Mr. Sci. Enver Çesko, Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.Mr. Sci. Enver Çesko
Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive
tel. 044 113 376
www.enver-psiko.com
Përshëndetje i nderuar doktor. Jam 21 vjeçe, para dy viteve tek unë është shfaqur një nervozë e paparë, nuk mund të përballem me asgjë. Bëhem shumë nervoze, acarohem në ekstrem. Më herët nuk isha kështu. Tani nuk mund të kontrolloj veten për asnjë moment. Nga kjo fillova ta pi duhanin me qëllim që të ¨qetësohem¨, mirëpo asgjë nuk më qetëson. Kur jam nervoze, më dridhet trupi, më rrah zemra fort, pastaj më duket sikur dëgjoj do zëra dhe vazhdimisht e pyes te fejuarin a po i dëgjon edhe ai.
Kam përdorë nganjëherë Lexium 5mg, nuk më qetësojnë, porse më vejnë në gjumë.
Pres përgjigjen dhe të falënderoj.
Qofsh i nderuar!
PËRGJIGJE:
Nervoza që ju po e përshkruani mund të ketë burimet nga faktorët dhe ngjarjet e ndryshëm që ju keni përjetuar në jetën e juaj. Ju përshkruani se kjo nervoz është paraqitur para dy viteve por nuk e përshkruani se çfarë ka ndodhur në jetën e juaj para dy viteve. Jam sigurt që diçka në jetën e juaj ka ndodhur prandaj edhe gjendja psiko-emocionale ka ndryshuar. Një ndryshim ka ndikuar që ju të keni një pasqyrë tjetër për jetën, veten, ambienti, shoqërinë, familjen, partnerin, punën dhe të gjitha aktorët tjerë me të cilët ju jetoni. Poashtu, kjo gjendje ka ndikuar edhe në sjelljet e tuaja, siç ju përdorni pirjen e duhanit, acarime dhe reagime hipervigjilente në shoqëri si dhe ndryshime në sistemin neurovegjetativ (pagjumësia, ide halucinative, ankesa psikosomatike, etj).
Ju rekomandoj që të konsultoheni me ndonjë psikolog apo psikoterapeut ku do të bisedoni për gjendjen e juaj dhe sigurisht që ai të këshillon se çfarë në të vërtet duhet të bëni.
Ajo çfarë ju mund të bëni në këtë moment është që për problemet e juaja të diskutoni me personi që keni besim(në këtë rast ndoshta partneri i juaj) dhe të kërkoni që personi të mos kritikoj për gabimet apo dështimet eventuale të juaja por që të jep suport pozitiv për situatën e krijuar. Ju akoma keni gjëra të mira dhe aftësi të konsiderueshëm që mund të operoni në jetën e juaj të përditshme, pra jo vetëm të shikoni nervozen, pagjumësinë, disponimin e keq, zërat e çuditshëm, vështirësitë në punën e zemrës tuaj. Nëse këto nuk mund të arrini të tejkaloni duke biseduar me partneri atëherë konsultohuni me psikologun.
Lexiliumi nuk e zgjidh problemin tuaj, por vetëm e ndryshoni gjendjen tuaj. Ju keni nevojë që të jeni së pari e vetëdijshëm për problemet dhe konfliktet e tuaja e më pastaj të punohet në ndryshimin e gjendjes ekzistuese.
Përshëndetje doktor. Jam 40 vjeçar, i martuar, kam dy fëmijë. Jam në hall të madh, kërkoj ndihmën tuaj. Unë njihem me një vajzë tjetër që nga viti 2002 me të cilën jam ende. Me gruan nuk kam raporte të mira, nuk kam ndjenja për të, etj. Dua të ndahem, por e kam shumë problem, nuk di si t’ia bëj. Më dhimbsen fëmijët. Nga gruaja nuk kam asgjë të keqe, por nuk mundem të jetoj me të. Qe 5 vite nuk kam marrëdhënie me të, nuk mundem të flas, as të rri me të.
Të dashurën që kam, e dua shumë. Ajo më 2005 është martuar dhe pas një viti është ndarë shkaku im. Ajo nuk mundet pa mua. Pas dy vjetësh, prindërit e martuan sërish, jo që unë e detyrova, por vet u nda. E la edhe burrin e dytë për mua dhe më thoshte ta mbaj unë gruan dhe ajo të behët gruaja ime e dytë. Tashti që një vit bashkëjetoj me të në Zvicër, kurse gruan e kam në shtëpi, në Kosovë. Mirëpo, tash gjërat kanë filluar ët ndryshojnë, kërkon nga unë që të ndahem nga gruaja, se kështu nuk mundemi të jemi bashkë. Grindemi, don që të kemi fëmijë. Unë jam në hall, jam shumë i dashuruar dhe nuk mundem të jetoj pa të. Në çdo moment pritet ndarja dhe mendoj se vetëm vdekja më shpëton nga dhimbja.
Të lutem, më jep një përgjigje. Më ndihmo!
PËRGJIGJE:
Së pari më duhet të them se përgjigje për një situatë dhe gjendje që ju jeni, është e pamundur se këtë që ju prezantoni nuk e zgjidh gjetja e vetëm një përgjigjeje, por krejt kjo kërkon një vështrim më të thuktë në situatën e krijuar në raportet midis gruas, fëmijëve, të dashurës dhe vetvetes tuaj.
Prandaj, për të vështruar dhe qasur me situatën që ju keni krijuar, duhet që ju të konsultoheni me psikoterapeutin në mënyrë që të punohet në situatën e krijuar në raportet e ‘katërkëndëshit’ (gruaja, fëmijë, e dashura dhe vetvetja) që ju ndodheni.
Krejt çfarë unë mund t’ju them është se jeni në një gjendje që ju vet duhet të merrni vendime të matura dhe afatgjate në mënyrë që perspektiva e jetës së juaj të jetë më e lumtur dhe e balancuar. Nëse nuk do të kërkoni ndihmë sa më shpejtë, atëherë gjendja e krijuar me dashurën tuaj në Zvicër do të përkeqësohet e njëherë edhe të ftohet dhe kështu të humbni tërë atë që keni dhe ajo gjendje mund të sjelli edhe çrregullime serioze psikologjike dhe psikike.
Në adresën e redaksisë ju mund të gjeni kontaktet e psikoterapeutëve që ju mund të kontaktoni për ndihmë.
Përshëndetje! Jam një vajzë 22 vjeçare, sivjet përjetova lidhjen time të parë, por kjo lidhje nuk zgjati shumë. Kanë kaluar 5 muaj dhe unë vazhdoj të ndjehem keq. Fajësoj veten time pse ndodhën gjërat ashtu, nuk më vjen për të bërë asgjë. Jam hapur dhe me familjen time, por përsëri nuk po gjej ngushëllim. Gjendjen shpirtërore e kam shumë keq, çdo ditë jam e mërzitur. Kjo mërzi nuk më kalon as kur jam me shoqet e mia, as kur vie në shtëpi, as kur dal në shëtitje, as kur blej gjëra të reja për vete, as kur shkoj te të afërmit e mi. Kam ngelur mbrapa me mësime dhe kjo gjë më frikëson akoma më shumë. Nuk arrij të përqendrohem dot. Lexoj me zë gjithmonë, e kam ballin si të mpirë dhe jam shumë konfuze. Kam dhe mungesë të oreksit, madje kur ha më vjen për të vjellë. Kur mendoj për gjëra të bukura, më vjen për të vjellë. Gjumi më del shpesh dhe përjetoj vetëm frikë, më duket sikur do të çmendem.. E kam humbur besimin te vetja dhe nuk po arrij të dal dot nga kjo gjendje.
Ju lutem më jepni një këshillë.
PËRGJIGJE:
Në letrën tuaj shihet një gjendje e lëndimit psikoemocional pas një përjetimi të papërgatitur më parë për çfarëdo konsekuence, pas një dështimi të mundshëm. Them të mundshëm sepse, ju, siç është parë nga letra, nuk e keni pritur një shkëputje të shpejtë. Arsyen për këtë shkëputje të shpejtë, në letrën e juaj nuk mund të konkludoja, por ajo që është e sigurt, juve tani nevojitet një energji që do të këndell nga kjo gjendje e stresit traumatik. Manifestimet që përshkruani në letër, janë karakteristik për ekzistimin e stresit traumatik. Në këtë situatë ju keni nevojë për disa seanca psikoterapeutike që mund të merrni nga ekspert të profesionit të psikoterapisë.
Redaksia mund të ndihmoj që të gjeni psikoterapistë që të ndihmon juve.
Përshëndetje doktor. Jam 19 vjeçe, kam problem se nuk mundem të rri pa lëviz. Kam shumë vese, i ha shumë thonjtë deri në mish, pastaj s’mundem t’i duroj duart e mia, prandaj shumicën e rasteve i mbaj në xhep. Nuk lë stilolaps pa e futur në gojë, lugë të kafesë saqë edhe dhëmbët i kam dëmtuar pak. Kam shumë kritika prej familjes, sidomos prej babit. Edhe në punë mezi rri, sepse s’mund të rri ulur, pa lëviz. Kur kam qenë fëmijë, kam pas trauma për një arsye familjare.
A duhet të jetë kjo rezultat i traumave që kur kam qenë fëmijë, kam qenë shumë e ndrojtur, si e frikësuar. Tash nuk e kam më atë problem.
Pres përgjigje nga ju.
PËRGJIGJE:
Rastin të cilën ju e paraqitni është fjala për një sjellje komplusive orale e shpeshtë në periudhën e pubertetit dhe adoleshencës. Kjo sjellje, me ato përshkrime që edhe ju e bëni, sipas nomenklaturës mjekësore (DSM IV dhe ICD 10) paraqitet si çrregullim impulsiv i kontrollit, i quajtur me emrin Onychophagia (e njoftur si ngrënie, kafshim, copëtim i thonjve). Arsyet më të shpeshta janë të natyrës psikologjike e në veçanti nga përjetimet traumatike në periudhën e fëmijërisë dhe pubertetit. Kur këto sjellje përcillen me disa sjellje tjera siç i përmendni edhe ju, me pa mundësi në kontroll të lëvizjes, e njohur si hyperaktivitet, atëherë gjendja juaj bëhet më e komplikuar që kërkon një trajtim më të gjatë. Këshilla ime në këtë rast do të ishte që ju së pari të konsultoheni me një psikiatër dhe më pastaj të filloni me trajtime psikoterapeutike në reduktimin e stresit dhe menaxhimin e përvojës traumatike.
Ju lutem pranoni këto këshilla serioze.
Përshëndetje doktor! Duke vlerësuar përkushtimin tuaj në lidhje me sa shkruajnë personat e interesuar në këtë adresë, nëse do të ishte e mundur të më jepni një përgjigje në lidhje me situatën time shëndetësore. Në periudha të përsëritura, ndodhem në një gjendje të vështirë, një mpirje e kokës, që si shkak unë vendos mbingarkesën nervore (halle e probleme familjare dhe një ngarkesë në punë, e konsiderueshme, lodhje mendore). E vërteta është se nuk është puna që më lodh, por janë mendimet në lidhje me jetën të cilat më qëndrojnë vazhdimisht në kokë e në të njëjtën kohë nuk jam në gjendje të përqendrohem tek puna, ndërkohë që përqendrimi tek puna duhet të jetë në maksimum (për shkak të natyrës së punës). E kuptoj që është një mbingarkesë nervore dhe mpirja e kokës është aq evidente, sa nuk arrij dot të përqendrohem në bisedën me personat e punës, me materialet e punës, me fluksin, etj. Jam vazhdimisht e mërzitur dhe kjo ka shkaqet e veta që nuk vijnë nga unë. Nuk e di se deri ku do të shkoj me këtë gjendje. Nganjëherë më duket se në vend të kokës kam diçka pa jetë, si një gur a nuk e di mesa ta krahasoj që nuk është në gjendje të kthjellët). Është e vështirë të bisedosh me mjekë pasi nuk e di se cili është mjeku të cilit duhet t’i drejtohem. Kjo edhe për një arsye tjetër. Nuk kam besim tek ruajtja e një sekreti profesional nëse do e quajmë kështu. Shpesh kam dëgjuar raste te thuhet (e gjora ose i gjori djalë ka probleme, etj, etj, e këto fjalë shkojnë nga një person tek tjetri). E kam fjalën për aftësitë e tij.
Duke Ju falënderuar, jam në pritje të një përgjigjeje.
PËRGJIGJE:
E kuptoj gjendjen tuaj dhe më duhet të them se manifestimet të cilat ju i përshkruani, përshkruhen me një gjendje të stresit psikoemocional. Çfarë do të thotë kjo? Së pari, më lejoni që t’ju shpjegoj ca faktorë determinues në paraqitjen e kësaj gjendjeje.
E para është menaxhim i dobët me vetveten, që ka të bëjë me mosnjohjen e aftësive aktuale për të ballafaquar me situatat e përditshme. Nëse ju bëni pyetje se si është e mundur që më herët të njëjtat situata me sukses kam tejkaluar, atëherë them se trupi (organizmi-aftësitë) e juaja nuk kanë qenë të stërmbushura me strese, ngarkesa, obligime, detyrime, etj, prandaj keni menaxhuar mirë.
Së dyti, është natyra e punës dhe tendencat për të arritur më shumë si në planin profesional, ashtu edhe në atë personal. Në këtë aspekt, ju duhet të dini se çfarë kërkoni nga vetja dhe çfarë janë synimet tuaja në realizimin e objektivave profesionale në punën e përditshme.
Së treti, si janë raportet tuaja me familje, partnerin (nëse keni), shoqërinë, kolegët, miqtë dhe të tjerët. Çfarë janë pritjet tuaja nga ata dhe çfarë ju dëshironi t’u ofroni atyre, por që ndoshta nuk keni mundësi ose arsye tjetër. Në këtë drejtim është me rëndësi të gjeni kohë, jo vetëm për plotësimin e obligimeve profesionale, por edhe atyre shoqërore.
E katërta, është vizioni i juaj për të ardhmen. Keni bërë ndonjëherë pyetje vetes se çfarë dëshironi të arrini në jetën tuaj, kur do të arrini dhe kur e arrini çfarë do bëni më pastaj? Aspekti i parë ka të bëjë me sferën fizike, pra sa kohë kushtoni për trupin e juaj, në aktivitete fizike, siç janë ushtrimet fizike, meditimi, ushqimi, shëndeti, seksi, etj. Këtu dominojnë proceset e të menduarit (intelektuale).
Aspekti i dytë ka të bëjë me performancën në punë, dëshironi të keni vetëm rezultate superiore në punë apo jeni më tepër e orientuar në proces, që do të thotë; edhe nëse nuk bëhet, nuk ndryshon gjë. Këtu dominojnë proceset emocionale (kënaqësia).
Aspekti i tretë ka të bëjë me raportet në rrethin social, si e krijoni dhe si i mbani marrëdhëniet, këtu dominojnë proceset shoqërore.
Aspekti i katërt ka të bëjë me bindjet, besimet, planet dhe ardhmërinë e juaj, ku dominojnë proceset spirituale (shpirtërore).
Nëse akoma keni vështirësi të menaxhoni, atëherë ju mund të vizitoni psikoterapistin tuaj.
I nderuari doktor. Është interesante me mua, mundohem shumë, por arrij rezultate pak. Psh. në shkollën fillore dhe atë të mesme mësoja shumë, arrija pak; të tjerët mësonin pak, arrinin më shumë ose mësonin aq sa unë, por arrinin rezultate. Kështu më ndodh edhe në fakultet. Pastaj mundohem shumë të tregoj respekt ndaj prindërve, mundohem dhe e bëj, por nuk duket që ata janë të kënaqur, vëllezërit dhe motrat bëjnë më pak ose aq sa unë për prindërit, por janë më të kënaqur me ta. Një dëshirë për të m’u realizuar, duhet mund i madh, lot, sfida ... Çdo hap i vështirë në jetën time, çdo gjë e vështirë për ta arritur. Kam një sekret që kurrë nuk ia kam thënë askujt, më mundon shumë, por nuk dua ta di askush. Kam gabuar dhe me sa po e vërej, më vonë do ketë pasoja, sepse çdo e vërtetë, kuptohet herët apo vonë. Mundohem t’ju bëj mirë të tjerëve, por gjej keq. Të gjitha këto po e bëjnë kokën time me ankth të madh sa nganjëherë më duket që po luaj mendsh. Më mundon pagjumësia, çaj çdo natë (jam e lodhur, por unë nuk di të dorëzohem. Jam vetëm 19 vjeçare dhe kam përjetuar gjëra ç’parakohshme, por gjithë këto mund të ndikojnë dhe po ndikojnë keq në psikikën time.
Ndonjë këshillë për mua?
Ju faleminderit!
PËRGJIGJE:
Njerëzit dallohen sipas vetive të personalitetit, karakterit, sjelljeve, mendimeve dhe aftësive. Prandaj, thuhet se çdo njeri është personalitet në vete. Një gjë e tillë është edhe me juve. Por të gjitha këto tipare mund të zhvillohen dhe me zhvillim edhe të ndryshohen. Shpesh herë mundimet, përvojat dhe traumat e përjetuar, që mund të jenë të pa shprehura apo sekrete, mund të ndikojnë negativisht në realizimin e dëshirave dhe nevojave personale. Në këto situata personi shpesh ndien veten të pa aftë, të pasigurt me vetëbesim të ulët dhe i pa motivuar në arritjet e rezultateve të dëshiruara.
Këto janë disa prej shumë faktorëve që mund të ndikojnë në situatën tënde të përshkruar më sipër.
Do këshilloja që të bisedoni me ndonjë psikolog në mënyrë që të tregoni përvojat e përjetuara dhe psikologu do të kupton se për çfarë ju keni nevojë dhe si të gajaseni në ato situata kur juve është e çuditshme.
Vlerësojeni veten e juaj me të gjitha aftësitë që posedoni, mos e krahasoni veten me të tjerët, sepse ju jeni të veçantë nga të tjerët dhe të tjerët janë ndryshe nga ju.