Dr. Rexhep R. Gjyliqi MD, Specialist i Anesteziologjise dhe Mjekimit Intenziv
Anesteziologjia, Reanimacioni dhe Mjekimi Intenziv është degë relativisht e re e mjekësisë, e cila ka në vete tri lëmit me kulmore të shkencave mjekësore:
Anesteziologjia është lëmia më agresive medicinale. Ajo mer vetëdijen, frymëmarrjen dhe lëvizshmërinë. Një organizëm të pavarur biologjik e shndërron në organizëm të varur nga ndihma e tjetrit. Përmes anestezionit regjional mundëson kryerjen e procedurave të ndryshme kirurgjike, duke qenë pacienti plotësisht i vetëdijshëm (i zgjuar). Kurse përmes terapisë së dhimbjes, edhe dhimbjet më të forta i bën të pandieshme.
Reanimacioni përmes metodave dhe mjeteve më të avancuara bën përpjekje që personit të cilit i është ndalur puna e zemrës dhe për të tjerët është i vdekur, ta kthejë sërish në jetë.
Mjekimi Intensiv bën luftë të pa kompromis për mjekimin e të sëmurëve kritik.Dr. Rexhep R. Gjyliqi MD
Specialist i Anesteziologjise dhe Mjekimit Intenziv
Klinika e Anesteziologjise dhe Mjekimit Intenziv
QKUK, Prishtinë
Përshëndetje doktor. Para tre muajve kam lindur me operacion dhe me anestezion në shpinë. Ka dy-tri ditë që kam dhembje koke. Derisa isha në spital, nga gratë tjera kam dëgjuar se nga ky lloj i anestezionit fiton dhembje koke. A ka mundësi që edhe kokëdhembja ime të jetë nga anestezioni.
Faleminderit, Ganja
PËRGJIGJE:
Lindja juaj me prerje cezariane është bërë nën anestezion regjional. Ndër komplikimet e mundshme të këtij lloj anestezioni është dhembja e kokës, komplikim ky shumë i rrallë. Por, ky lloj komplikimi ndodh në periudhën menjëherë pas operacionit.
Kokëdhembja juaj nuk është pasojë e anestezionit, ajo mund të jetë nga shkaqe të ndryshme. Nëse problemi juaj vazhdon, bëni një vizitë te mjeku neurolog.
Z. doktor, kam dëgjuar se jeni anesteziolog në spitalin e ORL-së. Vajza ime (12 vjeçe) duhet të operohet nga bajamet dhe jam shumë i interesuar të di se a mundet operacioni të bëhet me anestezion të përgjithshëm.
Paraprakisht ju falënderoj.
Me respekt, Gazmendi.
PËRGJIGJE:
Në klinikën e ORL-së të gjitha operacionet të cilave u nënshtrohen fëmijët bëhen nën anestezion të përgjithshëm, përfshirë edhe heqjen e bajameve. Edhe vajza juaj do të operohet nën anestezion të përgjithshëm. Paraprakisht duhen bërë analizat e nevojshme laboratorike si dhe vizita anesteziologjike.
Në operacion gjatë dhënies së anestezionit, sa shpesh ndodh qw pacienti tw jetw i dehur, por t’i ndjej dhimbjet? Dhe, çfarë pasojash mund të ketë pastaj?
Çfarë anestezioni përdoret gjatë operacionit të veshëve, i përgjithshëm apo lokal?
Albulena.
Faleminderit
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Derisa pacienti është në anestezion, nuk ndien aspak dhimbje. Një anestezion i mirë është kur pacienti është plotësisht i fjetur, mirë i relaksuar dhe nuk ndien dhimbje.
Se me çfarë lloj anestezioni duhet të operohet veshi, varet nga lloji i operacionit. Zakonisht kryhen me anestezion lokal, i cili mund të jetë i shoqëruar me analgosedacion, pra, jo me anestezion të përgjithshëm.
Doktor, para tetë muajsh më vdiç babai në një klinikë private, kishte një operacion (hernien apo ndoshta quhet ndryshe) dhe mjekët i preferuan anastezion regjional (spinal) edhepse në moshë (77 vjeç) qëndronte mirë me shëndet, ishte shumë vital. Pasi që merr anastezionin, fillon të mos ndihet mirë. Nuk e di a ishte pasojë e anastezionit , apo i ndonjë reaksioni tjeter në organizëm. Pas operacionit babai kishte fytyrë të mavijosur dhe shtrëngime në gjoks, pas dymbëdhjetë ore të operacionit, kishte një puls të dobët dhe pas dy ore, vdes. Ende nuk e kam të qartë prej çka vdiqç as mjekët nuk ishin në gjendje të flasin për shkaktarin e vdekjes, në raportin e lëshuar vetëm e cekin se kishte puls të dobët dhe i pushoi zemra. Obduksionin nuk lejuam ta bëjmë. Doktor, ndoshta, sadopak do të më lehtësoni dhimbjen me një përshkrim të shkurtër.
PËRGJIGJE:
Ndjej keqardhje për atë që iu ka ndodhur, por mendoj që ndihma ime në këtë rast do të jetë shumë e vogël. Anestezioni tek njerëzit e moshuar, e të cilët zakonisht janë me sëmundje tjera përcjellëse, shoqërohet me një varg rreziqesh e për të cilat besoj se paraprakisht u ka njoftuar anesteziologu. Në rastin konkret mendoj se është aplikuar lloji i duhur i anestezionit. Çka ka ndodhur pastaj..., përgjigjen definitive ndoshta do ta jepte bërja obduksionit.
Në shtator duhet të bëhem operacion nga ekinokoku në mëlçi. Kam frikë, sepse pas dy prerjeve cezariane me anestezion të plotë, kam pasur kollitje të forta dhe të pandalshme. Mushkëritë i kam të shëndosha. A ndërlidhet kjo doktor me anestezionin e përgjithshëm?
PËRGJIGJE:
Kollitja juaj pas zgjimit nga anestezioni mund të mos ketë lidhje direkte me llojin e anestezionit, por mund të jetë pasojë e gjendjes suaj shëndetësore e që pastaj ndërlidhet me të (anestezionin). Mund të keni qenë e ftohur, të jeni duhangji, të keni predispozicion për reaksione alergjike...dhe këto në ndërveprim me ndonjë anestetik apo vetë procedurat e anestezionit të kenë shkaktuar kollitjen.
Doktor, do të doja të di se sa është e trashëgueshme sëmundja e zemrës...nëse kështu mund të shprehem. Gjyshi im ka vdekur nga infarkti në moshën 48 vjeçare, pastaj babai im në moshën 57 vjeçare. Meqenëse unë i ngjaja babit tim si nga ana psikike dhe fizike, a është e mundur që edhe unë të kem probleme me zemër. Përndryshe, është dashur të bëja një operacion me anestezion të përgjithshëm të natyrës gjinekologjike dhe duke dashur të ma bëjnë EKG, pulsi më ka ra nga 80 në 30...ndërkohë operimi u shtyrë për një moment tjetër. Unë jam marrë me sport 10 vjet, por qe 8 vjet nuk ushtroj më, natën e kam pulsin 45, ndërsa ditën 55. Unë me këtë puls kaq të vogël a do të kem mundësi ta përballoj operimin.
Përshëndetje, Samirja.
PËRGJIGJE:
Sëmundjet e zemrës nuk hyjnë në sëmundje të trashëgueshme, ato mund të kenë një predispozicion gjenetik. Nëse ju do të shmangeni nga përdorimi i duhanit, alkoolit, mbipesha, stresi etj. atëherë do të zvogëloni rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, edhepse mënyra “moderne” e të jetuarit ka shtuar sëmundshmërinë nga këto sëmundje. Para se të vendosni për ndërhyrjen operative, së pari duhet të vizitoheni nga kardiologu dhe të bëni ekzaminimet e nevojshme.
Unë kam lindur dy fëmijë me anestezion të përgjithshëm dhe desha ta di se çfarë pasoja manifestohen pas disa kohe, pasi po e shoh se po bëhem më shumë nervoze se përpara dhe po reagoj me shpejtësi ne situata te pakëndshme. Desha ta di a janë këto pasoja nga anestezioni (i bere ne 2007 dhe 2009) apo është ne pyetje diçka tjetër (puna, familja, shkolla dhe obligimet e shtuara).
Ju faleminderit nga Saranda.
PËRGJIGJE:
Problemet të cilat ju mundojnë nuk janë pasojë e anestezionit. Anesteziologjia si shkencë ka përparuar shpejtë, janë zbuluar anestetikë me shumë pak efekte anësore, teknika të anestezionit shumë të sigurta. Falë anestezionit, ndërhyrjet kirurgjike, sot, janë shumë më të sigurta dhe pacienti që të shkojë drejt sallës operative.
Para 12 vjetësh kam kuptuar pas testeve të bëra në Beograd se jam alergjike në disa anestetik lokal, sikur cistokain, lidokain, xylocain. Së shpejti më duhet të bëj operacion sinuset, me anestezion të përgjithshëm dhe më intereson se a ekziston ndonjë lidhje ndërmjet anestezionit lokal dhe atij të përgjithshëm? A mund t’i nënshtrohem unë operimit? Pres ndihmën tënde, doktor. Musa H.
PËRGJIGJE:
Nëse ju keni një tejndjeshmëri ndaj një bari të caktuar nuk do të thotë të keni edhe ndaj barërave të tjerë. Por, ju duhet ta informoni saktë anesteziologun tuaj në mënyrë që ai të vendosë për llojin e anestezionit, barërat që do të përdorë si dhe për një kujdes të shtuar gjatë punës.
Përshëndetje doktor. Edhe një muaj kam me lind. Mjeku më ka thënë se duhet të operohem. Kam dëshirë që të operohem me anestezion të pjesshëm, jo të përgjithshëm. Por, më kanë thënë se pas operacionit fiton kokëdhembje të forta. Çka më këshilloni?
Me respekt, Zana
PËRGJIGJE:
Zonje, më vjen mirë që së shpejti do të bëheni nënë. Lindjen me prerje cesariane mund ta bëni me anestezion të përgjithshëm ose regjional. Preferenca ime është anestezioni regjional (spinal), sepse ka përparësi të shumta si për ju ashtu edhe për foshnjën. Nëse procedurat anestetike do të bëhen si duhet dhe ti u përmbahesh udhëzimeve të mjekut, kokëdhembje nuk do të duhej të kishe.
Doktor i nderuar. Për dy javë duhet të bëj një abort. Unë ende nuk kam vendosur se ku do ta bëj, në spital privat apo publik? Jam e interesuar ku është më e sigurt, dhe nëse në spitalin publik bëhet kjo me anestezi totale. Kam frikë, sepse e kam një problem të vogël me valvulet e zemrës dhe takikardi. Sa është i rrezikshëm anestezioni në raste të tilla. Megjithatë, nuk kam sëmundje kronike dhe nuk marr asgjë për zemër. Përdori zoloft dhe ksalol për depresion dhe sulme paniku, të cilat tani janë të reduktuara në minimum. Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Së pari ju këshilloj që të mendoni mirë rreth abortit që keni planifikuar. Nëse veç keni vendosur ta bëni, spitalin do ta zgjedhni ju. Aborti zakonisht nuk kryhet me anestezion të përgjithshëm, por me anestezion lokal ose me analgosedacion. Rreth problemeve që ke me zemër, rrezikshmërisë, llojit të anestezionit dhe çdo gjë tjetër, duhet te bisedosh me anesteziologun tënd.
Doktor, a jepet anestezia totale te pacienti që ka shtypje 140/100 tërë ditën apo duhet të shtyhet operimi deri në një periudhë stabilizuese?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Nëse bëhet fjalë për ndërhyrje operative të planifikuar, atëherë kjo duhet shtyrë derisa tensioni arterial të stabilizohet. Ju këshilloj që të paraqiteni te internisti, të trajtoheni dhe tek pas stabilizimit të mendoni për operacion.
Doktor, i nderuar. A është normale që të nesërmen pas operimit me anestezion të përgjithshëm (fibroadenomë në gji), ndjej dhimbje në të gjithë muskujt (sikur ndezje e muskujve pas aktivitetit fizik)?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Pas anestezionit të përgjithshëm, është e mundur që të paraqiten dhimbje të muskujve të cilat shpejt kalojnë. Këto dhimbje mund të shkaktohen nga veprimi i barërave që shfrytëzohen për anestezion.
I nderuar. Marr Eftil retard 500 çdo mbrëmje qe disa vite, jam alergjike në penicilinë, kam grup gjaku ab+. Te dentisti kam nxjerrë 4 dhëmbë me anestezion para dy muajsh, ndërsa para një jave më është bërë kiretazha te gjinekologu pas dështimit spontan (me anestezi). Për shkak të paraqitjes së kondillomave më duhet të bëhem operacion. Më intereson, për shkak të anestezionit të para disa ditëve, a mund te kem probleme nëse sërish operohem? A ka ndonjë anestezion të cilin nuk guxoj ta marr? Gjithashtu, unë shpresoj shtatzëninë e ardhshme dhe do të doja të di diçka për anestezion gjatë prerjes cesariane.
Gjithë të mirat.
PËRGJIGJE:
Besoj që anestezioni që e përmendni te dentisti ka qenë lokal dhe i shkurtër intravenoz, të gjinekologu. Prandaj, pa ndonjë problem mund t’i nënshtroheni anestezionit të përgjithshëm ose regjional për procedurat kirurgjikale që i përmendni, pos që anesteziologu juaj duhet pasur kujdes të shtuar në përdorimin e barërave për shkak të alergjisë që keni në penicilinë. Kurse, lindjen me prerje cesariane mund ta bëni nën anestezion të përgjithshëm ose spinal, e unë do t’ju rekomandoja anestezionin spinal, pasi që ka shumë përparësi ndaj atij të përgjithshëm.
Ju lutem, shkruani diçka për anestezinë epidurale, cilat janë të mirat dhe pasojat...A është e vërtetë se disa pacientë mund të mbeten të palëvizshëm? Unë jam shtatzënë në muajin e 5-të dhe planifikoj që të lind në Shkup me anestezi epidurale, prandaj këshilla juaj do të thotë shumë për mua.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Shtatzënia iu vaftë mbarë. Përmes anestezionit epidural ju do të kryeni lindjen pa ndjerë dhimbje. Tek ne ekziston një frikë e paarsyeshme nga anestezioni regjional. Ky lloj anestezioni nuk do të duhej të shkaktonte probleme te ju, por nuk ka procedurë mjekësore që në mënyrë absolute nuk mund të ketë komplikime. Një anesteziolog i shkathët dhe me përvojë të duhur epiduralen do t’ua bëjë pa asnjë problem.
I nderuar, më intereson anestezioni, që jepet gjatë rezonancës magnetike te fëmija 5 vjet e gjysmë. Cilat janë pasojat e mundshme, a ka vend për frikë (për mua si prind) nga anestezioni?.
Ju falënderoj, paraprakisht.
PËRGJIGJE:
Pasoja nga anestezioni që jepet për bërjen e RM nuk duhet të ketë, pasi që ai është kohëshkurtër, jepen pak barëra dhe të fëmija shkaktohet vetëm një sedacion (përgjumje).