LAJMI I FUNDIT:

Shpallen fituesit e projektit Ndërkufitar

Shpallen fituesit e projektit Ndërkufitar

Konkursi për projektet “Profesionistët e Rinj për Bashkëpunimin Ndërkufitar Kosovë – Shqipëri” ka përfunduar dhe janë përzgjedhur 4 projektet më të mira sa i përket zonave Gjakovë-Has-Tropojë me projektin “Shtigjet e Lirisë”, ndërsa për zonën Prizren-Kukës me projektin “Korridori i Gjelbër”.

Me këtë rast, ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se me këtë projekt nënkupton bashkëpunim dhe një bashkim në mes dy vendeve rreth synimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta për të revitalizuar bashkëpunimin ndërmjet këtyre zonave që për shumë vite ka qenë e lënë anash vëmendjes së pushteteve qendrore.


“Bashkëpunimi Ndërkufitar, paraqet vlerat evropiane, synim evropian dhe natyrisht kjo do të fillojë në mesin e komunave tona. Me ministren Gjermeni para një viti kemi diskutuar dhe jemi pajtuar rreth asaj se e kemi të domosdoshme që të fillojmë të bëjmë diçka konkrete, e mos të kemi vetëm marrëveshje në letër por të kemi një projekt i cili do të ketë jetë dhe çka mund të jep jetë e një projekti më shumë se energjia rinore profesionale siç ka qenë rasti me arkitektët e rinj”, u shpreh Agani.

Më tej ai theksoi se procesi i kësaj iniciative na ka sjellë në ditën e një pune shumë profesionale arkitektonike.

Agani ndër të tjera u shpreh se ky projekt tani më e ka një bazë profesionale shtetërore të mirëfilltë.

“Ka një bazë solide. Kemi qenë shumë të kënaqur me prezantimin. Në fazat që do të vijnë, menjëherë fituesit e çmimeve të para do të ftohen të bashkëpunojnë me dizajnimin e një plani ideor për tërë zonën me dy komponentët e përmendura dhe menjëherë pas kësaj, që besoj se do të kryhet nga mesi i shtatorit, ministria e Mjedisit të Kosovës do të mbështetë dizajnimin e planit detaj arkitektonik.

Menjëherë në zbatimin e tij do të kyçim dy qeveritë, atë me vendime politike qysh në javën e ardhshme në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive”, deklaroi ministri.

Për më tepër ai njoftoi se përpos qeverive që do të financojnë projektet, janë ofruar ndihmë edhe prej donatorëve të cilët sipas Aganit kanë shprehur interesim të madh për mbështetjen e këtyre projekteve.

Do të fillojë realizimi I këtyre projekteve dhe ky projekt do të paraqes në esencë edhe realizimin e objektivit që e kemi pasur së bashku me Gjermenin në fillim të këtij rrugëtimi shtoi Agani.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, tha se ky aktivitet shënon konkretizimin e përpjekjeve për rifunksionalizim dhe për kthim të jetës e gjallërisë, për kthim të turizmit dhe aktivitetit ekonomik në një zonë e cila ka çdo gjë por ka mbetur pak në ngecje në kuadër të zhvillimit të mirëfilltë.

Image
“Konsulata e Shqipërisë e ka këtë synim, e ka qëllimin që të jetë një urë lidhëse midis projekteve zhvillimore të zonës të malësisë së Gjakovës, Prizrenit e Kuksit. Ka qenë një kënaqësi e veçantë e trajtimit të projekteve të prezantuara. Vlerat e zonës janë që projektuesit i vunë në pah. Ajo që neve na rikujtoj edhe njëherë është se shumë obligim kemi që të zhvillojmë të gjithë atë bukuri dhe të gjithë atë potencial që ekziston në zonë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, ministrja e Zhvillimit urban e Shqipërisë, Eglantina Gjermeni tha se, idenë e një projekti të përbashkët e iniciuam dy ministrat u vazhdua dhe u përçua nga stafi i dy ministrive dhe u përcoll nga pjesëmarrësit në konkurs si dhe u mirëprit nga të gjithë komunat.

“Shumë shpejt këto projekte do të marrin bekimin dhe mbështetjen e dy qeverive tona për tu realizuar konkretisht projektet. E prezantuam idenë për këto zona dhe dëshironim ti promovonim arkitektet e rinj duke promovuar potencialet e zonave kufitare qoftë me korridorin e gjelbër qoftë me shtigjet e lirisë””, deklaroi ajo.

Kurse, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se, lëvizja e lirë midis Kosovës dhe Shqipërisë ka 17 vjet që po ndodhë ka një lëvizje të lirë dhe ka një mardhenje midis vëllezërish dhe motrash. “Projekti I sotshëm ka të bëjë për një zhvillim kualitativ afatgjatë bashkëpunimi midis dy anëve të kufirit. Shpesh herë pyesin rreth bashkimit Kombëtarë. Bashkimin Kombëtarë e sjellin projektet”, u shpreh ai.

Fituesi i çmimit të parë në këtë garë,ishte Saimir Shtrilla, për Ekonomia Online, ka thënë se jemi të gëzuar për këtë konkurs dhe se ka qenë një konkurs shumë konkurrues. Shtrilla më tej, tha se është një përgjegjësi e madhe sepse kjo jo vetëm që lidhë Kosovën me Shqipërinë në mënyrë shpirtërore por edhe fizike.