LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria moderne dhe ne

Shoqëria moderne nuk është rrjedhojë e një zhvillimi stihik dhe të rastit, por ngërthen në vete një histori njëzet e një shekullore të orientuar, konstaton sociologu Talcot Parsons në librin Shoqëria Moderne. Fillet e saj datojnë dhe barten deri në ditët e sotshme që nga Izraeli i vjetër dhe Greqia antike, si shoqëri këto të para proto moderne, të cilat paraqesin kopjet e para, nga ku zë fill moderniteti evroperëndimor, i cili pas transformimesh të shumta u bart deri në ditët tona.

Ishte perandoria Romake me juridiksionin e saj ajo e cila po ashtu la shumë gjurmë në modernitetin e sotshëm, ndërsa fundi i saj pati efekte të fuqishme në zhvillimet shoqërore të më pastajme, dhe u pasua nga një dekadencë e gjatë mesjetare. Vetëm ruajtja e karakterit universal të latinishtes si “lingua prima” apo gjuhë e parë, tregon mjaftë nga ky ndikim i kësaj perandorie të gjigante.

Në fakt “lingua prima” ishte vazhdim i supermacisë influencuese të Kishës Katolike Romake, e cila e shihte veten pasuse të kësaj perandorie të famshme, posaçërisht duke u reflektuar kjo në komunikimet religjioze, shoqërore dhe posaqërisht politiket, e cila manifestohej kryesisht në kuadër qarqeve të larta politiko-shoqërore, gjë kjo e cila pati një karakter të integrativ në një konturë sociale me shtrirje gjeografike kryesisht evropiane dhe e cila do të jetë një lloj gjedhe apo korznize e asaj që tani e quajmë shoqëri moderne. Zhvillim me implikime të gjëra pastaj pati gjithsesi edhe rënia e Konstantinopojës e cila paraqiste një qendër tjetër të mbetur nga kontura e perandorisë Romake e ndarë në dysh.

Fillet reale historike, procesuale dhe kauzale, në të vërtetë nisin nga Renesanca, dhe pasohen nga idetë social filozofike të shekullit të XVII-të, lëvizja Protestante në Gjermani, Revolucioni Borgjez Francez, dhe së fundi revolucioni tekniko teknologjik dhe ai arsimorë në SHBA, i cili do të jetë përcaktuesi kryesorë i konturimit të soqërisë moderne.

Por, çka në të vërtetë e dallon shoqërinë moderne nga tradicionalja?

Për të sqaruar këtë mundë të merren parasysh aspekt të ndryshme, por një ndër to është diferencimi që bëhet nga fakt se shoqëria moderne paraqet sistem social të ndryshëm, bile antipod nga shoqëritë tradicionale. Le të theksojmë fillimisht disa elemente të shoqërisë tradicionale. Ajo çka i karakterizon shoqëritë tradicionale është raporti jodinamik në relacionet mes individit-shoqërisë-religjionit. Kjo për pasoj reflektohet në panin politiko shtetërorë me koncentrimi të pakufishëm (absolut) të pushtetit në duar të një personi (apo sunduesi), megjithëse kjo dukuri natyrisht se është manifestuar si dukuri edhe në arealin kulturorë Evropian.

Ky lloj absolutizmi është karakteristikë dalluese e shoqërive tradicionale jo evropiane, të cilat manifestohen me ngrirje, apo mos zhvillim dhe mos ndryshim të raporteve shoqërore në relacion individin, por dhe në kontekst të ndarjes religjionit nga shteti si dhe në shtresimet e ndarjes së pushtetit në sferën e ngushtë politike.

Nga aspekti gjeografik, moderniteti ka të bëj me Evropën, ndërsa shoqëritë tradicionale konsiderohen jashtë evropiane por jo gjithherë është kështu, pasi që realisht, edhe pse nga aspekti gjeografik jashtë Evropës, SHBA dhe disa shtete tjera, sikurse Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, mundë të konsiderohen evropiane, ngase nga aspekti i strukturimit të tyre dhe zhvillimeve sociale dhe politike të akceptuara nga vet ato, të njëjtat kanë origjinë dhe karakteristika që i takojnë civilizimit evroperëndimor.

E kundërta ka ngjarë me shoqëritë moderne, të cilat janë sinonim i civilizimit evroperëndimor. Pasi që shumëformësia e realizuar e raporteve shoqërore, edhe pse shpeshherë manifestuar me dhunë të pa parë, si dhe kriticizmi në i manifestuar dhe detabuizimi i shoqërisë si sekularzëm dhe shoqëri civile, janë determinantat e shoqërisë moderne, ku kemi shtresimet më të shumta të një sistemi social shoqërorë.

Në këtë kontekst, kur Talcot Parsons përdorë nocionin shoqëri moderne, ai nënkupton ato shoqëri ku është arritur një shkallë e lartë e diferencimeve shoqërore (apo brenda shoqërore), por ku njëkohësisht nënkuptohet integrimi i të njëjtave në kuadër të një sistemi social (dimensioni apo strukture sociale apo edhe politike më të gjerë).

Megjithëse jo gjithë përfshirës në sferën e të definuarit të kompleksitetit shoqërore, pasi në fakt çdo definim nuk mundë të jetë gjithëpërfshirës, megjithatë kushtimisht, definicioni i evolucionistëve social kur të njëjtit konstatojnë se “me evolucion nënkuptohet kalimi nga një homogjenitet i pa strukturuar jo funksional në një heterogjenitet të strukturuar funksional”, praqet ndoshta më së miri një përmbledhje si definim, të asaj çfarë ka ndodhur në zhvillimet shoqërore, në rrugëtimin e tyre prej shoqërive të para protomoderne drejt shoqërisë moderne, konkretisht sistemin social i cili quhet shoqëri moderne.

Megjithëse nga aspekti shkencorë pjesërisht i njëanshëm, konkludimi i Parsonsit se shoqëria moderne shprehjen e saj më të mire e gjen të shoqëria amerikane nuk mundë të hidhet poshtë tërësisht. Sigurisht se ç`do shoqëri ka diçka e cila do të mundë të kritikohej, pasi nuk ka sistem ideal shoqërorë e as politik, prandaj e njëjta vlen edhe për shoqërinë amerikane, por kjo është jashtë domenit të diskutimit momental. Vetëm të themi se shoqëria amerikane paraqet shkallën më të lartë të diferencimit dhe integrimit të një sistemi social dhe politik ku ndryshimi nuk përjashtohet si alternativë.

Kontinenti evropian në këtë kontekst mbetet pas SHBA-ve, pasi shkalla e integrimit të shoqërive dhe shteteve në kuadër të kontinentit evropian (pse jo edhe Bashkimit Evropian) shikuar nga prizmi i funksionalitetit është ende larg nga SHBA, kjo pasi i njëjti është i frenuar nga një burokraci enorme dhe nga mekanizma politik jo adaptues dhe jofunksional veprimi.

Fakti se në kontinentin evropian, bile edhe në Japoninë e industrializuar kemi ende familje mbretërore apo perandorake, të cilat thënë të drejtën tani thuajse kanë karakter vetëm simbolik, flet për një ngecje në diferencimet sociopolitike. Rudimentet e të kaluarës bashkëjetojnë ende dhe të njëjtat janë indikatorë i mbijetesës së traditës e cila reflektohet ende në forma të ndryshme.

Për dallim, shoqëria amerikane ka arritur të marrë formën më të duhur të një shoqërie moderne, dhe kjo është manifestuar si ndarje e kalkulueshme prandaj edhe e matshme mes shtetit dhe religjionit, dhe me distancim të qartë nga format jorepublikane (dhe jodemokratike) të qeverisjes, përmes një parimi sekular të shtetit i veshur me jurisprudencë të avancuar dhe funksionale, e realizuar po ashtu në diferencim dhe integrim të qartë pushtetesh.

Një sistem i këtillë social, si nga aspekti strukturorë por edhe ai funksional (shoqërorë apo shtetërorë) duket se është i vetmi model i mundshëm adaptiv i cili ka kapacitete për të u rezistuar tendencave dhe trendeve dezintegrative, dhe i njëjti paraqet të një trampolinë të pranueshme sistemore për avancim të lirisë individuale por edhe grupore, përmes një rezultante sociale sekulariste. Kjo ngase moderniteti e avancon nocionin e shtetësisë në kontekst të realizimit të lirisë duke i dhënë asaj karakter të qeverisjes e cila bazohet në substrat formal juridik e jo lojalitet tribal dhe identifikim religjioz.

Vota e lirë e qytetarit apo e individit (sado qoftë e manipulueshme), është emanaimin apo burim i fuqisë së liderit apo prijësit, përderisa në shoqëritë paramoderne dhe tradicionale, situata ishte e kundërt, pasi individi ishe i subordinuar plotësisht nga prijësi apo edhe nga instancat tjera shoqërore qoftë me premisa religjioze dhe tribale.

Individi në shoqërinë moderne nuk e ka pozitën e determinuar dhe statike në kuadër të shoqërisë në të cilën jeton. Jeta e individit te shoqëritë modernë karakterizohet nga një pluralitet rolesh, përderisa familja të shumtën merr karakter nuklearë (me devijime parciale) dhe përbëhet nga prindërit e punësuar, ndërsa shikuar nga aspekti i shtresave shoqërore, kuantativisht dhe kualitativisht kemi dominim të shtresës së mesme.

Derisa shoqëritë tradicionale karakterizohen me një shkallë të lartë të vetëmjaftueshmërisë (autarkisë), shoqëritë moderne kanë një shkallë të lartë të varshmërisë në raport me sistemet tjera shoqërore dhe politike. Shoqëria moderne nuk paraqet një sistem të mbyllur dhe statik, por paraqet një sistem të hapur dhe dinamik e cila i jep shans interaksioneve shoqërore dhe dinamizmit social dhe politik.

Dhe ku jemi ne si shoqëri në kontekstin kosovar?

Tabloja e paraqitur më sipër bazohet fregmentet teorike të produksionit të sociologut Talcot Parsons i cili konsiderohet klasiku i fundit i sociologjisë. Skema e përgjithshme i atribuohet funksionalizmit si sistem teorik, dhe shoqërisë amerikane si modeli më i afërt me këtë teori. Nuk mund të pretendohet se as shoqëria amerikane në mënyrë ideale i plotëson kushtet e një sistemi të këtillë kompleks funksionalist, por mund të thuhet se në masë të madhe megjithatë i plotëson kërkesat e këtij sistemi i cili nuk ka karakter vetëm teorik por edhe primesa empirike. Ajo çka mund të pretendojmë si model i një shkalle të lartë moderniteti ndër ne është diferencimi i lartë dhe integrimi po ashtu i lartë në kuadër të modelit nacional shqiptar.

Të pakta janë grupet shoqërore nacionale, qoftë edhe në botë, që kanë kaq shumë diferencime sociale të brendshme (diferencime brandasistemore sociale), ku përfshihen edhe diferencimet fetare, dhe njëkohësisht të kenë shkallë të lartë integrimi rreth konceptit nacional. Së paku në Ballkan nuk kemi shembuj të këtillë bile as të përafërt dhe kjo është ajo çka e bën shoqërinë shqiptare moderne dhe me kapacitete të duhura adaptuese për të u akomoduar me një sistem të këtillë shoqëror.

Inercionet nga e kaluara, fatkeqësisht të dhimbshme, sigurisht se reflektojnë frikë në vetëdijen sociale dhe politike të shqiptarëve, por fakti se hapshmëria si model shoqërorë superiorë i konvenon strukturës apo sistemit social shqiptare (sado i inhibuar të jetë ai), konsideroj se janë mundësi, në fakt përparësi, që sistemi social dhe shtetërorë shqiptarë të jetë në terren të duhur avancimi.

Me gjithë rezervat teknike që mundë të evidencohen, në kontekst të zhvillimeve politike të cilat kanë ngjarë së fundmi, duke përfshirë edhe marrëveshjen e shumëpërfolur, nga aspekti procesual konsideroj se ka bazë për të besuar se zhvillimet në drejtim të realizmit e lirisë do të marrin rrugë afirmative. Varshmëria është atribut i shoqërive të hapura, ndërsa autarkia është sinonim i shoqërive të mbyllura. Kjo do të thotë se shqiptarët, duke qenë se janë të varur, njëherit janë të hapur për të qenë shoqëri moderne dhe e integruar në civilizimin evropërëndimor.

Diferencimi dhe integrimi i lartë brenda kombëtarë si model adaptim dhe funksional social do të jetë një kod veprues dhe afirmativ social për integrim me shoqëritë moderne, pas një shkëputje gjysmë shekullore, të cilën konsideroj se ne shqiptarët e kemi cak të pa diskutueshëm, si objektiv drejt së ardhmes. Defektet teknike dhe parciale, që i kemi si shoqëri janë të riparueshme pasi që sistemi i shoqërive të hapura është dinamik, kritik, adaptiv andaj edhe vetëkorrigjues.