Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog

0:05 / 14.05.2012
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr.sci.dr. Naim Shabani
Gjinekolog-onkolog
Patolog-citolog

tel: 044 677-333 (Prishtinë)
tel. ++ 49 174 38 38 705 (München)
e-mail: drnshabani@hotmail.com
www.klinikum-muenchen.de


Përshëndetje! Jam 26 vjeçe dhe kam probleme me cistet ne vezore. Herë pas here kam dhimbje në anën e majtë, por këto dhimbje i kam gjithmonë kur jam afër ciklit. Jam e fejuar prej 3 vjetësh dhe kam kontakte me të fejuar 2 ose 3 herë në javë. Problemi im është që këta 2 muaj kam pasur çrregullim të ciklit menstrual, janë ta pakta dhe me ngjyrë të kaftë dhe zgjasin 3-4 ditë. Menstruacionet i kam pasur shumë fikse, 28 ditë të plota. Ajo çka më shqetëson mua është të di se a ndikon prania e cisteve në vonesë të ngeljes shtatzëne?
Pres përgjigjen. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Paraqitja e herëpashershme e cisteve te femrat e reja (në moshën reproduktive) është gjë normale. Cistet duhet te trajtohen me intervenim operativ (p.sh. Laparoskopi) vetëm nëse nuk tërhiqen vetvetiu për disa muaj, nëse shkaktojnë dhimbje të padurueshme dhe janë të dyshimta në ekzaminimin me ultrazë. Cistet me madhësi më tepër se 5 cm zakonisht nuk tërhiqen vetvetiu dhe duhet të operohen.
Cistat në të shumtën e rasteve nuk pengojnë që një femër të mbetet shtatzënë (edhepse ka raste kur ato prodhojnë hormone, çrregullojnë ciklin menstrual dhe shtatzënia nuk është e mundshme). Nga ana tjetër, nuk preferohet që një femër të mbetet shtatzënë para se të mënjanohet cista me kriteret e lartpërmendura.
Ju preferoj te konsultoheni me gjinekologun e juaj.


Përshëndetje doktor. Jam një zonjë 47 vjeçare, vuaj nga menopauza dhe periodat më vijnë me rregull, por kam gjakderdhje shumë të mëdha. Ato më zgjasin deri në 8 ditë dhe kam dhimbje të padurueshme gjatë tërë kohë. Jam anemike, kam qenë te gjinekologia, e cila më ka propozuar këto medikamente: shurup Ferritin për anemi, pika Methylergometrin për ndalimin e gjakderdhjes së tepërt dhe Bonisan për pagjumësi. Më kanë thënë që tabletat Jasemin janë për rregullimin e gjakderdhjes dhe dhimbjes. A janë të dëmshme për përdorim.
Ju lutem, më ktheni përgjigjen sa më shpejt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë. Nëse ju keni menstruacione të rregullta (çdo muaj), atëherë ende nuk jeni në menopauzë. Gjakderdhjet e tepërta (hypermenorrhoe) mund të jenë si pasojë e çrregullimeve hormonale, por edhe për shkak të sëmundjeve tjera, siç janë psh., myomet, por edhe ndryshimet që mund të qojnë drejt kancerit. Dhimbjet mund të jenë si pasojë e sëmundjes endometrioza apo e ndonjë patologjie tjetër Marrja e medikamenteve që përmendni për një kohë të gjatë pa e ditur shkakun e gjakderdhjes, nuk është në rregull.
Ju preferoj qe te konsultoheni me gjinekologun e juaj dhe te informoheni saktësisht, sepse keni gjakderdhje të theksuara që ju qojnë drejt anemisë. Nëse është e nevojshme duhet bërë një shikim të zgavrës së mitrës (hysteroskopi) dhe të bëhet pastromi i mitrës (kiretazha). Materiali i fituar dërgohet për ekzaminim histopatologjik.
Me respekt, Dr. Naim Shabani


Përshëndetje. Uroj për detyrën që keni dhe ndihmën që bëni me konsultat tuaja. Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 24-vjeçe nga Shqipëria dhe do doja këshillën tuaj si mjek për një problem që kam hasur kohët e fundit. Para dy vjetësh kam kryer për herë të parë marrëdhënie seksuale me partnerin tim aktual, për herë të parë kam pasur dhimbje dhe gjakderdhje për disa ditë me radhë. Kam bërë disa analiza urinare dhe më dolën mirë, pa probleme. Në marrëdhënien e fundit, pata pak gjakrrjedhje, por që nuk zgjati as 5 minuta. U shqetësova dhe do doja të dija ngase shkaktohet? A është ky një infeksion dhe cilat janë simptomat? A duhet të bëj një vizitë te gjinekologu? Ju lutem, më ktheni një përgjigje nëse mundeni.
Ju faleminderit!
Gjithë të mirat, E.

PËRGJIGJE:
Gjakderdhja gjatë aktit seksual (ose si quhet në mjekësi - gjakderdhje në kontakt) mund të jetë pasojë e disa patologjive, siç është, psh., polipi i qafës së mitrës, një ndryshim beninj, por mund të jetë edhe shenjë e kancerit të qafës së mitrës.
Ju jeni e re dhe nuk besoj se kjo e fundit mund të jetë shkaku. Sidoqoftë, ju preferoj që të paraqiteni te gjinekologu i juaj për të bërë PAP testin (citologjinë e qafës së mitrës).


Tung, jam një zonjë 53 vjeçe nga Prizreni, vuaj nga një varrë në qafë të mitrës tash e sa vite, kam bërë një sërë analizash e testesh (papa), kontrolle, por kot. Mbaj një erë të keqe, vazhdimisht me sekrecion. Mjekët më kanë rekomanduar vaginaleta të ndryshme, por pa ndonjë sukses. Kam kërkuar të ma heqin mitrën, por nuk më kanë lejuar. Çka duhet të bëj? Mirëpres këshillën tuaj.
Flm për këtë mënyrë të komunikimit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë. Nga të dhënat e juaja shihet se vërtet vuani nga ky problem. Unë kam pak të dhëna mbi rezultatin e PAP testit dhe analizave tjera bakteriale. Në rend të parë është e rëndësishme që PAP testi të jetë në rregull (të mënjanohet dyshimi për ndonjë ndryshim prekanceroz (displazi) të qafës së mitrës. Edhe strishoja bakteriale është me rëndësi. Ju shkruani se keni marrë vaginaleta të ndryshme, por pa sukses. Këtu po theksoj se, në bazë të përvojës nga pacientët që vijnë te unë në kontroll, fatkeqësisht si edhe në shumë lëmi të tjera të mjekësisë (pra, jo vetëm në gjinekologji), vërej se ata ngarkohen me barna të shumta. Kur është fjala për vaginaleta të ndryshme duhet patur kujdes se në disa raste mund të vjen deri te shkatërrimi i florës vaginale që mund të ketë pasoja afatgjate.


Përshëndetje doktor, kam kaluar dy aborte, mjekët konstatuan që kam uterus bicornis.
Ju kisha lutur të më ktheni përgjigje, çka duhet të bëj?
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Zhvillimi jonormal i mitrës (anomalitë) i hasim në 0,1-3,2 % të femrave. Shumë femra nuk e dinë fare meqenëse këto anomali nuk kanë ndikim në shtatzëni. Anomalia më e shpeshtë është Uterus bicornis (mitra me 2 “brinjë“), ku mitra në vend të formës normale (si ajo e dardhës) ka një thellim në fund dhe merr formë të zemrës. Forma tjera të zhvillimit jonormal janë: Uterus unicornis (me një “bri“), uterus septus (hapësira e mitrës e ndarë me një mur të hollë) e deri te mitra e dyfishtë. Është vështirë të konstatohet se sa mund të ndikojnë këto anomali në mbetjen shtatzënë të femrave. Problemet paraqiten në mbajtjen e shtatzënisë dhe zhvillimin deri në kohën e lindjes. Në rastin tuaj duhet hulumtuar dhe mënjanuar edhe shkaqe të tjera që mund të qojnë deri te aborti.


Përshëndetje doktor. Ju falënderoj për ndihmën që po na e jepni përmes e-mailave tuaj. Gruaja ime ka qenë e diagnostikuar me tumor në mitër (Mioma Uteri)…tumori ka qenë kryesisht i lokalizuar në brendësi të mitrës dhe me anë të operacionit është hequr e tërë mitra. Pyetja ime është se a ka mundësi të përsëritjes së tumorit apo mund të jemi të qetë. Rezultati i tumor markerit para operacionit ka qenë 17.5 dmth ,sipas mjekëve shihet në suaza normale të lejuara.
Në bazë të CT-së që kemi bërë në Maqedoni, specialisti atje na tha që është tumor mashkullor dhe nuk kemi pse të brengosemi….
Faleminderit paraprakisht dhe ju uroj punë të mbarë
Me respekt.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Në fillim dua t’ju qetësoj duke ju thënë që mioma është tumor "i mirë" beninj dhe nuk ka arsye që të brengoseni se mund të rishfaqet. Përcaktimi i tumormarkerëve në rastet kur në ultrazë vërejmë miomë të mitrës, është i panevojshëm (si edhe CT-ja).
Meqenëse jam gjinekolog dhe patolog (mjek specialist i cili ndër të tjera cakton diagnozën histopatologjike të tumoreve) për ju dhe lexuesit e nderuar të telegrafit, do të jap disa sqarime në lidhje me këtë tumor në punimin që do të botohet te Tema e javës (të mërkurën).


Jam në moshën 43 vjeçe, kam tri lindje prej të cilave njëra ka qenë lindje e frytit të vdekur në muajin e 6-të të shtatzënisë, e më pastaj kanë pasuar fatmirësisht edhe dy lindje tjera në rregull. Në kontrollin rutinor gjinekologjik është vërejtur prania e një polipi me madhësi shumë të vogël në sipërfaqe të qafës së mitrës...Përndryshe të gjitha analizat e bëra, si Papa testi, Strishoja vaginale, Urinokultura kanë rezultuar në rregull...cikli menstrual ka qenë në rregull pa gjakderdhje të shprehur në masë të madhe (dhe 2-3 ditë para datës së ciklit paraprak, pra çdo 27 ditë).
Tani kanë filluar, nëse mundem me i quajtur, disa çrregullime sa i përket datës së fillimit të ciklit dhe atë edhe deri në 6 ditë para kohës. Gjakderdhja pak a shumë është normale, nuk kam dhimbje të mëdha, nuk përdori asnjë medikament kundër dhimbjeve, as mjete kontraceptive.
Doktor, çka më kishit preferuar në lidhje me atë polip, a duhet të largohet apo të mos ngacmohet.
Ju falënderoj paraprakisht duke shpresuar që pyetjes sime do t’i përgjigjeni dhe ju dëshiroj punë të mbarë.
Merita.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Unë ju preferoj që të bëni një kontroll në mënyrë që të verifikohet prezenca e polipit apo jo, e pastaj mund të marrim një vendim për hapa të mëtejmë. Polipet qofshin të qafës së mitrës, qofshin të trupit të mitrës duhet të largohen dhe të ekzaminohen histopatologjikisht.


Doktor, jam një grua nga Shqipëria, jam 30 vjeçe, kam dy fëmijë 11 vjeç dhe 6 vjeç. Banoj në Austri, bëra një kontroll në një klinikë gjinekologjie. Pas 3 javësh më vjen përgjigjja për Pap test që dyshohet se qelizat nuk janë diçka në rregull. Çdo të thotë (IIID) nuk e kuptoj. Kur e kam bërë analizën, kam qenë në ditën e 5-të të ciklit.normal.
Jam në pritje të përgjigjes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Para se të përgjigjem drejtpërdrejt në pyetjen e juaj si ekspert që jam në lëmin e onkologjisë, por edhe si specialist i patologjisë, dua që të sqaroj për të gjitha femrat, lexuese të portalit se çka është PAP testi, pse bëhet ai dhe si duhet të interpretojmë rezultatet e tij, përkatësisht cilat janë konsekuencat terapeutike nga ky test.
Strishoja citologjike nga qafa e mitrës apo Pap testi është një metodë preventive për parandalimin e paraqitjes së kancerit të qafës së mitrës, por edhe metodë diagnostikuese e lezioneve prekanceroze (të cilat u paraprijnë sëmundjeve malinje ose kancerit) të qafës së mitrës (cervix uteri). Këtij testi do të duhej t’u nënshtrohen të gjitha femrat e moshës riprodhuese 1x në vit në rast se kemi të bëjmë me gjendje normale, kurse në rastet kur kemi të bëjmë me rezultat paraprak patologjik, edhe më shpesh. Marrja e strishos citologjike të qafës së mitrës është një procedurë e lehtë si për pacientin ashtu edhe për gjinekologun, merr kohë vetëm 1-2 min dhe duhet të kryhet gjatë çdo ekzaminimi gjinekologjik, kuptohet pas marrëveshjes paraprake me pacienten. Nga marrja adekuate (profesionale) e strishos varet edhe rezultati dhe kushtimisht edhe fati i femrës. Gabimet në këtë fazë fillestare mund të jenë fatale në rast se kemi të bëjmë me ndonjë patologji e cila nuk diagnostikohet ngase strishoja nuk është marrë në mënyrë të drejtë. Materiali i marrë me anë të një brushe (që nuk është tjetër pos disa qeliza të epitelit të qafës së mitrës të përziera me mukus) shpërndahet në një pllakë qelqi, fiksohet aty për aty me sprej ose vihet në alkool dhe përcillet në laboratorin e patologjisë. Rezultati citologjike (Pap testi) mund të jetë normal (I dhe II) ose patologjik III, IIID, IV ose V. Edhe në këtë fazë (të diagnostikimit të qelizave nën mikroskop nga ana e patologut) mund të bëhen gabime (qoftë false pozitiv, qoftë false negativ). Pasojat edhe në këtë rast mund jenë të mëdha sepse gjinekologu merr një rezultat me shkrim në bazë të të cilit duhet të veproj (të jap terapinë). Nga ana gjinekologjike nëse mjeku konstaton një diskrepancë (mospërputhje) në mes të aspektit klinik (asaj që konstaton gjatë vizitës) dhe rezultatit të PAP testit, duhet që këtë ta diskutoj me patologun dhe eventualisht të përsëris strishon citologjike apo edhe të kërkoj nga patologu që të organizohet konsulte edhe me ndonjë patolog tjetër. Rastet të tilla fatmirësisht kemi pak. Në rastin e juaj kemi të bëjmë me rezultatin PAP IIID që don të thotë se në strisho janë gjetur qeliza me ndryshime displazike (gjendje prekanceroze) që mund të jenë deri të shkallës së lehtë deri të mesme: CINI- CIN II (CIN:cervical intraepitelial neoplasy). Ju preferoj që të u përmbaheni këshillave të mjekut tuaj në Austri. Sigurisht ai u ka preferuar që testi të përsëritet pas 3 muajsh. Në lidhje me terapinë, pra trajtimin e ndryshimeve prekanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës më gjerësisht do të shkruajmë së shpejti në telegrafi. Vazhdoni të na përcillni si deri tani. Në këtë kontekst dëshiroj të falënderoj të gjithë lexuesit tanë për pyetjet që i parashtrojnë, të cilave u përgjigjem me kënaqësi.


Jam 23 vjeçe dhe qe 2 muaj jam shtatzënë, kam dhembje gjoksi. Edhe gjatë periodave kam patur dhimbje, por këto dy muajt e fundit mezi e prek gjoksin.
Doktor, a është normale kjo? Ju lutem, më kthe përgjigje...

PËRGJIGJE:
Dhimbjet në gjinj janë një ndër ankesat që kanë femrat gjatë shtatzënisë. Këto dhimbje në të shumtën e rasteve merren si gjendje "normale" e shtatzënisë. Në anën tjetër, këto dhimbje mund të jenë aq të pakëndshme saqë mund të ndikojnë që femra shtatzëne të detyrohet të ndërrojë stilin e jetës dhe aktiviteteve gjatë shtatzënisë. Për shumicën e femrave, ndjenja e shtypjes në gjinj dhe "rritja" e tyre janë si shenja të para të shtatzënisë.
Ndryshimet në gjinj, pra edhe dhimbjet, janë pasojë e ndikimit të hormoneve me qëllim të përgatitjes së organizmit të femrës, pra edhe të gjinjve për zhvillim të shtatzënisë dhe për periudhën e laktacionit (dhënies së gjirit) pas lindjes. Posaçërisht në 3-4 muajt e parë këto ndryshime përcillen me pengesat të lartpërmendura deri nganjëherë me dhimbje të padurueshme. Në këto raste preferohet të bartet BH elastik që nuk shtyp shumë gjinjtë. Herë-herë ndikojnë pozitivisht edhe masazhet e lehta me vajra eterik ose vajra që përdoren në shtatzëni.


Përshëndetje. Nuk kam pasur asnjëherë marrëdhënie seksuale. Më ka ndodhur edhe para disa muajsh, një javë pasi më ka kaluar cikli, kam pasur përsëri gjakderdhje. Mirëpo, pak më herët kisha ca prekje intime me partnerin, por asgjë konkrete nuk ndodhi që të kemi marrëdhënie. Pas një ore kisha gjakderdhje, por nuk ndjeja as dhimbje, asgjë. Të lutem, më tregoni nëse bëhet fjalë për çrregullim menstrual ose është në pyetje diçka tjetër.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Çrregullimi i ciklit menstrual siç është psh gjakderdhja në mes të ciklit mund të jetë pasojë e patologjive të ndryshme të organeve gjenitale, por edhe e shkaktuar nga stresi. Gjithsesi gjatë prekjeve intime siç i quani ju, në pamundësi për të kontrolluar çdo lëvizje mund të vjen deri te humbja e virgjinitetit e shoqëruar me gjakderdhje. Se për çka bëhet fjalë te ju mund të konstatohet vetëm pas një kontrollimi te gjinekologu.
Dr. Naim Shabani.


Përshëndetje. Jam një grua 28 vjeçe, nën sqetullën e majtë kam një gjëndër e cila më doli kur isha 23 vjeçe dhe e pamartuar. Në qershor të vitit 2007 kam bërë një ekzaminim ultrasonografik ku kanë dalë këto përfundime, citoj:
"Paremkimi i gjirit të majtë në 1/4 e sipërme dhe laterale aty ku fillon fosa aksillare haset një proces lokal me ndërtim kryesisht homogjen me madhësi rreth 35 me 22 mm, i vendosur rreth 4 mm nga sipërfaqja e lëkurës mirë e kufizuar. Gjate analizës me Color Doppler brenda këtij procesi haset një vaskularizim, IR=0,56.
Përfundimi: Ndryshimi i përshkruar në gjirin e majtë shkon në favor të proceseve beninje më parë fibroadenomes , por në diferencim mund të vjen edhe një kompleks i nyjes limfatike regjionale. Në bazë të kësaj më thanë që është mirë që kjo gjëndër të largohet me operacion. Edhe pse nuk është në rrezik, por duhet të largohet. Gjithashtu kam qenë edhe në Shkup, ku me anë të prekjes së gjëndrës më thanë se ka të bëjë me nyjet limfatike dhe më udhëzuan për operacion. Tash jam nënë e dy fëmijëve. Ç’më udhëzoni ju doktor, a mund të jetë diçka në rrezik?
Ju falënderoj shumë për gjithçka që bëni.
Me respekt të veçantë.

PËRGJIGJE:
Gjëndrat nën sqetull apo në gjuhën mjekësore, nyjet limfatike, mund të paraqiten (zmadhohen) për shkaqe të ndryshme. Kryesisht ato manifestohen në rastet kur kemi të bëjmë me ndonjë infeksion apo inflamacion në afërsi të sqetullës, siç është inflamacioni i gjirit (mastiti) apo abscesi i gjirit. Ky ndryshim manifestohet klinikisht me ënjtje në regjionin e nënsqetullës. Pacientja prek vet një apo më shumë noduse në nënsqetull që kryesisht janë të lëvizshëm dhe nuk shkaktojnë dhimbje të mëdha. Lëkura në këtë regjion nuk është e skuqur. Përjashtim bëjnë rastet kur kemi inflamacion të vet nyjeve limfatike.
Në të gjitha këto raste, në rast se pacientja prek një ënjtje në nënsqetull, duhet patjetër të shkojë për kontroll te mjeku i saj. Me anë të ekzaminimit klinik (inspekcion-shikim me sy, palpim-prekje me duar), ultrazërit dhe ev mamografisë, arrihet deri te diagnoza e saktë se për çka bëhet fjalë. Në disa raste është e nevojshme që të largohet kjo nyje e rritur limfatike për t’u ekzaminuar në laborator (histopatologjia). Meqenëse edhe kanceri i gjirit nganjëherë shumë i vogël në përmasa (i padetektueshëm në palpim) mund të shkaktojë rritje të nyjeve limfatike në nënsqetull, ky ekzaminim histopatologjik është vendimtar. Pra, ka raste kur në nodusin e larguar gjejmë vatra të qelizave malinje, ndërsa tumori primar nuk dihet se ku është. Kjo kërkon pastaj diagnostikim të detajuar.
Noduset në murin e përparëm të nënsqetullës mund të jenë edhe tumore beninje (fibroadenome), ind shtesë i gjirit mamma acessoria) apo të ashtuquejtura nyje limfatike intramamare (në brendi të gjirit).
Gjithsesi, ju preferoj që të u përmbaheni këshillave të mjekut tuaj. Largimi i këtyre ndryshimeve me operacion përpos diagnostikimit me histopatologji, efektit estetik, ka edhe efekt qetësues psikik te ju, sepse definitivisht zgjedh një dilemë e cila ju mundon tash e disa vite.
Me respekt.


I nderuari dr. Naim. Te bashkëshortja ime, e cila është në javën e 19-të shtatzënisë, e po ashtu edhe te unë, janë konstatuar condylloma accuminata. Te bashkëshortja këto janë të pranishme jashtë dhe brenda në vaginë, por jo edhe në cerviks. Rekomandimi i mjekut është që këto të digjen me elektrotermokauter nën sedacion (përgjumje), sepse po të lihen ashtu, ato do të shumohen dhe të rriten edhe më shumë. Brenga jonë ka të bëjë me atë se a ndikon sedacioni negativisht te fryti dhe a mund të ketë ndonjë pasojë?
Çka na preferoni ju që të bëjmë për tejkalimin e këtij problemi?
Ju falënderojmë paraprakisht!

PËRGJIGJE:
I nderuar. Condylomata acuminata janë lytha të cilët paraqiten në regjionin gjenital të femrat dhe meshkujt si pasojë e infeksionit viral ( HPV Virus, papilloma viruset kryesisht serotipet 6 dhe 11).
Kondylomet paraqesin infeksion të shpeshtë të lëkurës te moshat aktive seksuale dhe sa për krahasim në Gjermani infektohen rreth 300 000 njerëz në vit. Infeksioni pason kryesisht përmes rrugëve seksuale dhe rrallë përmes rrugëve tjera si në saunë, tualet, etj. Në shumë raste infeksioni me HPV viruse mbetet latent (nuk kemi manifestim të sëmundjes). Sëmundja mund të manifestohet vetëm pas 1-6 muaj nga koha e kontaktit.
Pacientja ose pacienti nuk ka kruarje apo dhimbje dhe shkon te mjeku vetëm kur vëren ndryshime në formë lythash në regjionin gjenital. Kondilomat mund të diagnostikohen lehtë nga mjeku me ekzaminim klinik. Ndonjëherë nevojitet marrja e biopsisë për verifikim histopatologjik të dyshimit në kondylome.
Kondylomet mund të paraqiten edhe gjatë shtatzënisë, kur infeksionet latente me HPV Virus nën ndikimin e ndryshimeve hormonale bëhen manifeste.
Terapia e këtyre ndryshimeve mund të bëhet me kremra lokale (kur lythat nuk janë të shumtë) ose me djegien e tyre.
Në shtatzëni kondylomet duhet të largohen me anestezi lokale në javën e 34/35 të shtatzënisë.
Rreziku për infeksion të foshnjës gjatë shtatzënisë dhe lindjes është i ulët (kondylome të laringut apo të organeve gjenitale të foshnjës). Disa mjekë preferojnë për këtë arsye të bëhet lindja me sectio cesarea. Meqenëse rreziku i shprehur në proporcion është 1: 1500 dmth për të mbrojtur 1 foshnjë nga kondylomet duhet bërë 1500 lindje me prerje cesarike. Në anën tjetër ka raste kur janë shfaqur kondylomat e laringut te i porsalinduri përkundër lindjes me prerje cesarike.


Përshëndetje. Jam 30 vjeçare nga Munihu i Gjermanisë. Para një viti isha shtatzënë, por dështova për shkak të gjakderdhjes që kisha. Para disa javësh e bëra Laparoskopinë, por tash mjeku ka konstatuar se tek kanalet e qelizave vezë e kam një sëmundje- endrometrozë të “pashërueshme“.
Si është e mundur të isha shtatzënë dhe a ka shpresa për të ardhmen?

PËRGJIGJE:
Endometrioza është një sëmundje beninje ku mukoza e mitrës (endometriumi) shfaqet jashtë kavitetit të mitrës (lokalizim normal), psh., në muskulaturë të mitrës ose në organe tjera si vezore, fshikëz të urinës, zorrë, etj.
Etiologjia e endometriozës është ende e pasqaruar mirë. Kjo sëmundje manifestohet me dhimbje në formë shtangimesh në fillim të menstruacionit. Varësisht ku lokalizohet kemi edhe simptoma të ndryshme:
- Te lokalizimi në mes të mitrës dhe zorrëve kemi dhimbje të shpinës dhe dhimbje gjatë aktit seksual (dyspareuni)
- Te endometrioza e fshikëzës së urinës ose e zorrës- gjak në urinë ose zorrë.

Endomtrioza mund të jetë shkaktare edhe e sterilitetit (që femra të mos mund të mbetet shtatzënë).
Endometrioza diagnostikohet kryesisht te femrat e moshës 20-40 vj. Në bazë të simptomave të lartëpërmendura dhe ekzaminimit klinik me ultrazë vihet dyshimi për këtë sëmundje. Diaagnoza definitive vëhet me Laparoskopi ose hysteroskopi. Pas trajtimit operativ (heqja dhe djegia termike e vatrave të endometriozës) preferohet trajtimi medikamentoz (bllokimi i ciklit menstrual).
Endometrioza është sëmundje e shërueshme dhe çdo e dyta femër sterile ku shkak ka qenë endometrioza, pas terapisë së lartpërmendur mbetet shtatzënë.
Në kohën kur ju keni qenë shtatzënë, nuk keni vuajtur nga endometrioza (ajo është shfaqur te ju më vonë).
Meqenëse jetoni në Mynih, ju preferoj që të paraqiteni për vizitë dhe konsultë te unë në klinikën e Mynihut në këtë adresë:
Oberarzt Dr. Naim Shabani,
Frauenklinik, Klinikum Neuperlach, Lehrkrankennhaus der LM Universität München
Oskar Maria Graf Ring 51
81737 München, www.klinikum-muenchen.de


Përshëndetje. Jam 28 vjeçare nga Ferizaji, në shtator 2010 jam operuar në KlinikËn Obstetrike-Gjiekologjike të Prishtines me diagnozë “myoma uteri permanga necroticans“ në vezoren e majtë dhe më është thënë të bëhet laparotomia suprapubica transverzalis sec Pfannestiel.. Myomectomia –HP
Sa kam qenë në klinikë jam trajtuar me antibioktikë, antikuagulante, tretje infusive dhe analgjetik, pastaj në shtëpi me Ciprinol 500mg, suup, Ketonal 100mg dhe me Oligovit.
Në ekzaminimin histopatologjik janë këto të dhëna:
Përshkrimi
Është pranuar mitra (pa andekse) me madhësi 10x7x6cm me një zgavër në mes sipërfaqja e brendshme e së cilës është nodulare.
Janë pranuar disa struktura indore, multinodulare, të gjitha së bashku me madhësi 16x15x7cm me ngjyrë gri-kafe. Sipërfaqja në prerje është solide dhe me ndryshime gjenerative dhe cistike të mbushura me masa xhelatinoze.
Përshkrimi histologjik:
Endometriumi është në fazën e proliferacionit.
Noduset miomatoz janë ndërtuar nga fibrat e gërshetuara të musculatures së lëmuar dhe indit fibrotik, noduset kanë ndryshime të theksuara degjenerative.
Ju lutem doktor, më tregoni se a jam në rrezik nga tumori, po nuk do të mbetem shtatzënë?
Ju faleminderit

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në letrën e juaj ka disa të dhëna kontradiktore. Ju shkruani ‘në shtator 2010 jam operuar në klinikën Obstetrike-Gjiekologjike të Prishtines me diagnozë “myoma uteri permanga necroticans “në vezoren e majtë dhe më është dhënë të bëhet laparotomia suprapubica transverzalis sec Pfannestiel.. Myomectomia –HP“, pra sipas kësaj janë larguar miomet dhe jo mitra. Kurse në raportin histopatologjik shkruan (gjithnjë sipas letrës suaj): Janë pranuar disa struktura indore, multinodulare, të gjitha së bashku me madhësi 16x15x7cm me ngjyrë gri-kafe. Sipërfaqja në prerje është solide dhe me ndryshime gjenerative dhe cistike të mbushura me masa xhelatinoze.
Përshkrimi histologjik:
Endometriumi është në fazën e proliferacionit.

Në bazë të këtyre të dhënave juve u është larguar mitra, andaj edhe nuk mund të mbeteni shtatzënë. Sido që të jetë, për të mënjanuar këto kontradikta dhe për të konstatuar se keni ende mitrën, ju preferoj që me të gjitha raportet të paraqiteni te gjinekologu ose vini te unë për ekzaminim gjinekologjik ku me ultrazë "do të gjejmë të vërtetën”.
Me respekt.


Përshëndetje doktor, jam 29 vjeçe, jam e martuar qe 5 vjet edhe në muajin e parë të martesës kam mbet shtatzënë, por në javën e 7 kam abortuar. Unë jetoj në Gjermani, kam qenë te mjeku rregullisht, gjithherë më ka thënë se jam mire. Para 4 muajve kam qenë në Kosovë te një mjeke dhe më ka thënë se kam infeksion, cistet me rrezatim i ka përtha.

Mirëpo, tash, prapë kur të kam marrëdhënie me burrin, shpesh mbas menstruacioneve kam djegësi, plus edhe kam problem me qumështin në gji. Kam përdorë dostinex, pa ndonjë ndryshim.

Të lutem, më ndihmo. Dona.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Nga përshkrimi i e-malit tuaj nuk kuptoj se cila është pyetja juaj. Ju theksoni se keni djegësi pas marrëdhënieve me burrin. Kjo mund të jetë pasojë e çrregullimeve hormonale siç është edhe rasti i sekretit në gji. Ju preferoj t’i drejtoheni gjinekologut tuaj.


Përshëndetje, ju falënderoj për këshillat që jepni në këtë faqe. Unë dhe burri kemi grupin e gjakut të njëjtë 0, unë e kam Rh+ kurse burri Rh-. Kemi një vajzë 15 muajsh dhe gëzon shëndet të plotë, por shqetësimi im është se kam dëgjuar se kur dy bashkëshortët kanë të njëjtin grup gjaku në shtatzëninë e dytë mund të kenë probleme me fëmijën, prandaj doja këshillat tuaja në lidhje me këtë problem.

Ju lutem më ktheni përgjigje sa më shpejt. Faleminderit dhe një herë.

Alida nga Tirana.

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes Alida. Konstelacioni i grupit të gjakut që keni ju dhe burri i juaj nuk paraqet kurrfarë problemi as për shtatzëninë e dytë. Zakonisht duhet patur kujdes kur nëna është Rh- që pas lindjes të marrë antitrupa kundër Rh+ eritrociteve (rruzave të kuqe të gjakut) në rastet kur fëmija është Rh+: Në këto raste eritrocitet Rh+ te fëmija gjatë lindjes ose traumave në shtatzëni kalojnë në gjakun e nënës dhe nxisin organizmin të prodhoj antitrupa. Ky senzibilizim i nënës mund të jetë fatal në shtatzëninë e dytë. Meqenëse ju jeni Rh+ nuk keni arsye të shqetësoheni.


Përshëndetje! Jam 26 vjeçe dhe kam probleme me cistet ne vezore. Herë pas here kam dhimbje në anën e majtë, por këto dhimbje i kam gjithmonë kur jam afër ciklit. Jam e fejuar prej 3 vjetësh dhe kam kontakte me të fejuar 2 ose 3 herë në javë. Problemi im është që këta 2 muaj kam patur çrregullim të ciklit menstrual, janë ta pakta dhe me ngjyrë të kaftë dhe zgjasin 3-4 ditë. Menstruacionet i kam pasur shumë fikse, 28 ditë të plota.

Ajo çka më shqetëson mua është të di se a ndikon prania e cisteve në vonesë të ngeljes shtatzëne?

Pres përgjigjen. Ju faleminderit. Anairda.

PËRGJIGJE:

E nderuara Anairda. Paraqitja e herëpashershme e cisteve te femrat e reja (në moshën reproduktive) është gjë normale. Cistet duhet te trajtohen me intervenim operativ (psh Laparoskopi) vetëm nëse nuk tërhiqen vetvetiu për disa muaj, nëse shkaktojnë dhimbje të padurueshme dhe janë të dyshimta në ekzaminimin me ultrazë. Cistet me madhësi më tepër se 5 cm zakonisht nuk tërhiqen vetvetiu dhe duhet të operohen.

Cistat në të shumtën e rasteve nuk pengojnë që një femër të mbetet shtatzënë (edhepse ka raste kur ato prodhojnë hormone, çrregullojnë ciklin menstrual dhe shtatzënia nuk është e mundshme). Nga ana tjetër, nuk preferohet që një femër të mbetet shtatzënë para se të mënjanohet cista me kriteret e lartpërmendura.

Ju preferoj te konsultoheni me gjinekologun e juaj.


Përshëndetje dr i nderuar, pata rastin t’ju shoh në mediet tona elektronike televizive kosovare dhe u fascinova me këshillat shëndetësore që i dhatë ju për shikuesit tanë. Prandaj edhe unë desha së pari t’ju përgëzoj për punën që po bëni në Kosovë.

Jam në moshën 50 vjeçare, para dy vite e gjysmë më janë ndërprerë menstruacionet, por papritmas para 7 muajsh më janë shfaqur sërish për tre muaj rresht. Kjo ka ndodhe në kohën sa isha duke i përdorë disa tableta ‘Le see’ për dobësim, të cilat i bleva në Tiranë. Në momentin kur i ndërpreva ato, sepse ishin mjaft të shtrenjta, edhe pse humba pak në peshë (tashti kam rreth 90 kg), menstruacionet m’u ndërprenë.

Pres përgjigjen tuaj, sepse turpërohem të bëj vizitë, sepse jam virgjine.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje, zonjushë. Unë ju preferoj atë që ju nuk e dëshironi: vizitën mjekësore. Mund të konsultoni një gjinekolog në afërsi të vendbanimit tuaj ose të vini te unë, kur jam në Prishtinë. Ka shumë femra që janë virgjine si ju dhe vijnë në kontrolle nëse kanë probleme gjinekologjike.

Kontrolli nga i cili turpëroheni ju, përbëhet nga biseda, vizita me ultrazë nga ana e barkut dhe në fund konsulta për terapinë eventuale.

Simptomat qe ju i shfaqni me paraqitjen e serishme të menstruacioneve pas kalimit në menopauzë (PMB, postmenopausal bleedimg), mund të jenë të natyrës së ndryshme. Çrregullimet hormonale si pasojë e ndonjë ciste të vezores (e cila mund të prodhojë hormone) mund të sjellin deri te proliferimi i mukozës së mitrës, gjë që rezulton me gjakderdhje.

Proliferimi i mukozës së mitrës (endometriumit) mund të jetë i natyrës beninje, por edhe i natyrës malinje duke mos përjashtuar këtu edhe format e ndërmjetme, siç janë gjendjet prekanceroze.

Sido që të jetë, paraqitja e sërishme e gjakderdhjes pas pauzës 2 vjeçare kërkon sqarim të kësaj gjendje duke bërë eksplorimin e kavitetit (hapësirës së mitrës) me histeroskop dhe marrjen e materialit nga qafa dhe trupi i mitrës ( kyretazhe e fraksionuar). Ky material pastaj ekzaminohet histopatologjikisht dhe varësisht nga diagnoza ose ka nevojë për terapi të mëtejme ose me kaq përfundon tretmani. 


Doktor, jam 19 vjeçare, kam pasur marrëdhënie seksuale për herë të parë me burrin tim, por pa gjakderdhje. Një gjinekolog më ka thënë se himeni mund të jetë elastik. Doktor, pres përgjigjen tuaj për këtë shqetësim që kemi.

PËRGJIGJE:

Cipa e virgjinitetit ose në terminologjinë mjekësore, Hymeni, është një membranë e hollë në hyrje të vagines e cila ka një hapje të vogël në mes që mundëson adljen e sekretit dhe gjakderdhjes mujore në pubertet dhe gjatë periudhës reproduktive.

Me rastin e marrëdhënies së parë seksuale vjen deri te pëlcitja e kësaj membrane (deflorimi) që përcillet me gjakderdhje. Tradicionalisht në shumë kultura, por edhe te ne, kjo konsiderohet si shenjë që femra ka qenë virgjine. Mosshfaqja e kësaj gjakderdhjeje gjatë aktit të parë seksual, konsiderohet (shpesh gabimisht) se femra nuk është virgjine, vjen deri te dyshimi i partnerit e madje edhe deri te prishja e lidhjes apo martesës.

Kjo ndodhë sidomos kur hymeni është elastik dhe përkundër marrëdhënieve seksuale, për shkak të këtij elasticiteti, nuk vjen deri të pëlcitja e tij, pra as deri te gjakderdhja e pritur. Femra për këtë mund të ketë dhimbje gjatë aktit seksual, ndjen fajësi, ndërsa partneri mbetet i zhgënjyer dhe ndjehet ’tradhtuar’. Në këto raste, sot, gjithsesi preferohet që të dy partnerët të konsultohen me gjinekologun. Paramendoni se sa martesa janë shkatërruar në Kosovë ( secili nga ju që e lexoni këtë artikull mendoni në miqtë dhe të afërmit tuaj) duke menduar se femra nuk është virgjine natën e parë të martesës. Gjithsesi që ka patur raste kur femra ka humbur virgjinitetin edhe në raste aksidentale si fëmijë.

Për dallimet te kulturat dhe popujt e ndryshëm sa i përket rëndësisë që femra të jetë virgjine para se të fillon një lidhje serioze tregon fakti se derisa në Kosovë gjatë punës ambulatore hasi në rritje të interesimit për të kthyer virgjinitetin me operim intim, në Gjermani, vijne te unë në konsultë femra të cilat vuajnë psikikisht ose turpërohen kur tregojnë se (psh. përkundër moshës, 25 vj. apo më tepër) janë ende virgjine.

Ekzistojnë raste kur hymeni nuk posedon vrimën e lartpërmendur, pra është komplet e mbyllur (hymen jo i perforuar) dhe vajzat e reja përkundër moshës, psh 13-15 vjeçare, ende nuk kanë patur menstruacionin e tyre të parë (menarrche) si dhe ankohen në dhembje të fundbarkut. Këtu kemi të bëjmë me anomali të lindur ku cikli menstrual ka filluar ndoshta disa muaj apo vite më parë, por gjaku i liruar në vend se të zbrazet, grumbullohet në vaginë dhe mitër. Bëhet fjalë për hematokolpos dhe hematometra që nëse vazhdojnë për kohë të gjatë, sjellin deri te dëmtimi i mitrës dhe vepërçuesve me grumbullim të gjakut menstrual në abdomen (menstruim retrograd). Gjithsesi, në këso raste, prindërit duhet ta dërgojnë vajzën e tyre (‘të cilës përkundër moshës në krahasim me shoqet e veta, nuk po i vjen menstruacioni i parë’) te gjinekologu.

Në të dyja rastet si te hymeni elastik ashtu edhe te ai jo i perforuar mund të rregullohet ky defekt i cipës hymenale me intervenim të vogël operativ.


Përshëndetje dhe urime për punën që bëni. Ju lutem të më ndihmoni, para 3 muajve kam abortuar pas 2 muaj e gjysmë shtatzënie. Pas abortit, me vizitën e mjekut, bëra strishon dhe doli që jam e infektuar nga chlamidia. Tash kemi përdorë terapi unë dhe burri. Mjeku më ka thënë se tash jam shumë mirë, nuk ka më infeksion.
Të lutem doktor, më trego, a mund të më përsëritet prapë infeksioni edhe a kam gjasa të mbes shtatzënë.
Pres përgjigjen tënde, jam në hall të madh.
Tina, 22 vjeç

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Tina. Aborti paraqet komplikacionin më të shpeshtë në shtatzëni. Rreth 20 të shtatzënive përfundojnë si abort. Posaçërisht në fillim të shtatzënisë vjen më shpesh deri te aborti. Nganjëherë kjo ndodhë pa e ditur femra se është shtatzënë (në formë gjakderdhjeje në kohën e menstruacioneve).
Sipas disa analizave, madje 60% të vezëve të fekonduara përfundojnë si abort.
Në terminologjinë mjekësore (gjinekologjike) dallojmë këto forma të abortit:
* Abortus imminens, e ashtuquajtura gjendje kërcënuese për abort, paraqitet me gjakderdhje dhe dhimbje barku. Qafa e mitrës është e mbyllur. Në këtë gjendje aborti mund të parandalohet.
* Abortus incipiens, është gjendje ku ka filluar aborti dhe nuk mund të ndalet më (qafa e mitrës e hapur, madje mund të shihet indi i shtatzënisë).
* Abortus completus, kur e tërë shtatzënia është hedhur.
* Abortus incompletus (ab jokomplet), shtatzënia është hedhur pjesërisht. Aborti deri në javën e 16-të shtatzënisë definohet si abort i hershëm, kurse pas kësaj jave si aborti i vonshëm.

Shkaqet e abortit mund të jenë të ndryshme. Shkaku i vërtetë konstatohet në raste të rralla. Vetëm pas abortit të tretë me radhë (abort habitual) ekziston indikacioni mjekësor për kërkimin e shkaqeve. Në parim shkaqet e abortit mund të kanë origjinë nga babai, nëna ose vet fëmija. Disa nga shkaqet mund të jenë: anomalitë e mitrës, moszhvillimi i placentes, infeksionet gjenitale (psh me chlamidia) etj. Anomalitë e spermatoziodeve ose anomalitë kromozomale të fëmijës mund të jenë një nga shkaqet e abortit. Këtu duhet cekur ligjin e natyrës "all or nothing" ("krejt ose asgjë"), pra " krejt" tendeca që fëmija të jetë plotësisht i shëndoshë dhe i aftë për t’u zhvilluar dhe rritur më tutje ose "asgjë". Pra, të ndërpritet ajo shtatzëni kur diçka nuk është në rregull (abort).

Në rastin konkret të abortit te ju është konstatuar infeksioni me chlamidie (ku mund të jetë një nga shkaqet për abort) dhe ju jeni mjekuar në mënyrë adekuate. Infeksioni i sërishëm me chlamydie ose me ndonjë agjensë tjetër është gjithnjë i mundshëm. Ju nuk keni arsye të brengoseni se a mund të mbeteni shtatzënë. Besoj se me sqarimin e lartpërmendur të abortit dhe shkaqeve mund të konkludoni se nuk jeni e vetmja femër që është goditur nga kjo gjendje dhe se do të jeni në gjendje të mbeteni sërish shtatzënë pa patur frikë se mund të vjen deri te përsëritja e abortit.


Përshëndetje. Jam e martuar qe 3 vite ku dëshiroj shtatzëni. Ku kam bërë folikullometrin në ditën e 13 të ciklit. Ku uterus në avf në murin e përparmë afër endometrumit vërehet një zonë me hipoekogjene (nyje miomatoza) me diametër prej 11mm.
Endometrimi është dyshtresor me trashësi prej 8.6.mm
Të dy vezoret mirë vërehen me ultrazë, në vezoren e majtë vërehet një folikul me diametër prej 17.3mm.
Te lutem doktor, tregomë çka duhet bërë edhe me ketë situatë a ka gjasa të mbes shtatzënë.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nga të dhënat e juaja kemi të bëjmë me një miomë submukoze me madhësi 11 mm. Myomat e lokalizuara nën mukozë (afër endometriumit) mund të shkaktojnë probleme siç janë gjakderdhje më e theksuar gjatë ciklit menstrual deri te problemet për të mbetur apo për te mbajtur shtatzëninë. Ju gjithsesi keni shanse për të mbetur shtatzënë. Nga të dhënat e pakta unë nuk di se a janë hulumtuar faktorët tjerë që mund të ndikojnë në mbetjen shtatzënë.
Ju kisha lutur që të paraqiteni për kontroll gjinekologjik dhe konsultë të mëtejme.


Përshëndetje, kam pasur dy aborte spontane, kam bërë shumë analiza, nga rezultatet e të cilave nuk është zbuluar akoma shkaku i abortit. Kohët e fundit bëra një vizitë dhe një doktor më tha se kam një problem me mitrën, pjesa e sipërme nuk është e drejtë, por pak e përkulur. Diagnoza Uterus Subsepta dhe për këtë duhet bërë një ndërhyrje që quhet histeroskopi operative. Doja t’ju pyesja a duhet bërë kjo ndërhyrje dhe a ndikon në abort..
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Aborti spontan mund të jetë pasojë e ndryshimeve organike apo funksionale në organizmin e femrës. Uterus subseptus mund të jetë një nga shkaqet organike të cilat rezultojnë me abort. Në këto raste mitra gjatë formimit si organ ka ngecur në zhvillimin e saj dhe si pasojë kemi mbetjen e një muri (septus) i cili ndanë pjesërisht (andaj edhe subsetus) hapsirën e mitrës në dy dhoma.
Terapia në këto raste është operative. Operimi duket kësisoji: me anë të histeroskopisë (futje me kamerë përmes vaginës në mitër) bëhet prerja (mënjanimi) i këtij muri. Gjatë këtij intervenimi ekziston rreziku që të dëmtohet muri i vërtetë në fund të mitrës (përcillet me gjakderdhje, infeksione e deri te humbja e mitrës), andaj kjo procedurë duhet të monitorohet përmes laparoskopisë (LSK). Gjatë prerjes së septumit me dritën e kamerës së LSK përcillet trashësia e murit të vërtetë në fund të mitrës.


Jam një 31 vjeçe, e pamartuar. Qe 4 muaj kam dhimbje në të dy gjinjtë. Nga raporti ultrasonografik janë vërejtur ndryshme displastike-fibrocistike me madhësi 6-7mm. Ndryshimet e përshkruara sonografike u përgjigjen katagorizimit BI-RADS2. Doktori këtu në Kosovë më ka caktuar një terapi me barna.

Ju lutem doktor Naim, a është kjo diçka serioze që unë duhet të brengosem, sepse jam duke e përjetuar me shumë stres.

PËRGJIGJE:

Ndryshimet displastike fibrocistike (siç i emërton si duket mjeku i juaj- terminologji e vjetër) apo më mirë të themi mastopathia fibrose cistike, paraqet një gjendje ku përfshihen një grup i gjerë ndryshimesh në gjinj të karakterizuara me shtim të indit lidhor dhe shfaqjen e formacioneve cistike. Për dallim nga fibroadenoma, mastopathia nuk është tumor. Në disa raste kemi proliferim jo vetëm të indit lidhor, por edhe të qelizave të epitelit të kanaleve të qumështit dhe nëse ky proliferim shoqërohet me qeliza atipike, kemi të bëjmë me të ashtuquajturën mastopathi atipike ose displazike (të gjitha terme të vjetra). Në raste të tilla, mastopatia kalon në prapavijë të problemit dhe ne flasim për gjendje prekanceroze, siç është hiperplazia duktale atipike ose karcinoma in situ e gjirit. Vet mastopathia fibroze cisitke nuk është gjendje prekanceroze, por një ndryshim degjenerativ mjaft i shpeshtë te femrat.

Trajtimi i kësaj gjendjeje që shoqërohet me dhimbje të gjinjve është simptomatik (pra, në zvogëlimin apo zhdukjen e simptomave). Preparatet të cilat përmbajnë hormon progesteron, neutralizojnë veprimin e hormonit estrogjen në gjinj dhe ndikojnë në përmirësimin e simptomatikes të kësaj gjendjeje.


Përshëndetje doktor, jam 45 vjeçe dhe nënë e 3 fëmijëve. Kam probleme me infeksion të qafës së mitrës. Kam bërë PAP testin, rezultati është ky: Sh.p. 3 grupi i IIIA, sipas klasifikimit të Papanikolaout. Qeliza displazike të epitelit të sheshtë në grumbuj dhe të veçuara, disa prej të cilave me një atipi të theksuar (CIN II). Ndryshime të rënda inflamatore. Bakterie. Histiocite. Eritrocite. Preferoj VHP ( Biopsionë ose konizim). Pastaj e kam bërë biopsinë dhe analizat janë këto: " Histologjikisht vrehet epiteli hiperplastik i eroduar, i ektocerviksit me ndryshime parakeratotike dhe koilcoitike sipërfaqësore (virale), dhe fokale displastike në 1/3 - 2/3 të trashësisë epiteliale. Pjesa e mukozë së endocervikisit është pjesërisht e eroduar, e veshur me qeliza cilindrike hiperplastike dhe metaplastike. Stroma është fibrotike, celulare, me infiltrate inflamatore të tipit të granulociteve, limfoziteve dhe monociteve dhe kongjestion vaskular. Vërehet epidermizim fokal gjendrror."
"Diagnzoa: Cervitis chronica hyperplastica erosiva (koilocitosis)
CIN I-II focalis
Endocervicitis chronica metaplastica cum epidermisata focilis"
Mjeku më ka dhënë këtë terapi: Fitormil Vag 1x çdo të 3ten natë dhe Vitagyn C vag 1x në mbramje (1 muaj për përdorim).
Doktor, do të doja këshillën tuaj.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Te ju me biopsi është diagnostikuar CIN II ( displazi e shkallës së mesme) që është një gjendje prekanceroze e qafës së mitrës. Është me rëndësi të dihet sa a është hequr ky lezion në tërësi. Këtë mund ta konstatoj vetëm kur t’i shoh të gjitha rezultatet që ju i përshkruani.
Terapia që ju keni marrë: Fitormil (estrogjene-hormone femërore bimore) nuk ka ndikim fare në ndryshimet që ju keni ( ju jeni 45 vj. ende e re dhe vezoret e juaj prodhojnë mjaft estrogjene). Prep Vitagyn C mund të përdoret sepse e normalizon florën tuaj vaginale (nëse ajo është shkatërruar!).
Më e rëndësishmja është, pra, të konstatohet se a është hequr lezioni (CIN II) në të shëndoshë. Nëse jo, duhet të bëhet konzimi. Përndryshe te ju duhet të bëhet PAP testi (citologjia) me rregull (çdo 3 muaj).


Jam 23 vjeçe nga Tetova, ka gati një vit që kam çrregullime me menstruacionet. Para 5 muajsh bëra disa kontrolle te gjinekologu dhe sipas disa analizave vërejtën që kam një ciste në vezoren e djathtë me gjatësi prej 7.5 cm dhe po ashtu bëra analizën e CA 125 II dhe rezultati doli 30,5. Tash përsëri pas 5 muajsh bëra kontroll, vërehet se ende është cista, por më e vogël, 6.6 cm dhe analiza e CA 125 II është 27,5. Tash më kanë dhënë udhëzim për në Shkup, por kisha dëshirë të marrë edhe mendimin tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Cistet e vezoreve paraqiten kohë pas kohe te femrat e moshës së re siç jeni ju. Shpesh këto ciste tërhiqen vetvetiu. Por nëse ato qëndrojnë (persistojnë) për më shumë se 2-3 muaj dhe kanë madhësinë 5 cm ose më tepër, preferohet të largohen me operim.
Heqja e cistes së vezores mund të behet pa problem me Laparoskopi. Me rëndësi është që te femrat të cilat nuk kanë lindur ende dhe/ose janë ende në moshën reproduktive që të ruhet vezorja (dmth të qërohet cista dhe jo të hiqet krejt vezorja). Përjashtim bëjnë rastet kur cista është e madhe (7-8cm) dhe nuk kemi fare ind të vezores së ruajtur ose kemi të bëjmë me një ciste e cila dyshohet se mund të jetë malinje (kancer).
Në vend të Shkupit (nëse ju konvenon juve), ju preferoj që të vini në Prishtinë për konsultë dhe eventualisht edhe për operim me Laparoskopi.


I nderuari doktor, në familjen time kemi një grua të sëmurë. Ajo është 60 vjeçe, ka një peshë shumë të rëndë, afër100 kg, mirëpo ka një problem në qafën e mitrës: ka pasur dy gjëndra që janë formuar edhe pas konsultave me gjinekologun dhe bërjen e PAP testit, që i ka dalë shkalla e tretë, mjeku ato i ka hequr, por jo me operacion. I është bërë biopsia, që ka dalë keq: hiperplasia endometri atypica, dhe karcinomë të endometriumit. Shumë mjekë në Prishtinë na kanë sugjeruar që ta dërgojmë jashtë vendit, pasi duhen bërë rrezatime radiologjike apo edhe hemoterapia. Doktor, ku kishim lutur që të na jepni një shpjegim lidhur me këtë, sepse trajtimi i këtyre sëmundjeve malinje nuk po bëhet në mënyrë adekuate në Kosove. Ju falënderojmë për kontributi tuaj që jepni për ne përmes telegrafit.
Ju përshëndesim dhe me padurim presim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në bazë të përshkrimeve që bëni ju, pacientja 60 vjeçare është e sëmurë nga kanceri i trupit të mitrës (jo i qafës së mitrës) e që në terminologjinë mjekësore quhet karcinomë e endometriumi. Kjo sëmundje zakonisht diagnostikohet n&e

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Ju lutem respektoni rregullat e portalit.
Shih të gjitha rregullat për komentim
Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog
Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog
Dr.sci.dr. Naim Shabani, Gjinekolog-onkolog, Patolog-citolog
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
19:26 / 21.05.2012

Bleona aktron përkrah Steven Seagal

Bleona Qereti para pak kohesh i ka njoftuar fansat e saj se ka përfunduar xhirimet për një serial televiziv përkrah të fam...
Teknologji
20:11 / 21.05.2012
Microsoft lanson rrjetin e vet social

Microsoft lanson rrjetin e vet social

Në mënyrë shumë diskrete, Microsoft ka lansuar rrjetin e vet social, faqen So.cl, e cila tani është në dispozicion në t...
Ekonomi
16:16 / 21.05.2012

Dy oferta për privatizimin e KEDS-it

Dy kompanitë turke “Limak” dhe “Çalik” të cilat kanë vendosur që të formojnë konzorcium si dhe kompania “Else...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.