LAJMI I FUNDIT:

Si ndodhi që mbërritëm përballë Trumpit?

Si ndodhi që mbërritëm përballë Trumpit?

Joseph E. Stiglitz

Ndërsa unë po udhëtoja nëpër botë përgjatë javëve të fundit, mora në mënyrë të përsëritur dy pyetje: A është e imagjinueshme që Donald Trumpi të fitojë zgjedhjet për president? Dhe, si ndodhi që kandidatura e tij mbërriti deri në këtë pikë?


Sa për pyetjen e parë, megjithëse parashikimi politik është edhe më i vështirë se sa parashikimi ekonomik, shanset janë të forta në favor të Hillary Clinton. Megjithatë, gara relativisht e fortë (së paku deri tani së fundmi) ka qenë një mister: Clinton është një nga kandidatët më të kualifikuar dhe të përgatitur që ka pasur ndonjë herë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Trump është një nga kandidatët më pak të kualifikuar e më pak të përgatitur. Për më tepër, fushata e Trumpit i ka mbijetuar sjelljes së tij, sjellje që do të kishte mjaftuar për të rrëzuar çfarëdolloj kandidati në të shkuarën.

Pra, pse Amerikanët kanë qenë duke luajtur ruletën ruse (në të cilën ka një në gjashtë mundësi për të pasur një fitore të Trump)? Të gjithë nga jashtë Shteteve të Bashkuara dëshirojnë të dinë përgjigjen, për shkak se pasoja do t’i prekë edhe ata, megjithëse ata nuk kanë të drejtë të votojnë në SHBA.

Kjo na sjell ne te pyetja e dytë: pse Partia Republikane e SHBA-ve e nominoi një kandidat që edhe udhëheqësit e partisë e patën refuzuar?

Dukshëm, janë shumë faktorët që ndihmuan Trumpin të mposhtë 16 kandidatë brenda Partisë Republikane dhe të mbërrijë deri këtu. Personalitetet kanë rëndësi dhe disa njerëz duket se pëlqejnë Trumpin si një person të televizionit.

Por, shumë faktorë të theksuar duket se kanë kontribuar te ashpërsia e garës. Për fillestarët, duhet të themi se shumë amerikanë janë ekonomikisht më keq se sa qenë një çerek shekulli më parë. Të ardhurat mesatare nga punësimi me kohë të plotë janë më të ulëta se sa qenë 42 vjet më parë dhe është gjithnjë e më e vështirë për njerëzit me arsim të paktë të gjejnë punë me kohë të plotë që paguan rroga dinjitoze.

Në të vërtetë, pagat reale (të cilave u është hequr norma e inflacionit) në fashën e ulët të shpërndarjes së të ardhurave janë pothuajse aty ku kanë qenë 60 vjet më parë. Kështu që nuk është befasi që Trumpi ka gjetur një audiencë dëgjuese të gjerë kur ai thotë se ekonomia aktualisht është e kalbur. Por, Trump është i gabuar sa i përket arsyeve të kësaj, ashtu edhe sa i përket recetës së zgjidhjes. Ekonomia e SHBA-ve si e tërë ka ecur mirë përgjatë gjashtë dekadave të fundit: PBB është rritur me gati gjashtë herë. Por, frytet e rritjes kanë shkuar te relativisht pak njerëz në majë – njerëz si Trump, pjesërisht për shkak të reduktimeve masive të taksave të cilat ai dëshiron t’i zgjerojë dhe t’i thellojë edhe më shumë.

Në të njëjtën kohë, reformat – të tilla si liberalizimi i tregtisë dhe liberalizimi financiar, për të cilat udhëheqësit politikë patën premtuar mund të siguronin mirëqenie për të gjithë – në fakt nuk dhanë efektin e premtuar. Përkundrazi. Ata që kanë parë standardin e tyre të jetesës në stagnim apo në rënie, kanë mbërritur në një konkluzion të thjeshtë: udhëheqësit politikë të Amerikës ose nuk e dinin se çfarë po bënin ose po gënjenin (ose të dyja).

Trumpi dëshiron t’ia hedh fajin për të gjitha problemet e Amerikës tregtisë dhe imigrimit. Ai është gabim. SHBA-të do të përballeshin me deindustrializim edhe pa tregti të lirë: punësimi botëror në manifakturë ka qenë në rënie dhe përmirësimi në produktivitet ka qenë më i madh se sa rritja e kërkesës.

Atje ku dështuan marrëveshjet e tregtisë, nuk qenë për shkak se SHBA-ja humbi përballë partnerëve të vet tregtarë, por për shkak se agjenda e tregtisë të SHBA-ve u përcaktua nga interesi i korporatave. Kompanitë e Amerikës kanë ecur mirë dhe janë republikanët ata që kanë bllokuar përpjekjet që synonin që Amerika të ndante përfitimet nga marrëveshjet e tregtisë.

Kështu, shumë amerikanë ndjehen të mashtruar nga forca jashtë kontrollit të tyre, duke sjellë pasoja që janë dukshëm të padrejta. Supozimet afatgjata se Amerika është toka e mundësive dhe se secila gjeneratë do të jetojë më mirë se sa gjenerata e shkuar, janë vënë në pikëpyetje. Kriza financiare botërore mund të ketë qenë edhe pika e kthesës për shumë votues: Qeveria e tyre shpëtoi bankierët e pasur të cilët e patën shtyrë Amerikën drejt rrënimit, ndërsa dukshëm nuk bënë pothuajse asgjë për miliona amerikanë të zakonshëm që humbën vendet e punës dhe shtëpitë. Sistemi jo vetëm solli rezultate të padrejta, por duket se qe i manipuluar për të sjellë rezultate të padrejta.

Mbështetja për Trumpin bazohet, së paku pjesërisht, te zemërimi i përhapur i shkaktuar nga humbja e besimit te Qeveria. Por, politikat e propozuara nga Trumpi mund ta bëjnë një situatë të keqe akoma më të keqe. Natyrisht, një dozë tjetër e ekonomiksit të pikave që rrjedhin (trickle-down economics) që ai ka premtuar, me ulje taksash që synojnë të jenë pothuajse tërësisht në përfitim të amerikanëve të pasur të korporatave, do të prodhojnë rezultate jo më të mira se sa ajo që ndodhi herën e fundit kur një politikë e tillë u përdor.

Në fakt, nisja e një lufte tregtare me Kinën, Meksikën dhe partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-ve, siç ka premtuar Trumpi, do t’i bëjë të gjithë amerikanët më të varfër dhe do të krijojë pengesa të reja për bashkëpunimin ndërkombëtar, që është i nevojshëm për të zgjidhur probleme të rënda botërore, të tilla si Shteti Islamik, terrorizmi botëror dhe ndryshimet klimaterike. Përdorimi i parave që mund të përdoreshin për t’u investuar në teknologji, arsim apo infrastrukturë, për të ndërtuar një mur mes SHBA-ve dhe Meksikës është një keqpërdorim i kotë i burimeve.

Ka dy mesazhe që elitat politike të SHBA-ve duhet të dëgjojnë. Teoritë e thjeshtëzuara neoliberale dhe fundamentaliste të tregut që i kanë dhënë formë shumicës së politikave ekonomike përgjatë katër dekadave të fundit, janë thellësisht të gabuara, ku rritja e prodhimit vjen në kurriz të rritjes së pabarazisë. Ekonomiksi i pikave që rrjedhin nuk ka punuar dhe nuk do të punojë. Tregjet nuk ekzistojnë në një vakum. “Revolucioni” Thatcher-Reagan , i cili rishkroi rregullat dhe ristrukturoi tregjet në përfitim të atyre që janë në majë, qe tepër i suksesshëm në rritjen e pabarazisë, por dështoi thellësisht në misionin e vet për të shtuar ritmin e rritjes ekonomike.

Kjo na sjell te mesazhi i dytë: ne duhet të rishkruajmë rregullat e ekonomisë edhe një herë, këtë herë për t’u siguruar që qytetarët e zakonshëm të përfitojnë. Politikanët në SHBA dhe gjithkund tjetër, të cilët injorojnë këtë leksion do të duhet të mbahen përgjegjës. Ndryshimi mbart rreziqe. Por, fenomeni Trump – dhe disa zhvillime politike të ngjashme me të në Evropë – ka zbuluar se ka rreziqe shumë më të mëdha në rast se dështohet në dëgjimin e mesazhit: shoqëritë e ndara sjellin demokraci të minuara dhe ekonomi të dobësuara./Project Syndicate/reporter.al/