“Kultivohet” dhe transplantohet veshka e parë nga laboratori

21:54 / 17.04.2013

Dr. Harald Ott nga spitali kryesor në Massachusetts ka udhëhequr ekipin e shkencëtarëve të cilët kanë ‘kultivuar’ dhe transplantuar me sukses veshkën e cila kryen të gjitha funksionet e veta. Punimi është publikuar në revistën "Nature Medicine".

Nuk ekziston ilaç për dështimin e veshkave. Trajtimet e vetme në dispozicion janë dializa ose transplantimi, të cilat nuk janë zgjidhje përfundimtare. Pacienti në dializë nuk guxon të pijë më shumë se një litër lëng në ditë, derisa veshkat e transplantuara mesatarisht zgjasin prej 10 deri 15 vjet, dhe atë nëse nuk vjen deri te refuzimi i organit.

Zbulimi i burimit të ri të organeve zëvendësuese që mund të kultivohen nga qelizat e pacientit dhe që do të zgjasin tërë jetën është hap i madh përpara.

Hulumtuesit amerikanë me ndihmën e teknikes eksperimentale kanë marrë veshkën e vjetër të miut dhe nga ajo kanë hequr shtresën e sipërme të qelizave të vjetra dhe kanë ripërtërirë veshkën me ndihmën e qelizave të pacientëve të cilat janë transplantuar më pas.

"Shpresojmë që shumë shpejt veshkat e tilla do të munden të marrin tërësisht funksionin e veshkave të shëndetshme", - ka shtuar udhëheqësi i ekipit shkencor dr. Harald Ott, i cili tashmë ka marrë pjesë në kultivimin e zemrës në laborator. Ai beson që shkenca është afër zbulimit të madh i cili sjell shpresën dhe mundësinë e zgjatjes së jetës së miliona njerëzve që kanë nevojë për transplantim.

Kjo teknikë ka përparësi të konsiderueshme në krahasim me transplantimin standard. Përveç që indi do t'i përgjigjet pacientit, ata nuk do të kenë nevojë që të marrin ilaçe tërë jetën kundër refuzimit të organeve, dhe po ashtu në mënyrë të konsiderueshme do të rrisnin numrin e organeve në dispozicion për transplantim, përcjell BBC. /Telegrafi/

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.