Dr. Teuta Sejdiu Hasbahta, pediatër, neonatologe
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.
Përshëndetje për doktoreshën e nderuar. Djali im 8 muajsh peshon 11kg, e ushqej me gji vetëm natën edhe në mbrëmje, sepse ditën punoj. Gjatë ditës han ushqim të HIPP-it, supë, ushqim të përgatitur. Qumësht me shishe nuk i jap, vetëm çka ia përgatis. A ka ndonjë rrezik që nuk japi qumësht fëmijës gjatë ditës.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Së pari ju jap komplimente lidhur me vlerësimin tuaj të të dhënit gji! Fëmija juaj i takon në bazë të peshës dhe moshës grupit në mbi mesataren. Poashtu mund të ju uroj në gjidhënien e suksesshme. Sa i përket asaj se a i mjafton qumështi i gjirit vetëm natën, unë do të komentoja kështu:
- nëse fëmija juaj ka meny ditore të pasur dhe të larmishme (qullna perimesh, supë mishi, qullura pemësh, jogurt, djathë të freskët, desertë të përgatitur me qumësht si psh. puding, qull me keksë të bluar), unë mendoj se keni plotësisht të drejtë që nuk i ofroni qumësht shtesë me ''shishe'', por ndoshta kishte qenë mirë ngadalë (pas moshës njëvjeçare) ta mësoni fëmijën tuaj të pijë edhe qumësht 1-2 herë në ditë nga një gotë. Pra, mësojeni të pijë më.
Edhe një herë, ju përgëzoj që rrisni një fëmijë të shëndoshë me përkushtim.
Përshëndetje.
Përshëndetje. Çka është dg.insuficio VM et VT coartio aorte, stenoza bil, gajden?
PËRGJIGJE:
Diagnozat e shënuara nga ana Juaj flasin për anomali kongjenitale të zemrës (anomali e lindur) ,e ndoshta do duhej të korrigjoja ato shkrimi jo korrekt)!
Dg.Insuffitientio VM (valvulae mitralis ) et VT (valvulae tricuspidalis); Coarctatio aortae; Stenosis?
Pra, këto janë diagnoza, besoj të vendosura nga ana e kardiologut (besoj me anë të ultrazërit), por për sqarime, do duhej ato t'i kërkonit nga kardiologu. Besoj se do të hasni në mirëkuptim.
Shkalla e sëmundjes varet shumë nga shkalla e insuficiencës së valvulave si dhe nga shkalla e stenozës apo ngushtimit të aortës!
Më vjen keq që nuk munda të ju ndihmoj më shumë.
Përshëndetje doktoreshë. Unë kam një djalë i cili për 9 ditë mbush 4 muaj. Pesha e lindjes (3.150, gjatësi: 51 cm). Tani peshon 6.200kg, i gjatë 64 cm, perimetri i kokës, 42.5. Pjesa poshtë syve, është pak e fryrë. Analizat e urinës kanë dalë mirë. Fëmija ushqehet me qumësht Almiron, më parë donte të pinte, kurse tani, herë pas here. Masa që ia përgatis është 180ml, të cilin e pi me dy pushime. Në ditë pi rreth 800-900 ml. Mund të më thoni, sa herë duhet të pi dhe a ka ndonjë problem që e merr ushqimin me ndërprerje? Tjetër, kam vënë re se kur zgjohet në mëngjes ose dhe ndonjëherë gjatë ditës, duart i ka të djersitura. 4 Jam në pritje të përgjigjes suaj.
Flm dhe ju uroj gjithë të mirat.
PËRGJIGJE:
Ju përshëndes dhe ju uroj për një foshnjë mirë të zhvilluar. Sa i përket peshës trupore, mund t’ju them se është një shtim në peshë shumë i mirë , ndërsa sa i përket perimetrit të kokës, më rëndësi është matja korrekte si dhe perimetri i kokës pas lindjes, sepse mund të jetë konstitucionale (kokë më e madhe). Poashtu, me rëndësi është edhe fontanella e madhe si dhe ajo e vogël (dimensionet), andaj mendoj se nuk keni pse të brengoseni. Sa i përket ënjtjes apo fryerjes “poshtë syrit “, mendoj se nuk ka vend për brengosje, sepse te foshnja e juaj në këtë moshë, ënjtja e syve nuk është simptomë e ndonjë infeksioni apo problemi urinar si te fëmijët më të rritur. Djersitja e duarve dhe e kokës mund të jetë shenjë e deficitit të vitaminës D, por në moshën e foshnjës suaj nuk bëhet fjale për këtë, andaj mendoj se duhet të kontrolloni temperaturën e mjedisit si dhe mënyrën e veshjes, e natyrisht suplementimi i vitaminës D, do duhej të jepej qysh pas dy javësh pas lindjes. Besoj se jeni duke i dhënë pikat AD3. Në fund, më vjen mirë për pyetjet dhe këshillat që i kërkoni, jeni një nënë e kujdesshme, por mendoj se nuk ka vend për shqetësim.
Përshëndetje.
E dashura dr. Teuta. Shpresoj të jeni mirë. Djali i motrës sime ka lindur me peshë 4 kg. Tani ka 6 javë e gjysme, peshon 5 ,250 kg. Deri në javën e gjashtë është ushqyer me qumësht pluhur, Bebelac, për shkak se motra nuk kishte qumësht gjiri fare. Djali pinte shumë mirë 60 ml çdo 2 orë dhe shtonte në peshë shumë mirë, mirëpo qante shumë gjatë pirjes së qumështit dhe kështu menduam t’ia ndërronim qumështin në Aptamil, për t’ia qetësuar dhimbjet e barkut (mendonim dhe e kemi konstatuar që e kishte nga qumështi Bebelac, për shkak të sasisë së madhe të laktozës). Pasi që kishte ngërçe shumë kemi përdorur edhe pika Espumisan. Në javën e 6-të, kur ia ka ndërruar qumështin, mirëpo jo menjëherë (gradualisht disa racione qumësht Beblac, e disa qumësht Aptamil që të mos ketë barkqitje). Kështu e kishte udhëzuar farmacistja. Djali, më dëshirë nuk e pi asnjërin qumësht, përveç kur është shumë i uritur, pi diku 50 ml çdo 3 orë (jo si më parë, çdo 2 orë).
Doktoreshë, ju lutem, na tregoni se çfarë të bëjmë?
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE:
Përshëndetjet e mija. Mendoj se pakëz e keni tepruar me zgjidhjen e formulës qumështore. Fatkeqësisht, motra e juaj ka humbur qumështin e gjirit, por megjithatë formulat qumështore mund të jenë një zëvendësim optimal. Së pari, mendoj se qumështi në rastin e foshnjës suaj nuk është fajtor për “ngërçet” e barkut. Me të vërtetë formulat qumështore me sasi të vogël të laktozës mund të ndihmojnë, por nuk është e gjitha në formulën e qumështit. Mirë do të ishte të informoheshit më shumë për “ngërçet e barkut“ lidhur me masazhet e barkut të foshnjës, mbajtja adekuate e foshnjës pas të ushqyerit (pozita), teknika e të ushqyerit, etj. Unë ju preferoj të mos ndërroni formula qumështore menjëherë, apo edhe të kombinoni. Arsyeja është se mund të shkaktoni neveri te foshnja (shija, konsistenca mund të jetë e ndryshme), prandaj mendoj se do duhej të mbeteni në një formulë qumështore dhe të përcillni sasinë për racion (100-15o ml për racion / 8 racione) dhe poashtu të përcillet pesha trupore. Shpresoj se keni ngelur e kënaqur.
Përshëndetje.
Përshëndetje doktoreshë. Ju përgëzoj për punën që bëni. Kam vajzën 7 muajshe dhe ka lindur 3.220gr, tani peshon 8.200. E ushqej me qumësht gjiri dhe shtesa. Ia kam bërë analizat, hemoglobina i ka dalë 140. A është mirë dhe qysh se ka lindur lëkurën e fytyrës e ka pak sa më të thatë dhe të vrazhdë. Ka përdorur pavloderm, esperson mite dhe një losion mustella stella topia. Kur e pastroj me sapun lëkura i bëhet më e vrazhdë, por edhe me shampon Johnsons. Çfarë më këshilloni ju. Ju përshëndes dhe e pres përgjigjen tuaj sa më parë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetjet e mija dhe komplimentet e mija lidhur me rritjen dhe kujdesin që keni ndaj fëmijës suaj. Në bazë të grafikonit të rritjes (për djem), fëmija juaj i takon mesatares (percentila 50) dhe ka një rritje kontinuele qysh prej lindjes. Mirë që e ushqeni me qumësht gjiri dhe ushqim shtesë (por nuk e di se a bëhet fjalë për qumësht shtesë apo qullna pemësh dhe perimesh!) .Sa i përket vlerave të Hbl ( hemoglobinës) janë normale, ndërsa sa i përket ndryshimeve në lëkurë si duket bëhet fjalë për ndonjë dermatit atopik apo ekcematoid (nuk jam e sigurt) në bazë të terapisë që e keni shënuar. Kjo mund të jetë shpesh rezistente në trajtim, por poashtu dinë të kenë faza të qeta dhe të egzacerbimit (keqësimit). Por, gjithsesi ndihmon toaleti i lëkurës me mjedis neutral (pH -5.5 ) dhe yndyrna vitaminoze kur nuk kemi ndryshime të shprehura në lëkurë. Por, duhet konsultuar dermatologu dosido.
Shpresoj se keni ngelur e kënaqur. Përshëndetjet e mia.
Të përshëndes dr Teuta. Kam në pyetje për djalin dhe një për vajzën.
Djali im sot ka 6 vjet e gjysmë. Sa ka qenë i vogël ka pas bronkit. Qe 3 vjet është mirë. Çdo vit e dërgojmë në deti, afër detit. Vajza i ka 2 vjet e gjysmë, peshon 11kg. Për moshën e saj, pesha është e vogël. Dua t’ju pyes, sa herë që mban ftohtë, vajza fiton bronkit. A duhet dhënë vajzës vaksinën kundër gripit, sepse është shumë e ideshme edhe në grip. Të dy fëmijët janë të ndiesh shumë edhe ndaj bajameve, i kanë të rritura. Sa herë që shkoj te mjeku, ai përshkruan antibitik amoksicilin. Sa është i dëmshëm antibiotiku në këtë rast? Të përshëndes shumë dhe pres përgjigje, sepse jam e brengosur shumë. Vali.
PËRGJIGJE:
Unë mendoj se te fëmijët tuaj kemi të bëjmë me të ashtuquajturin'' Hiperreaktivitet i trungut bronkial'' , i cili paraqitet si pasojë e reagimit ndaj disa agjensëve të huaj (virus, ajri i papastër, tymi i duhanit, mjegulla etj). Zakonisht ky reagim i bronkeve në formë të spazmave (fishkllimave në gjoks), ndaj agjentëve të jashtëm ka edhe një bazë konstitucionale gjenetike hiperreaktive (alergjike). Prandaj, kjo mund të sqaroj problemet e dy fëmijëve tuaj qysh në vitin e parë të jetës.
Po, Ju a keni pasur probleme në fëmijërinë tuaj?
Gjithsesi, unë mendoj se këto probleme mund të rrallohen me kalimin e kohës, por ndjeshmëria ende ekziston, andaj do duhej të kishit kujdes në ajrin e pastër (siç po e bëni me pushimet në deti ,mirë do të ishte edhe në bjeshkë), pa tym duhani, ushqim i freskët me plot vitamina (që ngritin imunitetin, etj.)
Sa i përket peshës së vajzës suaj, në bazë të grafikonit të rritjes për vajza, ajo i takon grupit nën mesatare (percentila 25), por unë mendoj se me të vërtetë fëmijët që kanë probleme me bajame të rritura dhe shpesh të pezmatuara, kanë probleme edhe me të ushqyerit. Sa i përket trajtimit të ''bajameve '' ato duhet trajtuar nëse kemi të bëjmë me ndonjë infeksion bakterial, e nëse kjo ndodh shpesh atëherë duhet shpesh të kontrollohet edhe strishoja e fytit dhe e hundës. Por, prapë se prapë, duhet konsultuar edhe specialisti i ORL-së për fëmijë.
Përshëndetjet e mija dhe shpresoj se këshillat dhe informatat që ju dhashë, sado pak ju kanë ndihmuar.
Përshëndetje doktoreshë. Fëmija im është 8 muajsh, para dy muajsh e me tepër ka një koll dhe një skuqje në mollëzat e faqeve. Pediatri ka dhënë mendim se nuk ka bronhitis, por ka predispozita të sëmuret, ngase, sipas tij, kjo skuqje e mollëzave të faqeve qenka që nga lindja e fëmijës!?
Mjeku pediatër i fëmijës tim ka dhënë këtë diagnozë: dermatitis atopica dhe ka shkruar këtë terapi: Sir. Aloprol, çdo 8 orë 3 ditë, Sir.Broncobalsamina 3x5 ml, sipas nevoje, pak më gjatë se 1 javë dhe yndyrën Kuterid G 1x 2-3 ditë.
Ju lutem, të më tregoni çfarë sëmundje është kjo, çka mendoni ju dhe si mund të më këshilloni për hapat e mëtutjeshëm për shërimin e fëmijës tim.
Ju përshëndet nëna e brengosur.
PËRGJIGJE:
Përshëndetjet e mija. Së pari do ju këshilloja që mos ta merrni si shumë tragjike ,por Dermatiti atopik me të vërtetë është mjaft rezistent në trajtim (trajtohet por edhe përsëritet). Paraqitja e një Dermatiti atopik e sidomos në moshën e djalit tuaj nuk është e këndshme, sepse ajo mund të jetë edhe si pasojë e një konstitucioni hiperreaktiv (alergjik) dhe duhet patur kujdes në ndieshmërinë edhe të trungut bronkial (Bronkitet e shpeshta), por prapë nuk do të thotë. Duhet ditur mirë anamneza familjare (paraqitja e problemeve të lëkurës te prindërit, fëmijët tjerë) por, megjithatë, trajtimin dhe konsultën do ja lija Dermatologëve. Andaj ju preferoj konsultën e Dermatologut. Përshëndetje.
Përshëndetje për juve redaksi dhe Dr Teuta. Kam djalin 2 vjet e 10 muaj. Në Kosovë kur kam qenë, ia kam bërë analizën e fecesit dhe i kanë dalë bubat në bark, nuk më kujtohen lloji i tyre, vetëm se e di që mjeku më ka thënë se janë të rralla ky lloj. Ka përdorë ilaç çdo gjashtë muaj, por as ky ilaq për momentin nuk më kujtohet. Për momentin ai është i sëmurë nga bubat, te lutem doktoreshë të më tregoni se çfarë ilaçi ta përdori dhe a mund të pastrohet krejtësisht nga këto buba. Jam shumë e brengosur pse po i lajmërohen po thuajse çdo 6 muaj. Dhe, sa janë të rrezikshme?
PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, më vjen keq se ndoshta nuk do të mund të ju ndihmoj, por me të vërtetë do më duhej ta dija sigurtë se qfarë ‘’bubash’’ janë ato ( parazite – Giardia lamblia, Ascaris lumbricoides apo Enterobius vermikularis) që kanë qenë dhe janë izoluar prapë. Por, unë mendoj se do të duhej të bisedoni me mjekun e juaj të familjes në Gjermani lidhur me këtë dhe me rezultatet e analizave të kryera (nëse i keni bërë ato), siç janë analiza e fecesit në parazite dhe koprokultura . Më vjen keq që nuk ju ndihmova ashtu si kërkuat, por ju kisha lutur të bisedoni me mjekun tuaj.
Përshëndetje.
Përshëndetje doktoreshë. Kam një vajzë 14 muajshe, peshon 11kg dhe gjatësi 82cm, gjithçka është ne rregull me shëndetin e saj, por ka një shenjë në anën e djathtë mbi vetull. Mjekët i thonë se janë enët e gjakut jashtë, mirë po kur ka lindur e ka pasur vetëm një pikë shumë të vogël sa mezi vërehej, por duke u rritur vajza, pika rritej derisa i ka bërë 9 muaj, pastaj filloi të zvogëlohet, por shumë pak. Mjekët thonë se derisa t’i bën 4 vjet, do të zhduket krejt pika (shenja).
Dëshiroj ta marr edhe mendimin tënd.
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Ju përshëndes zonjë. Fillimisht ju përgëzoj për një fëmijë të shëndoshë dhe të zhvilluar mirë (pesha dhe gjatësia). Sa i përket “shenjës “ si e kuptova , mund të jetë fjala për ndonjë hemangiomë, apo mos gabohem. Ndoshta do të ishte mirë të dija më shumë për konsultat që i keni bërë më herët, por prapë se prapë mendoj se nuk është aq serioze, por mundeni ta konsultoni edhe dermatologun , kirurgun vaskularë si dhe kirurgun plastik.
Më vjen keq nëse nuk ju kam ndihmuar aq sa keni pritur.
Jetojmë në Belgjikë, duam t’ju pyesim në lidhje me shëndetit e djalit tonë. Kam binjakë, vajzë dhe djalë. Vajza ka lindur 2.390gr, kurse djali 2.380gr. Gjatë rritjes, vajza ka 11 kg, kurse djali 10kg, tash i kanë 2 vite të plota. I kam ushqyer me gji vetëm 3 javë dhe nuk kam pasur forcë të vazhdoj më shumë ngase edhe unë nuk isha e shëndetshme nga lodhja e shtatzënisë dhe operacioni cezarian. Fillova me qumësht pluhur, ushqime perime, me peshk dhe mish të bardhë të pulës, supa me karfiol, purri, spinaq, karota dhe patate çdo ditë, kurse tjerat në ndërrim, pemë, mollë, ananas, etj. Djali po vuan nga kapsllëku, ka pasë gjakderdhje nga zorra. Tre ditë ia bën pastrimin e zorrëve me infuzione në spital dhe i dhanë ushqim dietal. Tre muaj e kam ushqyer vetëm me ushqimet e cekura, por mjekët kanë gjetur yndyrë të madhe të kajmakut në zorrë dhe zorra e trash e shkatërruar, e plasaritur përbrenda. Këto trajtime i ka bërë në moshën 10 muajshe. Tash i japi ushqim të rregullt, ama disi nuk han sa duhet, kurse vajza duket shumë më e shëndetshme, e gjatë edhepse një kg. kanë diferencë.
Si prind na ngacmon e kaluara, djali mban syze që nga mosha njëvjeçe, jemi shumë të brengosur për të.
Ju përshëndesim.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Edhepse më keni dërguar disa të dhëna, ato janë jo komplete. Së pari do duhej të më tregonit kur keni filluar me ushqimin shtesë. Kjo është mjaft me rëndësi sepse ushqimi shtesë, lloji i tij varet edhe nga mosha. Menyja jo adekuate për moshën, ndonjëherë mund të shkaktoj ndryshime tek fëmijët me traktin digjestiv të "ndjeshëm". Sidoqoftë, mendoj se fëmija juaj do duhej të ekzaminohej nga ana e gastroenterologut pediatër si dhe kirurgu i fëmijëve.
Ju përshëndes dhe më vjen keq nëse nuk keni ngelur të kënaqur me përgjigje.
Përshëndetje, e kam vajzën 2 vjeçe. Qe 4 javë e ka pas Varichellen (lijen e ujit), por jam shumë e shqetësuar, sepse pas qëndrimit dy javor me vajzën në Klinikën infektive për shkak të temperaturës së lartë, vajzë ende nuk i janë shëruar puçrrat, ende ka edhe kruarje. Kur bëhet nervoze, i kuqen edhe më shumë shenjat dhe për këtë jam shumë e shqetësuar. Më kanë propozuar shurup Flonidan për zvogëlimin e kruarjes.
Ju përshëndes. Gjithë të mirat.
PËRGJIGJE:
E kuptoj shqetësimin tuaj, por mendoj se mirë që vogëlushja juaj ka kaluar këtë sëmundje infektive e cila din të jetë mjaft e rëndë dhe që kërkon trajtim hospitalor.
Sa i përket ndryshimeve në lëkurë - puçrrave, është e vërtetë se mund të mbesin shenja - vragë, por me rëndësi është që mos të kruhen (gjë e vështirë për fëmiun e vogël si vajza juaj) në mënyrë që mos të hiqet "dregëza" apo edhe mos të vie deri te ndonjë infeksion sekondar, sepse atë herë do të dëmtohej shtresa e lëkurës për herë të dytë. Kështu, mirë që është ordinuar shurupi antipruritik (Flonidan), por shpresoj se ju është përshkruar edhe ndonjë krem apo përgatitje magjistrale nga ana e dermatologut që ndihmon tharjen dhe epitelizimin e lëkurës. Në treg ekzistojnë kremra të ndryshme epitelizuese, por prapë mendoj se do duhej të konsultoni dermatologun .
Unë mendoj se nëse nuk ka ardhë te ndonjë infeksion dytësor i puçrrave si dhe nëse nuk janë larguar me kruarje dregëzat, edhepse janë tani të kuqe, me përdorimin e kremrave apo yndyrave që ndihmojnë epitelizimin, me kohë do të bëhen të bardha (humbin ngjyrën e kuqe) dhe lëkura do të mbetet pa shenja, por kuptohet kjo kërkon kohë dhe mendoj se nuk ka arsye të jeni e shqetësuar.
Shpresoj se sado pak ju ka ndihmuar këshilla ime.
Ju përshëndes.
Përshëndetje. E nderuara doktoreshë, kam një brengë shumë të madhe. E kam djalin 10 muaj mbas pesë muajve e pat një ftohje të vogël. Unë mendova që ka grip. E vizitova te pediatri që më tha se është grip. Përdori një terapi të lehtë dhe i kaloi. Mbas 10 ditëve prapë filluan hunët t’i zihen, por pas terapisë sërish i kaloi. Kështu me mjekim në shtëpi kam vazhduar gati një muaj deri sa më preferoj pediatri ta dërgoj në spital ku kam qëndruar gati tri javë se filloi edhe frymëmarrja t’i vështirësohet. Në spital më thanë se ka marrë ndezje të mushkërive edhe më kanë preferuar se mirë është ta bëjë testin e djersitjes se po dyshojnë në sëmundjen e Fibrozes Cistice.
Djali ka lind me peshë 2600 kg e tani i ka 8100kg, han, jashtëqitjet i ka tri-katër herë në ditë.
Të lutem doktoreshë, më trego gjerësisht për këtë sëmundje?
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ju kuptoj për shqetësimin tuaj dhe do të mundohem sado pak t’ju ndihmoj.
Së pari, mund të them se djali juaj ka një lakore zhvillimi bazuar në peshën trupore kontinuele pa ngecje. Kjo është me rëndësi, sepse ky fakt ngec te fëmijët me fibrozë cistike (sidomos format e rënda) për shkak të problemeve gastrointestinale aoa traktit të tretjes; problemet munden të jenë edhe pulmonare apo mushkërore (bronkite të shpeshta, pneumoni, etj.) për shkak të mungesës gjenetike të enzimave përgjegjëse për "hollimin" e sekretit bronkial, i cili është i shtuar tek inflamimet mushkërore. Por, mendoj se nuk do duhej shumë të shqetësoheni sepse nuk do të thotë që një fëmijë që ka më shpesh bronkite apo etj. është edhe i sëmurë nga kjo sëmundje.
Prandaj, propozimi i pediatrit për analizën e Klorit në djersë, mendoj se nuk do duhej të ju shqetësoj, por, mendimi im do të ishte ta kryeni këtë analizë (nuk është as e shtrenjtë dhe është e lehtë për tu realizuar) ashtu që të rehatoheni edhe ju.
Edhe një gjë , kjo analizë nuk është e sigurt, por nëse është e dyshimtë, atëherë ju kisha propozuar për analizën gjenetike të ADN-it për Fibrozë cistike, e cila do të sqaronte çdo gjë.
Por, prapë mendoj se nuk keni pse të shqetësoheni shumë.
Shpresoj se këshilla ime ju ka lehtësuar sado pak.
Përshëndetje.
Kam djalin 21 muajsh i cili peshon 13 kg e gjysmë. E ushqej me ushqime çfarë përgatisim zakonisht për te gjithë familjen, që do te thotë ushqim normal; sallatat i refuzon e po ashtu edhe pemët, për çfarë edhe brengosem. Han vetëm bananen duke ia përzier me jogurt 1,5% d.m.th një banane në ditë, pemë tjera nuk merr edhe pse në fillim deri në moshën 8 muaj ka ngrënë rregullisht pemë të gatshme nga Hipp. Nga lëngjet vetëm ujë përdorë, ndërsa gjatë natës 300 deri në 400 ml qumësht normal, supë gjatë ditës, çaj dhe lëng pemësh nuk i dëshiron.
Ju lutem, më tregoni se a e ushqej në mënyrë të rregullt. Tjetra, që nga fillimi i prillit ka kollë dhe hundët i rrjedhin pa ngjyrë dhe sekret me ngjyrë të gjelbër. Në fillim kemi përdorur antibiotikë për 6 ditë, por filloj barkqitja dhe vjellja, gjë për të cilat u desh ta ndërpresim terapinë 4 dite pa përfunduar. Pas kësaj filluam me medikamente për bark-qitje dhe vjellje. Pas përmirësimit nga barkqitja për kollë përdorëm akut cc për dy javë, gjithmonë me rekomandimin e mjekut, por pa përmirësim. Pas vizitës pasuese, mjeku na rekomandoi fotografimin e mushkërive ku edhe ishte gjithçka në rregull, duke na thënë të vazhdojmë me akut cc edhe për një javë tjetër. Tash që 5 ditë kemi ndaluar me akut cc, por kolli dhe hundët akoma nuk janë përmirësuar.
Nuk di çfarë të bëj! Ju lutem, ku mendoni se është problemi dhe çka më rekomandoni?
A mos ndoshta është mire të vazhdojmë me antibiotikë, edhe pse kam frikë nga barkqitja, sepse për pesë ditë nuk iu ka ndaluar, deri sa është lodhur fëmija.
Me respekt.
Ju lutem, për një përgjigje më të shpejtë.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Fillimisht mendoj se fëmija juaj 21 muajsh me 13 kg kategorizohet në kufirin e poshtëm të mesatares. Mirë që ushqehet me ushqim të përgatitur për të rritur , por mendoj se nuk është e arsyeshme që fëmija i juaj të merr 500 ml qumësht brenda natës. Më mirë është që ky qumësht t’i jepet brenda ditës me keks, si puding apo thjesht me bukë - përshesh sesa brenda natës, sepse kjo i zvogëlon oreksin dhe fëmija juaj nuk donë të marrë gjëra të tjera. Mundohuni pra, që qumështi të zëvendësohet më shumë me produktet e tij si kosi, djathi, djathi i butë për lyerje, etj.
Sa i përket pemëve, mendoj se do të duhej ndoshta të provoni me komposto mollash, lëngun e portokallit, por prapë ajo do të jetë në dëshirën e fëmijës. Por, mendoj se më mirë është të mos insistoni, jepini preparate vitaminoze, perimet në formë të zier (gjella) dhe zvogëloni sasinë e qumështit, sidomos natën.
Sa i përket sekrecionit nga hunda, pasi që shpesh po i përsëriten, ju preferoj që t’i bëni një strisho të hundës dhe fytit dhe një vizitë te Otorinolaringologu. Mendoj se përdorimi i antibiotikëve nëse fëmija nuk ka temperaturë dhe pezmatim gryke, është i paarsyeshëm. Përshëndetje dhe shpresoj se sado pak iu kam ndihmuar.
Përshëndetje doktoreshë Teuta. Kam nevojë për këshillën tuaj lidhur me disa gjëra që më shqetësojnë tek foshnja ime. Më 28, ai mbush plot 5 muaj dhe deri më tani rritja e tij, zhvillimi trupor dhe shtimi në peshë është brenda normave siç ka vërejtur mjekia pediatër që e ndjek. Ende nuk e kam peshuar për ketë muaj, ndaj po ju jap peshën kur ishte 4 muajsh - 7.1 kg me një gjatësi 65 cm ( pesha ne lindje 3.00 dhe gjatësia 50 cm).
Ne kemi vënë re që penisi i tij është pak më i vogël se normalja dhe pediatria mendoi se ai mund të ketë fimozë, ndaj e çuam tek një kirurg i cili na tha të masazhonim lëkurën e penisit që të dalë koka jashtë. Nuk po shohim ende ndonjë përmirësim me ketë metode manuale dhe mundësinë e rreth-prerjes kirurgu nuk e vlerësoi të afërt, por ndoshta, pasi të mbushë 1 vjet. I bëmë edhe një vizitë tek endokrinologia, e cila tha se penisi i tij ka pak nevojë për ndihmë (është 3cm) dhe këshilloi t’i jepet 25 mg hormon, vetëm njëherë. Ende nuk e kam bërë në fakt se po ngurroj mos ka ndonjë efekt.
Së dyti. Në një vizite tek ortopedia, në pamje të parë u duk në rregull zhvillimi i gjymtyrëve të poshtme, por nga grafia vumë re qe ende nuk ishin formuar tek bacini dy bërthama kockore që nuk i kujtoj emrat e tyre e që sipas saj tek foshnjat shfaqen që në moshën 3 muajsh. Më ka këshilluar që të përdor vitaminë D3 me përqindje të lartë kalciumi, ndërkohë që vazhdoj ta ushqej me gji duke e kombinuar ndonjëherë me lëng molle e karote dhe pak jogurt.
Së treti. Pavarësisht se kam kërkuar informata në internet, nuk kam gjetur ende një përgjigje. Do të doja të dija kur nisin të qajnë foshnjat me lot? E vë re me kujdes tim bir kur qan e nuk i rrjedhin lotët. A mund tëe ketë kjo të bëjë me një bllokim të kanalit të syve apo me keq tharje të lëngut të syrit? Ai nuk ka kruarje të shpeshta të syve, veç kur i flihet gjumë, as nuk ka skuqje të syve Duket që ka shikim të mirë në largësi dhe objektet i ndjek me vëmendje, ngjyrat e tërheqin; nuk vërej as ndonjë malformim të bebes së syrit, etj. Megjithatë, më shqetëson fakti që nuk shoh t’i rrjedhin lotët. Ndoshta ai nuk ka bërë ndonjë të qarë të thelle a të ketë pasur ndonjë dhimbje të madhe. A është normale kjo? Kur qan ne përpiqemi të kënaqim nevojat e tij, t’i bëjmë shoqëri e ta argëtojmë, e ndoshta kjo e ka penguar "të qajë me lot"?
Pres një përgjigje nga ju me ankth dhe ju uroj punë të mbarë duke ju falënderuar për kohën që na kushtoni.
Armela
PËRGJIGJE:
Përshëndetje Armela. Nga pyetjet dhe parashtrimi i problemeve, shoh se keni një edukatë të mirë shëndetësore dhe që jeni një nënë mjaft e kujdesshme. Do të mundohem që t’ju ndihmoj aq sa mundem.
Së pari, sa i përket problemit të ashtuquajturës parafimozës, problem ky kirurgjik, mendoj se duhet të konsultoheni me kirurgun e fëmijëve, por unë mendoj se nëse fëmija juaj ka probleme (infeksione urinare, skuqje të lëkurës penile dhe probleme, djegie gjatë urinimit) do duhej të intervenohej edhe para moshës një vjeçare. Nuk mendoj se ka problem, për shkak se cirkumcizioni (synetia) mund të bëhet edhe te i porsalinduri (disa vende) , ndërsa masazhi apo edhe tërheqja e lëkurës mund të sjell edhe deri te irritimi apo edhe pakëndshmëria tek djali juaj;
Së dyti, sa i përket gjatësisë nuk mund të them asgjë, por nuk më duket e arsyeshme dhe shumë e rëndësishme (sepse djali juaj ka një peshë mjaft të mirë) gjatësia. Më i rëndësishëm është ekzaminimi i testikujve, por para se të marrësh ndonjë hap të sugjeroj të konsultosh kirurgun e fëmijëve, e tek e fundit mendoj se problemet zgjidhen nëse djalit tuaj i bëhet një status hormonal. Nuk e shoh të arsyeshme ordinimin e hormoneve pa status hormonal dhe ekzaminime më të hollësishme nëse është nevoja.
Së treti, sa i përket brengosjes nga të qarit pa lot, mendoj se nuk është e arsyeshme, sepse nëse kanalet e lotit do të ishin të mbyllura, atëherë përkundrazi do kishte rrjedhje loti të vazhdueshme, ndërsa po mos të prodhoheshin lotët atëherë djali juaj do të kishte probleme si tharje e konjunktivës, skuqje etj, por do ju kisha këshilluar të konsultoni oftalmologun, edhe pse mendoj se djali juaj nuk qan me lot se nuk ka arsye të qaj me lot. Shpresoj se sado pak ju orientova dhe ju ndihmova. Përshëndetje.
Përshëndetje doktoreshë. Kam djalin 13 muajsh, peshon 11kg, që kur ka qen 4 muajsh, ka probleme me sekret në fyt (këlbazë). I kam dhënë disa lloje te shurupeve, Abrolen, Aloprol, inhalim, me udhëzim te mjekut, mirëpo, pa sukses. Sekretin e ka vazhdimisht, vetëm kur të kthen pastrohet pakëz, mirëpo prapë i përsëritet shpesh. Ky sekret po ndikon edhe në ushqim sepse nuk po han . Mjeku i ka dhënë shurup Sanostol+hekur, pasi është pak anemik, porse sekreti e mundon çdo herë.
Nëse ka ndonjë zgjidhje, pres përgjigjen tuaj.
Faleminderit!
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Do të mundohem të të përgjigjem në pyetjen tënde e cila do të jetë më shumë në formë të këshillës . Së pari, po e shoh se fëmija juaj ka një peshë të mirë për moshën (edhe pse nuk kam të dhëna për peshën e lindjes) dhe, poashtu, është e qartë që keni kërkuar ndihmë mjekësore, por simptomatologjia (shenjat - sekreti në fyt) nuk mjafton që të vijë deri në ndonjë përfundim serioz. Nëse fëmija yt ka marrë trajtimin e lartshënuar (Aloprol , inhalim) që është tretman medikamentoz te Bronkiti (inflamimi i rrugëve të frymëmarrjes), prezenca e sekretit apo këlbazës në rrugët e sipërme të frymëmarrjes është e arsyeshme. Kjo trajtohet me shurupe të ndryshëm me natyrë bimore për zbutjen e sekretit (natyrisht edhe trajtimi i bronkitit ekzistues), por duhet të keni parasysh që shumë me rëndësi është edhe dhënia e çajeve bimorë (kamomili dhe menta) me një lugë mjaltë së paku, dy herë në ditë, pastaj supë të ngrohtë dhe kompot molle (mollë e zier). Nëse djali i juaj me të vërtetë nuk ka oreks të mirë, preparatet multivitaminoze mund të ndihmojnë, por mendoj se duhet t’i kushtoni rëndësi ushqimit i cili do duhej të jetë i pasur me vitamina (pemë, perime) si dhe lëngje më shumë. Shpresoj se sado pak të kam ndihmuar, por mendoj se këlbaza nuk është problem i madh pasi që sekrecioni i shtuar është edhe një reaksion mbrojtës i trungut bronkial ndaj inflamimeve të ndryshme, por duhet natyrisht të eliminohet qoftë me kollitje, vjellje (tek fëmijët më të vogël ) por edhe me jashtëqitje.
Jam një nënë e dy vajzave, 5 vjeç dhe një vjeç. Vajza e dytë peshon 7.6 kg, ka gjatësi 76 cm, ushqehet me qumësht artificial nga mosha 6 mujore dhe ushqime plotësuese të lëngshme. Ka një muaj e gjysme që i jap vajzës pika Purevit (multivitamina), 16 pika në ditë (2 herë nga 8 pika). Analiza e hemoglobinës është 88 (e ulët), parametrat tjerë i ka në rregull. Ka një muaj që në gjoksin e vajzës (regjioni prekordial, në nivel të mamilles së majtë), vërej pika të vogla gjaku që i shoh shumë mirë në ndërresa të bardha, ndërsa në lëkurë, s’ka veçori fare. Dmth, brenda 2 ose 3 dite, bëhen diku 6 pika të vogla gjaku. Jam bërë merak shumë doktoreshë, pasi nuk mora ndonjë mendim nga mjeku që e vizitoj vajzën,mendova t’ju drejtohem juve, pasi ju keni më shumë qasje në botën e internetit apo me gjëra më të pazakonshme.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. E kuptoj fare mirë shqetësimin tuaj, por me të vërtetë nuk mund të përmbledh dhe definoj problemin nëse nuk e shoh vajzën tuaj, por pasi shihet se është një anemi, (hemoglobini 88), unë ju kisha preferuar një vizitë tek pediatri- hematolog për një përpunim laboratorik më të hollësishëm. Më vjen keq që nuk munda t’ju ndihmoj, por mendoj se duhet ekzaminim i kujdesshëm, sidomos i mamillave. Përshëndetje.
Përshëndetje dr. Teuta. Jemi një familje nga Kosova, jetojmë në Gjermani. Unë jam 40 vjeçar, kurse gruaja 35 vjeçe. Kemi një foshnje 5 javësh dhe gjithçka ishte në rregull deri sa foshnjës filloi t’i mbetet në fyt qumështi, çaji apo uji. Mirëpo, tash kemi edhe një problem më shumë, sepse foshnjës në gjumë, nuk e dimë se a i kthehet ushqimi apo se ka pengesa në frymëmarrje dhe duhet t’i rrimë gati se ka shenja se diçka po gulfat apo nuk po mund të marrë frymë si duhet (dhe këtë shpesh). Ne ishim këtu në Gjermani në një klinikë për fëmijë me foshnjën. Mjeku tha se nuk vëren asgjë të dyshimtë, por tha se nëse dyshoni se i kthehet ushqimi që është normale tek shumë foshnja, atëherë duhet të ngrinim pozicionin e shtratit të bebes, qe bebja të ketë kokën më lartë kur të fle. Këtë e bëmë, por nuk ndihmoi dhe foshnja jonë vazhdon të ketë të njëjtat pengesa dhe na bën të frikohemi. Dr.Teuta, ju lutem na jep mendimin tuaj apo çfarë të bëjmë. Falënderime dhe përshëndetje Juve dhe stafit të redaksisë së Telegrafit. Familja Krasniqi nga Gjermania.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ju ishit mjaft të qartë si në përshkrim të problemit. Do të mundohem sado pak të ju ndihmoj. Me të vërtetë nëse foshnja e kthen ushqimin herë pas here (por me rëndësi është se a e kthen secilin racion apo herë pas here), duhet marrë masa preventive siç është mbajtja e foshnjës pas çdo racioni në krah për të “gogësuar”, e poashtu edhe vendosja e foshnjës në krahun e djathtë (sepse tretja e ushqimit bëhet më mirë) si dhe në pozitë 45 shkallë (me kokë më lartë). Këto janë masa të domosdoshme për prevenimin e aspirimit (shkuarja e qumështit të kthyer në rrugët e frymëmarrjes), por unë mendoj se nuk duhet neglizhuar problemin dhe mendoj se duhet të vizitoni edhe neonatologun. Me rëndësi do të ishte të dija ecurinë e shtimit të peshës trupore të foshnjës qysh nga lindja, sepse kjo do të tregonte se kthimi i ushqimit a është i pakët (kjo mendoj se nuk do të ishte problem por do duhej të ndërmerrni masat e lartshënuara), apo foshnja nuk shton në peshë apo edhe humbë (kjo do të mund të na drejtonte se mos kemi të bëjmë me ndonjë patologji si të ashtuquajturin reflux gastroezofageal apo ndonjë stenozë hipertrofike e pilorusit probleme këto që mund të diagnostikohen me incizime radiologjike me kontrast të rrugëve të sipërme të tretjes).Por, prapë ju kisha këshilluar që t’i përmbaheni masave që ju ceka më lartë dhe po ashtu nëse vazhdon problemi dhe kemi ngecje të peshës trupore, atëherë të konsultoni mjekun pediatër e jo atë familjar. Më vjen keq nëse nuk arrita t’ju ndihmoj aq sa duhet. Përshëndetjet e mija.
E nderuara doktoreshë Teuta. Kam një djalë 19 muaj, fontanelën e ka ende të hapur. Dua të di se në çfarë moshe duhet të mbyllet? Djalin e kam pak anemik, jam duke i dhënë Sanastol + hekur. Pediatri më ka këshilluar t’i jap edhe pika AD gjatë stinës së dimrit dhe qe një muaj kam filluar me AD. Fëmija është mjaft i shëndetshëm, han mirë, fle mirë, peshën e ka 15 kg.
Pres këshillën tuaj. Me respekt Anita
PËRGJIGJE:
Sa i përket kohës së mbylljes së fontanellës së madhe është mjaft variabile dhe ka një diapazon të gjerë të tolerancës kohore, mundet edhe deri në moshën 18 muajshe të jetë normale. Por, nëse fëmija ka shenja të rakitit ose në popull “eshtrat e butë”, atëherë duhet konsultuar pediatrin dhe eventualisht të trajtohet ashtu si duhet. Sa i përket dhënies së preparateve vitaminoze siç është Sanastoli si dhe dhënia e Vitaminës AD, nuk mendoj se duhet ndërprerë, por më brengosë fakti se pse mjeku i juaj ka përshkruar Vitaminën AD, a ka fëmija juaj ndonjë shenjë të mungesës së kësaj vitamine (?), sepse nëse ka shenja do duhej të shkohet me trajtimin në formë ampulare nëse natyrisht është nevoja!
Nëse fëmija juaj nuk ka shenja të Rakitit (gjë që më së miri mund ta dijë pediatri juaj), atëherë marrja e vit. AD nuk mendoj se është e dëmshme, kështu që mendoj se nuk ka vend për brengosje, por megjithatë mund të konsultoheni me Pediatrin në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë për një kontroll dhe konsultim lidhur me problemin tuaj. Përshëndetjet e mia, Anitë.
Përshëndetje e nderuara doktoreshë! Djali im ka 13 muaj dhe mirë me shëndet, është i gjatë 80cm, ka peshë 12kg. Mirëpo, kur po i dalin dhëmbët ka rritje të temperaturës trupore, posaçërisht në pjesën e kokës dhe skuqjen e faqeve. I japim Daleron dhe supozitorë. Mbas 3 ditëve i kalon. Doktoreshë, rritja e temperaturës a ashtë shkaktare e daljes së dhëmbëve, apo shkaktari është tjetër? Me respekt Flamuri!
PËRGJIGJE:
Përshëndetje, Flamur. Mirë e keni bërë lidhjen në mes të ngritjes së temperaturës dhe shpërthimit të dhëmbëve. Me të vërtetë ka raste të shpeshta që reagojnë me ngritje të temperaturës trupore (por jo edhe shumë të lartë) si dhe shqetësim, e poashtu edhe vaj dhe marrje të ushqimit të kufizuar. Por, kjo kalon dhe mirë është t’i jepet ndonjë antipiretik, analgjetik (Dalaeron, Paracetamol, Brufen) për 1-2 ditë. Ju përshëndes.
Përshëndetje dr. e nderuar, kam djalin 5 muaj dhe veshët i ka paksa të kthyer (llaposh). Nuk ka lindur me këtë formë, të djathtin e ka më të kthyer, ndërsa të majtin e ka pak më të palosur. Ju lutem, më tregoni a ka ndonjë mënyrë për të bërë palosjen e veshëve tek fëmijët, apo mos ka kaluar koha e formimit të tyre si dhe forcimi i laprës së veshit dhe do t’i mbesin gjithmonë kështu. Mua më brengos shumë kjo gjë, andaj ndihma juaj do të ishte e mirëseardhur. Me respekt Lena.
PËRGJIGJE:
Tung, Lena. Mendoj se nuk është problem i madh. Palosja e laprës së veshit mund të ketë ndodhë nga pozita e njëjtë gjatë gjumit (krahu i njëjtë me veshin e palosur) . Mendoj se duhet vetëm të drejtohet lapra e veshit mirë mos të “zënët keq” për një kohë dhe nëse kjo nuk rregullohet mendoj se nuk duhet të fitoni kompleks, sepse me rëndësi është që mos të ketë probleme funksionale e sa i përket estetikës kjo mund të korrigjohet . Ju përshëndes.
Jam një nënë, e kam një djalë 1 vjeç. Jetoj në Amerikë dhe mjeku më ka thënë se djali ka potencon në gjak, por unë nuk e kuptoj se çka do të thotë kjo sëmundje. Të lutem më jep sqarime?
PËRGJIGJE:
Më vjen keq, por unë nuk po mundem ta kuptoj atë se çfarë ju ka thënë mjeku. Por, ju kisha lutë që herën tjetër të përshkruani me saktësi raportin që ju ka shkruar mjeku i juaj (kuptohet edhe në gjuhën angleze), por me saktësi.
Përshëndetje e nderuar. Shpresoj të jeni mirë. Kam vajzën 8 javë dhe peshon 4900 gr., gjatësia 60 cm. Pesha e lindjes ka qenë 2460 gr, ndërsa gjatësia 51 cm. E ushqej me gji përveç në javën e parë të lindjes ia kam ndihmuar me qumësht pluhur pasi që s’kisha mjaftueshëm për arsye të barnave, besoj që kam marr pas lindjes CS.
Kam një shqetësim se fëmija im nuk po pinë gji gjatë, diku 3-4 minuta ose shumë rrallë ka ndodh 10 min, në të dy gjinjtë duke ia ndërruar, mirëpo po mundohem me i jep sa më shpesh që mundem, por ndodh edhe nervozohet me gji edhe e kërkon edhe e largon. Nuk po mundem ende me i bë orar, një kohë të gjatë flinte pak, e tash është stabilizuar me gjumë, por mezi e zgjoj për të pirë. Po shqetësohem që nuk po pi mjaftueshëm pasi që kam provuar me nxjerr qumështin me pompë dhe deri 150 ml i kam nxjerr për afër 1 orë. Por, përveç që relativisht mirë ka shtuar peshë edhe shpesh po e ndërroj dhe po urinon.
Gjithashtu, ka disa ditë që i ka hundët shumë të zëna dhe ka shumë sekret brenda, po dëgjohet me frymëmarrje. Jam duke i dhënë çaj mëllage çdo 7-8 orë.
Faleminderit shumë për përkushtimin tuaj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në bazë të parashtrimit të pyetjes suaj shoh se jeni mjaft e informuar dhe prekni detalet e duhura. Sa i përket përparimit në peshë mendoj se foshnja juaj mirë ka përparuar duke u bazuar në lakorën e rritjes e cila prej percentilës 25 (në lindje) ka arritur në percentilën e 50. Unë mendoj se keni mjaftueshëm qumësht gjiri. Sa i përket kohëzgjatjes keni të drejtë se mendoni se foshnja juaj shkurt thith gjirin, por megjithatë shpesh. Kjo është e shpeshtë te shumë foshnje dhe është karakteristike për ato foshnje të cilat “flenë duke pirë gji”, kështu që mundohuni ta ngacmoni duke e munduar ta tërhiqni gjirin nga goja apo ngacmojeni në hundë e ndoshta do të zgjasni pak kohëzgjatjen e thithjes. Mos u merakosni pasi që qartë shihet se foshnja juaj përparon shumë mirë në peshë edhepse për Ju është pak e zorshme ta mbani shumë shpesh dhe gjatë në gji, por mendoj se ky ves i foshnjës suaj (thithja e shkurtë dhe gjumi në gji) do të zhduket rreth muajit të tretë dhe katërt të jetës .
Sa i përket sekrecionit të shtuar në hundë, mund të provoni me tërheqjen e tij me pompa speciale për hundë, por prapë se prapë, kujdes, sepse nëse foshnja juaj ka sekret edhe në rrugët e frymëmarrjes, atëherë duhet vizituar edhe mjekun pediatër . Zakonisht nxjerrja e sekretit mund të ndodh me jashtëqitje (si jargë dhe ‘’zgjatet’’) dhe vjellje, por do ju këshilloja që të bëni pak masazh perkutor të shpinës (rrahje e lehtë e kafazit të kraharorit, prapa në shpinë) gjë e cila e ndihmon pak a shumë nxjerrjen e sekretit nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Shpresoj se keni ngelur e kënaqur me përgjigjen . Ju përshëndes.
Përshëndetje. A është në rregull që fëmijës së shëndoshë, 3 vjeçar, për imunitet dhe përmirësim të shëndetit, t’i jepet nga një lugë në ditë, vaj salmoni (vaj peshku suplement) i blerë pa recetë në barnatoret tona.
Faleminderit,
Valoni
PËRGJIGJE:
Përshëndetje Valon. Sa i përket rritjes dhe zhvillimit normal të fëmijës, duhet thënë se është shumë me rëndësi marrja e materieve të ndryshme ushqyese (proteinat, yndyrat, hidratet e karbonit,vitaminat, mineralet) të cilat do t’i gjeni kudo në ushqimin e freskët, të larmishëm, por mund të jepen edhe suplemente në formë preparateve farmaceutike të ndryshme, nëse e shihni të arsyeshme e sidomos nëse ato disi janë të pamjaftueshme apo edhe të pakta në menynë ditore të ushqimit të fëmijës suaj.
Prandaj, unë mendoj se vaji i peshkut është mirë të merret, e sidomos kur mishi i peshkut është i rrallë në menynë e ushqimit (që është e shpeshtë në vendet jo bregdetare), ndërsa sa i përket vlerave të vajit të peshkut shoh se jeni mjaftë i informuar.
Ju përshëndes.
Jam një nënë nga Kumanova, kam fëmijë binjakë, djalë e vajzë (5 vjeçar), mirëpo kam një problem që kërkoj mendimin e juaj. Djali tash 6 muaj ka probleme të herëpashershme në të folur, bënë zgjatjen e shkonjës së parë, faktikisht po belbëzon. Mirëpo, djali është shumë i mërzitur edhe po kërkon ndihmën e prindërve.
PËRGJIGJE:
Përshëndetjet e mija, zonjë e nderuar. Për problemin tuaj mendoj se duhet konsultuar logopedi dhe psikologu. Mirë kishte me qenë që së pari të konsultohet psikologu e pastaj nëse është e nevojshme edhe logopedi .Unë mendoj se nuk është problem i madh, por mendoj se së pari ju si prindër të përkrahni djalin tuaj, të bisedoni me te dhe mos ja bëni problemin ‘’e madh’’.
Përshëndetje doktoreshë! Kam vajzën 8 muajsh me peshe 7.995gr. (pesha e lindjes 3.750gr, gjatësi 50 cm.), e kam ushqyer me gji rreth dy javë, me dëshirë kisha vazhduar por vajza edhe pse në fillim pinte mirë dhe fitoj peshë mjaft, në javën e parë rreth 800 gr. filloi të mos e donte më gjirin, qante shumë, largonte kokën nga gjiri e kështu vazhdoj disa ditë dhe më në fund fillova me qumësht për bebe. Edhe me këtë pata probleme ngase nuk pinte shumë, villte dhe e dërgova në vizitë mjekësore. Mjeku më këshilloi që sapo vajza ti mbush tre muaj të filloj me ushqim të perimeve dhe pemëve, por jo ushqim të mishit deri në moshën 5 muajshe, dhe ashtu veprova. Me më dëshirë ushqehet se sa që pinë qumësht, qumështin e do vetëm atëherë kur fle edhe jo në sasi të madhe. Pasi ka mbushur 5 muaj, kam filluar me ushqim tjetër të llojllojshëm, i përgatis perime të ndryshme si psh. patate, karota, kungulleshka, domate, qepë, celer, purri etj. me mish pule, lope, por pa kripë, me pak vaj. Mirëpo, ajo që më brengos mua është se ajo fiton shumë pak peshë. A është normale për moshën e saj pesha të cilën e kam cekë në fillim. Vajza ushqehet 5-6 herë në ditë, qumësht pi rreth 250ml-300ml. Çka të bëj nëse pesha nuk është e mjaftueshme. Pres me padurim pergjigjen tuaj.
Ju përshëndes, me respekt, nëna e brengosur, Linda.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje, Linda. Në bazë të grafikonit të rritjes për vajza, vajza juaj i takon percentilës 45, ndërsa në lindje i ka takuar percentilës 70. Pra, ka një zbritje, por unë mendoj se nuk ka vend për brengosje sepse në bazë të dhënave se me qfarë ushqehet vajza, unë mendoj se vajza juaj ushqehet mirë (mendoj në llojllojshmërinë e ushqimit) përveç ndoshta do të duhej edhe produktet e qumështit (jogurti, djathi, kajmaku etj) edhepse ndoshta ke harruar t’i përmendësh. Sasia e qumështit që merr vajza është e mjaftueshme nëse mirret edhe jogurti dhe produktet e tjera qumështore. Mos harro se fëmija duke u rritur nuk shton peshë sa më parë (para muajit të gjashtë) e poashtu edhe shtohet hargjimi i kalorive. Shpresoj se keni ngelur e kënaqur me përgjigje.
Përshëndetje doktoreshë. Un. e kam djalin 9 muajsh, është i gjatë 79 cm dhe ka 9,5 kg. Në princip nuk kam pasur telashe të mëdha shëndetësore me të, por e kam një shqetësim. Kur lindi djali e kishte një infeksion të lëkurës, stafilodermi. E kemi trajtuar sipas udhëzimeve të mjekut dhe që në javën e parë të jetës ka marrë antibiotik si dhe e kemi pastruar me kamomile për dy javë të tëra. Problemi është që ato puçrra të njëjta po i shfaqen kohë pas kohe. I lajmërohen në fytyrë, i zhduken, pastaj në trup i zhduken. Gjate verës e ka pasur një fazë kur ju kanë shfaqur me shumicë dhe unë e dërgova te dermatologu (dermatologu më tha se ose e ka prej nxehtit ose e ka iktus -siç e kuptova kjo do të mund të ishte ndonjë pickim nga ndonjë insekt). Na kishte dhënë disa kremra dhe antibiotikë të cilat sipas meje nuk ndikuan në tërheqjen e tyre. Kohëve të fundit këto puçrra janë lajmëruar përsëri dhe unë nuk di a ta dergoj te dermatologu apo çfarë të bëj. Djali nuk ka ndonjë shqetësim nga to, nuk besoj që ka ndonjë kruarje, por unë po dyshoj se fillimisht nuk i është shëruar ajo stafilodermia nga lindja. Do të dëshiroja ta di se a është kjo e mundur dhe të më jepni ndonjë këshillë se si te veproj.
Ju falënderoj paraprakisht, Lena.
PËRGJIGJE:
Përshëndetjet e mija Lena. Së pari do ju flas pak për ndërrimet stafilodermike, të cilat janë puçrra të madhësisë së ndryshme (por më shpesh të vogla) e që janë të mbushura me qelb. Ato duhet trajtuar me antiseptik t ë lëkurës (sol. Chlorhexidine) dhe ndonjë antibiotik yndyrë. Mund të shfaqen herë pas here (por nuk janë përsëritëse) andaj nuk mendoj se ato janë si pasojë prej ndërrimeve stafilodermike pas lindjes. Inflamacioni i lëkurës me Stafilokok mund të ndodh, por mirë është të trajtohet në kohë dhe ashtu si duhet e poashtu mirë do të ishte të konsultohet dermatologu
Përshëndetje doktoreshë. Fëmija im është 8 muajsh, para dy muajsh e me tepër ka një koll dhe një skuqje në mollëzat e faqeve. Pediatri ka dhënë mendim se nuk ka bronhitis, por ka predispozita të sëmuret, ngase, sipas tij, kjo skuqje e mollëzave të faqeve qenka që nga lindja e fëmijës!? Mjeku pediatër i fëmijës tim ka dhënë këtë diagnozë: dermatitis atopica dhe ka shkruar këtë terapi: Sir. Aloprol, çdo 8 orë 3 ditë, Sir.Broncobalsamina 3x5 ml, sipas nevoje, pak më gjatë se 1 javë dhe yndyrën Kuterid G 1x 2-3 ditë. Ju lutem, të më tregoni çfarë sëmundje është kjo, çka mendoni ju dhe si mund të më këshilloni për hapat e mëtutjeshëm për shërimin e fëmijës tim.
Ju përshëndet nëna e brengosur.
PËRGJIGJE:
Përshëndetjet e mija. Së pari do ju këshilloja që mos ta merrni si shumë tragjike ,por Dermatiti atopik me të vërtetë është mjaft rezistent në trajtim (trajtohet por edhe përsëritet). Paraqitja e një Dermatiti atopik e sidomos në moshën e djalit tuaj nuk është e këndshme, sepse ajo mund të jetë edhe si pasojë e një konstitucioni hiperreaktiv (alergjik) dhe duhet patur kujdes në ndieshmërinë edhe të trungut bronkial (Bronkitet e shpeshta), por prapë nuk do të thotë. Duhet ditur mirë anamneza familjare (paraqitja e problemeve të lëkurës te prindërit, fëmijët tjerë) por, megjithatë, trajtimin dhe konsultën do ja lija Dermatologëve. Andaj ju preferoj konsultën e Dermatologut. Përshëndetje.
Përshëndetje për juve redaksi dhe Dr Teuta. Kam djalin 2 vjet e 10 muaj. Në Kosovë kur kam qenë, ia kam bërë analizën e fecesit dhe i kanë dalë bubat në bark, nuk më kujtohen lloji i tyre, vetëm se e di që mjeku më ka thënë se janë të rralla ky lloj. Ka përdorë ilaç çdo gjashtë muaj, por as ky ilaq për momentin nuk më kujtohet.
Për momentin ai është i sëmurë nga bubat, te lutem dokt