LAJMI I FUNDIT:

Shfaqet rasti i dytë i sëmundjes së gjedheve në Kosovë

Shfaqet rasti i dytë i sëmundjes së gjedheve në Kosovë

Në fshatin Zhujë të Komunës së Kamenicës, ditë më parë ishte identifikuar një rast me sëmundjen gungore të lëkurës tek gjedhet.

Një rast tjetër i tillë, me po të njëjtën diagnozë është regjistruar edhe në Komunën e Vitisë, gjë që ka ndikuar që kjo të shndërrohet në fenomen shqetësues.


Lidhur me rastin e parë, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kanë bërë të ditur se rasti është diagnostifikuar nga rezultatet laboratorike, me ç’rast është bërë edhe asgjësimi i kafshës. Ndërsa, lidhur me rastin e dytë, inspektori në Komunën e Vitisë, Arben Rexha, ka thënë për KosovaPress se Komuna ka ndërmarrë masa duke e izoluar dhe spërkatur kafshën, ndërsa janë duke pritur analizat, në mënyrë që të marrin masat e duhura për parandalimin e sëmundjes.

Detajet për rastin e parë të diagnostifikimit me këtë sëmundje në fshatin Zhujë të Kamenicës, i ka bërë të ditura kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, i cili për KosovaPress ka thënë se agjencia ka ndërmarr të gjitha masat të cilat kërkohen për të parandaluar këtë sëmundje.

Gjinovci ka deklaruar se Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në parandalimin e kësaj sëmundje, duke ofruar sasi të konsiderueshme të vaksinave.

Sipas tij, kjo sëmundje nuk paraqet ndonjë rrezik për shëndetin publik. Ai po ashtu tha se do të jenë në kontakt me vendet e regjionit për veprimet që ata do të ndërmarrin për parandalimin e kësaj sëmundje, në mënyrë që edhe Agjencia t’i ndjek procedurat e njëjta.