LAJMI I FUNDIT:

Shteti favorizon biznesmenin nga Buroja

Shteti favorizon biznesmenin nga Buroja

Biznesmeni Avni Kastrati, nga Buroja e Skenderajt, ka fituar tender në vlerë prej 9 milionë eurosh nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), pavarësisht se në dy lote ishte për rreth 1 milion euro më i shtrenjtë se kompanitë tjera

Kompania “Ada Group”, pronë e biznesmenit Avni Kastrati, nga Buroja e Skenderajt, ka fituar tender në vlerë prej rreth 9 milionë eurosh, pavarësisht se në dy lote ka qenë më e shtrenjtë se kompanitë konkurrente për rreth 1 milion euro, shkruan sot gazeta ‘Zëri’.


Kjo kompani, pronë e bashkëvendësit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fituese e tri loteve nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) për furnizim me artikuj ushqimorë, përkatësisht me bukë, mish dhe ujë për burgjet e Kosovës, Qendrën Klinike dhe Universitare, Mezenë e Studentëve, Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime.

Lotin për furnizimin e institucioneve me bukë, “Ada Group” e ka fituar, pasi që ka ofertuar një çmim prej rreth 3 milionë e 455 mijë eurosh, përderisa një kompani tjetër “Premium Bakery” është eliminuar nga gara, ndonëse ka qenë për rreth 118 mijë euro më e lirë se kompania fituese. /Zëri/Telegrafi/