LAJMI I FUNDIT:

Shtatë udhëzime për kapërcimin e krizave mes Kosovës dhe Shqipërisë

Shtatë udhëzime për kapërcimin e krizave mes Kosovës dhe Shqipërisë

1. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, pa dallim, për citimin e Ivo Andriqit, sepse ta citosh Andriqin është më keq se ta citosh Millosheviqin, Karaxhiqin, Arkanin, apo Sheshelin. Po të mos ishte Andriqi, Qubrillovqi e ideologët tjerë të hegjemonizmit serb, shovinizmi shkatërrues serb do të ishte më pak agresiv. Shovinizmi agresiv serb është fajtor jo vetëm për masakrimin dhe gjenocidin ndër-shekullor të popullit shqiptar, por edhe për ngecjet tona historike.

2. Kryeministri Edi Rama duhet të vazhdojë të flasë për Kosovën sa herë që i jepet rasti, për faktin se Shqipëria ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e përpëlitjeve të saj për liri dhe pavarësi, dhe se shmangja nga kjo udhë do të quhej lënie pas dore e vëllait më të vogël, i cili do të rritet dhe nesër do ta kthejë të mirën që ia bën sot. Dy vëllezër të lidhur me njëri-tjetrin janë më të fortë sesa të veçuar nga njëri-tjetri.


3. Kryeministri Edi Rama duhet të ndihet i madh para serbëve, sepse populli shqiptar gjithmonë ka qenë dhe është popull liridashës, për dallim nga serbët që historikisht kanë jetuar me maninë e superioritetit ndaj popujve tjerë. Por, Edi Rama duhet ta dijë se në të vërtetë është shumë i vogël para shqiptarëve dhe para botës, duke ditur se përfaqëson një shtet dhe një klasë politike të korruptuar deri në palcë, e cila ka kohë që ka nevojë për shërim dhe kurrë nuk po e gjen njeriun e madh që mund ta udhëheq procesin e ndryshimit radikal. Në këtë drejtim, as lideri Edi Rama nuk bën përjashtim.

4. Politikën e jashtme shtetërore kosovare duhet ta bëjnë diplomatët e vërtetë, e jo simulantë të politikës e grindavecë që paaftësinë e tyre e kompensojnë me grindje vëllazërore. Serbia nuk është armiku i shpifur, por armiku ynë i vërtetë, i provuar gjithmonë me gjakun tonë të derdhur, dhe fryrja e ndasisë ndër-shqiptare është mbështetje për armiqtë tanë.

5. Presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët… duhet të merren vetë me politikë, që të lënë më pak hapësirë që atë ta bëjnë portalet kosovare, si formë mbijetese ose pasurimi. Në fakt, në këtë kohë krize të thellë, Kosova ka nevojë për mendjet më të ndritura dhe të urta politike, të cilat nuk po duken askund në sfond. Derisa nuk i shohim askund, na mbetet të jetojmë me këto mendje që kemi dhe të shpresojmë sipas maksimës “shpresa vdes e fundit”.

6. Gazetarët grindavecë dhe pronarët profiterë të medieve, duhet ta dinë se ata nuk përfaqësojnë askënd përveç vetes së tyre dhe se disa miliona shqiptarë që jetojnë pranë njeri-tjetrit kultivojnë dhe ruajnë respektin dhe dashurinë për njeri-tjetrin, dhe këtë ndjenjë nuk mund ta cenojnë njerëzit e papërgjegjshëm si këta akterë të djallit. Kjo ndjenjë e respektit dhe dashurisë vëllazërore do të triumfojë edhe kësaj radhe, sepse është tepër e lartë për t’u manipuluar për interesa mediale, individuale e klanore.

7. Njerëzit e rëndomtë nuk duhet t’i marrin seriozisht liderët e tyre, as në Kosovë dhe as në Shqipëri, por as analistët e politikës që përziejnë analizën me politikëbërjen, sepse krejt këta njerëz qëllim të përbashkët kanë mbijetesën nëpër kriza. Në një situatë normale dhe në një konkurrencë të lirë, këta do të zhdukeshin si flluskat e sapunit. Mënyra më e mirë e sjelljes është injorimi i situatave të këtilla që janë kriza artificiale, mbi të cilat rritet mjerimi social, ku individët si këta, duke u tallur me masën që ata e konsiderojnë injorante, e përdorin atë mish për top dhe mish për drekën e tyre të pasur.