Evito problemet me gjëndrën tiroide

18:01 / 24.10.2008

Virozat nuk prekin vetëm rrugët e frymëmarrjes, por dhe gjëndrën tiroide. Shenjat janë të ngjashme me gripin, prandaj shpesh neglizhohet dhe diagnostikimi bëhet vonë, kur tashmë sëmundja ka avancuar.

Gjatë luhatjeve të temperaturave dhe sidomos ditëve të ftohta dhe me lagështi, probleme me gjëndrën tiroide, veçse këto më tepër se me funksionin e kësaj gjëndre, lidhen me infeksione të ndryshme që mund të shfaqen në të. Gjëndra tiroide si çdo organ tjetër i organizmit mund të ndodhë të “sulmohet” nga agjentë të ndryshëm virusalë ose mikrobialë, të cilët ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve nga më të ndryshmet. Për pasojë ajo mund të preket. Duke qenë se këta agjentë janë “më të fortë” gjatë stinëve të ftohta dhe me lagështi ndodh që këto infeksione që prekin tiroiden të jenë mjaft të pranishme në këtë periudhë.

Ankesat që shfaqin të sëmurët

Zakonisht sëmundja fillon me shenja të përgjithshme, të ngjashme me ato të një gripi. Sëmundja mund të nisë me ethe, dobësi të theksuar trupore, dhimbje muskulore, mungesë oreksi. Në këtë kohë pacienti mund të ndjejë dhimbje të lokalizuara mbi vetë gjëndrën tiroide, por shpesh ato përhapen në drejtim të nofullës ose veshit. Në disa mund të shfaqet vështirësi në gëlltitje. Por mund të ndodhë që gjëndra tiroide dhe muskujt e gjëndrave limfatike të qafës të rriten në volum si pasojë e procesit inflamator.

Ndërlikimet

Nëse nuk trajtohet në kohë kjo sëmundje, mund të ndodhë një ulje e funksionit të tiroides, po ashtu ulje e normës së prodhimit të hormoneve të saj. Kapja e jodit radioaktiv paraqitet më e pakët, niveli i TSH (hormonit thyreo-stimulues) mund të jetë në nivele më të larta sesa norma. Të gjitha këto ndryshime sjellin dhe ndërlikime më serioze në organizëm që duan kohë të trajtohen. Përveç kësaj ndodh shpesh që personat të cilët bëjnë infeksione të tiroides kanë edhe probleme të infeksioneve kronike siç janë: tonsilitet kronikë, faringitet, infeksione të mishrave të dhëmbëve, sinusite, etj.

Parandalimi

Parandalim të mirëfilltë nuk ka, por gjithsesi ne rekomandojnë një sërë masash që konsistojnë në forcimin e sistemit imunitar, sepse është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga “sulmi” i mikrobeve patogjene. Po ashtu këshillohet që çdo simptomë të merret në konsideratë, pasi në këtë mënyrë mund të parandalohen ndërlikimet, të cilat duan kohë të trajtohen.

Çfarë mund të përdoret për mjekim?

Nëse infeksioni i gjëndrës tiroide (thyroiditit), kapet shpejt dhe në kohë, është i thjeshtë. Fillimisht mund të përdoren medikamente për të qetësuar dhimbjet, temperaturën dhe dobësinë e përgjithshme. Pra trajtimi është sintomatik, në varësi të shenjave dhe shqetësimeve që shfaqen. Përdoret mjekim antiinflamator dhe në disa raste kur prekja e gjëndrës tiroide është më e shprehur mund të përdoren kortizonikët, të cilët kanë efekt mjaft të mirë si për të shuar procesin inflamator, ashtu edhe për të shkurtuar ecurinë e sëmundjes.
Të sëmurët që kalojnë thyroiditë duhet të qëndrojnë për disa kohë nën kontroll mjekësor për të kapur ose parandaluar ndonjë zbulim të formave të tjera të thyroiditit ose ajo çka duhet pasur parasysh, është instalimi i një hypothyroze.

/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.