LAJMI I FUNDIT:

Shkëndija e Tetovës gati për Ligën e Evropës

Shkëndija e Tetovës gati për Ligën e Evropës

Shkëndija e Tetovës synon një fitore pa pësuar gol në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Europa League ndaj Krakovias, që do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup.

Trajneri Bruno Akrapovic dhe kapiteni Ferhan Hasani, në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para takimit, vlerësojnë cilësitë e kundërshtarit, por besojnë se kuqezinjtë mund të surprizojnë që në ndeshjen e parë. Trajner boshnjak fillimisht u ndal te gjendja e Shkëndijës pas periudhës përgatitore që u zhvillua në Slloveni.

“Jemi të përgatitur ashtu si duhet, kemi punuar shkëlqyeshëm në Slloveni, ku mbizotëronte një atmosferë pozitive. Të gjithë lojtarët janë mirë fizikisht, pas disa problemeve që patëm me dëmtimet. Arritëm në kohë t’i rekuperojmë, kështu që kemi gjithë ekipin në dispozicion për këtë ndeshje.”


Akrapovic tregoi se ka njohuri të detajuara për mënyrën se si luan Krakovia.

“E kemi analizuar kundërshtarin sidomos në dy ndeshjet e fundit që ka luajtur, ku i kanë kushtuar më shumë rëndësi taktikës. Kemi informacione të sakta nga ndeshjet e fundit të kampionatit në Poloni. Kështu që mendoj se pak gjëra mund të na befasojnë. Kanë një futbollist të grumbulluar me kombëtaren në Kampionatin Evropian. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe prania e tij në Evropian më shumë na shkon neve përshtat. Dimë shumë gjëra, do të shikojmë edhe disa detaje për t’i analizuar, por nuk dua të flas shumë për kundërshtarin, pasi me rëndësi është që ekipi im të imponojë stilin tonë të lojës dhe të mundohemi ashtu të arrijmë rezultatin e dëshiruar. “

Pak a shumë në të njëjtën linjë u shpreh edhe Hasani, i cili ngulmoi që Shkëndija të mos pësojë gol në shtëpi.

“Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, kemi punuar mirë gjatë kësaj fazës përgatitore dhe jemi të gatshëm. E dijmë se bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë që vjen nga një kampionat kualitativ si që është Polonia, mirëpo edhe ne kemi forcat tona dhe jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Për mua rezultat i mirë do të jetë çdo fitore pa gol të pranuar. Më e rëndësishme është mos të pranojmë gol”, deklaroi kapiteni Ferhan Hasani.