LAJMI I FUNDIT:

Shotë Galica, një Zhan d’Ark shqiptare

Shotë Galica, një Zhan d’Ark shqiptare

Më 1962, në kohën e Enverit, u ngrit një lapidar në Fushë-Krujë, vepër e skulptorit Kristaq Rama. Ai regjim e nderoi edhe me titullin e lartë “Heroinë e popullit”. Në ditët tona, Shotës luftëtare nuk i dihet as varri dhe as busti

Në rrjedhën e kohërave historike, që nga Antikiteti e deri në ditët tona, janë të rralla rastet si ai i trimëreshës Shotë Galica, e cila e lidhi besën me trimin Azem Galica për jetë apo për vdekje. Megjithëse ylli i luftës së tyre për liri herë pas here zbehej, ajo kishte një besim se liria e rrëmbyer fitohet vetëm me armë në dorë. Është një rast unik, monumental, shembulli i luftës dhe i martirizimit të saj për liri kombëtare.

Shota (Qerime) lindi më 1895 në Radishevë të Drenicës, një krahinë në zemër të Kosovës. Ngaqë ishte vajzë që erdhi në jetë pas gjashtë vëllezërve, i ati u gëzua shumë për lindjen e saj. Ajet Haxhia në librin e tij “Shotë dhe Azem Galica”, thotë se madje ai qëlloi me pushkë, çka nuk ishte zakon në ato anë. Ai e thirri Shotë me përkëdheli që në fillim, pa e ditur se emri i saj do të shndërrohej në një simbol për kujtesën tonë kombëtare.

Sa u rrit pak Shota, ai e merrte me vete në odën e burrave dhe në kuvende, në të cilat flitej për trimëri e urti, por edhe merreshin vendime të rëndësishme për kohën. Aty ajo mësoi veçanërisht për luftërat e përgjakshme që shoqëruan Lidhjen e Prizrenit, për betejat e shumta legjendare në mbrojtje të tokave shqiptare. Ajo mësoi gjithashtu se Kosova ishte e pushtuar, se malet dhe grykat e saj ishin kthyer herë pas here në shesh luftimesh të përgjakshme për liri. Ajo pati fatin e lumtur të shihte me sytë e vet trima si Isa Boletini e Hasan Prishtina me shokë.

Në fillim dashuria e saj për lirinë dhe për trimërinë u shpreh nëpër këngë odash. Shota i binte çiftelisë dhe këndonte. Kishte vërtet një zë të bukur dhe shpeshherë këngët e trimërisë tingëllonin si kushtrim i shpirtit të Kosovës: “Besa-besë, nji besë kem dhanë / Ty Shqipni na të kemi nanë”.

Aty ajo njohu dhe ra në dashuri me trimin Azem Galica, me të cilin u martua më 1915.

Është i pabesueshëm, gati-gati mitik, por i vërtetë fakti që Shota nuk shkoi nuse me duvak. Në dasmën e saj nuk pati vaj apo qarje, sepse ajo nuk po martohej me një të panjohur, por me një trim që e dashuronte me forcën e rinisë. Bashkëshorti i saj ishte një kaçak mali që ishte arratisur nga burgu për të vazhduar luftën e tij për liri.

Shota u vesh si për festë dhe dukej vërtet si një trëndafil maji kur shkoi nuse në Galicë. Pas dy javësh shtëpia e trimit u rrethua. Serbia nuk mund t’ia falte lehtë atij që kishte thyer dyert e burgut. Lufta ishte e rreptë, e pabarabartë, mund të thuash se qe luftë e një ushtrie të armatosur kundër një ëndrre të thjeshtë dhe të vetvetishme për të jetuar i lirë në trojet e të parëve. Në atë luftë mori pjesë për herë të parë edhe Shota.

Ajo ishte një e re 19-vjeçare dhe tashmë e dinte mirë se çfarë ishte lufta. E kishte përjetuar dy herë djegien e fshatit të saj të lindjes dhe i kishte parë me sytë e vet se si themelet e shtëpive shndërroheshin herë pas here në grumbull thëngjijsh. Shota, nuse e re, u vu me bindje përkrah Azemit që ishte burrëruar nëpër beteja dhe burgje, megjithëse ishte vetëm 24 vjeçe. Beteja që ishte absolutisht e pabarabartë përfundoi tragjikisht. U vranë dy vëllezërit e mëdhenj të Azemit. Në këtë çast vendimtar, kur përmes një dhimbjeje të fortë Azemi ishte duke dhënë porositë për varrosjen e dy vëllezërve dhe fshehjen e familjes, Shota mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së vet, një vendim strategjik, që lidhej me historinë politike dhe shoqërore të Kosovës së pushtuar. Ajo ndjeu një komunikim shpirtëror me atdheun, emocione dhe ide të fuqishme, që i erdhën si dashuri për lirinë. Ajo i tha Azemit se do ta shoqëronte atë në mal, të luftonte e të vdiste krah tij. Çfarë force e çfarë guximi!

Nusja e re hoqi rrobat e nusërisë, u vesh për luftë me rrobat e komitës kombëtare që ia dha nëna e Azemit, ngjeshi në brez një gjerdan me fishekë, lidhi gërshetat, vuri plisin e bardhë që i kishte aq shumë hije fytyrës së saj rinore dhe u nis në mal. Është tamam si në legjendë nisja e saj në luftë pa kaluar ende ditët e nusërisë, me armë të ngjeshura në brez, me një kalë që imagjinata e shndërron të bardhë. Që atë çast jeta e saj u transformua në jetë lufte për liri. Dalja e Shotës në mal dëshmoi jo vetëm shpirtin e saj liridashës, por edhe konceptin e madh të emancipimit shpirtëror që fiton mbi mendësitë patriarkale e shtypëse për gruan. Shota dhe Azemi udhëtuan të dy nëpër natë drejt malit të Çiçavicës dhe në mes të errësirës u dëgjua thirrja që do të mbetej në legjendën tonë kombëtare si ogur lirie “O, prite Azem Galicën!”.

Një nuse e re komite! Ishte një gjë e rrallë, sublime. Lajmi u përhap si vetëtimë në Drenicë. Shota doli në mal duke hyrë kështu në histori si një monument i pavdekshëm lavdie, qëndrese, emancipimi dhe trimërie.

Të nesërmen e nisjes së tyre në mal, forcat serbe e rrethuan tërë Galicën dhe dogjën shtëpinë e Azemit. Po ata i kishin marrë parasysh pasojat dhe sidomos luftëtarja më e re e çetës së Drenicës. Ajo ishte tashmë në krah të Azemit si një amazonë që do t’i jepte zemër për betejat që e prisnin. Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarët e tij.

Në të vërtetë Shota me gjestin e saj bëri një revolucion. Ajo e ndërroi kohën e bukur të nusërisë me jetën e vështirë të malit. Stolitë me pushkën dhe gjerdanin me fishekë. Fjalët e ëmbla të dashurisë me zhurmën e plumbave. Emocionet e jetës bashkëshortore me dhembjen dhe lotët para trimave që binin. Kuptohet që nuk ishte aq e lehtë ta bëje këtë veprim në mendësinë tradicionale që mbretëronte në atë kohë. Luftëtarja e re u ndesh ashpër me zakonet e vjetra, me thashethemet dhe me ligësinë, të cilat mbërrinin edhe atje “ku nuk arrinte dora e fuqisë armike”, siç shprehet Ajet Haxhia në librin e tij.

Kuptohet që mes këtyre pengesave, ndër më të pakapërcyeshmet ishin edhe qëndrimet dhe veprimet e atyre shqiptarëve, të cilët ishin vënë dhe viheshin në mënyrën më të turpshme në shërbim të serbit. Por, Shota nuk u tërhoq. Kuraja e saj për të qenë vetvetja dhe simbol i luftës për liri është një model për të gjitha gratë shqiptare. Bota asaj i dukej e vërtetë dhe me kuptim vetëm duke luftuar për lirinë. Pa liri nuk ka lumturi.

Në Kosovë njerëzit vuanin nën pushtim duke iu nëpërkëmbur të drejtat, iu digjeshin shtëpitë, vriteshin. Ajo kishte dalë në mal që të kundërshtonte padrejtësinë që vazhdonte t’i bëhej një populli që kërkonte liri dhe gëzonte në heshtje dhe në mënyrë të hapur simpatinë e çdo zemre që e donte të ardhmen, lirinë dhe lulëzimin e identitetit. Sepse, dihet, njeriu që sakrifikon jetën e tij dhe rininë për të mirën e përgjithshme, përfton vlera të veçanta. Kudo ku shfaqej Shota, shfaqej vetë mirësia dhe bukuria si të ishin objekte të gjalla. Asaj filluan t’i thurin edhe këngë. Këngët vinin në dukje guximin e saj para jetës së vështirë të malit, para flakëve, para rënies dhe plagosjes së luftëtarëve të lirisë, para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare.

Së bashku me Azemin dhe me çetën e tij në kohën që doli ajo në mal, ata luftuan ashpër trupat austro-hungareze dhe bullgare, që zaptuan një pjesë të Kosovës. Ishin vitet e Luftës Ballkanike. Drenica ishte e ndarë midis dy pushtuesve, atyre bullgarë dhe austro-hungarezë, por Shota dhe Azemi donin lirinë e tërë territorit të pushtuar. Madje në këtë kohë pati një marrëveshje mes forcave serbe dhe çetës së Azemit për të luftuar pushtuesin e përbashkët e për ta diskutuar paskëtaj të drejtën e Kosovës e të kosovarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë ashtu si kishin qenë historikisht një truall, një gjuhë, një histori.

Më 1916, afër Mitrovicës, në Obrije, u zhvillua një përpjekje mes forcave pushtuese bullgare e austro-hungareze dhe atyre shqiptare, në të cilën Shota luftoi trimërisht. Pastaj çeta u rrethua në Koshovicë nga forcat bullgare. U ça rrethimi, në të cilin Shota rrinte përherë në krye, por Azemi u plagos. Ata zhvendoseshin nga një zonë në tjetrën. Në territoret e pushtuara nga bullgarët ata u rrethuan sërish më 1917 në Bajë. Shota përsëri ishte në krye të çetës me Azemin. Rrethimi u ça, por Azemi u plagos sërish. Ajo e ngriti Azemin e plagosur dhe në bjeshkët e Drenicës që i njihte mirë gjeti një shpellë. Aty ajo i qëndroi mbi kokë luftëtarit të lirisë që lëngoi disa kohë nga plagët e rënda. Me kujdesin e saj të pashembullt, Shota bëri që ai të shërohej shpejt pa u diktuar nga armiku. Në muzg ajo dilte nga shpella si të thuash me qefinin e vdekjes në kokë dhe kthehej me ushqime dhe barna popullore.

Kur Azemi u përmirësua plotësisht, ajo lajmëroi çetën dhe jeta e tyre kaçake me luftë nisi sërish. Përpjekja e parë pasi dolën nga shpella ishte me një njësit austriak. Çeta e kaloi rrethimin, por kuptohet që çdo përpjekje ka dëshmorët e vet. Trimat binin si lisat e prerë. Gjaku derdhej lumë. Shota ndiente të dridhura në zemër dhe pastaj zemra e saj e re flakëronte nga urrejtja për pushtuesit. Ajo çdo ditë e më tepër bindej për qëllimin e madh çlirimtar të luftës së tyre dhe nuk i trembej vdekjes. Ajo nuk i pranoi ashtu si Azemi dhuratat në këmbim të idealit të tyre kombëtar.

Më 1918 ajo mori pjesë në luftimet e ashpra për çlirimin e Drenicës dhe Pejës. Pasi mbaroi Lufta Ballkanike, terrori serb u rikthye prapë. Megjithëse serbët nuk i kishin kursyer premtimet gjatë luftës kundër pushtuesit të përbashkët, me ikjen e tyre ata u kthyen në pushtues tradicionalë të Kosovës. Shota, që e kishte dëgjuar Azemin ta udhëzonte çetën e tij që në këto çaste “armëpushimi” me Serbinë, nuk duhej të prekej as edhe një fije floku serbi, u zhgënjye nga padrejtësia dhe gënjeshtra e hapur. Këmba e pushtuesit serb shkeli përsëri rëndë, duke sjellë mjerim dhe vdekje ngado që shkonte. Në këtë kohë u duk një qëndresë e pashembullt e saj dhe e gjithë luftëtarëve kundër politikës së dhunës dhe shkombëtarizimit.

Në atë kohë u dogj edhe Radisheva, fshati i Shotës. Kuptohet që u dogj edhe shtëpia e saj. Në këtë kohë merrnin pjesë në luftë i ati, 5 vëllezërit dhe tre nipër të saj. Ajo nuk e pranoi propozimin që të shkonte në një vend të sigurt e të çlodhej nga lodhja e madhe shpirtërore kur mori vesh gjëmën e shtëpisë së djegur dhe fatin e pjesëtarëve të familjes së saj. Më 1919 ajo luftoi në mënyrë të paepur në Kryengritjen e madhe të Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës. Megjithëse u plagos, ajo nuk pranoi të largohej nga lufta, e lidhi plagën dhe vazhdoi.

Komiteti i Kosovës bëri thirrje për të vazhduar kryengritjen dhe Shota me 60 luftëtarë merr udhën për në Shqipëri që të furnizoheshin me armë. Qëllimi ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. U hartua një program luftarak për një kryengritje të përgjithshme që ajo e ëndërronte natë e ditë. Por agjentët serbë dhe ata shqiptarë në shërbim të tyre u përpoqën me çdo kusht ta pengonin. Flamurin e kryengritjes e mbanin ndezur Shota dhe Azemi. U bënë luftime të ashpra. Vinin trenat me armë e me forca nga Beogradi në Kosovë. U mor vesh që do të digjej përsëri Galica. Shota shkoi nëpër natë që të njoftonte fshatin dhe vendosi ta gdhinte atë natë te shtëpia e ringritur e Azemit, tek e cila kishte mbetur nëna e vetme. Kur qe nisur Azemi në mal, pas vrasjes së dy djemve, vëllezërve të tij më të mëdhenj, ajo i qe lutur Azemit që ta merrte me vete edhe djalin e fundit, më të voglin, duke besuar se ai do të ishte më i sigurt në mal.

Një batalion serb iu vu në ndjekje Shotës dhe në mes të natës shtëpia u rrethua. Shota luftoi aq shumë sa armiku kujtoi se kishte të bënte me një çetë të tërë. Shota, por edhe e ëma e Azemit, luftuan kundër një batalioni serb dhe fituan. Për atë betejë kanë shkruar edhe një këngë në Drenicë. Shota e çau rrethimin dhe e shoqëroi të ëmën e Azemit në një bazë ku kishin çuar edhe gra të tjera. Pas pak iu vu flaka për herë të dytë shtëpisë së Azemit. Armiku e zbuloi edhe bazën dhe i masakroi të gjitha gratë që ishin aty; shpëtoi vetëm një mbesë e Azemit rastësisht, njeriu i fundit nga raca e tij, vajza e motrës që erdhi e jetoi në Shqipëri.

Shota vinte shpesh në Shqipëri gjatë kohës që ishte me Azemin në çetë. Kryesisht ata qëndronin në Shkodër. Aty kishte edhe luftëtarë nga Plava e Gucia. Në Shkodër ishte e dashur shprehja: “Pamë Shotën”. Të shihje Shotën, këtë trimëreshë të lirisë, ishte një ogur i mbarë. Në Shkodër ajo doli në fotografi me Azemin. Është një foto jashtëzakonisht e bukur. Mund të jetë një ndër fotot e rralla në botë të këtij lloji. Shota në këmbë, me shtatin si selvi, e veshur me kostumin e komitit, me një gjerdan fishekësh e me pushkë në dorë dhe Azemi ulur. Të dy janë të armatosur, me fytyra që i përshkon përgjegjësia dhe magjia e luftës për liri. Ajo e ka mbështetur dorën e djathtë te supi i Azemit. Në kraharor i varet zinxhiri i një sahati që e mban në një xhep të brendshëm nga ana e majtë, kurse në anën e djathtë një nagant që shquhet mbi gjerdanin e fishekëve. Ky ishte kostumi i saj i vërtetë i luftës për liri.

Fotoja është bërë në vitin 1920, në atelienë fotografike Marubi. Kur e panë francezët Shotën në atë foto, e pagëzuan që atëherë “Zhan d’Arka shqiptare”. Kjo foto e rrallë besoj se duhet të ruhet në koleksionin e fototekës, në qoftë se nuk ka pasur fatin tragjik të shkatërrohet, të digjet apo të humbasë si shumë e shumë dokumente apo objekte që kanë qenë kujtesa historike e kombit.

Ato ditë që ata ishin në Shkodër, Amet Zagolli u dërgoi kërcënim disa patriotëve si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët përpiqeshin të ndihmonin në zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Kosovë. Kuptohet që Azemi dhe Shota u revoltuan nga ky kërcënim. Por edhe trimi Azem Galica i dha një paralajmërim të fortë atij.

Në pranverën e vitit 1921, Shota dhe Azemi, bashkë me çetën, u kthyen në Kosovë për të vazhduar veprën e tyre çlirimtare. Në sajë të luftës së çetës dhe revoltës popullore të pjesës perëndimore të Kosovës, në vitet 1921-1923, u krijua Zona Neutrale e Junikut dhe në vitet 1923-1924 u arrit të krijohej zona e lirë e Drenicës e pagëzuar, “Arbania e Vogël”. Por në luftimet për mbrojtjen e Drenicës u plagos për vdekje Azem Galica. Pas varrosjes së trimit në thellësitë e një shpelle, sipas porosisë së tij, drejtimin e çetës e mori Shota, e cila tashmë e kishte përpunuar në beteja idealin e saj patriotik. Ajo ishte përkrahëse e opozitës demokratike të vitit 1924 në Shqipëri dhe mbështetëse e qeverisë së Nolit. Ajo u radhit krahas luftëtarëve të Bajram Currit që pritën me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut dhe të ndërhyrjes serbe e ruse, të cilat sollën Ahmet Zogun prapë në fuqi. Pas kësaj ajo u kthye në Kosovë, ku mbajti gjallë frymën e qëndresës. Gjendja politike në Shqipëri vazhdonte të mbetej e trazuar. Vrasjen e Avni Rustemit, Zogu e pasoi me vrasje të tjera, duke shmangur nga rruga e tij prej diktatori figura të ndritura si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e të tjerë.

Pas betejës së fundit, në fundin e vitit 1926, ku plagoset rëndë, Shota me disa fëmijë jetimë të bashkëluftëtarëve të vrarë, u nis për në Shqipëri. Në fillim ajo u vendos në Shullaz të Milotit e më vonë shkoi në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Ajo mendonte se me të ardhur pranvera do të kthehej sërish në Kosovë dhe do të vazhdonte luftën për liri. Por plaga e saj e luftës u keqësua dhe gishtat e dorës së djathtë nisën t’i paralizohen. Ishin dymbëdhjetë vjet lufte e qëndrese në mbi 40 aksione luftarake.

Pastaj mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, shpirti i rënduar nga djegiet, vrasjet dhe masakrat, në të cilat humbi të gjithë pjesëtarët e familjes, Shqipëria e tronditur, dhembja për jetimët kosovarë, të gjitha këto e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë mjekët ia prenë. Në mes të mjerimit ekonomik, ajo u detyrua të shiste edhe pasurinë e fundit që i kishte mbetur, kalin e Azemit. Kuptohet që regjimi në fuqi, një regjim proserb, nuk donte t’ia dinte për një luftëtare kundër pushtimit serb.

Më 1927, Shotë Galica, luftëtarja trime, Zhan d’Arka shqiptare, mbylli sytë mes mospërfilljes së regjimit. Por, megjithatë, varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën njerëz të shumtë nga disa rrethe të Shqipërisë që e dinin historinë e ndritur të jetës së saj në luftë për liri. Ishte vetëm 32 vjeçe.

Më 1962, në kohën e Enverit, u ngrit një lapidar në Fushë-Krujë, vepër e skulptorit Kristaq Rama. Ai regjim e nderoi edhe me titullin e lartë “Heroinë e popullit”. Në ditët tona, Shotës luftëtare nuk i dihet as varri dhe as busti. A mos duhen kthyer eshtrat e Shotë Galicës në vendlindje që ajo të prehet pranë varrit të trimit Azem Galica? /Feride Papleka/Shqip/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori