dr. Ibrahim D. Rudhani, mr.sci, dr. Sci; Internist - Nefrolog – Ultrasonist

11:42 / 9.05.2013
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

dr. Ibrahim D. Rudhani, mr.sci, dr. sci
Internist - Nefrolog – Ultrasonist

tel. 044/ 178 573
049/ 178 573


Përshëndetje dr. Rudhani. Jam një paciente e sëmurë nga veshkat, jam në dializë që nga muaji gusht. Seancat i kam dy herë ne javë. Në fillim isha mirë. Në bazë të analizave, urea më zbriti në vlerat 7.8, ndërsa kreatinina në 288.8. Mirëpo, prapë gjendja më është keqësuar, nuk jam mirë me shëndet. Kam pasur të vjella dhe barkqitje pothuajse një javë. Më janë rritë vlerat si: urea 22.2 dhe kreatenina në 578.
Kam mundim dhe më vjen si të ligët, kam një ngushtim në kokë, etj.
Këtë problem e kam edhe gjatë procesit të dializës, gjë që shpesh më duhet me ndërpre seancën se nuk mund të qëndroj deri në fund (më humbë vetëdija).
Ju lutem, më ndihmoni si të kaloj këtë problem.
Në terapinë e rregullt, marr hapa për tension, lukth dhe nganjëherë kalcium.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Duhet të përsëriten vlerat edhe një herë para seancës së dializës nëse vlerat janë si rezultatet e përshkruara (urea 7.8 kurse kreatinina 288/8). Duhet ditur që këto vlera a janë para seancës së HD apo pas. Nëse janë para, nuk ka nevojë për seanca të reja të HD, nëse janë pas, atëherë duhet vazhduar me program të HD.
Vjellja dhe jashtëqitjet mund të jenë për shkak të përkeqësimit të gjendjes. Pasi të stabilizohet gjendja nga vjellja dhe barkqitja, duhet të përsëriten vlerat dhe pastaj të vendoset për seanca të mëtejme të HD ose ndërprerjen. Kurse sa i përket problemeve që i cekni gjatë seancës së HD për kokëdhembje deri në humbje të vetëdijes, duhet që gjatë seancës të merret gjatë tërë kohës Glukozë 10% dhe të mos humbet shumë peshë, por të bëhet vetëm dializë pa humbje peshe. Të përcaktohen elektrolitet (K,Na,Ca) para dhe pas seances së HD si dhe Glikemia gjatë seancës së HD.


Përshëndetje. Jam 60 vjeçar, i operuar qe 5 muaj nga gurët në idhëz, mirëpo pas një muaji kanë filluar të më ënjten këmbët dhe duart. Menjëherë jam shtruar në Klinikën interne, kam qëndruar 2 javë, mirëpo asnjë ndryshim, edhe pse i kam bërë të gjitha llojet e analizave. Gjatë urinimit humbi një numër të madh të proteinave.

PËRGJIGJE:
Më duhen më tepër sqarime, por mendoj se bëhet fjalë për Syndromen nefrotike, e cila mund të jetë sekondare apo idiopatike dhe e cila vërtetohet me Biopsi të veshkës. Por, duhen analiza shtesë, si Hemogrami, Urina, Prova e Bioretit, Proteinogrami, Lipidogrami, Biopsia e mukozës Bukale apo rektale, pastaj Statusi i Imunoglobulineve, për të vendosur se si duhet vepruar më tutje apo për terapi kauzale.


Përshëndetje. Jam e sëmurë nga veshkat - shkalla e IV-të, si pasojë e cistave. Sipas analizave të fundit, kreatinina është kam 594, urea 48.8, kaliumi 5.4. Jam në prag të dializës.
Ju lutem, më tregoni me çka mund të ushqehem, një përshkrim më të gjerë dhe a ekziston ndonjë punëtor- psikolog në QKUK që merret me përgatitjen psikike tonë rreth procesit të dializës.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Sëmundja policistike e veshkave është sëmundje hereditare (e trashëguar nga prindërit). Analizat e përshkruara nga ju janë të gr. IV, këto vlera të këtij nivelit mund të qëndrojnë gjatë, madje te disa raste edhe me vjet, varet sa ka inde rezervë (nefrone) të padëmtuara meqë kistat dëmtojnë në formë mekanike duke bërë presion në indin e shëndoshë.
Mjeku juaj sigurisht ju ka udhëzuar çfarë duhet të bëni më tutje meqë Kaliumi është ende në kufij normal, nuk ka vend për alarmim, por duhet një kontroll dhe ushqyeshmëri më e kontrolluar. Ju mund të ushqeheni ose mund të konsumoni 100 gram mish të viçit në javë, më tepër mish peshku dhe mish të bardhë të pulës, më pak pemë e perime (disa të hiqen nga menyja, si bananet, domatet, kivi, lakra, bile edhe lëngje e dendura ose të pemëve). Vetëm ujë natyral me pak kalium. Përsa i përket psikologut, në QKUK ekziston, por adekuat për të përgatitur të sëmurët me trajtim aktiv më HD, për momentin, nuk ka. Me këto probleme merremi ne nefrologët e QKUK të edukuar jashtë për trajtime të tilla.


Përshëndetje doktor! Jam një nënë e re që kam një vajzë 11-muajsh. Para një muaji, ime bijë filloi të mos hante dhe pati temperaturë. Pas vizitës, më thanë që vjen nga dhëmbët. Por ditën tjetër, ajo filloi të mos fuste gjë prej gjëje në gojë dhe të kishte temperature 38 e gjysmë. E çoj në një spital privat për t’i bërë një vizitë tjetër, dhe ato i bënë serum, sepse duke mos ngrënë prej një jave, ishte shumë e zbehtë. Pas serumit e çoj në shtëpi. Teksa po e ndërroja, atë e kapin ethe të forta, iu nxinë buzët dhe vetëm dridhej, pra konvulsione të forta. Nuk mund t'i përshkruaj ato momente me fjalë. Nuk dija ç’të bëja, sepse sapo isha kthyer nga doktori. E shtrëngoja në kraharor dhe mundohesha ta ngrohja. I mas temperaturën dhe termometri tregonte 38 e pak. Marr në tel. doktorin që e vizitova më parë, dhe i them gjendjen. Sille këtu më tha. E çoj dhe i matin temperaturën e cila kishte vajtur 40 gradë, por që ne si prindër nuk na tregonin. I bëjnë qetësues, voltaren, serume etj. Të nesërmen i bëjmë analizat që dalin keq me infeksion. Aty doktori na çon te pediatria shtetërore për t'u konsultuar me nefrolog. Pasi i bënë vizitën dhe eko në veshka, ku dyshohej se kish prekur infeksioni, e shtrojmë sepse dyshohej për refleks. Por nga eko-ja doli që vajza ime veshkën e djathtë e ka dyfishe, pra, ka strukturë dublekse të veshkës, por që ajo funksiononte normalisht, plus kjo veshkë ka 2 tuba shkarkimi, jo një, duke qenë se është edhe e përbërë, pra dy veshka bashkë. Gjatë kohës në spital kurohej me Rocefin (antibiotik). Pas 2 javësh e nxjerr nga spitali dhe e kuroj në shtëpi me "Septrin". Vajza duket sikur u bë më mirë edhe pse nuk hante dhe e kisha vetëm me pak qumësht gjiri. Ka një javë që ka filluar të hajë pak, por ajo që më shqetëson më shumë, është se kemi bërë analizat dhe i dalin sërish keq. Bakteri Escheria Coli i del mbi një milion. Me sa kuptoj unë, asaj antibiotiku nuk i ka bërë asnjë efekt ose nuk ka qenë i duhuri.
Doktor, çfarë duhet të bëj, sepse unë i kam ndërprerë mjekimin për t’i bërë analizat dhe se kështu më tha doktori, por mua s’më duket veprim i duhur me këto rezultate që ka? Çfarë duhet të bëj? Pse ky rezultat i E.Coli? Çfarë mund të ketë vajza ime?
Ju lutem doktor, si perëndia që na ka dhënë jetën, më jepni një përgjigje se çfarë duhet të bej, sepse kam humbur shumë shpresat.
Mirëpres me padurim përgjigjen tuaj.
Me shumë respekt, një nënë e re.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Po përgjigjem si një prind edhe pse nuk i takon domenit tim të subspecializimit. Shoh se jeni e shqetësuar, ethet janë paralajmërim i temperaturës që do të vijë së shpejti.
Gjendjen që e përshkruani për fëmijën tuaj si pyelon dhe urter duolex, janë të shpeshta në mjekësi dhe nuk paraqesin asnjë shqetësim, vetëm duhet një kontroll më i shtuar në marrjen e lëngjeve më tepër, sepse gjatë filtrimit të urinës, të mund të kalojë njësoj nëpër pyelon dhe ureter, sepse është si një gyp uji kur e ndan në dysh, në anën që urina kalon me pak, mundësia e infeksionit është më e madhe. Pra, nuk kryhet pastrimi mekanik ose hedhja jashtë e baktereve që janë banore të përhershme e traktit urinar, por duke mos i dhënë kohë për shumim dhe rritje të virulencës. Dmth sa i përket pyelonit dhe uretres dupleks nuk ke nevojë për shqetësim, vetëm më tepër lëngje, çaje, etj.
Sa i përket infeksionit që mendon se ka marrë terapi kot, nuk qëndron, temperatura është sanuar. Prezenca e E collit në urinë (e izoluar) flet për një infeksion i cili duhet të mjekohet sipas antibiogramit, e nëse ka marrë antibiotik të spektrit të gjerë që te fëmijët mund të shkatërroj florën normale, më mirë është të pushohet një kohë duke marrë vetëm çajra deri sa nuk ka pyelonephrit.
E pas izolimit të dytë të baktereve në urinokulturë, të fillohet me terapi kauzale sipas antibiogramit. Bbakteri i izoluar tek fëmija juaj është banor i përhershëm i traktit urinar, por nevojitet një rënie imuniteti apo rritje e virulencës për të shkaktuar infeksion, e duke llogaritur se E.Colli ka shumë shtame, lloje, tipe që njëra është e ndjeshme në barin që e ka marrë, por është krijuar një mutant i ri që duhet të mjekohet me antibiotik tjetër.
K keni besim te mjeku i juaj, por drejtohu tek pediatri nefrolog. Keni kujdes gjatë pastrimit të fëmijës ose bëni largimin e shpeshtë të pelenave, mos e tërhiqni pelenën ose facoletën e lagur nga përpara, por nga pas në mënyrë që të mos bartet infeksioni, për shkak të afërsisë anatomike të rrugëve të urinimit dhe defekimit.


I nderuar doktor, kam urinim të shpesh edhe dhimbje në fundin e barkut në anën e majtë. Mjeku më kanë thënë se kam infeksion në kanal të urinës. Më herët kam bërë një vizitë tek urologu, ai më ka dhënë ciprinol edhe vag. Fologofenak. Doktor, menstruacionet i kam me gjakderdhje. Ju lutem, më jepni këshillën tuaj.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Faleminderit për pyetjen. Së pari duhet të sqarohet dhimbja në fundin e barkut. Kujt I përket, cilit organ, pse vinë ato dhimbje? Nga fshikëza e ujit meqë ke urim të shpeshtë apo nga organet gjinekologjike, sepse keni çrregullim gjatë ciklit? Kjo sqarohet duke bërë një analizë rutinore, Se, hemogami, Urinë e thjeshtë, eko e abdomenit (ultrazëri i barkut), pastaj një urinokulturë me AB. Mendoj se marrja e antibiotikëve pa urinokulturë është abuzim i antibiotikëve dhe shton mundësinë për rezistencë ndaj terapisë. Pra, unë ju preferoj t’i bëni këto analiza e pastaj të konsultoni Internistin – Nefrolog, që është më kompetenti për mjekimin konservativ të infeksioneve të traktit urinar.


Djali im 12 vjeçar, para 3-4 dite ëshë zbehur dhe të gjitha analizat laboratorike kanë dalë në kufi të normales (hemogrami, Se, ureja, kreatinina, glikemia, proteina totale. alb, kolesteroli, trigliceride, Na, K, Crp, C3, C4 dhe elektroforeza e proteinave). T. A ka qenë në kufi të normales, përveç ASO që ka dalë e lartë 1000, ndërsa urina ka dalë me proteina (4 plusa) në pamje mikroskopike - 2-4 qeliza epiteliale dhe 1-2 leukocite, që më ka shqetësuar shumë, prandaj është bërë edhe echo e abdomenit që ka dalë në rregull. Urina 24 orëshe është në kufi të normales, echo e zemrës - në rregull. Të nesërmen është përsëritur urina, ka qenë normale (proteina negative) pas 3 orëve është përsëritur edhe një herë (proteina 3 pluse). Doktor, a ka mundësi të më shpjegoni se për çfarë arsye kjo proteinourinë jo stabile dhe a ka mundësi që në veshka të zhvillohet ndonjë proces, që mund të ketë pasoja të më vonshme. Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Problemet që ka djali juaj i përkasin domenit të pediatrit nefrolog, por unë do të mundohem t’ju jap sqarime se duhet të bëhet strisho e fytit dhe hundës dhe të vërtetohet eventualisht prezenca e streptokokut pasi ASTO është e lartë rreth 1000, të përcillen parametrat e tjerë si, Se, hemogrami, urina, urea, kreatinina, proteinat totale, albuminat, CRP, urinokutura me AB, si dhe edhe njëherë C*, C4 nëse ka më pak se tre javë të këtyre simptomave që ju përshkruani. Nëse këto parametra nuk ndryshojnë, nuk shoh arsye për shqetësim.


I nderuari z. Rudhani. Qe dy vite vuaj nga sëmundja e sheqerit. Tashmë jam edhe me terapi të cilën e përdori çdo ditë. Në mëngjes dhe mbrëmje marr nga një tabletë diabos 5 mg dhe në darkë Siofor 850. Rregullisht përdori në mbrëmje nga një aspirinë. Po ashtu, në orën 3 pas darke, çdo ditë marr nga një Tenoxs 5mg. Në mëngjes sheqeri është 9 deri 11, ndërsa në mbrëmje shkon deri në 14 -15. Qe disa ditë, kryesisht gjatë natën por edhe ditën, më paraqitet një mpirje e vogël nëpër fytyrë, në kokë, por shumë shpejt kalon. Me rekomandim të mjekut përdora Redergin 1,5 mg. Ju lutem, cili kishte me qenë rekomandimi i Juaj si internist. Ju faleminderit për konsideratën.
Me respekt. E.K.

PËRGJIGJE:
Faleminderit per pyetjen e parashtruar, unë mendoj se sëmundja e sheqerit është e monitorueshme dhe menaxhohet lehtë, por me një disiplinë më të theksuar. Fjala është për dietë në marrjen e ushqimit, pastaj aktivitet fizik si dhe në fund, marrja e terapisë së nevojshme. Mendimet e shumë shkencëtarëve janë se glikemia ose sheqeri në esëll duhet të jetë (ose ) më e ulët se 8mmol/l për shmangie nga komplikacionet sekondre si retinopatia diabetike, nefropatia dibetike dhe polineuropatia dibetike që janë më të shprehura, pa i lënë anash edhe komplikimet tjera të enëve të vogla dhe të mëdha. Pra, glikemia në esëll duhet të jetë nën 6/7 mmol/l, por duhet të përcillen edhe parametrat tjerë si urea, kreatinina, proteinat totale, albuminat, koletesteroli me të gjitha fraksionet, TG, urina, urinokultura me AB.


I nderuar doktor. A ekziston mundësia e shtatzënisë përderisa jam në dializë?
Pres përgjigjen tuaj me shqetësim.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Unë mendoj se parametri më i mirë apo përgjigjja më e mirë se dializa bëhet në rregull është perziztimi ose vazhdimi i ciklit menstrual e që flet për plleshmërinë e mundshme të një femre. Pra, nëse keni cikël, mund të mbetni shtatzënë.
Ne, nga përvoja jonë kemi dy gra që kanë lindur fëmijë edhe pse kanë qenë në hemodializë.


Përshëndetje. Vajza ime e vogël, afër 3 vjeç, ka çdo herë hematuri gjatë analizave, kurse tash glomerulopati. Çdo dy javë ia bë analizat dhe përherë i dalin me dy ++ dhe me shumë eritrocite. Urinokultura i ka dalë në rregull, poashtu ultrazëri i veshkave dhe rëntgeni i abdomenit janë mirë. Vajza ndihet mirë, nuk ka asnjë ankesë, urinon pa problem.
Disa më kanë thënë t’i bëjë cistografi miksionale, disa biopsinë, të tjerë të vizitoj gjinekologun.
Ju lutem, më tregoni, si të veproj më tutje.
Nëna e brengosur

PËRGJIGJE:
Kjo pyetje i përket domenit ose lëmisë së pediatrit-nefrolog, por do t’ju përgjigjem si prind i brengosur. Mendoj se duhet bërë analiza e urinës në Citologji për përshkrimin e eritrociteve, forma, struktura e qelizës e pastaj të eliminohet edhe sëmundja e tbc-së së veshkave që verifikohet duke bërë analizën e urinës 5-7 herë në mikrobiologji ose ndryshe quhet Urina në LOW (Levenshtaj, në bazë të autorit) dhe, krejt në fund, nëse këto janë negative pas një proteinurie persistente ose e vazhdueshme dhe eritcituri, poashtu e gati e përhershme, duhet të planifikohet biopsia e veshkës, po jo pa u shteruar metodat tjera të ekzaminimit konservative dhe jo invazive.


Doktor, është e vërtetë që ushqimet me kalcium ndikojnë në shfaqjen e gurëve në veshka?
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Po, ushqimi me shumë kalcium ndikon në formimin e gurëve, por paraprakisht duhet të ekzistojë predizpozicioni gjenetik ose ndonjë çrregullim hormonal, si bie fjala, i parathormonit (gjëndrës parathyreoide). Përndryshe, në kushte normale tek një njeri i shëndoshë, pa çrregullime metabolike dhe pa predispozicion, nuk formohen gurët.
Dihen shkaktarët, si çrregullimet metabolike, infeksionet urinare, uropatitë e ndryshme, etj.


Jam 47 vjeçare nga Gjilani. Qe 25 vite vuaj nga parapareza, por kam probleme edhe me urinë. Urinoj shpesh gjatë ditës dhe natës. Para 4 muajve e kam bërë një ultrazë ku është konstatuar se pv. mëlçia, pankreasi, lieni, veshkat pv. mitra, vezoret fshika biliare karakterizohet me një konkrement me madhësi lajthie, që është prezente në të gjitha pozicionet dhe lamelizimet. Hija akustike pozitive. Ductus cisticus, ductus choledochus pv. dg.cholelithiasis. Vesica neurogenes hiper excitabilis. Paraplegia.
Terapia e marrë: cipronatin 750 dhe trimox 960.
Ju lutem doktor, cili do të ishte mendimi juaj që ta eliminoj këtë problem. Më ndihmoni ju lutem. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Faleminderit për pyetjen. Në rastin tuaj, mendoj se nuk ka të bëj me ndonjë sëmundje të veshkave apo të rrugëve të sipërme urinare. Diagnoza e juaj e lartshënuar bashkëshoqërohet shpesh edhe me problemet me urinim, si urinimi i shpeshtë i përcjellë me djegie ose i urinim i pakontrolluar, e që mjekimi konsiston në formë ekipore nga nefrologu dhe nga neurologu. Mua më nevojiten më tepër informata nga ju, keni urinim të kontrolluar apo spontan dhe sa kohë merrni barnat e lartcekura. Në rastin tuaj, mendoj, se duhet të përsëritet një ultrazë me fshikës urinare të mbushur, për t’u parë mirë muret dhe lumeni, pastaj analiza e urinës, urinokultura me AB, por pas pauzës 10 ditë nga marrja e antibiotikëve. Pastaj, të fillohet mjekimi adekuat në bazë të antibiogramit. Sa i përket gurit në kolecyst ose idhëz, duhet te konsultohet kirurgu abdominal, por deri atëherë keni kujdes në dietë, mos merrni ushqim që e provokon kolecysten, si vezët, brumëra, bizele, fasule, etj.


Babai im në bazë të incizimit me ultrazë del se ka një ciste në veshkën e djathtë të madhësisë 1 mm dhe një guri në veshkën e majtë të madhësie 2 cm, që është shumë i rrumbullakët dhe i palëvizshëm. Ky guri është që 10 vite, babai ka probleme edhe me prostatë. Deri tash nuk ka pas probleme me veshka, kohët e fundit ka shumë probleme, nuk mundet me urinuar, ka dhimbje të mëdha në anën e majtë aq sa në këmbën e majtë nuk mundet ët peshojë, ka dhimbje të madhe. Këmbët kanë filluar t’i ënjten në pjesën e poshtme edhe pse po përdorë lasix, antibiotikë dhe analgjetikë, po nuk po i ndihmojnë. Në bazë të incizimeve me ultrazë, del se edhe unë kam një ciste në të njëjtin vend dhe të njëjtës madhësi. A do të thotë se kjo është trashëguese apo është rastësi. Unë nuk kam asnjë problem, po edhe babai im nuk ka pas probleme të veçanta deri tash në moshën 77 vjeçe. Si duhet të trajtohet babai im në të ardhmen, sepse sëmundja e tij ka filluar të bëhet e padurueshme për të?

PËRGJIGJE:
Sa i përket problemit të babait, mendoj se nuk është problemi me ciste meqë është shumë e vogël dhe zakonisht nuk jep probleme, vetëm duhet të përcillet për çdo tre muaj, kurse guri 2 cm nëse nuk lëviz dhe nuk ka stazë ose ngufatje të veshkës nuk dhemb. Problemet e cekura janë nga prostata, por normalisht edemet ose ënjtja e këmbëve nuk sqarohet me rritje të prostatës, por duhet të hulumtohen në drejtime tjera, si sëmundje të zemrës ose humbje të proteinave nga veshkat, pra duhet të bëhen analizat, si hemogrami, urina, urea, kreatinini, hepatogrami, transaminazat, proteinat totale, albuminat, elektrolitet. Sa i përket dhembjeve të këmbës dhe shpinës, mendoj se babai i juaj ka probleme me unaza si diskopati, apo diç tjetër. Në rastin tuaj mund të jetë ndonjë trashëgimi, por kur kemi të bëjmë me një ciste të vetme dhe aq e vogël, nuk paraqet ndonjë problem, por vetëm duhet të përcillet si dimensioni i saj dhe analizat laboratorike. Për të gjitha problemet dhe ankesat e juaja dhe të babait, paraqituni te nefrologu në Klinikën Interne me një rtg nativ të traktit urinar, e pastaj një urografi intravnoze.


I nderuari doktor. Daja im ka probleme me ciste në veshka, ato zakonisht i shkaktojnë probleme gjatë muajit qershor, pra gjatë fillimit të verës shkaktojnë lodhje, nervozë, stres si dhe natyrisht ndryshimin e analizave që kanë të bëjnë me veshkat: urea, etj. Si mund të zhduken apo të shpërthehen këto ciste?

PËRGJIGJE:
Mendoj se kemi të bëjmë me sëmundje hereditare apo trashëguese, që quhen ren polycysticus apo veshkave policistike, e që varësisht nga numri dhe madhësia e tyre mund edhe te kompromitohet funksioni i veshkave, zakonisht kur është një ciste apo dy, tri, planifikohet punksioni dhe sklerotizimi i tyre me alkool etilik se me povidon jod. Porse, kjo nuk preferohet te policistozat, por vetëm përcillet urina nëse ka infeksion urinar apo ndonjë anemi që shpesh mund të vie si pasojë e pëlcitjes së cisteve e që shoqërohet me urinim me gjak. Varësisht nga struktura e veshkës sa është e kompromituar nga cistet, rriten edhe vlerat e produkteve azotike si ureja, kreatinina, por mendoj se sa i përket muajve që ju cekni, nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë, por vet sëmundja shoqërohet me problemet e cekura, si lodhje, nervozizëm, stres dhe padisponim. Për të gjitha problemet dhe ankesat, paraqituni te nefrologu në Klinikën Interne.


Kam 2 gurë në veshkën e djathtë, njeri 7.1mm, tjetri 6.4mm dhe një në anën e majtë 4.5mm. Poashtu, veshka e majtë ka nisur të zgjerohet, kam djegie në kanalin urinar dhe trupi më ënjtet, më formohen ca njolla në trup kur ënjtem. Kam marrë terapi, po ende si kam qitur gurët jashtë.
Ju lutem doktor, më tregoni, ç’duhet të bëj?

PËRGJIGJE:
Gurët në të dy veshkat kanë madhësi të ndryshme, duhet të përcillen analizat laboratorike, ultrazëri i veshkave, rtg nativ i urotraktit, pastaj të shihet se a ka hydronefrozë, infeksion i traktit urinar, e tek pastaj të vendoset çka më tutje, të thyhen gurët me ESWL, apo të operohen.


Kam glomerulonefritis, qe 8 vjet. Jam nën përkujdesje të përhershme të nefrologut. Jam 37 vjeçe. A mund të mbetem shtatzënë?
Rukia

PËRGJIGJE:
Pershëndetje, Rukie. Faleminderit për pyetjen. Duhet të dihen vlerat e produkteve azotike (uresë dhe kreatininës), pastaj klirensi i kreatininës. Nëse këto vlera lejojnë, nuk ka arsye pse të mos vendosni për një shtatzëni të planifikuar me kusht që të mos jeni nën terapi imunospresive.
Me respekt, luteni të lajmëroheni në Klinikën Interne (Nefrologji).


Jam 37 vjeçe, vuaj nga veshkat. Para 6 muajsh kam pasur shumë dhembje, kam qenë te mjeku, echo-ja ka treguar se kam gur dhe zall. Kam përdor aulin dhe buskopan. Për momentin jam mirë, por kam frikë, sepse mjeku ka kërkuar nga unë që ta bëj CT-në. Doktor, a duhet patjetër ta bëj këtë incizim, sepse unë nuk i kam kushtet.
Flm për përgjigjen.
Jeta.

PËRGJIGJE:
E nderuar, për zall, nuk ka nevojë të bëhet CT, për kalkuluse duhet të caktohet dimensioni i tyre dhe të planifikohet për ESËL (thyerje) ose operim, apo të provokohet largimi spontan i tyre.
Luteni të lajmëroheni në Kl. Interne, Nefrologji. Unë punoj ditën e hënë në ambulancën specialistike neurologjike.


I nderuar doktor. Kam një pyetje. Si mund ta ulim proteinën e sintetizuar nga mëlçia (albuminën), të pranishme në plazmën e gjakun të njeriut?
Gjithë të mirat. Saranda.

PËRGJIGJE:
Do duhej të më jepnit më tepër sqarime, duhet të dihet cili lloj i albuminave është rritur dhe sa është eliminimi i tyre me urinë (proteinouria), apo globulinat apo proteinat e përgjithshme.
Me respekt.


Doktor, është e vërtetë që ushqimet me kalcium ndikojnë në shfaqjen e gurëve? Në pritje të përgjigjes, ju përshëndes.
Genci

PËRGJIGJE:
Faleminderit së pari për përshëndetjen dhe pyetjen. Formimi i gurëve është çrregullim metabolik, e pastaj ushqimi, infeksionet, faktorët trashëgues dhe faktorët tjerë favorizues vetëm e ndihmojnë formimin e gurëve.
Me respekt.


Doktor, më intereson të di, se i vendosen gjilpërat për dializë, dy dyja në venë, apo njëra në venë e tjetra në arterie? Si mund ta dimë se është gjetur me sukses arteria? Pres përgjigjen. Faleminderit.
Yllka

PËRGJIGJE:
Të dy gjilpërat vendosen në venë, arteria dihet mirë dhe lihet, sepse dihet që arteria ka shtypje aktive, pra pulson, kurse vena ka shtypje pasive, dmth rrjedhëse.
Me respekt.


Doktor i nderuar, përse kam ngërçe përherë kur jam në dializë. Këmbët më mpihen dhe përjetoj dhembje jonormale.
Doktor, më ndihmo dhe më trego se çfarë ushqimi duhet të marr.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Unë besoj se është pasojë e humbjes së peshës së tepërt edhe atë për një seancë të HD më tepër se 4 kg, nëse ka ngërçe duhet të përcillet K, Ca dhe Cl, dmth elektrolitet pas dializës, e pastaj të planifikohet marrja e barërave apo ushqimit.


Përshëndetje doktor. Dy muaj më parë jam operuar nga zemra (në Shkup), dhe, veshkat ende nuk po mund të punojnë në mënyrë të pavarur. Do të duhet që unë vetëm edhe një kohë të mbetem në dializë, apo ka ndonjë gjasë që në një kohë të caktuar veshkat do të mund të kthehen në gjendje normale. Nuk e di se a është normale, kjo që më ka ndodhur mua pas operimit. Frikohem se mos më janë dëmtuar veshkat, sepse, mendoj, dy muaj nuk janë pak, pa vërejtur ndonjë përmirësim. Pres përgjigje. Faleminderit. Riza.

PËRGJIGJE:
Unë së pari më duhet të di gjendjen e veshkave para operacionit, si vlerat e produkteve azotike, pastaj klirensi i kreatininës ose ndonjë scintigrafi dinamike e veshkave, megjithëse pranohet mendimi se pas operacioneve të rënda sikurse i juaj, mundësia për insuficiencë ose pamjaftueshmëri akute të veshkave është e shpeshtë edhe atë deri në 30%. Varësisht nga madhësia dhe komplikimi i operacionit, funksioni duhet të kthehet brenda 90 ditë llogaritet si pamjaftueshmëri akute, pastaj futet në kronicitet.
Ju lutemi të lajmëroheni te nefrologu në QKUK, të hënave nga ora 10,30 h
Me respekt.


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
dr. Ibrahim D. Rudhani, mr.sci, dr. Sci; Internist - Nefrolog – Ultrasonist
dr. Ibrahim D. Rudhani, mr.sci, dr. Sci; Internist - Nefrolog – Ultrasonist
dr. Ibrahim D. Rudhani, mr.sci, dr. Sci; Internist - Nefrolog – Ultrasonist
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
23:30 / 19.05.2013
Big Mama, Foto: FB

Big Mama u thotë femrave: Po shkoi njëri vjen tjetri!

Besjana Kasami,e njohur me emrin skenik si Big Mama, së shpejti do të sjellë këngën me titull “Ku mbeti dashuria”, e c...
Teknologji
19:58 / 19.05.2013
Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Njëri nga problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e telefonave mobil është sasia që ata duhet ta lëshojnë në treg...
Ekonomi
11:34 / 19.05.2013

Policia sërish përgatit tender për “Porsche Prishtina”

Policisë së Kosovës i ka dalë sërish problem me tenderin për furnizim me vetura patrulluese, pasi që edhe në tenderët ...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.