LAJMI I FUNDIT:

Si u zhduk Fondi për Punësim dhe Zhvillim?

Si u zhduk Fondi për Punësim dhe Zhvillim?

Shumë premtime të zyrtarëve të lartë qeveritarë për zhvillim ekonomik, rrjedhimisht rritjen e shkallës së punësimit, janë heshtur apo nuk janë realizuar në mungesë të angazhimit dhe seriozitetit të autoriteteve kompetente, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Një premtim i zyrtarëve qeveritarë, para dy vjetësh, ka qenë krijimi i një Fondi për Punësim dhe Zhvillim duke u bazuar në mjetet e Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, që arrijnë shifrën rreth 1. 9 miliard euro.


Si Fond, ishte thënë se do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, duke përdorur praktikat më të mira investuese.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se ky premtim ka qenë vetëm në kuadër të fushatës zgjedhore dhe jo vullnet apo angazhim i mëtutjeshëm i autoriteteve qeveritare.

Ndërsa, profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se gjatë vitit 2014 të gjitha partitë kanë premtuar skenar për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Edhe krijimi i këtij Fondi ka mbetur i heshtur për shkak të mungesës se seriozitetit të autoriteteve në Kosovë, pasi për shfrytëzimin e mjeteve të Privatizimit dhe Trustit nevojiten edhe ndryshime në aspektin ligjor.

Rreth 1. 3 miliard euro ka arritur Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Këto investime janë të shtrira në mbi 60 shtete të botës, apo në afër 2000 emetues botërorë. Kurse, Fondi i Mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sipas të dhënave të kësaj agjencie, ka arritur shumën prej mbi 661 milionë eurosh, të cilat deponohen në Bankën Qendrore të Republikës Kosovës, e prej aty investohen në tregjet e jashtme. Nga ky fond parashihet të kompensohen kredituesit potencialë të ndërmarrjeve shoqërore.