Dr. Msc. Olta Shehu, Stomatologe

Publikuar: 9:02 / 27.08.2014
Dr. Msc. Olta Shehu, Stomatologe
0shares
komente

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Msc. Olta Shehu,
Stomatologe
tel. 044-373-279


Përshëndetje. Unë kam një pyetje: prej cilës moshë fillon larja e dhëmbëve?
Faleminderit. Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Higjiena e gojës duhet të fillojë që nga koha kur del dhëmbi ë parë në gojën e një fëmijës. Në këtë rast kjo detyrë i takon nënës e cila dy herë në ditë duhet me një gazë sterile ose të pastër të lagur duhet të pastrojë gojën e fëmijës pas vaktit e ushqimit. Parandalimi i kariesit të foshnjat bëhet me anë të fluorideve që janë të pranishëm në ujin që blihet për bebe.
Sa i përket suplementeve të fluorit, atë duhet ta përshkruajë dentisti apo pediatri në bazë të moshës së fëmijës, predispozitës për karies tek femija dhe praninë e flurorit në ujin që pi fëmija. Përdorimi i furçës dhe i pastës janë të këshillueshme që nga moment që fëmija është i vetëdijshëm për të pështyrë pastën nga larja. Ky është një proces qe mësohet dalëngadalë dhe me durim duke ia bërë fëmijës tërheqëse dhe si lojë.


E nderuara doktoreshë, djali im është 8 vjeç dhe ka një problem. Ai e mban gjuhën të kafshuar midis dhëmbëve përpara dhe ka vështirësi kur ha buke. Dua të di përse ndodh kjo. Me fëmijët e tjerë nuk e kam pasur këtë problem?

PËRGJIGJE:
Mesa duket kemi të bëjmë me një gëlltitje atipike, gjë e cila është e zakonshme për foshnjat por jo tek fëmijët më të rritur. Foshnjat kur pinë e mbështesin gjuhën në nofullën e poshtme dhe kjo quhet gëlltitje infantile por në kohën kur fëmija është në gjendje të shqiptojë tingujt e gjuhës. Brenda vitit të parë të jetës kjo lloj gëlltitje maturohet dhe gjuha gjatë gëlltitjes mbështetet në qiellzë. Kemi një ndërlidhje shkak-pasojë sepse shpesh ato që mund të mendojmë se janë shkaqet, bëhen pasoja dhe anasjelltas.
Simptomat kryesore te një gëlltitje atipike mund te jene hiperzhvillimi i muskulit të mjekrës, mos shqiptimi korrekt i disa shkronjave, kafshimi i hapur anterior, ku dhëmbët përpara nuk kontaktojnë me njëri- tjetrin, dhëmbë të pozicionuar me jashtë, lingua interdigitata (gjuha është si e dhëmbëzuar), dhëmbë me hapësira si pasoje e një gjuhe të madhe, frymëmarrje me gojë që mund të jetë edhe njeri nga shkaqet.
Terapia e këtij vesi mund të jetë ortopedike në vendosjen e aparateve që detyrojnë gjuhën të pozicionohet mbi qiellze, ortodontike si mbyllja e kafshimit të hapur përpara dhe logopedia që me anë të ushtrimeve të mirëstudiuara ndryshon pozicionin e gjuhës gjatë gëlltitjes. Njëherë duhet të saktësohet diagnoza dhe të mësojmë shkakun pastaj të vendosim për terapinë.


Përshëndetje, kam bërë një vizitë tek një ortodont sepse i kam dhëmbët të shtrembër. Me thanë të vendos një aparat fiks, por unë nuk dua që të më duken se tash i kam 25 vjet.
Gjithë të mirat. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Sot ka përparuar shumë teknologjia në fushën e ortodontisë. Dhe për aparate fikse me braketa kemi shumë mundësi zgjedhjeje në varësi edhe të gjendjes ekonomike të pacientëve. Nqs ti do që ato mos të duken, tani braketat mund të vendosen edhe nga ana e brendshme e dhëmbëve, por sigurisht kushtojnë më shtrenjtë. Këto aparate quhen incognito. Ekziston mundësia edhe e Aparateve Invisalign, të cilat përbëhen prej një seri setesh plastike transparente të cilat ndërrohen përafërsisht në çdo dy javë. Këto janë shumë të mira sepse mund të hiqen pas ushqimit dhe të pastrohen. Kanë vetëm disa probleme të vogla në shqiptim ashtu si edhe incognito. Por, edhe nqs nuk keni mundësi t’i vendosni ato, tani edhe braketat konvencionale që vendosen nga ana e dukshme e dhëmbëve mund të zgjidhen transparente dhe të lidhen me fillin me llastiqe transparente. Ndër aparatet fikse multibraket që vendosen në faqen e dukshme të dhëmbëve më të mira janë self ligating të cilat nuk kanë nevojë të lidhen me ligature apo me llastiqe me fillin dhe po përdoren masivisht në botë nga të gjithë ortodontistët, sepse me këtë sistem nuk ka dhimbje, mund t’i zgjedhësh, kanë madhësi më të vogël dhe kontrollet janë më të rralla dhe më të shkurtra tek dentisti. Ky sistem punon me forca shumë më të vogla dhe bën një përshtatje shumë të mirë dhe fiziologjike të sistemit muskulor me pozicionin e ri të dhëmbëve, gjë që do të ulë edhe riskun që problemi të rikthehet kur braketat janë hequr. Braketat damon janë aktualisht me të vlerësuarat me sistemin selfligating.


Përshëndetje. Fëmija im 15 vjeç më duket se dy dhëmbët lart (të qenit) nuk i janë ndërruar ende.
Më intereson të di, nëse ndërrohen këta dhëmbë dhe kur?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, dhëmbët e qenit lart zakonisht ndërrohen në moshën 11 ose 12 vjeçare. Meqë fëmija juaj është 15 vjeç dhe zakonisht një vonesë në daljen e dhëmbit të përhershëm e quajmë një dalje plus-minus 2 vjet nga koha e zakonshme e daljes së tij. Sigurisht që është një shkak që ka penguar këta dy dhëmbë të dalin apo të ndërrohen. Njëri nga shkaqet është kur vendi ku duhet të dalë dhëmbi i qenit është zënë nga dhëmbët e tij fqinj kjo për shkak të humbjes së parakohshme të dhëmbit të qumështit, por meqenëse këta dhëmbë të qumështit si thoni ju, janë ende prezent në gojë, atëherë kemi nevojë për një grafi ortopanoramike për të parë pozicionin e tyre. Zakonisht nqs dhëmbët e qenit të përhershëm nuk janë në rrugë të drejtë (siç mund të jenë horizontal apo me një kënd të caktuar) nuk mund të dalin. Në bazë të këtyre radiografive ne përcaktojmë nqs dhëmbi është prezent dhe çfarë drejtimi ka, apo mungon fare. Drejtimi i gabuar i këtyre dhëmbëve të qenit zakonisht shoqërohet edhe me anomali të tjera siç mund të jenë dhëmbë të vegjël ose mungesë e dhëmbëve të tjerë në gojë. Nqs dhëmbët janë prezent në kockë atëherë verifikohet a kanë drejtim nga ana e qiellzës apo nga ana e buzës. Edhe kjo ka zgjidhje. Mund të bëhet një ndërhyrje e vogël kirurgjikale në gojë për të zbuluar pjesën më të afërt të këtij dhëmbi. Pasi kemi vendosur njëkohësisht edhe një aparat fix me braketa në të gjithë dhëmbët atëherë e lidhim edhe ketë pjesë të zbuluar të këtij dhëmbi duke e tërhequr në harkun e dhëmbëve. Një shkak tjetër mund të jetë një gingivë fibrotike dhe ka vështirësi në dalje të dhëmbit. Në këto raste bëhet një ndërhyrje shumë e vogël kirurgjikale për të zbuluar dhëmbin duke e ndihmuar atë në hapin e fundit të erupsionit. Sigurisht që terapinë do ta vendosë vlerësimi radiologjik.


E nderuar. Fëmija im i ka 5 vjet në fytyrë, nuk vërehet diçka që nuk shkon, por nëpër foto duket sikur mjekra është më shumë nga njëra anë. Kur e kam shikuar me vëmendje e mendoj se, mjekra vërtet, disa herë shkon në njërën anë.

PËRGJIGJE:
Më vjen mirë që ju si prind ju shqetëson kjo gjë. Besoj që kemi të bëjmë me një devijim funksional të nofullës së poshtme, devijim i cili mund të vijë si pasojë e një nofulle të sipërm të ngushtë. Në këto raste terapia është një zgjerim i nofullës së sipërme dhe duke u bërë një gjë e tillë nofulla e poshtme mund të shkojë në vendin e duhur dhe ta gjejë mesin. Devijimi i nofullës së poshtme mund të jetë gjithashtu pasojë e një parakontakti. Parakontakti është kontakti i gabuar midis dy dhëmbëve të qumështit të anës së kundërt nga ka devijuar mjekra. Në këto raste terapia është shumë e lehtë, bëhet vetëm një gërryerje e koordinuar e dy dhëmbëve të qumështit që zakonisht mund të jenë kaninet apo dhëmbët e qenit. Kjo gërryerje e të dy dhëmbëve i vendos ata në një kontakt të ri dhe e detyrojnë nofullën e poshtme të gjejë një pozicion të ri. Nëse ky devijim nuk trajtohet në kohën e duhur, atëherë nga funksional mund të bëhet skeletik dhe është i pandryshueshëm me anë të ortodontisë.


Përshëndetje doktoreshë. Jam 20 vjeç, kam pasur probleme me dhëmbët, sepse kam qenë i pakujdesshëm në pastrimin e tyre. Mirëpo tani të gjithë dhëmbët e prishur i kam rregulluar dhe së fundmi, i kam nxjerrë, mirëpo prapë era e keqe nga goja nuk më është larguar. Dhëmbët i pastroj rregullisht.
Kam nevojë të më tregoni, çka duhet të bëj në mënyrë që ta largoj erën sa më shpejt.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Shkaku kryesor për erën e keqe të gojës është higjiena jo e mire e saj, ku si pasojë në gojë grumbullohen baktere anaerobe të cilat prodhojnë metabolite me ere të keqe. Me higjiene të mirë të gojës nënkuptojmë jo vetëm pastrimin rutinë të dhëmbëve, por edhe të kurrizit të gjuhës dhe përdorimin e fijeve dentare të cilat pastrojnë ushqimet e mbetura në hapësirat midis dhëmbëve që nuk i pastron furça. Pas një pastrimi profesional të dhëmbëve duhet të mbash një higjienë si më lart.
Shkaktarët për erën e gojës mund të jenë edhe trajtimet jo korrekte të dhëmbëve. Një shkak tjetër mund të jetë edhe goja e thatë. Goja mund të mbetet e thatë nqs kemi problem me sekretimin e pështymës, nqs flasim për një kohë të gjatë; nëse hamë vetëm ushqime të buta dhe nuk i përtypim mirë ato, si pasojë e stresit dhe ankthit, por edhe pas përdorimit të medikamenteve të veçanta. Duhet të mundohemi të mbajmë gojën të lagësht gjatë ditës duke përdorur çamçakëzë me shije të mentës, duke e shpëlarë gojën disa herë gjatë ditës dhe duke ngrënë ushqime me fibra.
Arsye të tjera të erës së keqe të gojës mund të jenë nga rajonet përreth gojës, përmendim këtu infeksionet e fytit, të sinuseve, absceset.
Por mund të ketë edhe shkaqe më komplekse nga sëmundje metabolike apo endokrine. Mund të përmendim aciditetin gastroezofageal, diabetin, sëmundjet e rënda të mëlçisë apo veshkave. Largimi i erës së keqe të gojës do të varet nga eliminimi i shkaktarëve të saj.


E nderuar. Gruaja ime 18 vjeçe, ka dy dhëmbët e parë të larguar dhe ka shumë dëshirë që t’i bashkojë, t’i ketë të afruar.
Çka e këshilloni? A mund të bashkohen këta dhëmbë?

PËRGJIGJE:
Kjo hapësirë që përmendni ju, ne e quajmë diasteme interincisive. Trajtimi apo mbyllja e kësaj disateme varet nga rëndësia e saj (dmth sa është e shprehur).
Një diastemë e vogël mund të mbyllet edhe me dy mbushje në faqet e brendshme të dhëmbëve apo me faseta porcelani, gjithmonë duke vlerësuar përmasat e dhëmbëve.
Por, nqs kemi një distancë më të konsiderueshme, nuk mund të bëjmë një zgjidhje të tillë, sepse estetikisht nuk do të dukeshin bukur dy dhëmbët qendror lart më të mëdhenj se përmasat e tyre të zakonshme. Në këto raste mund të vendosim një aparat fiks ortodontik për ta mbyllur diastemën. Përpara se të vendoset ky aparat duhet të vlerësohet frenulumi (peri që mban buzën) a është fibrotik, apo jo. Ky frenulum zakonisht është shkaku kryesor i kësaj diasteme dhe mund të vazhdojë deri në papilën interincisivale. Paralelisht me aparatin fiks bëhet edhe një ndërhyrje e vogël duke e hequr këtë ind fibrotik midis dy dhëmbëve, gjë që na siguron për një trajtim komplet dhe pa recidiva (që diastema mos të hapet sërish).


Jam 30 vjeçar dhe kam probleme qe 10 vite me mish të dhëmbëve, ana e djathtë, pjesa e sipërme. Nuk kam pas edhe nuk kam ndonjë dhëmb të prishur, por gjatë konsultimit me stomatologun i kam hequr dy dhëmbë të shëndoshë për shkak se nuk kisha shërim të mishit të tyre. Nuk kam dhembje, por më pengon, më ngacmon, kruhet edhe mund të tërheq copa apo mund ta gërryejë me ndonjë pajisje dhe nuk ndjej ndonjë dhembje. Doktoreshë, çfarë e shkakton këtë, si mund të shërohet dhe kujt t’i drejtohem?
Jam kontrolluar tek disa stomatologë, por nuk kam marrë ndonjë përgjigje të efektshme.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Po më vjen keq që paske humbur dy dhëmbët që po thua nuk ke gjetur zgjidhje. Shpresoj që këta dy dhëmbë të kenë patur probleme aq sa për t’u hequr, në të kundërtën, nuk justifikohet nxjerrja e tyre. Përpara se të vendoset për një trajtim, njëherë duhet të bëhet një ekzaminim i hollësishëm për të gjetur shkakun e këtyre shqetësimeve, përfshire këtu edhe ekzaminimet radiologjik dhe vlerësimin e xhepave paradontalë. Pas përmbledhjes së këtyre vlerësimeve, vendoset për një trajtim.

Fotografia: Dr. Msc. Olta Shehu, Stomatologe

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.