Dr. Shpresa Huruglica, Specialiste e Biokimisë klinike

21:01 / 27.04.2013
Biokimia klinike është disiplinë e shkencave mjekësore që studion çrregullimet e procesit të metabolizmit. Çdo sëmundje në organizmin e njeriut shoqërohet me ndryshime në procesin e metabolizmit qoftë në një sistem apo në sisteme të tëra të organizmit dhe pikërisht detyrë e biokimisë klinike është të zbulojë dhe interpretojë ato çrregullime të metabolizmit që shkaktohen nga patologji të ndryshme. Si material studiues në biokimi mund të shërbejë gjaku i plotë, serumi, plazma, urina dhe lëngjet e tjera trupore: lëngu cerebrospinal, lëngu amniotik, transudati, eksudati etj. Studimi i këtyre lëngjeve trupore e lejon mjekun biokimistë që në bashkëpunim me mjekë të tjerë (klinicistë, radiolog, patolog, etj.) të vë diagnozë, të kontrollojë efikasitetin e terapisë te të sëmurët apo depistojë popullatën e shëndoshë për sëmundje të ndryshme përmes Screening testeve të shumta.

Dr. Shpresa Huruglica
Specialiste e Biokimisë klinike


Përshëndetje. Ju lutem, mund të më thoni më shumë për analizën "citomegalovirus IgG" dhe çfarë do të thotë kur ajo del pozitive?

PËRGJIGJE:
Citomegalovirusi IgG janë antitrupa që fillojnë të shfaqen në qarkullimin e gjakut disa javë pas infeksionit fillestar nga Citomegalovirusi. Te pacientët që janë infektuar nga Citomegalovirusi këta antitrupa mund të jenë të pranishëm ( pozitiv) gjatë gjithë jetës, pra edhe mbasi të ketë kaluar infeksioni.
Për të vërtetuar praninë e tanishme apo të mëparshme të infeksionit nga CMV, antitupat CMV IgG duhet bërë në të njejtën kohë me ata CMV IgM.


Përshëndetje. Ju lutem a mund të më thoni më shumë për analizën "citomegalovirus IgG" dhe çfarë do të thotë kur ajo del pozitive?

PËRGJIGJE:
Analiza Citomegalovirusi IgG janë antitrupa që fillojnë të shfaqen në qarkullimin e gjakut disa javë pas infeksionit fillestar nga Citomegalovirusi dhe te pacientët që janë infektuar nga Citomegalovirusi,këta antitrupa mund të jenë të pranishëm (pozitiv) gjatë gjithë jetës, pra edhe mbasi të ketë kaluar infeksioni. Mirëpo për të vërtetuar praninë e tanishme apo të mëparshme të infeksionit nga CMV, antitupat CMV IgG duhet bërë në të njejtën kohë me ata CMV IgM.


Jam një vajzë 20 vjeçe, kam bërë një analizë gjaku dhe nr i leukociteve më doli më i lartë se norma, rreth 13000, ndërsa sedimenti i gjakut ishte normal.
Çfarë mund të më shkaktojë kjo?
Këtë analizë e bëra para ca kohësh, nuk kisha ndonjë problem, pas pak ditësh kalova një grip, me dhembnin grykët
Së dyti, do të dëshiroja t’ju pyesja se kam dëgjuar që kur sedimenti është normal, atëherë nuk ka ndonjë sëmundje organizmi. Sa e vërtetë është kjo?
Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
Në këtë rast nuk përjashtohet mundësia e fillimit të një infeksioni, por megjithatë rritja e numrit të leukociteve mund të jetë edhe fiziologjike (gjatë ciklit menstrual, mbas ushqyerjes, mbas aktiviteti fizik, pastaj gjatë shtatzanisë etj.), prandaj për të eliminuar mundësinë e një infeksioni duhet bërë patjetër edhe proteina C reaktive, një marker më i besueshëm i infeksionit dhe inflamacionit se sa numri i leukociteve.
Ndërsa sedimentacioni i eritrociteve është një marker i inflamacionit jo specifik që është përdorë shumë gjatë shekullit të kaluar. Tani ekzistojnë një numër i madh i markerëve të inflamacionit që janë shumë më specifik e dhe më të besueshem se sa Sedimentacionii eritrociteve. Gjithashtu jo të gjitha sëmundjet dhe patologjitë në organizmin e njeriut shoqërohen me rritje të sedimentacionit.


Doktoreshë e nderuar. Kam një pyetje. A tregon ndonjë analizë laboratorike prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme?
Flm për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nuk ka analizë laboratorike deri më tani që do të tregonte prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme apo edhe më të vonshme. Te nënat me shtatzëni binjake apo të shumëfishta janë vërejtur nivele më të larta të hCG (gonadotropinës korionike humane) dhe AFP (alfa fetoproteinës). Sidoqoftë nuk guxojnë të merren si konfirmuese pasi niveli i hCG varion nga shtatzënia në shtatzëni dhe po ashtu vlera më të larta të hCG kemi edhe te shtatzënitë molare dhe korionkarcinoma, ndërsa të AFP te defektet e tubit neural dhe ezofagut.
Kështu që këto parametra duhet të merren parasysh vetëm atëhere kur përputhen me të dhënat ultrasonografike për shatzëni binjake apo të shumëfishta. Për më tepër mund të ju ndihmojë mjeku obstetër-gjinekolog.


Përshëndetje doktoreshë. Prindi im ka një sasi të madhe të yndyrave në gjak. Nga rezultatet e bëra, sasia e yndyrave në gjak është 14, por gjithashtu ka gjak të dobët.
Çfarë është trajtimi, çfarë barnash duhet përdorë dhe a ka rrezik?
Pres përgjigjen.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Fillimisht duhet të dimë se cili lloj i yndyrave është e rritur, kolesteroli total apo trigliceridet dhe njësitë matëse. Nëse njësitë e matëse janë mmol/l, cila do qoftë kolesteroli total apo trigliceridet, atëherë është një vlerë shumë e rritur që e rritë rrezikun për sëmundje kardio-vaskulare dhe pankreatit.
Prindi juaj duhet gjithsesi t’i nënshtrohet një regjimi dietal (pa kolesterol dhe acide yndyrore të ngopura) dhe të shtojë aktivitetin fizik (vrapim apo edhe ecje për një kohë e më të gjatë apo ndonjë aktivitet tjetër fizik) dhe sipas nevoje të marrë mjekimin e rekomanduar dhe të dozuar nga mjeku familjar apo kardiologu i tij.
Ndërsa sa i përket gjakut të dobët, më vjen keq po nuk kuptoj nëse bëhet fjalë për një anemi të mundshme, hipotension arterial apo diçka tjetër, pra duhet të jeni ma konkrete rreth kuptimit të gjakut të dobët.


Përshëndetje doktoreshë, jam një pacient nga Gjilani, kam kryer ca analiza biokimike, por kam një shqetësim për shkak të këtyre vlerave: ALT 70, AST 56.
Mund të jem prekur nga hepatiti B edhe a është e nevojshme analiza imunologjike HBsAG?

PËRGJIGJE:
ALT dhe AST janë enzime të lokalizuara kryesisht në qelizat e mëlçisë (hepatocite) dhe më pak qelizat e indeve dhe organeve tjera: muskuj (duke përfshirë këtu edhe miokardin), veshkë, pankreas, shpretkë dhe tru. Kështu që në rastet e rritjes së transaminazave fillimisht duhet eliminuar sëmundjet e mëlçisë, që mund të shoqërohen me rritje të transaminazave.
Përveç virusit të hepatit B, që ju pyesni, ekzistojnë edhe shkaktarë të tjerë të shumtë që dëmtojnë qelizat e mëlçisë dhe shoqërohen me rritje të transaminazave, duke përfshirë: hepatitin viral A dhe C, pastaj hepatitin toksik, mononukleozn infekive, përdorimi i alkoolit po ashtu shoqërohet me rritje të transaminazave, cirroza, karcinoma e mëlçisë dhe shpesh herë edhe kolestaza.
Rritja e transaminazave, mund të jetë edhe si pasojë përdorimit të barnave, qofshin antibiotike, analgjetike, antilipemike, etj.
Ju rekomandoj që fillimisht të kontrolloheni te një specialist të mëlçisë gastro-hepatolog, i cili pas një anamneze dhe ekzaminimi të kujdesshëm ju tregon nëse është apo jo e nevojshme të bëhen analiza tjera shtesë.


Përshëndetje. Jam një nuse nga Gjilani, kam bërë Papa testin dhe ureoplasma urealiticum më ka dalë pozitiv 10.5. A është problem dhe ku duhet të orientohem. Më tregoni se kam frikë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Rreth pranisë së infeksionit nga ureoplasma urealiticum nuk ka arsye të frikësoheni. Ju duhet të drejtoheni sa më parë te specialisti i gjinekologjisë dhe së bashku me bashkëshortin tuaj (pra që të dy) të filloni mjekimin e rekomanduar nga ai, në mënyrë që të parandalohen sa më herët pasojat e infeksionit. Mjekimin duhet marrë për dy javë, dhe pastaj prapë të ritestoheni pasi që shpesh herë është e nevojshme që tek pacientët që rezultojnë pozitiv mjekimi të jepet për një kohë më të gjatë.


Përshëndetje doktoreshë. Të falënderoj për këshillat e tua shumë profesionale. Dëshiroj të di se çfarë tregon Ureaplazma dhe përse bëhet ajo?

PËRGJIGJE:
Ureaplazma është një bakterie që është e pranishme në shumicën e pacientëve seksualisht aktiv. Transmetohet me anë të kontaktit seksual, kontaktit me pështymen dhe gjakun e infektuar. Në shumicën e rasteve, pacientët e infektuar me bakterien ureaplazma nuk kanë ndonjë simptomë, ndërsa në rastat tjera mund të ankohen për dhimbje abdominale, dhimbje gjatë urinimit, uretrit dhe shpesh herë edhe gjakderdhje nga uretra. Në këto raste duhet gjithsesi të testohen për pranine e infeksionit pasi që rastet e patrajtuara mund të përfundojnë me infertiliet, lindje premature apo të frytit te vdekur, inflamacion të testiseve, meningjit dhe pneumoni. Gjithashtu mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të trupit duke shkaktuar dëmtime të artikulacioneve, nervave dhe muskujve. Preferohet që personat seksulalisht aktiv edhe nëse nuk paraqesin ndonjë shqetësim, së paku njëhere në vit të testohen për ureaplazma urealiticum dhe sidomos ata që ndërrojne partneret seksuale.


Doktoreshë e nderuar. Unë i kam bërë analizat e gjakut dhe të urines, rezultati ka dalë mirë, megjithëse kisha mungesë të leukociteve. Ju pyes nëse kam ndonjë infeksion, sepse po më shfaqen puçrra në lëkurë dhe kam rënie të flokëve, skuqje të kokës me puçrra të imta.
Ku duhet të drejtohem dhe cili është shkaktari?
Pres përgjigjen tuaj.
Flm.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Më vjen keq, por ju duhet të drejtoheni te specialisti i dermatologjisë. Besoj që pas një ekzaminimi të kujdesshëm, mjeku do të gjej shkaktarin dhe terapinë adekuate.


Jam 31 vjeçar dhe vazhdimisht leukocitet i kam të rritura nga 12.000–16.000. Një kohë kam përdorë antibiotikë, uleshin pak e pas terapisë, por sërish rriteshin. Unë jam mirë, nuk kam temperaturë. Nuk e di pse eritrocitet rrinë vazhdimisht në vlera të larta.
Çka më propozoni ju dhe si duhet vepruar?

PËRGJIGJE:
Fillimisht ju kisha rekomanduar të mos merrni antibiotik pa përshkrimin e mjekut pasi që jo gjithmonë rritja e numrit të leukociteve është me origjine bakteriale. Së pari ju duhet të kontrolloheni te mjeku juaj familjar rreth mundësisë së ndonjë infeksioni bakterial, viral apo parazitar dhe nëse mundësia e infeksionit eliminohet atëherë ju kisha rekomanduar të bëni një strisho të gjakut periferik dhe të merrni mendimi i mjeku specialist Hematolog.
Shkaktarët e rritjes së numrit të leukociteve janë të shumtë dhe përveç atyre me origjinë infektive, shkak tjetër i rritjes së numrit mund të jetë edhe ndonjë sëmundje inflamatore (artrit reumatik, poliartrit, alergji etj.), ndonjë formë e leukozës kronike, qoftë e linjës limfoide apo mieloide, nekrozë e indeve, intoksikacionet me Benzol, rrezatim, mjekimi me Kortikosteroide, Lithium etj. Gjithashtu është vërejtur rritje e numrit të leukociteve te pacientët që pinë duhan dhe tek ata me aktivitet të shuar fizik. Për të gjitha këto ju duhet konsultuar me mjekun tuaj familjar dhe specialistin e hematologjisë.


Përshëndetje. Unë jam 51 vjeçar, kam pësuar një infarkt në zemër para 2 viteve. Kam bërë një intervenim në Turqi. I kam të vendosur 2 stende dhe aty gjatë analizave rutine në spital, vetëm një analizë më ka dalë e rritur: homocisteina. Më intereson të di se çfarë analize është kjo dhe a është rrezik pasi që unë kam probleme me zemër dhe me çka mundet me u ulë?

PËRGJIGJE:
Homocysteina është aminoacid që formohet në organizëm gjatë sintezës së Cysteinës nga Methionina (produkt intermediar i Methioninës).
Rritja e Homocysteinës në qarkullim shkakton dëmtim të mureve të enëve të gjakut dhe rritë mundësin e formimit të trombeve të cilat pastaj qarkullojn në enë të gjakut dhe mund të jenë shkak i një embolie pulmonare, sulmi në tru dhe infarktit të miokardit.
Homocysteina e rritur në qarkullimin e gjakut mund të jetë me predispozite gjenetike, nga mungesa apo marrja e pakët e kompleksit të vitaminave B (vit B6, B12 dhe acidit folik), sëmundjeve të veshkave që shoqërohen me reduktim të fluksit renal, pirjes së duhanit dhe përdorimit të një numri medikamentesh.
Ndërsa sa i përket uljes së Homocysteinës marrja e acidit folik dhe vitamines B12 ulë vlerat e Homocysteinës në qarkullim, por përkundër kësaj rrit mundësinë e formimit të pllakave arteriosklerotike në mure të enëve të gjakut, prandaj duhet marrë vetëm atëherë kur shihet e nevojshme nga mjeku juaj kardiolog.


Përshëndetje doktoreshë. Desha të di për virusin ELISA IgM dhe IgG se si shfaqet, simptomat edhe si eliminohen kokretisht nëse ELISA IgM-Negative dhe ELISA IgG-Pozitive?

PËRGJIGJE:
ELISA (Enzyme -Linked Immunosorbent Assay) nuk është virus, por metodë imunokimike që përdoret për përcaktimit e titrit të antitrupave përkatës ndaj virusëve të ndryshëm, bakterieve, parazitëve, etj.
Nuk mund të flas për simptoma derisa nuk e kam të qartë se për çfarë lloj virusi bëhet fjalë, ndërsa sa i përket antitrupave, antitripat IgM janë antitrupa që shfaqen në fazën akute të infeksionit, mbeten të rritur për një kohë dhe pastaj gradualisht zhduken, ndërsa ata IgG janë antitrupa që shfaqen më pas dhe mund të jenë të pranishëm për një kohë të gjatë apo edhe gjatë gjithë jetës. Gjithashtu antitrupat IgG janë antitrupa që fitohen edhe me imunizim (vaksinim) që do të thotë se kemi fituar imunitet ndaj antigjenit përkatës.


Përshëndetje. Më intereson të di se për cilat sëmundje nevojitet të bëhet Klirensi i kreatininës?Për këtë unë jam referuar të vizitohem tek nefrologu. Ju lutem a mund të më sqaroni se për çfarë lloj sëmundje të veshkave dyshohet në rast se klirensi i kreatenines është i rritur.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kreatinina është një produkt azotik që eliminohet me anë të veshkëve andaj matja e klirensit të kreatininës përdoret për të përcaktuar funksionin e veshkëve gjegjësisht aftësinë e veshkave për ta eliminuar kreatininën (vëllimin plazmatik (ml) që pastrohet nga kreatinina mbrenda një minute (ml/min).
Kështu klirensi i kreatininës nevojitet të bëhet atëherë kur dyshohet për ulje të funksionit të veshkëve, edhe në rastet kur kreatinina në gjak mund të jenë në vlera normale. Pra, është një parametër i funksionit të veshkëve më i besueshëm se sa matja e kreatininës pasi që deri te rritja e kreatininës në gjak vie vetëm atëherë kur humbet mbi 50% të funksionit të veshkëve.
Prandaj, nuk keni arsye të shqetësoheni pasi që klirensi i kreatininës vetëm kur është i ulur ka rëndësi diagnostike. Klirensi i kreatininës i rritur nuk ka ndonjë rëndësi të madhe diagnostike, haset në rastet kur kemi rritje të fluksit të gjakut në veshka (te ushtrimet e zgjatura fizike dhe shtatzania), te pacientët me hipotireozë, por mund të jetë pasojë edhe e dëmtimit të muskujve, marrjes së ushqimit të pasur me proteina, mbledhjes jo korrekte të urinës 24 h dhe përdorimit të diuretikëve.


Doktoresha Shpresa, mua sedimenti i gjakut më ka dalë i rritur. Më konkretisht, çka është sedimenti dhe a është diçka e rrezikshme.
Flora, Vushtrri.

PËRGJIGJE:
Sedimenacioni i eritrociteve është një test jo specific, që ka gjetur një përdorim të gjerë në shekullin e kaluar në zbulimin dhe monitorimin e sëmundjeve inflamatore akute dhe kronike, proceseve neoplazike dhe sëmundjeve autoimune.
Së pari, duhet ditur se sa është i rritur sedimentacioni dhe mosha juaj pasi që
sedimentimi i eritrociteve rritet edhe me moshën. Pastaj, ju duhet konsultuar me mjekun biokimist të laboratorit tuaj rreth aplikimit korrekt të metodës në laborator pasi që shpesh here ndodhe që rritja e sedimentacioni të jetë pasoj e mos aplikimit të saktë dhe korrekt të metodës në laborator (përzierja jo proporcionale e gjakut me antiguagulant, mos përzierja mirë e gjaku, temperatura jo adekuate, mos leximi me kohë etj).
Dhe se fundi, nëse këto eliminohen, atëherë, sipas udhëzimit të mjekut tuaj familjar dhe atij biokimist, është e nevojshme të bëhen ekzaminime dhe analiza të tjera shtesë pasi që është e pamundur të bëhet diagnostikimi vetëm me anë të sedimentacionit.


Përshëndetje doktoreshë. Babai im vazhdimisht ka probleme me urinim dhe ka bërë një analizë të rekomanduar mjeku familjar të quajtur PSA, e cila i ka dalë pozitive. A mund të jetë diçka serioze dhe çka duhet bërë më tutje mbasi ende ka probleme. Blerimi nga Kamenica.

PËRGJIGJE:
Nga ajo që thoni kuptohet se prindi juaj ka bërë një screening test të PSA (antigjenit specifik të prostatës), cili vetëm e detekton praninë e PSA dhe është e pamjaftueshme për të diagnostikuar problemet e prostatës. Nga ana laboratorike duhet bërë gjithsesi analiza kuantitavive (përcaktuar me vlerë) e total-PSA dhe free-PSA dhe duhet përcaktuar raportin free-PSA / t-PSA. Në bazë të këtij raporti, pastaj orientohemi nëse kemi të bëjmë me inflamacion të prostatës, BHP (hipertrofi beninje të prostatës) apo karcinome të mundshme të prostatës. Duke qenë se ai vazhdon të ketë probleme do t’ju këshilloja që të vizitohet te mjeku specialist urolog, i cili pastaj e udhëzon se çfarë lloj ekzaminimi duhet bërë me tutje.


Përshëndetje. Unë para një muaji më është dashur të abortoj, për shkak se nuk është zhvilluar mirë fëmija. Doktori më ka preferuar të bëj një analizë torch, e cila ishte shumë e shtrenjtë. Çfarë analize është kjo dhe a duhet ta bëj patjetër.
Besa, Ferizaj.

PËRGJIGJE:
TORCH, është analizë serologjike e cila detekton praninë apo mungesën e antitrupave IgG dhe IgM ndaj parazitit Toksoplazma gondii, virusit të Rubeoles, Citomegalovirusit dhe virusit Herpes Simlex (1dhe 2) në gjakun e pacientit. Te gratë shtatzëna është shumë me rëndësi zbulimi me kohë i infeksionit, pasi që është një nga shkaktarët më të shpeshtë të defekteve të lindura të fëmijëve në dëgjim, në të pamur, defekteve neurologjike, të zemrës etj. Besoj se kjo është e mjaftueshme për të kuptuar rëndësinë e bërjes së analizës. Fatmirësisht, krahasuar me vendet e rajoni dhe ato perëndimore, në Kosovë, çmimet e laboratorit janë shumë më të ulëta. Për informatën tuaj TORCH punohet edhe në Institutin e Shëndetit Publik në Prishtinë ku nuk besoj se çmimi është shumë i lartë.


Përshëndetje doktoreshë. A ka ndonjë test laboratorik specifik për caktimin e diagnozës së artritit reumatoid në mënyrë që të ndihmojë diagnozën dhe mjekimin e kësaj sëmundjeje?
Flm.

PËRGJIGJE:
Sipas ACR (kolegjit amerikan të reumatologëve), diagnostifikimi i artritit reumatiod bazohet në disa kritere, të cilat përfshijnë të dhënat e anamnezës, ekzaminimit objektiv-fizik, analizave laboratorike dhe ndryshimeve radiografike.
Diagnostikimin e artritit reumatoid e ndihmojnë një numër testesh laboratorike, ku më specifike janë faktori reumatoid dhe antitrupat anti-CCP (anti-cyclic citrullinated peptide). Antitrupat anti-CCP janë më specifike dhe ndihmojnë diagnostikimin në faza më të hershme por megjithatë një pozitivitet i këtyre testeve nuk garanton diagnozën e artritit reumatoid. Faktorin reumatoid dhe anti-CCP pozitive mund të japin edhe artriti psoriatik, lupusi eritematoz sistemik, sindroma Sjogren, infeksionet virale etj. Gjithashtu mosprania e këtyre antitrupave në serum nuk përjashton mundësinë e artritit reumatoid.
Kështu, testet laboratorike vetëm ndihmojnë në diagnostikimin e artritit rheumatoid. Prandaj, asnjëherë nuk duhet vënë diagnoza e artritit reumatoid bazuar vetëm në këto teste.


Përshëndetje. Jam teknik laborant. Kam një pyetje për doktoreshën. Çka ndodh nëse janë të rritura bilirubina totale dhe direkte.
Shpresoj se do të më përgjigjeni.

PËRGJIGJE:
Rritja e bilirubinave vie si pasojë e prishjes së ekuilibrit midis prodhimit të bilirubinës në organizëm dhe aftësisë së organizmit për ta eliminuar atë. Shkaqet janë të shumta, dhe ato mund të jenë: prehepatike - ku më e shpeshtë është një hiperhemolizë e eritrociteve, hepatike - që mund të jetë ndonjë defekt në metabolizmin e bilirubinës dhe post’hepatike - pasojë e bllokimit të fshikëzës së tëmthit (kolestazës), ku bilirubina e konjuguar-direkte në pamundësi të derdhjes së saj kthehet nga mëlqia në qarkullim. Kështu, varësisht nga shkaku i rritjes së bilirubinës ndyshon edhe rritja e fraksionit direkt apo indirekt. Hierbilirubinemia direkte në përgjithsi shkaktohet nga sëmundjet hepatoqelizore dhe kolestaza intra- apo ekstrahepatike.

Tani, ç’fare ndodh nëse janë të rritura bilirubinat?
Te pacientët me hiperbilirubinemi vërehet një lodhje, ulje e oreksit, ulje e përqendrimit të vëmendjes apo koncentrimit, zverdhje e sklerave dhe lëkurës, kruarje e lëkurës, urinim me ngjyrë të errët dhe ndryshim i ngjyrës së fecesit. Te papajtueshmëritë nënë – fetus të tipit Rhesus rritja enorme e bilirubinës totale dhe pamundësia e konjugimit të saj ( pra rritja e fraksionit indirekt të bilirubinës) në mungesë trajtimi te i posalinduri mund të shkaktojë dëmtime neurologjike të pakthyeshme si ulje të dëgjimit dhe kernikterus.


Doktoreshë e nderuar. Kam një pyetje. A tregon ndonjë analizë laboratorike prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme?
Flm për përgjigjen. Ardiana.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Ardiana. Nuk ka analizë laboratorike deri më tani që do të tregonte prezencën e binjakëve në shtatzëninë e hershme apo edhe më të vonshme. Te nënat me shtatzëni binjake apo të shumëfishta janë vërejtur nivele më të larta të hCG (gonadotropinës korionike humane) dhe AFP (alfa fetoproteinës). Sidoqoftë nuk guxojnë të merren si konfirmuese pasi niveli i hCG varion nga shtatzënia në shtatzëni dhe po ashtu vlera më të larta të hCG kemi edhe te shtatzënitë molare dhe korionkarcinoma, ndërsa të AFP te defektet e tubit neural dhe ezofagut.
Kështu që këto parametra duhet të merren parasysh vetëm atëhere kur përputhen me të dhënat ultrasonografike për shatzëni binjake apo të shumëfishta. Për më tepër mund të ju ndihmojë mjeku obstetër-gjinekolog.


Përshëndetje, ju shkruaj nga Tuzi. Më intereson të di se cilat vlera të gjakut tregojnë prezencën e gurëve në veshka?
Faleminderit për kontributin tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, është e pamundur të bëhet diagnostikimi i pranisë së gurëve në veshkë apo në rrugë urinare vetëm përmes analizave laboratorike të gjakut. Duhen bërë një numër ekzaminimesh deri sa të diagnostikohet prania e gurëve në traktin urinar. Nga ana laboratorike për praninë e gurëvë në veshka apo rrugë urinare duhet dyshuar atëherë kur kemi hematuri (prani të gjakut në urinë) dhe infeksione të shpeshta urinare. Në këto raste gjithsesi duhet parë dhe përcjellur edhe funksioni i veshkave. Ndërkaq sa i përket përbërjes kimike të gurëve mund te orientohemi përmes matjes së shpeshtë të pH-së së urinës, matjes së kalciumit, fosforit, magnezit, uresë dhe acidit urik në gjak dhe urinë, si dhe përmes diferencimit të kujdesshëm të llojit të kristaleve në sedimentin e urinës.


Ç’farë tregon analiza e urinës?

PËRGJIGJE:
Ekzaminimi rutinë laboratorik i urinës kryhet në disa etapa:
- Ekzaminimi makroskopik, ku shihet pamja, ngjyra dhe era e urinës
- Ekzaminimi kimik, ku bëhet përcaktimi i pH-së, peshës specifike, pranisë së proteinave në urinë, glukozës, trupave ketonik, nitriteve, esterazes leukocitare, bilirubinës dhe urobilinogjenit.
-Ekzaminimi mikroskopik, ku në sedimentin e formuar në mikroskop bëhet numërimi i elementeve qelizore (eritociteve, leukociteve dhe qelizave epiteliale), praniëe së baktereve, kristaleve dhe cilindrave të ndryshëm, myshqeve, dhe jargëve.
Të gjitha këto mjekut i japin një pasqyrë të gjendjes dhe funksionit të veshkave dhe rrugëve urinare. Për më shumë, me ndihmën e ca ekzaminimeve shtesë analizat e urinës pasqyrojnë gjendjen e pothuajse të gjithë organizmit.


Doktoreshë, si duhet bërë një analizë urine dhe a duhet pastruar para se ta japim urinën?

PËRGJIGJE:
Për ekzaminimin e urinës preferohet të merret urina e përqendruar e freskët e mëngjesit, por mundet edhe ajo e marrë në kohë të ndryshme. Është mirë që te të rriturit pjesa e parë e urinës të derdhet, në mënyrë që të shpërlahet retra, pra të merret pjesa e mesme e urinës. Marrja duhet bërë në gotë sterile, ndërsa sasia duhet të jetë jo më pak se 10-15 ml. Te gratë urina nuk duhet marrë gjatë ciklit apo menjëherë pas, por duhet pritur të paktën 2-3 ditë pas ciklit. Nëse urina merret në shtëpi, atëherë ajo duhet dërguar në laborator brenda një ore, jo më vonë. Nuk është e domosdoshme të pastrohemi para se ta japim urinën. Sidoqoftë, në rast se pastroheni para se të jepni urinën, atëherë urina duhet marrë pas tharjes në mënyrë që të mos vie deri te hollimi i urinës me ujë.


Pas sa kohe pasi merret urina duhet kryer analiza?

PËRGJIGJE:
Për një analizë rutine të urinës duhet që i gjithë ekzaminimi i urinës të kryhet brenda 2 orëve pas urinimit, pasi që në temperaturën e dhomës vie deri te zhvillimi dhe shumimi i baktereve dhe nëse urina ekzaminohet më vonë do kemi një rezultat fals pozitiv. Ndërkaq, në rastet kur kërkohet ekzaminimi i urinës së grumbulluar gjatë 24 orëve, varësisht nga lloji i analizës që kërkohet të përcaktohet, shpesh është e nevojshme të bëhet konservimi i urinës, të mbahet në temperaturë adekuate ose të mbrohet urina nga veprimi i dritës me qëllim që të pengohet zbërthimi i përbërësve të urinës. Për këtë arsye është e domosdoshme që paraprakisht të konsultohet mjeku Biokimist rreth mënyrës së grumbullimit të urinës.


Kur dyshohet se pacienti ka anemi dhe cilat analiza duhet bërë?

PËRGJIGJE:
Sa herë që një pacient ankohet për lodhje, dobësi trupore, dhembje koke, rrahje të shpeshta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, atëherë duhet dyshuar për një anemi të mundshme. Rëndësi të veçantë ka edhe një anamnezë e hollësishme rreth mënyrës së ushqyerjes, ndonjë gjakderdhje të mundshme, sëmundje inflamatore apo insuficiencë renale, meqë këto janë shkaktarët më të shpeshtë të anemive. Duhet bërë poashtu një ekzaminim fizik i kujdesshëm pasi që të pacientët anemik shpesh vërehet një sheshim i papillave të gjuhës, qarje e këndeve të buzëve, subikter në sklera, fytyra ngjyrë dylli, ndryshime të thonjëve duke u bërë më të hollë, më të sheshtë dhe më të thyeshëm, pastaj një rënie e flokëve dhe një deskuamim i lehtë i lëkurës.
Ndërsa, sa i përket analizave laboratorike, fillimisht duhet bërë një hemogram (pasqyrë gjaku) dhe në të gjitha raste kur është ulur sasia e hemoglobinës, përqendrimi i hematokritit dhe nr i eritrociteve nën normën e moshës së pacientit kemi të bëjmë me anemi. Sa i përket diferencimit të anemive dhe analizave shtesë që duhet bërë, atëherë në orientim ndihmojnë konstantet eritrocitare MCV, MCH, MCHC dhe një strisho periferike të cilat e ndihmojnë mjekun të konstatojë nëse është fjala për një anemi hipokrome mikrocitare, normokrome makrocitare apo normokrome normocitare dhe analizave përkatëse që duhet kërkuar. Kështu, varësisht nga lloji i anemisë, mjeku vlerëson se çfarë duhet kërkuar më tutje. Pra, nëse kemi të bëjmë me një anemi nga mungesë e hekurit, mungesë e vit.B12 dhe acidit folik, një anemi hemolitike apo pasojë e ndonjë sëmundjeje inflamatore, etj.

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Dr. Shpresa Huruglica, Specialiste e Biokimisë klinike
Dr. Shpresa Huruglica, Specialiste e Biokimisë klinike
Dr. Shpresa Huruglica, Specialiste e Biokimisë klinike
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
23:39 / 25.05.2013
Joana

Joana: Ish- i dashuri kërkoi që të ktheheshim bashkë

Njëra nga banoret mjaft të përfolura në edicionin e gjashtë të “Big Brother”, Joana, ka thënë se beson që lidhja e...
Teknologji
17:54 / 25.05.2013
BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

Edicioni i radhës i BarCamp Prishtina, sponsorizuar nga IPKO Foundaiton dhe që është i trembëdhjeti me radhë, me 29 maj 2...
Ekonomi
10:01 / 26.05.2013

Punëtorët nuk i gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë ende nuk respektohen në nivel të kënaqshëm. Kështu thonë punëtorë dhe drejtues t...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.