Sëmundjet të cilat barten me marrëdhënie seksuale

23:58 / 5.04.2010

Jeta seksuale shumë shpesh mund të na sjell edhe shqetësime të mëdha. Sëmundjet seksuale janë në rritje, ato quhen sëmundje transmisive seksuale, mund të merren në çdo moshë të jetës suaj.

dr. Jasmina Tolaj, gjinekologe

Sëmundjet seksuale transmisive janë¬: HIV, vaginoza bakteriale, kandida, trihomona, herpesi gjenital, gonorea dhe sifilisi. Mënyra më e mirë e mbrojtjes nga sëmundjet transmisive seksuale është kondomi, çoftë për seks vaginal, oral apo anal.

Shpeshherë sekreti vaginal na tregon shumë. Femrat kanë një sasi të vogël të sekretit vaginal. Sekreti vaginal ndryshon nga sasia, konsistenca. Sasia e sekretit vaginal është më e shtuar në kohën e ovulacionit dhe disa ditë para menstruacioneve.

Gjithashtu sekreti mund te jetë shumë i shtuar te femrat të cilat marrin tableta kontraceptiv ose kanë të vendosur spiralen. Ndërsa zvogëlimi i dukshëm i sekretit vaginal paraqitet te femrat në menopauzë. Sekreti vaginal normal ka ngjyrë të bardhë, por bëhet i verdhë dhe me një erë shumë të lehtë kur ka kontakt me ajrin për arsye të intereakcionit kemikal të quajtur oksidimi.

Kur kemi të bëjmë me sëmundjet seksuale transmisive, sekreti vaginal ndryshon, bëhet më i trashë, ka erë dhe konsistenca ndryshon. Ka shumë produkte të ndryshme të cilat shiten për larje intime, por ato preparate nuk janë të nevojshme, sepse muri i vaginës është shumë i ndjeshëm dhe produkte të tilla shkaktojnë ndryshime dhe irritim.

Infeksionet me te shpeshta te cilat barten me marrëdhënie seksuale te femrat janë:

Vaginoza bakteriale
Vaginoza bakteriale është një ndër infeksionet më te shpeshta te femrat, infeksion i cili përcillet me sekret, me erë të rëndë peshku, dhimbje dhe djegie. Mund të bartet me marrëdhënie seksuale, por nuk është e domosdoshme. Diagnostikimi bëhet me marrjen e strishos (sekretit) për ekzaminim laboratorik. Trajtohet me antibiotikë. Partneri duhet të trajtohet nëse kjo përsëritet shpesh. Te shtatzënat ky infeksion mund të shkaktojë lindje parakohe, prandaj trajtimi është shumë i domosdoshëm.

Kandida
Ky lloj infeksioni nuk është infeksion strikt, i cili bartet me marrëdhënie seksuale. Paraqitet me kruarje, djegie dhe skuqje. Zakonisht paraqitet te ato femra të cilat marrin tableta kontraceptive, antibiotikë ose asteroide, si dhe gjatë shtatzënisë; poashtu edhe te femrat me sëmundje te sheqerit. Te meshkujt paraqitet me skuqje te organit gjenital, por shpesh nuk kanë simptoma. Trajtimi bëhet me antimikotikë (Canesten). Meshkujt trajtohen vetëm nëse kanë simptome.

Trihomona
Është infeksion që atakon të dy gjinitë, meshkujt dhe femrat, por simptomat me së shpeshti paraqiten te femrat. Simptomat e këtij infeksioni janë sekreti ngjyrë të verdhë ose të gjelbër me erë peshku, skuqje, djegieje e vaginës. Ndonjëherë ky infeksion është asimtomatik, por zbulohet me Papa test. Shkaktohet nga paraziti i quajtur protozoa Trichomonas vaginalis. Infeksioni bartet me marrëdhënie seksuale. Është shumë i rrezikshëm te shtatzënat, sepse shkakton pëlcitje të parakohshme të cipave të lëngut amnial si dhe lindje para kohe. Diagnostifikimi bëhet me teste laboratorike të sekretit vaginal, ndërsa te meshkujt, lëng nga uretra. Shërimi i partnerit është i domosdoshëm edhe nëse nuk ka simptome. Trajtimi bëhet me antibiotikë zakonisht me dozë të vetme Mentronidazol (Flagyl).

Herpes Simplex Virusi
Infeksion i cili bartet me marrëdhënie seksuale. Femra kur ka virus të herpesit gjenital, zhvillohen lezione të ngjashme me herpes labial rreth vaginës dhe anusit, atëherë kur virusi është aktiv. Mund të paraqiten lezione të vetme apo grupe të cilat janë të dhimbshme dhe zgjasin disa javë. Herpesi shkaktohet nga virusi herpes simplex. Janë dy tipe të Herpesit 1 dhe 2. Zakonisht tipi 2 (HSV2) shkakton herpesin gjenital, ndërsa tipi 1 shkakton herpesin rreth gojës. Bartet me marrëdhënie seksuale të pa mbrojtur ose seks oral. Herpesi mund të bartet nga lëkura në lëkurë. Për diagnostikimin e këtij infeksion bëhet marrja e strishos nga lezioni për ekzaminim në laborator. Trajtimi bëhet me barin antiviral. psh Aciklovir (Zovirax). Meshkujt trajtohen nëse kanë ataqe të infeksionit, dmth., paraqitje të lezioneve, por kjo mund të përsëritet edhe pas shërimit. Te femrat sulmet e tilla paraqiten kur janë nën stres emocional dhe traumë.

Lythat gjenitale
Te ky lloj i infeksionit paraqiten lytha te vogla në vulvë, vaginë, anus ose cerviks (te meshkujt në penis). Ky infeksion paraqitet dy muaj apo me shumë pas marrëdhënies së pa mbrojtur. Shpeshherë mund të infektoheni nga ky virus, por nuk paraqiten lythat dhe nuk e dimë a jemi te infektuar nga ky virus apo jo. Lythat shkaktohen nga virusi i quajtur human papilloma virus (HPV). Se paku ka 50 lloje të këtij virusi. Trajtimi i këtij infeksioni bëhet në disa mënyra. Mënyra më e thjesht është aplikimi i kremit të quajtur podphillin i cili duhet të aplikohet disa herë dhe duhet disa ditë të largohen krejtësisht. Mënyra tjetër është ngrirja dhe djegia e lythave. Pas të gjitha trajtimeve, lythat mund të paraqiten përsëri.

Infeksioni me kllamidia
Infeksioni me kllamidia është infeksion i cili nuk ka simptome të lehta apo fare nuk ka. Nëse ky infeksion nuk trajtohet mund të shkaktojë sëmundje inflamatore të pelvikut (PID) dhe infertilitet. Te disa femra shkakton sekret të shtuar, djegie gjatë urinimit, dhimbje në fund të barkut, temperaturë, dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale si dhe gjakderdhje jo normale. Te meshkujt, shkakton simptome të cystitit, sekret nga organi gjenital i mashkullit, djegie gjatë urinimit, skuqje si dhe ënjtje e testisëve, por mund të mos kenë fare simptome.
Shkaktohet nga bakteria e quajtur Chlamydia trachomatis. Bartja e infeksionit bëhet vetëm me rrugë seksuale. Ky infeksion bartet nga nëna e infektuar te foshnja gjatë lindjes vaginale. Bakteria chlamydia shkakton dy të tretat e infeksionit te pelviku (PID). Diagnostikimi bëhet me marrjen e strishos nga cerviksi te meshkujt, nga retra, si dhe bëhet analizë të gjakut dhe urinës.
Trajtimi bëhet me antibiotikë sa me shpejt që bëhet diagnostikimi dhe duhet të trajtohen të dy partnerët.

Gonorea
Shkaktohet nga bakteria Neisseria gonorrhoea. Afekton vaginen, cerviksin, uretren dhe rektumin. Është gjithashtu një ndër shkaktarët e shpeshtë të infeksionit të pelvikut. Paraqitet me ndryshime në sekretin vaginal, me ngjyrë të bardhë në të verdhë, dhimbje në fund të barkut, djegie gjatë urinimit si dhe simptome të infeksionit rektal (zorrës së trashë), kruarje, skuqje, gjakderdhje dhe dhimbje të zorrës së trashë. Te meshkujt, simptomat paraqiten dy deri në pesë ditë pas marrëdhënies së pambrojtur. Diagnostikimi bëhet me teste të ndryshme laboratorike. Ky infeksion është gjithashtu shumë i rrezikshëm te shtatzënat. Trajtimi bëhet te të dy partnerët me doza të mëdha të antibiotikëve.

Sifilisi
Ky infeksion shkaktohet nga organizmat (shumë të afërt me bakterie) të vegjël të quajtur spirochaet-treponema pallidum. Koha e paraqitjes së simptomeve pas infektimit me sifilis është mesatarja 21 ditë. Infeksioni lokalizohet në hyrje të vaginës dhe retrës, me paraqitjen e ulcerave të vogla të quajtura chancre. Simtomat janë të shumta dhe është shumë vështirë të diagnostikohet nëse nuk bëhet testi serologjik. Shërimi i sifilisit bëhet sipas trajtimit më të vjetër dhe ende shumë efektiv me antibiotikë-penicilinë. Në rast të mostrajtimit te sifilisit mund të dëmtojë zemrën, aortën, trurin, sytë dhe eshtrat. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.