjera. Jam duke i dhënë vetëm çaj cranberry. Ju lutem për përgjigjeje sa me te shpejtë. Me respekt.
PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, keni të drejtë të shqetësoheni për shëndetin e vajzës suaj. Megjithatë, ju jeni në rrugën e duhur. Duhet t’i pritni rezultatet e urinokulturës dhe në bazë të tyre duhet edhe të veprohet. Mirë është që të konsultoheni me kirurgun pediatrik ose me mjekun pediatër-nefrolog. Ndoshta duhet bërë edhe ekzaminime tjera shtesë radiologjike, patjetër që duhet bërë analiza laboratorike, prandaj paraqituni tek mjekun përkatës.
Faleminderit doktorë për përgjigjeje, pasi që ta kam bërë këtë pyetje më parë, pas disa ditësh e kam marr rezultatin e urinokulturës ku nuk ka dalë se ka baktere në urinë dhe jam duke i dhënë vajzës vetëm çaj të boronicës së kuqe me mjaltë si dhe një kohë i kam dhënë vitamina. Tash është më mirë, nuk po urinon shpesh edhe po fle rehat, mirëpo vetëm kur kërcen dhe ndien të ftohtë, prapë menjëherë fillon mu lagë shpesh, dhe nuk mundet me majtë urinën. A është e nevojshme pas kësaj gjendje që ta kam përshkruar, me ia bërë edhe ekzaminimet radiologjike dhe analizat? Dhe nëse po cilat? Me respekt, Ganimetja.
PËRGJIGJE:
Zonja Ganimete, siç iu kam thënë edhe më parë, ju duhet të konsultoheni me kirurgun pediatrik për të vendosur apo jo për analiza shtesë, prandaj paraqituni tek ne, me të gjitha dokumentet e deritashme të raporteve dhe analizave që i keni bërë. Një prej sëmundjeve të mundshme mund të jetë “rikthimi i urinës prej fshikëzës drejt veshkave” ose “ refluksi vezikoureteral” e që vërtetohet me një ekzaminim radiologjik që quhet “cistografia miksionale”. Por, këtë do ta vendosim pas konsultës me kirurgun pediatrik.
Përshëndetje. Dr Dëfrimi.
I nderuar Dr. Dëfrim. Kam një pyetje për ju? Djali im është 11 muajsh, kur ka lind pediatri më kishte thënë që ka nevojë t’i bëhet prerja e perit nën gju. A është i nevojshëm ky intervenim edhe a ka nevojë për të? Ju faleminderit shumë.
PËRGJIGJE:
E nderuara zonja Shpresa, peri nën gjuhë (Frenulum brevis linguae) është një anomali e zhvillimit të gjuhës dhe do të thosha që është anomali shumë e lehtë, e cila kërkon një intervenim të vogël kirurgjik. Pra, në raste të tilla gjuha nuk arrin të nxirret jashtë dhëmbëve prerës të poshtëm, gjë që mund të ndikojë në ushqyerje, në përkeqësimin e të folurit dhe në moslejimin e zhvillimit normal të harkut të dhëmbëve. Procedura kirurgjike siç u theksua më sipër është e lehtë dhe realizohet nga kirurgu pediatrik ose nga kirurgu oral. A ka nevojë fëmija juaj apo jo, këtë gjë mund ta konfirmojmë pasiqë ta shohim pacientin.
Përshëndetje. I nderuari doktor, djali im është 7 vjeçar dhe testisin e majtë nuk e ka në qese poshtë, por e ka pak më lart dhe si duket e ka perin më të shkurtër. Këtë gjë e ka verifikuar edhe kirurgu, por edhe ultrazëri. Sipas kirurgut nuk ka nevojë për operacion, por unë po brengosem se mos po mbetet djali me pengesa në të ardhmen.
PËRGJIGJE:
Zonja Besa, shqetësimi juaj është me vend. Nëse testisi i majtë i djalit tuaj nuk qëndron në qese, por më lartë, ka mundësi që ai mos të zhvillohet siç duhet. Në këtë gjë ndikon temperatura më e lartë e trupit të njeriut në krahasim me qesen skrotale (herdhen), e cila temperaturë tek testisi ka efekt negativ. Por, nëse është konfirmuar nga kirurgu pediatrik që nuk ka nevojë për operacion, atëherë mbetet që djali i juaj të përcillet në mënyrë të vazhdueshme me kontrolle periodike çdo tre muaj. Unë iu sugjeroj ju që ta dërgoni djalin tuaj tek kirurgu pediatrik për vizitë mjekësore, ngaqë ai është kompetent për këtë sëmundje. Iu lutem merrini me vete dhe ekzaminimet e bëra deri më tani.
Kam një djalë 7 vjeçar, ai në kokë të penisit përveç vrimës kryesore e ka edhe një vrimë tjetër afër-anash. Urinon vetëm nëpër vrimën kryesore, nuk ka problem gjatë urinimit.
Doktor, a ka mundësi me ia mbyll këtë vrimë me operacion edhe a është më mirë të operohet pasi të bëhet synet?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
I nderuar, sipas asaj që ju thoni, djali juaj ka një anomali të lindur të zhvillimit të penisit të quajtur Hypospadia, ose Fistula e uretrës. Duhet patjetër të konsultoheni me kirurgun pediatrik për ta verifikuar këtë problem. Nëse problemi ekziston, atëherë patjetër duhet operuar dhe detyrimisht duhet operuar para se të bëhet syneti.
Me respekt, Dr.Dëfrimi.
Djalit tim 3 vjeçar, tre muajt e fundit nuk i kemi parë testiset e tij në qese. Sa ka qenë më i vogël, ka ndodhë që ndonjëherë i ka humbur njëri apo të dy testiset, por pas një kohe janë vërejtur në qese. E kam pas te një kirurg i fëmijëve për kontroll kur djali ka pasur një vit e gjysmë, ai më ka thënë se duhet ta largojmë këtë dukuri me operacion, por mjeku urolog më ka thënë se çdo gjë është në rregull.
Doktor, a ekziston ndonjë mënyrë e veçantë se si ta dimë se a i ka testiset djali në vend. Ju faleminderit për punën tuaj.
Çdo të mirë.
PËRGJIGJE:
I nderuar, fillimisht po iu jap disa informata në lidhje me testiset. Gjatë jetës brenda mitrës së nënës, testiset e fëmijës janë të lokalizuar brenda barkut të tij. Pak kohë para ardhjes në këtë botë të fëmijës, testiset zbresin nëpër kanalet e tyre (kanalet inguinale), deri në qesen skrotale (herdhe). Ky është një proces kompleks, ku përfshihen disa mekanizma dhe mosfunksionimi i ndonjërit prej këtyre mekanizmave çon në ngecjen e testisit në nivele të ndryshme duke filluar nga barku, deri poshtë kanalit inguinal. Për ta ditur saktësisht gjendjen aktuale të djalit tuaj, ju patjetër duhet konsultuar kirurgun pediatrik, i cili ka ekspertizën e plotë të trajtimit të kësaj sëmundjeje dhe jo vetëm. Në bazë të asaj që do të shohim ne, do të ndërmerren edhe hapat konkret. Besoj që është e domosdoshme të bëhet edhe një ultratingull i testiseve për të parë zhvillimit ose moszhvillimit adekuat të tyre.
Jam 18 vjeçar, por më duket se vuaj nga mikrofallusi (penisi i vogël). Pasi lexova nje punim tuajin, vendosa të kërkoj ndihmën tuaj, sepse dua të çmendem nga mërzia.
Gjithë të mirat.
PËRGJIGJE:
I nderuar, ju nuk duhet të nxitoni për marrjen e vendimeve në lidhje me atë se a e keni mjaftueshëm të zhvilluar apo jo organin tuaj. Fillimisht duhet ditur tiparet tua të përgjithshme trupore, a jeni të zhvilluar, muskuloz, gjatë pubertetit a keni ndryshime trupore sa i përket trashjes së zërit, a keni qime në trup, në regjionin gjenital, në mjekër etj. Pastaj, duhet ekzaminuar dhe duhet marr masat e organit tuaj kur ai është në ereksion (pra, kur është i ngritur). Duhet vlerësuar zhvillimin e testiseve në qese. Ka një sërë pyetjesh, por të gjitha këto do t’i bëni duke u konsultuar me urologun, i cili merret me problemet e tilla, sepse kirurgu pediatrik në Kosovë profesionin e tij e ushtron tek fëmijët deri në moshën 16 vjeçare.
Përshëndetje Dr. Dëfrimi
Përshëndetje, jam një nënë e shqetësuar për djalin tim 7 vjeçar. Vuan me hipospadia. Kur ishte 3 vjeç është operuar në Tiranë, e kishte daljen e urinimit 1cm më poshtë. Javën e parë funksionoi mirë, e bënte urinën në kanalin që iu hap, pastaj iu mbyll atje dhe iu hap pak më poshtë. Tani i ka vajtur 5mm. Jam shumë e shqetësuar, ka problem apo ndonjë ndërhyrje tjetër. Kur bën urinimin, ka filluar të ankohet që ka dhimbje.
Ju lutem merreni në konsideratë shqetësimin tim dhe më kthe një përgjigje.
PËRGJIGJE:
E nderuar, sëmundja e hipospadisë është një sëmundje shumë delikate në aspektin e realizimit të operacionit kirurgjikal, gjithashtu mund të jetë shumë delikate në aspektin e zhvillimit të shëndetshëm psikosocial tek djemtë. Duhet theksuar se trajtimi kirurgjikal i hipospadive shoqërohet me një shkallë të lartë të komplikacioneve postoperatore, e më e shpeshta është fistula (hapja e një vrime të re midis kanalit të derdhjes së urinës dhe lëkurës së penisit) që shkon deri në 15%. Prandaj, në raste të tilla indikohet reintervenimi kirurgjikal. Pra, në rastin e djalit tuaj zonjë, duhet rivlerësuar nga kirurgu pediatër se ku është kjo vrimë e re, sa është e gjerë (apo e ngushtë) dhe se a duhet bërë reintervenimin kirurgjikal.
Përshëndetje doktor. Kam djalin 3.5 muaj, para dy jave nga pediatri është vërejtur infeksion në penis. Pas shumë analizave të bëra si dhe urinokulturës, rezutati është: klebsiella pneumoniae. Sipas urologut, nuk mund të bëhet synet për arsye se duhet te shërohet infeksioni me antibiotikë. Është hera e dyte që merr antibiotikë (cefixime).
Doktor, të lutem, më informo më shumë.
PËRGJIGJE:
Rasti i djalit tuaj është rast mjaft i shpeshtë. Duhet thënë që në moshën e djalit tuaj lafsha e penisit gjithmonë është e ngjitur me kokën e penisit, prandaj edhe mundësia për tu zhvilluar infeksioni ekziston. Në fazën e infeksionit akut nuk është e preferueshme të realizohet syneti, por së pari duhet shëruar atë. Infeksioni shërohet duke bërë tualetin e duhur të penisit fillimisht nga mjeku specialist i kualifikuar dhe pastaj ky lloj pastrimi vazhdohet në shtëpi nga ana e prindit, sipas këshillave të dhëna të specialistit në fjalë. Poashtu shpesh lind nevoja e përdorimit të antibiotikut lokalisht në formë të yndyrës. Njëkohësisht, përderisa është izoluar ky lloj bakteri në urinokulturë, patjetër që duhet trajtuar me antibiotik nga goja, minimalisht shtatë ditë, sipas antibiogramës.
Përshëndetje. Dr.Dëfrimi
Përshëndetje doktor i nderuar! Shqetësimi im është për djalin tim 10 muajsh. Prejse ka lindë ne si prindër kuptuam që fëmija kishte probleme me testikujt, ai i ka ato të dyja lartë dhe penisin të vogël. Pas vizitës tek një mjek obstetër-gjinekolog tek i cili iu bë vizita dhe echo, djali mori dy injeksione dhe mjeku na rekomandoi ta bënim synet. I bëmë gjilpërat dhe e bëmë synet dhe gjendja është po ajo. Madje na duket sikur organi i është fshehur krejt. Vlen t'ju them që djali është me mbipeshe dhe kur ia shtypim fundin e barkut, i dalin testikujt.
Ju lutem më thoni a ka zgjidhje ky problem e si duhet të procedojmë.
Pres me ankth përgjigjen tuaj. Ju falënderoj për kohën dhe përgjigjen tuaj.
PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë, djalin tuaj duhet ekzaminuar mjeku specialist përkatës, kirurgu i fëmijëve (ose në mungesë të tij urologu) dhe duhet konstatuar madhësia e penisit të djalit tuaj, si dhe prania ose jo e testiseve në qesen skrotale (herdhe). Përveç ekzaminimit fizik duhet bërë Eko-ja nga radiolog i kualifikuar i cili vlerëson pozitën e testiseve, madhësinë e tyre, si dhe qarkullimin e gjakut të tyre. Mund të jetë e nevojshme të bëhen edhe analiza laboratorike, konkretisht statusi hormonal. Në bazë të këtyre të dhënave mund të arrijmë në diagnostikimin e saktë, si rrjedhojë edhe në trajtimin adekuat. Mosha adekuate e intervenimit kirurgjikal tek testikujt e ngecur lartë është deri në moshën 2 vjeçare, jo më vonë. Tek djemtë me mbipeshë penisi gjithmonë është i zhytur dhe mund të na çorientonte në keqdiagnostikim. Pra, si përfundim duhet konsultuar mjekun përkatës dhe në bazë të vlerësimit të gjithëmbarshëm mund të arrijmë rezultate të shkëlqyeshme. Përshëndetje.
I nderuari doktor, fëmija im është dy vjet e gjysmë dhe pediatri i tij konstatoi se testikujt e tij gjenden në bark, ai këtë e konstatoi duke bërë palpimin me dorë. Ju lutem, a mundet kjo të konstatohet në këtë mënyrë si dhe i caktoi të përdor injeksion Pregnyl 1200 njësi, nëse nuk gaboj, çdo javë një herë (brenda tri jave), për t’i zbritur testikujt poshtë. Doktor, sa mund të ketë sukses kjo dhe a mund të paraqiten probleme nëse do të operohej.
Me respekt dhe falënderime, Linda.
PËRGJIGJE:
Gjatë zhvillimit intrauterin (brenda mitrës) testikujt tek djemtë ndodhen brenda në barkun e tyre. Pak para lindjes ata zbresin në vendin adekuat të tyre, e që është qesja skrotale (herdhja). Në të shumtën e rasteve ngecja e testikujve ndodh gjatë rrugës së zbritjes së tyre, domethënë në kanal, ose pak mbi qesen skrotale.
Në raste shumë të rralla testikujt mund të ngecin brenda në hapësirën e barkut. Në këto raste një ekzaminim i duhur me Eko, na tregon lokalizimin e tyre, madhësinë e tyre, qarkullimin e gjakut. Hormonoterapia kohëve të fundit në botën perëndimore, sidomos në Amerikë ka filluar të braktiset, sepse rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme, por gjithsesi ia vlen të provohet. Mendoj që intervenimi kirurgjikal do të jetë i pashmangshëm, por ti presim rezultatet e trajtimit dhe pastaj patjetër duhet konsultuar kirurgun pediatrik. Ju duhet ta dini që mosha e djalit tuaj është e përshtatshme, sepse nëse nevojitet intervenim kirurgjikal mosha e preferueshme është deri në 2 vjeç. Përshëndetje.
Kam vajzën tre vjeçare, çdo herë në analizat e urinës dalin proteina me dy ++ dhe me shumë eritrocide. Nefrologu i ka dhënë dg.Hematuri më herët, kurse tash glomerulopathy. Nuk ka infeksion dhe ultrazëri dhe rëntgeni i veshkave i ka dalë mirë. Disa më kanë thënë t’i bëj cistografi miksionale disa biopsinë, disa edhe të vizitoj gjinokologun. Ju lutem, çfarë më thoni të bëj dhe çfarë analize shtesë duhet t’i bëj vajzës. Ju lutem më tregoni sa më parë si të veproj. Nëna e brengosur. Minirja.
PËRGJIGJE:
Zonja Minire, pyetja ime është se i keni bërë vajzës urinokulturën dhe a është trajtuar për këtë gjë? Nëse jo, atëherë duhet bërë. Patjetër që duhet bërë analiza shtesë, njëra ndër to duhet të jetë edhe cistografia miksionale, ndoshta edhe ndonjë ekzaminim shtesë. Por, këtë gjë duhet bërë në koordinim me kirurgun pediatrik dhe pediatrin nefrolog.
Përshëndetje. Para pak kohesh kam zbuluar se djali im 3 vjet e gjysmë vuan nga kriptorhidizmi. E kam pasur në kontroll dhe mjeku nuk mundi të palpoj asnjërin testis të tij. Më ka këshilluar që ta operoj, por deri atëherë nuk më zihet vendi vend. Çka të bëj nëse djali im nuk ka testikuj fare? Si shkon terapia, a keni pasur ndonje rast dhe a mund të jetojnë këta persona normalisht, a mund të kenë marrëdhënie seksuale dhe fëmijë? Ju faleminderit shumë! Prindi i brengosur
PËRGJIGJE:
I nderuar prind, nëse djali juaj është diagnostikuar me këtë diagnozë, intervenimi kirurgjik është i pashmangshëm. Por, nëse nuk preket asnjëri testis në qesën skrotale, atëherë duhet bërë ultrazërin për ti gjetur këta testikuj, të cilët mund të gjinden brenda hapësirës së barkut. Në raste të tilla, trajtimi është më kompleks. Nëse testikujt janë brenda kanalit (që ne mjekët i themi kanali inguinal), atëherë me operacion ata zbriten në qese dhe rezultatet zakonisht janë të mira. Sipas rregullit, mosha optimale e operimit të këtyre fëmijëve është deri në 2 vjeç, megjithëse mosha e djalit tuaj është e pranueshme. Këta fëmijë rriten normal dhe aftësia për të lënë pasardhës varet nga gjendja e testiseve e sidomos nga vonesa e intervenimit kirurgjikal. Pra, po e theksoj, e rëndësishme është që intervenimi të kryhet sa më herët që është e mundshme. Prandaj, konsultojeni kirurgun pediatrik, i cili është specialist i thirrur pikërisht për problematika të tilla.
Me nderime, Dr Dëfrimi
Djalin e kam13 vjeç. Kur ka qenë 9 vjeçar, një djalë i klasës e ka lënduar 2 herë në anën e majtë. Pas 10 ditësh pushim prej mjekut, prapë me fshesë të drurit e ka lëndue në mes të këmbëve. Dhimbje ka pasë gjithherë, është operuar. Herën e parë, një mjek i ka thënë vezën e ka më lart. Herën e dytë gjithmonë ka pas dhembje djali. Është pak i plotë. Operacioni është bërë me sukses. Por ka dhimbje kohë pas kohe me veshje të ngushta. Të lutem doktor, a do të ketë probleme djali në të ardhmen?
Pres përgjigjen me padurim. Nëna e brengosur.
PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, në bazë të asaj që keni përshkruar, mund t’ju them që situata nuk është serioze. Megjithatë, për të qenë të sigurtë, djalin tuaj duhet vizituar kirurgu pediatrik. Me rëndësi është të ekzaminohen organet gjenitale të djalit tuaj (qesja skrotale dhe testiset) për të verifikuar a ka dëmtime, enjtje, grumbullim lëngu etj. Nëse lind nevoja duhet bërë një ultrazë të testiseve.
Përshëndetje doktor, djali im tash mbush 6 vjet dhe akoma urinon naten pa vetedije. A mund t’i ndihmojë synetia. Djali po ndihet keq për shkak të urinimit. Kam dëgjuar se disa barna që përdoren për këtë trajtim, ndikojnë më vonë në sterilitetin e tij. Sa është e vërtetë kjo.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
Zonjë, urinimi natën në moshën 6 vjeçare nuk është i pazakontë. Megjithatë, ju duhet ekzaminuar djalin tuaj tek kirurgu pediatrik dhe duhet bërë disa analiza të domosdoshme, për të menjanuar shkaqet anatomike, si analizat laboratorike dhe ultrazërin. Trajtimi specifik fillon pas moshës 7 vjeçare. Masat e nevojshme që duhet marrë janë: urinimi para shkuarjes në shtrat, shmangia e sasive të mëdha të lëngjeve gjatë orëve të mbrëmjes dhe shmangia e kafeinës (koka kola, çokollata, kakao) pas orës tre pasdite, përdorimi i terapisë medikamentoze të ordinuar nga mjeku përkatës, etj. Bërja synet ose jo, nuk ka të bëjë direkt me problemin e djalit tuaj, por duhet analizuar edhe këtë gjë, edhe në drejtim të infeksioneve. Ndërsa, përdorimi i barnave psikogjene për trajtimin e këtij problemi, nuk është verifikuar që ka efekte afatgjata në sterilitetin mashkullor, sepse ato përdoren për një kohë të caktuar, jo përjetësisht. Prandaj, zonjë mos u shqetësoni, sepse djali juaj ende është i vogël dhe mundësitë e trajtimit janë të mëdha, nëse lind nevoja për një gjë të tillë.
Me nderime, Dr.Dëfrimi
Kam vajzën dy vjeç e gjysmë, ajo shpesh sëmuret nga temperatura e lartë që i zgjat deri në katër ditë me diarre dhe vjellje. Brenda një viti ka qenë dy herë e shtirë në spital, ka pasur SE mbi 50, CRP 96, ASTO 800, Urina çdo herë me proteina +++ dhe ++ si dhe me mjaft eritrocide. Është trajtuar me antibiotikë për kohë të gjatë dhe shumë herë i përsëritet e njëjta gjendje. Një mjek më ka thënë t’i bëhet cistografia disa më kanë thënë jo.
Ju lutem, më tregoni si të veproj dhe çka mund të ketë vajza ime.
PËRGJIGJE:
Zonjë, fillimisht duhet bërë një ultrazë, pastaj analizat laboratorike, më saktësisht duhet bërë urinokulturën me antibiogramë (e cila bëhet 3 ditë rradhazi). Nëse këto analiza japin të dhëna për mundësi të anomalive të traktit urinar, atëherë duhet bërë cistografinë miksionale, e ndoshta edhe ekzaminime tjera varësisht rezultateve. Por, për të qenë të sigurt, të gjitha këto ekzaminime duhet bërë duke u konsultuar vazhdimisht me kirurgun pediatrik. Me respekt, Dr.Dëfrimi.
Përshëndetje. Djali im 2 vjeç është mjaft i zhvilluar, ka gati 50 kg, por më duket që për peshën dhe moshën qe e ka, penisin e ka shumë të vogël, sidomos pasi që është bërë synet më duket se fare nuk i është zhvilluar. Të lutem, a mund të më tregoni arsyen apo më preferoni ta bëj një vizitë tek ju.
Me respekt, Drita.
PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë. Mosha 12 vjeçare nuk nënkupton që djali juaj duhet të zhvillohet nga aspekti seksual, sepse disa djem fillojnë pubertetin pak më vonë, prandaj nuk duhet të shqetësoheni. Pastaj, ju thatë që ai peshon 50 kg, ndoshta është pak i shëndosh, ose mbipeshë. Në këto raste penisi është i zhytur në dhjamë dhe nuk vërehet mirë. Prandaj, për t’i shmangur keqkuptimet duhet patjetër ta sillni djalin tuaj për një vizitë tek kirurgu pediatrik.
Përshëndetje doktor Dëfrim. Së pari ju përshëndes dhe ju dëshiroj shëndet dhe punë të mbarë. Djali im 3 muajsh tani, është diagnostikuar me "Glandular Hypospadia". Më kanë thënë se i duhet një intervenim kirurgjik kur t'i mbush 1 vit, por unë dëshiroj që nga ju të marrë informacione më shumë për këtë defekt në lindje, lidhur me intervenimin se si zhvillohet, a janë të zakonshme këto intervenime te ne, cilat janë gjasat që ai mos të ketë asnjë pengesë në të ardhmen, e kështu me radhë. Duke e ditur se është një vend shumë i ndjeshëm, besoj se është e natyrshme që të brengosem për të. Besoj se do ta merrni në konsideratë brengën time. Unë ju falënderohem paraprakisht, telegrafit dhe doktorit.
Me respekt, babai i brengosur.
PËRGJIGJE:
Hipospadia është anomali e zhvillimit të uretrës (kanalit që nxjerr urinën prej fshikëzës urinare jashtë, në majën e penisit). Hipospaditë klasifikohen si të përparme dhe të pasme. Këto të fundit janë më komplekse dhe më të vështira për tu operuar. Pra, djali juaj ka llojin e hipospadisë së përparme dhe është me fat. Rasti i djalit tuaj ka prognozë shumë të mirë, edhe funksionimi i tij seksual në të ardhmen do të jetë i mirë. Por, intervenimi kirurgjikal është i pashmangshëm, sepse përveç arritjes së funksionalitetit të penisit, ka të bëjë dhe me aspektin psikologjik. Fëmijët duke filluar shkollën dhe shoqërimin me të tjerë, si dhe duke u futur në pubertet, eksplorojnë “horizonte të reja” duke përfshirë edhe identitetin e tyre seksual. Nëse ata vërejnë që trupi i tyre ndryshon në krahasim me të tjerët, do të lindin probleme serioze psiko-sociale. Këta fëmijë janë të prirur për t’u mbyll në vete, duke ngecur edhe në mësime, etj. Ju them me bindje të plotë që ky lloj operacioni bëhet me shumë sukses nga kirurgët pediatrik të Kosovës. Por, gjithmonë ekziston mundësia e komplikimeve.
Me respekt, dr.Dëfrimi.
Faleminderit për kohen tuaj doktor i nderuar. Vajza ime është diagnostikuar me Hernie, mirëpo për një operacion të mundshëm në spital mjeku më ka thënë se duhet të pres një kohë prej 2 vitesh (për shkak të radhës), ju lutem a është rrezik nëse e operoj në ndonjë ordinancë private apo duhet të pres ta operoj në spital. Si të veproj...
Me respekt, Albina.
PËRGJIGJE:
Hernia inguinale është sëmundja më e shpeshtë e operacioneve rutinore, që bëhen përditë. Nuk është urgjencë, por ekziston rreziku që kjo sëmundje të bëhet e tillë. Kur? Nëse në defektin e pranishëm futet zorra e hollë, ose e trashë, ose në rastin e vajzave mund të futet edhe vezorja, atëherë, duhet dërguar urgjent vajzën tek mjeku familjar. Ai e konstaton këtë gjë dhe ju do të udhëzoheni tek kirurgu pediatrik me urgjencë.
Si mund ta vëreni ju këtë gjë? Vendi i fryrjes do të fryhet më shumë, do të jetë ë fortë, e skuqur dhe e dhimbshme nëse e prekni. Poashtu, vajza juaj do të ketë dhimbje të vazhdueshme të forta dhe të vjella. Nëse i vëreni këto shenja tek vajza juaj, atëherë duhet të veproni. Përndryshe ju mund të pritni. Ky operacion bëhet me shumë sukses edhe në spitalet private të Kosovës, por mbani mend: ai që do ta operoj vajzën tuaj duhet të jetë KIRURG PEDIATRIK!
I nderuari doktor. Kam një djalë 6 vjeçar dhe ka një shqetësim të përditshëm, ka kruarje në prapanicë, më saktësisht në anus. Ja kam bërë analizat më shumë se 10 herë, por asnjëherë nuk i ka dale që ka parazit. Ju lutem nëse mund të më ndihmoni me ndonjë këshillë, do t’ju isha shumë mirënjohëse.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë. Për këto probleme duhet bërë disa analiza laboratorike, të cilat ju veç i paskeni bërë, por nëse këto rezultojnë normale, atëherë duhet bërë një konsultë tek kirurgu pediatrik. Duhet bërë ekzaminimin e regjionit anal me sy dhe me gisht për të eliminuar ndonjë sëmundje patologjike. Prandaj, konsultojeni kirurgun pediatrik.
E nderuara redaksi dhe i nderuari Dr.Dëfrim. Çka duhet të përdorin fëmijët që të rritet imuniteti i tyre?
Edhe një pyetje. Kur fëmijët vrapojnë dhe djersiten thuhet se nuk bën të pinë ujë. Mund të më tregosh si ndikon kjo në fëmijët.
Faleminderit "telegrafit" dhe doktorit.
Me respekt, Fejzullahu.
PËRGJIGJE:
I nderuari z. Fejzullah, pyetjet e tua janë me vend, por më shumë i takojnë pediatrit. Megjithatë, për të pasur fëmija imunitet të forte, ushqimi është ai që ndihmon. Pra, ushqimet e pasura me vitamina dhe proteina janë çelësi i suksesit. Të gjitha zarzavatet e gjelbra, frutat e freskëta, mishi i zier i vicit, e në veçanti mishi i peshkut duhet të konsumohen në mënyrë të vazhdueshme. Duhet shmangur ushqimi i njëtrajtshëm dhe ai me shumë kalori, sidomos karbohidratet (duhet shmangur ëmbëlsirat). Sa i përket djersitjes, kjo çon në humbjen e lëngjeve trupore, e si rrjedhojë edhe nxit ndjenjën e etjes, prandaj nuk është gabim që të pihet ujë pas djersitjes së theksuar, përkundrazi. Fëmijët janë të brishtë dhe përqindja e ujit në organizmit e tyre është shumë më e madhe se tek të rriturit, për pasojë edhe humbjet e tij çojnë në prishje të shpejtë të ekuilibrit të ujit dhe elementeve tjerë. Prandaj, duhet patur kujdes sidomos gjate vapës.
Ju përshëndes i nderuar doktor Dëfrim. Quhem Nadim Gashi, kam një vajzë dy vjet e gjysmë dhe vuan nga bajamet, ka një vit e gjysmë qe ka probleme me bajame. Tash qe një muaj e gjysmë është e sëmurë dhe nuk po përmirësohet, bajamet i ka të fryra, strishoja ka dalë mirë, nuk ka ndonjë baktere në fyt apo hundë. Në gjumë ka një ngërhamëz dhe merr frymë shumë me vështirësi, hunda nuk po i lirohet. Të gjitha analizat kanë rezultuar mirë. Vajzës kur sëmuret i rritet temperatura gati në 40 dhe kohët e fundit ka nisur të shpeshtohet, gati çdo muaj jam i detyruar t’i jap antibiotikë dhe supozitor.
Ju lutem, nëse ka mundësi të më përgjigjeni në këtë pyetje, sepse jam shumë i brengosur.
Me respekt.
PËRGJIGJE:
I nderuari Nadim, kjo pyetje duhet drejtuar specialistit të ORL-së, sepse ata janë