Ndikimi i madh i shembullit në edukimin e fëmijëve

15:43 / 14.03.2012

Ndikimi i shembullit është shumë i madh dhe ka fuqi edukative të fortë e të fuqishme. Prandaj, në qoftë se ajo përdoret për të mirë, do të japë ndihmë jashtëzakonisht të madhe në edukimin e fëmijëve në familje, në rrethin shoqëror dhe në shkollë.

Dihet se të vegjlit, prej natyre, janë imitues të fortë: Ata, pa hezituar imitojnë gjestet, qëndrimin, lëvizjet, te folurit, mendimet, sjelljet e veprimet e njerëzve me të cilët takohen përditë posaçërisht të atyre që i duan dhe i respektojnë më së shumti. Këto imitime veprojnë në mënyrë të gjallë e të fuqishme në formimin e karakterit të fëmijëve e përgjithësisht në formimin e personalitetit të tyre. Këto imitime, këta shembuj që marrin fëmijët, e përgjithësisht të rinjtë prej të rriturve, kthehen pastaj në shprehi te fuqishme e të qëndrueshme, që me kohë bëhen pronë e tyre shpirtërore, të cilat gjatë tërë jetës ushtrojnë një ndikim të madh mbi vullnetin e karakterin e tyre dhe bëhen pothuajse si vetë ata të cilët i imitojnë. Këtë e vërteton më së miri edhe fjala e urtë e popullit tonë: “Me kë të të rrish, ashtu do të bëhesh”.

Sa më të gjata e më të qarta të jenë paragjykimet e një gjëje ose veprimi, aq më shumë kohë do të qëndrojnë e do të pasqyrohen ato në shpirtin e njeriut, e pra edhe aq më lehtë ato asimilohen dhe ndikojnë në vullnetin e njeriut të ri. E parafytyrimet që rrjedhin prej shembullit janë vërtet shumë te fuqishme e të qarta, sepse ato i sheh, i dëgjon dhe i ndien. Pikërisht për këtë, ndikimi i shembullit është shumë i madh dhe ka fuqi edukative të fortë e të fuqishme. Prandaj, në qoftë se ajo përdoret për të mirë, do të japë ndihmë jashtëzakonisht të madhe në edukimin e fëmijëve në familje, në rrethin shoqëror dhe në shkollë.

Karakteri i të rriturve, me të cilët fëmija ka kontakt të përditshëm, vepron me të madhe mbi karakterin e fëmijëve. Prandaj, një prind i mirë e i denjë bëhet prijës i natyrshëm i fëmijëve të vet, kurse një edukator i mirë frymëzon jetë shembullore te nxënësit e vet dhe i bën për vete zemrat e tyre.

Nga ndikimi i madh që ushtron shembulli, pikësëpari duhet të përfitojnë prindërit, duke u përpjekur e kujdesur vazhdimisht që fëmijët e tyre në shtëpi e jashtë saj të bëjnë një jetë të rregullt, korrekte e të harmonishme në përgjithësi. Prandaj prindërit së pari duhet të kenë mendjen që nga goja e tyre, së paku në sy të fëmijëve, ‘të rrjedhë mjaltë’, siç thotë goja e popullit; pra të dalin vetëm fjalë të mira, të ëmbla, të atilla që fëmijët t'i përvetësojnë ato me ëndje dhe t'i përdorin me kënaqësi të madhe e me krenari si në familje ashtu dhe jashtë në rrugë e në rrethin shoqëror.

Nga ana tjetër, prindërit duhet të kujdesen që sjelljet e marrëdhëniet e tyre të shoqishoqshme e me të gjithë anëtarët e tjerë të familjes të jenë korrekte e në pajtim me normat morale të një edukate të mirë, sepse fëmijët e thithin, e rrëmbejnë menjëherë fjalën, gjestin e veprimin e prindërve të tyre, të cilët i duan dhe i çmojnë mbi të gjithë. Ndërkaq, shembulli i keq i prindërve mund. t'i helmojë fëmijët, sepse rrënjos në shpirtin e tyre vese, të cilat më vonë është shumë vështirë t'u hiqen, e nuk është për t'u çuditur që disa ndoshta mund t'u mbeten dhe për tërë jetën, mbasi është e pamundur t’iu çrrënjosen. Pikërisht për këtë prindërit duhet të jenë të rregullt, të drejtë, të ndërgjegjshëm, të përpiktë në punë dhe të jenë pasqyrë e qartë sa u përket fjalëve e sjelljeve të mira e të hijshme. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.