LAJMI I FUNDIT:

Si ndodhi marrja nën kontroll e pikës 1 në Jarinje dhe asaj 31 në Bërnjak

Si ndodhi marrja nën kontroll e pikës 1 në Jarinje dhe asaj 31 në Bërnjak

“Epoka e re” e sjell të plotë rrëfimin e dy pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës, pjesë të aksionit (më 25 korrik 2011) për marrjen nën kontroll të pikës 1 në Jarinje dhe 31 në Bërnjak. Ky tekst është botuar në versionin e shtypur të gazetës “Epoka e re” më 30 korrik 2011.Të prekur thellë në shpirt për humbjen e kolegut të tyre Enver Zymberi, por krenarë që kanë qenë pjesë e operacionit policor për vendosjen e ligjshmërisë dhe zbatimin e reciprocitetit edhe në pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë, dy pjesëtarë të njësive elite të Policisë së Kosovës, tregojnë në detaje për ndërhyrjen në pjesën veriore.

Ata në kushte anonimiteti kanë ndarë me lexuesit  çastet më emocionuese dhe sfiduese të kësaj ndërhyrje.


Njëri në mbrojtje të Jarinjës, tjetri të Bërnjakut, të panjohur për njëri-tjetrin, ndihen të privilegjuar që kanë qenë pjesë e një aksioni vendimtar për shtetin. Përveç uniformës, ata i lidh edhe kauza e përbashkët: mbrojtja e kufijve të Republikës së Kosovës.

Nisja për në veri

Ka mjaftuar një telefonatë, që secili prej pjesëtarëve të elitës së policisë ta veshë uniformën blu dhe të niset për në detyrë, pa ditur saktësisht se për çfarë plani operacional po bëhet fjalë. “Më 25 korrik rreth orës 20:00 nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës është dhënë urdhri për përgatitjen e njësive speciale”, tregon polici i parë.
Ai thotë se përshtypja e parë e policëve ka qenë se po bëhet fjalë vetëm për ndonjë ushtrim. “Fillimisht kemi menduar se është vetëm një ushtrim për ta matur kohën e reagimit dhe për ta testuar gatishmërinë tonë.

Ne bëjmë shpesh ushtrime të tilla dhe përshtypja jonë ka qenë se është thjesht një ushtrim i radhës”, tregon ai.
Pas këtij urdhri ai kujton se rreth orës 21 e 30 kanë arritur në bazën e Mitrovicës, ku është mbajtur një takim informues nga eprorët më të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës. “Kur na thanë të pajisemi me të gjitha mjetet, blindat, helmetat armët e gjata dhe të gjitha pajisjet e tjera, për një aksion me rrezikshmëri të lartë, kuptuam se kemi të bëjmë me një operacion shumë të rëndësishëm.

Por, na njoftuan vetë pas pak. Urdhri ka qenë se duhet të shkojmë ta zbatojmë vendimin e Qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe zbatimin e masave të reciprocitetit”, tregon ai. Më pas, ai thotë se çdonjëri prej policëve me vendosmëri të lartë është bërë gati për nisjen e aksionit. “Eprorët tanë na kanë pyetur se a jemi të gatshëm të shkojmë për aksion, mos jemi ndonjëri sëmurë apo ka ndonjë hezitim për veprim operativ, por askush nuk kundërshtoi. Përkundrazi, te të gjithë vëreheshin kënaqësia dhe gatishmëria për veprim të menjëhershëm”, tregon polici, duke shtuar se ka qenë edhe vetë i ngazëllyer me reagimin e kolegëve.

Ai tregon se janë ndarë në dy grupe, njëri për Jarinjë e tjetri për Bërnjak. “Jemi ndarë në dy grupe, i kemi ndarë detyrat në detaje dhe rreth orës 21 e 45 minuta jemi nisur për në pika. Të gjithë policët kanë treguar gatishmëri për veprim operativ. Gatishmëria e tyre ka qenë 100 për qind. Ne e kemi përgatitur planin që është mbajtur konfident, kemi llogaritur që gjithçka të shkojë mirë dhe të mos kemi humbje”, thotë ai. Por, sipas tij, situata në terren fatkeqësisht ka qenë tjetër.
Ai thotë se motiv të madh elitës së PK-së i ka dhënë qëndrimi i strukturave të larta si nga policia ashtu edhe ato politike nga ministria. “Na ka dhënë edhe më shumë forcë e motivim kur e kemi ditur se pas i kemi kryeministrin Thaçi, ministrin e Brendshëm Rexhepi dhe gjitha strukturat më të larta policore e shtetërore”, rrëfen ai.

Pengesat e para

Pas nisjes ai tregon se shumë shpesh gjatë rrugës kanë takuar qytetarë serbë të mbledhur në grupe, të cilët kanë dashur t’i pengojnë për të arritur te caku. “Gjatë gjithë rrugës kemi takuar qytetarë serbë me vetura me targa serbe, por nuk jemi marrë me ta, e rëndësishme për ne ka qenë arritja e objektivit: vendosja e ligjshmërisë në pikat kufitare”, shprehet ai. Pengesa më e madhe në rrugëtimin e tyre drejt pikës doganore, ai tregon se ka qenë në hyrje në Leposaviq.

“Deri në Leposaviq kemi pasur pengesa të shumta, kurse ajo në hyrje të Leposaviqit ka qenë më e madhja. Për dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta aty janë grumbulluar rreth 1 mijë qytetarë të cilët qëndronin rreth 30 metra larg nesh”, kujton ai. Nga kjo pozitë policët e Kosovës kanë parë se dritaret e shtëpive serbe përballë rrugës kanë qenë të hapura dhe pranë tyre ka pasur njerëz të armatosur, edhe me snajperë.

“Kur e kemi parë këtë situatë, eprorët tanë në vendngjarje kanë kërkuar sugjerime nga dhoma operative. Pas konsultimit, na është thënë të mos kthehemi mbrapa”, shprehet polici. Serbët, në numër shumë të madh, tregon ai, e kishin bllokuar rrugën me bagerë, kamionë, drunj dhe mjete të tjera të forta. “Fatkeqësisht, ne nuk kemi pasur mjete t’i largojmë këto pengesa. Eprorët kanë biseduar me një prijës të serbëve që nuk dëshironin që ne të shkonim te pika. Problemi tjetër ka qenë se serbët, përveçse të dehur, të cilët kundërmonin alkool, kanë qenë edhe të armatosur”, thotë ai.

Të gjendur në këtë situatë shumë të rëndë dhe të tendosur, që çdo çast ka mundur të shpërthejë, policia ka kërkuar ndihmën e KFOR-it për zhbllokimin e rrugës, së cilës thirrje fillimisht nuk i është përgjigjur. “Kemi qenë në një situatë që nuk mund të ecej përpara. Nga eprorët tanë është kërkuar ndihmë nga KFOR-i që ta largonte bllokadën, por nuk ka ardhur. Kemi mbetur të bllokuar mes Levosaviqit e Rudarit për orë të tëra”, tregon ai.
Derisa policët e Kosovës ishin të rrethuar nga dy anët nga Rudari dhe Leposaviqi, në lokacionin tonë rreth orës 03:00 të natës ka arritur komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, i cili ka biseduar me serbët. “Gjatë kësaj kohe ka pasur bisedime në mes të serbëve të përfaqësuar nga Stefanoviq dhe Bogdanoviq dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Buhler dhe udhëheqësit të njësive speciale të PK-së”, tregon ai.

Polici thotë se ka pasur kërkesa të tërhiqen, por kryeministri nuk është pajtuar me këtë. “Më vonë, pas një takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe gjeneralit Buhler në një vend në Mitrovicë, të cilët kishin arritur një marrëveshje, që në pikat doganore të dërgoheshin, me ndihmën e KFOR-it, doganierët dhe policia e rendit kufitar, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës na është dhënë urdhri që të tërhiqemi”, ka vazhduar tregimin polici.

Por as rruga e kthimit për ta nuk ka qenë e lehtë, pasi në kthim prej Leposaviqit deri në Rudare ishin ballafaquar prapë me ekstremistë serbë.
“Kur kemi arritur në Rudare jemi ndeshur me shumë serbë të revoltuar. Nuk kemi dashur të përdorim forcë për të kaluar në Mitrovicë, por kemi vendosur të përdorim rrugë alternative. Kemi mundur të ndërhyjmë, por pasojat do të ishin shumë të rënda. Kishim forcë ta çanim bllokadën, por nuk ishte në interesin tonë të vritej askush”, thotë ai.
Dhe për ta evituar më të keqen, policia në këtë rast ka përdorur rrugë alternative. “Kemi shfrytëzuar një rrugë malore dhe kemi arritur në Mitrovicë në Drejtorinë Rajonale të PK-së”, tregon ai.

Luftuam ballë për ballë me serbët

Pjesëtari tjetër i Njësisë Speciale të Kosovës ka rrëfyer se si një grup i tyre është sulmuar rrugës për në pikën doganore 31, ku ka rënë polici Enver Zyberi. “Me një grup jemi nisur për të shkuar në pikën 31 për ta ndërruar grupin tjetër, por rrugës kemi hasur në një pritë të organizuar mirë nga ana e serbëve. Rruga ka qenë e bllokuar, kurse nga të dyja anët anësore të rrugës jemi sulmuar. Në atë rast edhe ne jemi kundërpërgjigjur me zjarr për ta mbrojtur veten.

Të gjithë kemi treguar profesionalizëm të lartë, kemi luftuar në afërsi të afërt me serbët e armatosur, nga të cilët dyshohet se ka edhe të vrarë, por fatkeqësisht kemi humbur edhe kolegun tonë Enver Zymberi. Enveri, i cili ndodhej në një automjet të policisë jo të blinduar, është qëlluar nga një snajperist”, tregon ai.
Në bazë të mënyrës se si janë sulmuar dhe armëve që janë përdorur nga bandat e organizuara kriminale , dyshohet se pjesë e serbëve të organizuar kanë qenë edhe njerëz të MUP-it.

Ai në vazhdim thotë se, pasi e kanë njoftuar bazën për gjendjen, kanë marrë një urdhër tjetër për t’u tërhequr nga aty. “Na erdhi urdhri nga baza, se duhet të tërhiqemi dhe u tërhoqëm, edhe pse ishim të përgatitur edhe për situata edhe më të rënda. U tërhoqëm për faktin se objektivi ynë ishte arritur: në pikat kufitare ishin kolegët tanë dhe doganierët e Kosovës”, ka thënë polici.
Përderisa tregon se edhe në terren EULEX-i nuk i ka përkrahur në operacionin e tyre për marrjen e të dy pikave doganore, ai lavdëron KFOR-in për rolin pozitiv që ka luajtur në këtë rast. “Veprimi i KFOR-it është për t’u lavdëruar”, thotë ai.
Dhe si çdo situatë që nxjerr në dritë anët pozitive dhe negative, edhe në këtë rast të dy policët tregojnë se është vërejtur se Njësisë Speciale të Kosovës i nevojiten më shumë mjete të blinduara dhe më shumë armë të gjata e moderne.

Dhimbje dhe krenari për kolegun Enver Zymberi

Pikat u morën pas 12 vjetësh nën kontroll nga shteti i Kosovës, por policia mbeti pa njërin prej djemve më të mirë të saj, Enver Zymberi. Pos krenarisë, të dy policët i bashkon dhimbja për kolegun e vrarë, tashmë i shpallur edhe hero. “Ndiejmë dhimbje për kolegun e vrarë në detyrë, Enver Zymberi, por edhe krenarë për shëmbëlltyrën e tij. Familjes së Enverit i shprehim ngushëllime më të thella. Dhimbjen për Enverin e kemi kthyer në krenari dhe objektivin e tij do ta realizojmë në tërësi në praktikë”, sikur betohet njëri nga policët.
Ata nuk i zmbraps humbja e kolegut, madje shprehen të gatshëm që në çdo çast të jenë aty ku i kërkon Kosova.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë në Ferizaj është stabile

Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë në Ferizaj është stabile

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kalo në kategori