Kompleksi i Edipit

1:04 / 21.11.2009

Në jetën e përditshme mund të vërehet apo dëgjohet ngjashmëria e fëmijëve me prindërit e tyre në tipin “e bija i ngjan të atit” dhe “i biri i ngjan nënës”, duke vendosur kështu një përkatësi somatike, kundrejt predisponimit të ndjenjës dhe atij të identifikimit përfundimtar. Kjo ngjashmëri ndryshe mund të quhet edhe Kompleksi i Edipit.

I ashtuquajturi Kompleks i Edipit, në të vërtetë, nuk është asgjë më shumë se një shembull i veçantë i një burgu të njeriut neurotik. Nëse individët frikësohen tek ndeshen me problemin e dashurisë në botën e madhe, nuk do të kenë shpëtim nga neurozat. Për shkak të ndjenjës së pasigurisë, ata kurrë nuk do të vështrojnë përtej atyre pak njerëzve, me të cilët janë mësuar. Ata frikësohen që nuk mund të jenë të aftë të mbizotërojnë mbi njerëzit e tjerë, siç janë të mësuar të mbizotërojnë në rrethin e tyre familjar

Kompleksi Edipit e ka marrë emrin nga mitologjia greke, prej emrit të mbretit Edip, ku sipas mitit djali i ri vret babain dhe martohet me të ëmën e tij, pa ditur se kush ishin ata.

Për këtë arsye, djali ka frikë dhe ankth nga i ati se ai do ta kastrojë (tredhë).
Për ta zgjidhur këtë konflikt, sipas Frojdit, djali identifikohet me të atin dhe shtyp ndjenjat seksuale për të ëmën. Kjo ka të bëjë me ata fëmijë që zhvillohen në mënyrë normale, ndërsa ata që nuk kalojnë këtë fazën e idit dhe fallike si duhet, ky kompleks i përcjell edhe më vonë, me komplikime të ndryshme.

Viktima të Kompleksit të Edipit janë fëmijët, të cilët janë të llastuar nga prindërit, që janë edukuar të besojnë se çdo dëshirë e tyre është ligj dhe që nuk kanë kuptuar kurrë se mund të fitojnë dashuri nëpërmjet përpjekjeve të pavarura të tyre jashtë kufijve të shtëpisë. Kur rriten, këta njerëz qëndrojnë të lidhur me prindërit. Në dashuri nuk kërkojnë një partner të barabartë, por një shërbëtor; dhe shërbëtori, me mbështetjen e të cilit ata janë më të sigurt, është prindi i tyre. Te një fëmijë Kompleksi i Edipit mund të shkaktohet kur nëna e llaston atë dhe e ndalon që të interesohet për njerëzit e tjerë dhe që babai të jetë mospërfillës ose i ftohtë. Të gjitha simptomat e neurozave japin një pamje të lëvizjes së kufizuar.

Veç të tjerash, Frojdi theksonte se përvoja bazë e të pandërgjegjshmes, përreth së cilës gjithçka nga parimi duhet të rrotullohej, ishte në raport me figura prindërore: inçestuozitet protofëminor ndaj nënës, të cilën vogëlushi do të donte ta dashuronte në mënyrë ekskluzive dhe ndjenja dashuri-urrejtje kundrejt babait, që e nënshtron nënën, një baba i ndier njëherazi si i plotfuqishëm, shumë i dashur dhe armik.

Rreth pesë vjeçëve, Kompleksi “evolutiv” i Edipit duhet të tejkalohet, në qoftë se incesti i pandërgjegjshëm drejt nënës dhe dashuri-urrejtja për babanë, edhe kjo e pandërgjegjshme, qëndrojnë, atëherë bëhesh neurotik, thellësisht i plagosur psikikisht dhe mbetesh i tillë deri në tejkalimin eventual të bllokimit fëminor që ka bllokuar zhvillimin normal të psikikës drejt heteroseksualitetit dhe përtej familizmit fëminor.

Fëmijët që janë 'të prapambetur' në shkollë, burra ose gra që në moshën 30 vjeç ose më shumë ende nuk kanë një punë, njerëz të cilët i shmangen problemit të martesës, neurotikët me fiksime që vazhdimisht përsërisin të njëjtat veprime, njerëz që vuajnë nga pagjumësia, që janë gjithmonë shumë të rraskapitur për të përmbushur detyrat e ditës.
Tek të gjithë këta bëhet i njohur një kompleks inferioriteti që i pengon ata të bëjnë përpara në zgjidhjen e problemeve te jetës.

Frojdi ka besuar se çdo fëmijë në mënyrë simbolike duhet të kalojë nëpërmjet përvojave të Edipit. Teoria e Frojdit është psiko-sociale për arsye se pikënisja e këtij qëndrimi lidhet me atë se çrregullimet lidhen me raportet ndërpersonale.
Simptomat, po ashtu psikologjike-psikiatrike, konsiderohen si shfaqje të sipërfaqshme të konflikteve të thella të pazgjidhura.
Po ashtu sipas psiko-dinamikës dhe psiko-analizës çrregullimet neurotike rrjedhin nga ndrydhja e përvojave zakonisht ose seksuale, ose agresive, të cilat kanë lidhje me prindërit.

Mekanizmi i ndrydhjes shfrytëzohet për mënjanimin e frikës nga dënimi ose nga humbja e dashurisë së prindërve.

1 - Meqë materiali shqetësues kur nuk i afrohet egos, konflikti mbetet i pazgjidhur dhe si pasojë individi arrin një shtrembërim të realitetit.

2 - Mekanizmi i ndrydhjes është mekanizëm i mbrojtjes.

Këtu individi përdor shumë energji, të cilën do ta përdorte gjatë zhvillimit të tij nga kalimi prej një faze në tjetrën. Për shkak të përdorimit të tepërt të mekanizmave mbrojtës dhe mekanizmave të tjerë, individi gjen disa përvoja dhe bëhet i paaftë që të përballet me shumë probleme në moshën madhore. Po ashtu, sipas psiko-analizës çrregullimi i sjelljes shkaktohet për shkak të konflikteve të pazgjidhura.

Frojdi mendonte se shumë çrregullime e deformime seksuale dhe shpirtërore në jetën e mëvonshme, e kanë bazën në këto komplekse, në faktin se këto kalojnë prej vetëdijes në pavetëdije (ndërdije) dhe atje ndrydhen, derisa një moment nuk shpërthejnë. Frojdi, lidhur me shtypjen e instinkteve thotë: "Ato nuk lejojnë t’i shtypësh dhe është e kotë të mendosh se kur i shtyp, ato ikin përgjithmonë. Më së shumti mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije (ndërdije)”.

Simotra tjetër e Kompleksit të Edipit është dhe Kompleksi i Elektrës, i cili manifestohet tek vajzat në fazën fallike dhe që, po sipas Frojdit, qëndron në ndjenjën inferiore të tyre ndaj djemve, pse nuk e kanë organin gjenital si të tyre. Vajzat, zakonisht, fajësojnë nënën e tyre për të qenit femër dhe e duan babain më shumë, sepse ai ka organin gjenital si të djemve. Ky konflikt, në personalitetin e vajzës shtypet duke u identifikuar me të ëmën. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.