Dr. Fatos Kelmendi, neurokirurg

Publikuar: 8:45 / 19.04.2014
Dr. Fatos Kelmendi, neurokirurg
0shares
komente

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.


Dr. Fatos Kelmendi
Neurokirurg
QKUK - Klinika e Neurokirurgjisë, Prishtinë
tel. + 377 44 128 255
039 421 572 dhe 044 886 681


Para dy muajsh, kam kaluar një herni diskale dhe kam marrë mjekimin përkatës. Tani jam shumë më mirë.
Ndonëse dhimbjet e mëdha më janë pakësuar ndjeshëm, këmbën e kam të mpirë gjatë gjithë kohës dhe kjo më shqetëson.
Ju lutem doktor, çfarë mjekimi më rekomandoni apo këshillash që duhet të ndjek. Sa duhet të ec në një ditë, apo duhet të bëj pushim absolut?
Me respekt, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Pas një sulmi akut të hernisë diskale ndodh që dhimbjet të pakësohen, por mpirja (perziston/ngec) dhe kjo ndodhë për shkak të atakimit (sulmit) të fijeve sensitive të nervit. Në qoftë se mpirja është shumë e theksuar, atëherë me siguri se hernia diskale është masive. Do si do, nëse deficiti neurologjik (humbja e forcës muskulore të shuplakës së këmbës) nuk është shumë e theksuar, atëherë pritni edhe pak kohë, sepse duhet të kalojë. Nëse jo, mund të merrni një mendim profesional nga neurokirurgu. Për këshilla eventuale mund të vizitoni web faqen time www.fatoskelmendi.com.


Përshëndetje. Para se të operoj herninë diskale, kam pasur mpirje të këmbës së majtë dhe atë nuk e kam ndjerë fare, nuk kam mund ta kontrolloj aspak dhe gjatë lëvizjes nuk e kam pas ecjen normale. Mjeku neurokirurg më ka thënë se urgjentisht duhet të operohem. Pas operimit kam vazhduar të ndjek terapi për këmbën me elektroterapi, por pas një muaji nuk kam vërejtur ndonjë përmirësim. Sërish shkoj në elektroterapi, por mjekët nuk më kanë dhënë shpresë se do të eci normal.
Pres që të më jepni ndonjë këshillë.

PËRGJIGJE:
Mosfunksionimi i këmbës apo gishtave, varet edhe nga gjendja preoperative, pastaj çka ka ndodhë në operim. Dmth. nuk e kam të qartë se si keni qenë para operimit, sa gjatë keni qenë në atë gjendje, etj. Para operimit, a keni mundur të rrini në maje të gishtave ose në thembër, apo jo. Me një fjalë, a keni pas deficit neurologjik, sa ka qenë shuplaka e këmbës në fjalë e fuqishme, ku forca muskulore llogaritet prej 1 deri në 5.
Ndoshta kishte me qenë mirë të beni nje vizitë prapë te mjeku që ju ka operuar. Tjetër, a keni pasur pareze apo plegji të peroneusit. Kjo ka shumë rëndësi dhe sa gjatë.


Përshëndetje! Jam nga Pogradeci, 36 vjeç. Para një viti e gjysmë kam pësuar një aksident me makinë. Përveç problemeve të tjera që pata, më shqetëson fraktura në rruazën L4/L5 me dy shkëputje kockore. Ndjej dhimbje, si mund t’i eliminojë ato?
Më është thënë për operacion, por nuk kam pranuar.
Ju lutem, pres përgjigjen tuaj!

Me respekt

PËRGJIGJE:
Tani varet se sa kanë qenë të larguara fragmentet kockore nga vetë trupi i unazës (vërtebrës). Dosido, për kaq kohë ato janë ngjitur. Nëse mundeni, më dërgoni në e_mailin tim, si atachment, CT-më dhe pastaj mund t’ju këshilloj më shumë.


Përshëndetje i nderuar. Kam dhimbje në kurriz, në dërrasën e ijëve dhe e vërej që dhimbja më shkon muskujve të këmbëve, nën gjunjë, pastaj në shputat e këmbëve. Poashtu, kam dhimbje në nyjet e shputave, thembra, gishta. Nganjëherë këmbët më rrinë të ftohta, akull - nganjëherë shumë nxehtë (nuk mundem as çorapet t’i vesh). Në mëngjes, kur zgjohem, në këmbë mezi ec, por mbas gjysmë ore, ndjej dhimbje më pak. Shputat e këmbëve më dhëmbin gjithnjë, por, më duket se edhe muskujt e këmbëve po më shkurtohen. Kur kam në këmbë duke punuar, vetëm shputat më dhëmbin, ndërsa kur të ulem të pushoj, ose të qëndroj në një vend, menjëherë këmbët më mpihen. Kur ngritëm – therin, nuk mund të eci lirshëm.
Kam shumë dhimbje. Çdo këpucë, më pengojnë. Edhe duart po t’i mbaj në një pozitë, shumë shpejt më mpihen dhe therin. T’i mbaj përpjetë, nuk mundem as dy minuta, sepse më mpihen edhe s’kam takat në duar.
Nuk më kanë ndihmuar mjekimi te reumatologu, as banja, as deti.
Doktor, çka më preferoni ju?

PËRGJIGJE:
Fillimisht është me rëndësi me ditë se se a ke mpirje të duarve, a ju bien gjërat nga duart, a munde të përthekoni një pullë, a mund të ecni shkallëve përpjetë dhe, gjatë kollitjes, a ju rriten dhimbjet e duarve dhe këmbëve?
Duke marrë parasysh një mori problemesh që i përshkruani, unë mendoje se keni nevojë për një ekzaminim neurologjik të detajuar.


I nderuar dr. Jam 28 vjeçare. Sipas diagnozës dhe fotografimin që kam bërë, më kanë thënë që unaza e fundit është më e vogël se sa duhet. Kjo është e lindur si deformim. Sipas doktorit, kjo qenka sëmundje intelektualësh, sepse unë punën e bëj ulur. Poashtu, më është thënë se as ushtrimet nuk më ndihmojnë. Momentalisht përdori Jointace dhe Ibuclin dhe Voltaren, krem.
Ju lutem, çka më preferoni, sa do kem dhimbje në shpinë dhe në këmbën e djathtë. Disa mjekë më kanë thënë se do të kem probleme deri në pleqëri!

PËRGJIGJE:
Nuk më shpjeguat se a bëhet fjalë për një RTG të thjeshtë, CT, apo MRI, sepse dallimi diagnostikues mes tyre është shumë i madh. Dhimbja e shpinës dhe e këmbës nuk mund të jetë për shkka të një unazë që ti e ke më të vogël (së paku, unë, diçka të tillë nuk kam hasur në literaturën anglosaksone).
Me të gjitha ekzaminimet ejani në QKUK dhe shohim se çka mund të bëjmë. Por, disi shpjegimi juaj nuk është i mjaftueshëm që t’ju japë një përgjigje përmes e_mailit. Ekzaminimi neurologjik është i domosdoshëm.


Përshëndetje. Vajza ime 11 vjeçare ka probleme me skoliozë, ndërsa ne jetojmë jashtë vendit. Mjekët i kanë preferuar operimin, për të cilin thuhet se është i vështirë (duhet vendosur edhe metal). Ajo e ka kurrizin në formë të shkrojnës (S). Pas operimit në 12 unaza, pritet që lëvizjet e shpinës do të jenë të kufizuara.
Vajza po ritet, nuk ka dhimbje, është inteligjente shumë, shkon në
shkollë, nuk ka pengesa në gjimnastikë.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Nëse Skolioza është e theksuar dhe me siguri po progredon, duhet operuar. Mjekët janë shumë të sigurt, përndryshe nuk do të preferonin operimin.


I nderuari doktor, jam 50 vjeçare, peshoj 58 kg dhe kam një problem me unazat e boshtit kurrizor. Kam bërë analizat e reumës dhe më kanë dalë mirë. Pastaj jam konsultuar me neurokirurgun dhe me ka thënë se për shkak të problemit në unaza të boshtit kurrizor e kam ndjenjën e të ftohtit në këmbë e duar, sidomos kur rri ulur, ndërsa kur jam në lëvizje jo. Neurokirurgu më ka propozuar që të mos çoj pesha të rënda, të mos bëj lëvizje të pakontrolluara si dhe të mos bëj ushtrime fizikale. Dua të cek se dhimbje nuk kam, por vetëm ndjesinë e të ftohtit, sidomos në këmbën e djathtë, prej gjurit e poshtë. E kam bërë edhe duplerin e enëve të gjakut, por nuk ka të bëjë asgjë me qarkullimin e gjakut.
Ju lutem më jepni një këshillë se ku duhet të drejtohem ose çfarë duhet të bëj? A ka gjasa që të më largohet kjo ndjesi?

PËRGJIGJE:
Si pasojë e shtypjes në hapësirën diskale e cila është mjaft e madhe, gjatë të ndenjurit ulur mund të keni ndjenjën e të ftohtit në dorë dhe këmbë. Po ashtu duhet ditur dhe është me rëndësi se a keni edhe mpirje, dhimbje e cila rritet gjate defekimit, kollitjes apo teshtitjes. Ndjesia në fjalë mund të jetë si pasojë e ngacmimit të fijes nervore. Kishte me qenë e këshillueshme të bëni RTG të qafës dhe shpinës dhe të konsultoni neurokirurgun.


Përshëndetje. Jam 36 vjeçe, kam pothuajse një vit që kam dhimbje qafe vazhdimisht. Edhe pa dashur, e kthej qafën me forcë derisa të më kërcas, sepse kështu ndjej lehtësim nga dhimbja. Por, lehtësimi nuk zgjat më shumë se 2-3 minuta dhe përsëri dhimbja fillon. Dua të di nëse kërcitja e qafës është një metodë e gabuar dhe nëse mund të krijojë pasoja më të rënda...
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Kërcitja e qafës nuk është e këshillueshme fare. Pyetja do të ishte se a keni dhimbje qafe dhe dore apo vetëm të qafës.
1. Çfarë profesioni keni (punoni gjatë në kompjuter)?
2. Sa është intensive dhimbja e qafës?
3. Ju zgjon natën nga gjumi dhimbja e qafës?
4. A është e kufizuar lëvizshmëria e qafës dhe sa?
5. Sa vjeçare jeni?
6. Keni të ruajtur forcën në dorë, etj?

Ju këshilloj të vizitoheni te neurokirurgu për një ekzaminim neurologjik në detaje.


Përshëndetje. Prej disa kohësh kam dhimbje të shtyllës kurrizore , me teper dhimbja fokusohet ne mes dhe ne fund te shtylles kurizore. Para disa kohesh kam ushtruar edhe fizioterapi, por jam qetësuar përkohësisht, dhimbja më shfaqet sërish dhe tani kam marr një medikament gel. Gjithashtu ndjej dhe lodhje sikur më ikën fuqia, nuk mundem të qëndroj gjatë në këmbë, por të mbështetem diku. 
Ju lutem, mund të më këshilloni diçka që të më ndihmojë të ndihem disi më mirë?
Ju faleminderit!

PËRGJIGJE:
Dhimbja e shpinës mund të jetë edhe prej pozitës jokorrekte të qëndrimit në ulëse. Është shumë me rëndësi të dihet se a keni dhimbje shpine apo dhimbje shpine dhe këmbe. Zakonisht pas tretmanit fizioterapeutik, duhet të vazhdoni ushtrimet edhe në shtëpi. Meqenëse qëndrimi në këmbë ju lodhë, me siguri se duhet të forconi muskulaturën paravertebrale (të boshtit kurrizor). Nëse keni vetëm dhimbje shpine dhe ajo nuk kalon pas tretmanit terapeutik dhe pushimit, duhet të lajmëroheni te neurokirurgu për evaluim të mëtutjeshëm.


Përshëndetje i nderuar.
Jam një vajzë 19 vjeçare dhe jam shumë e preokupuar me problemin tim. Jam diagnostikuar me scoliosis idiopathica, thoracolumbalis deotroconvez.
Kam bërë fizioterapi, por përsëri pas 6 muajve më është rikthyer dhimbja e shpinës në pjesën e poshtme, po ashtu edhe në krahë.
Kohët e fundit ana e majtë, sidomos këmba e majtë më liron nxehtësi dhe ësht e lodhur. Ndonjëherë kam dhimbje të padurueshme. Kam qenë te mjeku dhe më ka diagnostikuar edhe me pes cavus. Po ashtu, gjatë frymëmarrjes së thellë, kam dhimbje kryesisht në mes të shpinës.
Ju lutem, për ndonjë këshillë mjekësore apo ndonjë orientim.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Deformiteti në fjalë, jam i sigurt, se ju shkakton mjaft probleme dhe ju preukupon. Por, unë nuk kam mjaft informata lidhur me problemin e juaj, si p.sh. sa shkallë ka ai deformitet, sa është intensive dhembja e shpinës, saktë në cilën pjesë të boshtit kurrizor paraqitet etj. Pas terapisë keni qenë mirë. Këshilla ime do të ishte të vazhdoni me terapi edhe në shtëpi në baza ditore që të prevenoni (parandaloni) avancimin e mëtejmë të problemit tuaj.


I nderuar dr. Jam 28 vjeçare dhe kam probleme si duket me unaza të shpinës. Pas incizimit me rëntgen, më është thënë se unaza e fundit është më e vogël seç duhet. Kjo është e lindur si deformim, sepse sipas doktorit, kjo quhet semundje intelektualeësh, sepse unë punën e bëj ulur. Doktori nuk më ka udhëzuar për ushtrime, sepse qenka e kotë.
Momentalisht përdori Jointace, Ibuclin, dhe yndyrë Voltaren.
Kam dhimbje të shumta në shpinë dhe në këmben e djathtë. Disa mjek me kanë thënë derisa të arrini një moshë të pleqërisë do të keni probleme…Me të vërtet unë do të vuaj deri atëherë?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Unë mendoj se duhet të vizitoheni te neurokirurgu për të parë se sa është intensive dhimbja e shpinës. Po ashtu, mos keni ndonjë deficit neurologjik (humbje të forcës së këmbës ose eventualisht dhimbje. Në rast se mundeni, më dërgoni imazhet si attachment t’i shikoj. Është me rëndësi të analizohen të gjithë parametrat.


Në nëntor të vitit 2010 jam operuar nga gjakderdhja. Mirëpo tani vazhdimisht kam dhimbje koke, lodhje fizike dhe jam bërë pak depresive, sepse nuk po mundem t’i duroj këto dhimbje të kokës. Poashtu, aty ku është bërë operimi, më skuqet shumë shpesh.
Ju faleminderit dhe shpresoj që do të përgjigjeni?

PËRGJIGJE:
Skuqja e cikatriksit (shenjës së operimit) mundë të jetë edhe normale, kjo varet edhe nga faktorët gjenetik. Dhimbja e kokës është shqetësuese. Hemorrhagjia subarachnoidale mund të jep dhimbje koke.
Në rastin tuaj, duhet të konsultoni me neurokirurgun që ju ka operuar.


Lajmërohem nga Islanda. Në vitin 2008 duke punuar jam rrëzuar dhe prej atëherë kam dhimbje të mëdha mesi. Mjekët për herni diskale më kanë rekomanduar ushtrime, por ato fare nuk po më ndihmojnë. As injeksione e rënda të mara në shpinë, nuk po më ndihmojnë.
Doktor, pres përgjigje të shpejtë me rekomandimet tuaja.

PËRGJIGJE:
Hernia diskale si pasojë e ngritjes së peshave të rënda është mjaft problematike. Unë mendoj se duhet të bëni në Islandë një MRI (rezonancë magnetike).
Duke krahasuar Rezonancën Magnetike dhe ekzaminimin neurologjik (vizitën për forcën e këmbës), mund të vie deri te një përfundim.
Vet fakti se dhimbja nuk iu ka kaluar qe disa vite, është shqetësuese.
Dhimbja zakonisht duhet të kalojë pas disa javësh, eventualisht një muaji.
Pyetja ime do të ishte se a mund të ecni në maje të gishtave dhe në thembër. A është i mpirë gishti i madh apo i vogël i këmbës. Gjate kollitjes apo teshtitjes, a iu ritet dhimbja e këmbës. Këto të dhëna janë me rëndësi.

 

Fotografia: Dr. Fatos Kelmendi

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.