LAJMI I FUNDIT:

Sjögren – sindroma pa sekrecione

Sjögren – sindroma pa sekrecione

Sindroma Sjogren është një sëmundje autoimune me etiologji të panjohur. Sot dihet se mungesa e prodhimit të lotëve dhe pështymës mund të paraqitet edhe te personat pa ndonjë sëmundje tjetër, dhe nëse plotësohen edhe disa kushte të tjera, kjo gjendje emërtohet si sindroma primare Sjögren.

Dr. Avni Kryeziu,
internist-reumatolog
tel. 044 317 322

Oftalmologu suedez, Henrik Sjögren, në vitin 1933 për herë të parë e ka përshkruar ekzistimin e njëkohshëm të tharjes së syve dhe të gojës te të sëmurët me inflamacion kronik të nyjeve – artrit reumatoid.

Sindroma Sjögren paraqitet me tharjen e syve dhe të gojës, ndërsa hynë në grupin e sëmundjeve reumatike. Edhe pse shenjat dominuese te kjo sëmundje janë tharja e syve dhe e gojes, te shumica e të sëmurëve janë të pranishme edhe dhimbje dhe ënjtje të nyjeve periferike. Po ashtu, te gjysma e të sëmurëve mund të përfshihen edhe organet tjera dhe sistemet organike, siç janë mushkëritë, veshkat, sistemi nervor, gjëndrat endokrine dhe kështu me radhë, me ç’rast i japin karakter sistemik kësaj sindrome.

Sjogren-Syndrome-and-Fibromyalgia

Shkaktarët e sindromës Sjögren

Ngjashëm sikurse te sëmundjet tjera sistemike të indit lidhor shkaktari i sindromës nuk është i njohur. Llogaritet se te personat e predisponuar gjenetikisht, ndoshta nën ndikimin e ndonjë virusi vjen deri te ndryshimet në njësitë e sistemit imunologjik.

Shënjestra kryesore e sulmit të sistemit imun të ndryshuar janë gjëndrrat me tajim të jashtëm, qe ne mjeki quhen gjendrra ekzokrine, sidomos gjëndrrat e lotit dhe gjëndrrat e pështymes. Si pasojë e të gjithë reaksionit të sistemit imun që me rregull quhet veprim autoimun, vjen deri te krijimi i inflamacionit (pezmatimit) kronik në gjëndrat e përmendura, ndërsa me kalimin e kohës edhe humbja e funksionit të tyre.

Sindroma Sjögren me të drejtë mund të quhet sëmundja e femrave me moshë mesatare, sepse 14 deri 24 herë më shumë paraqitet pikërisht te ato në krahasim me meshkujt.

Pasojat e mungesës së lotit dhe pështymës

Si pasojë e mungesës së lotit paraqitet ‘syri i thatë’ që vjen deri te dëmtimi i sipërfaqes së syrit dhe zhvillimi i të ashtuquajturit ‘syri i thatë me simptoma të shumta të pakëndshme’ si dhe ndjeshmëria e pacientit (ndjenja e trupit të huaj në sy, infeksioni). Si pasojë e mungesës së pështymës paraqitet kariesi i dhëmbëve dhe pason humbja e dhëmbëve.

agiz-kurulugu

Para së gjithash edhe gjëndrat tjera me tajim të jashtëm – gjëndrat egzokrine, mund të përfshihen nga procesi patologjik te sindroma Sjögren. Si pasojë e kësaj mund të paraqitet tharja e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që shoqërohet me kollitje. Nëse përfshihen edhe gjëndrat e zorrëve, atëherë mund të ekzistojnë probleme të tretjes për shkak të zvogëlimit të prodhimit të acidit në lukth dhe lëngjeve të zorrëve. Po ashtu është shumë e pakëndshme tharja e organeve gjenitale që për pasojë mund të ketë infeksione mikotike.

Ndryshimet tjera (te gjysma e të sëmurëve) mund të jenë në çrregullimet e punës së organeve tjera, ndryshimet në lëkurë dhe pengesat e qarkullimit në nivel të enëve të vogla të gjakut. Ajo që i jep rëndësi të veçantë kësaj sëmundjeje është se rreziku i paraqitjes së sëmundjeve limfoproliferuese.

Diagnoza e Sindromës Sjögren

Diagnozën nuk është lehtë ta vendosësh sepse simptomat dhe shenjat e saj, nuk plotësohen njëkohësisht. Ndodh që pacientët me muaj, por edhe vite, shkojnë te oftlamologu, stomatologu, kirurgu maksilofacial, reumatologu dhe mjekët e fushave tjera, dhe nuk diagnostikohen. Te gjysma e pacientëve, gjatë sëmundjes ndodh rritje e përsëritshme e gjëndrave pështymore pranëveshore dhe nënofullore.

Në çdo rast ekzistimi i të dhënave për mungesën e njëkohshme të lotit dhe pështymës, kërkon edhe vërtetim objektiv me matjen e sasisë së lotit (testi Schirmer) dhe testimi i funksionit të gjëndrave te pështymes.

man-uses-eye-drop-660x440

Mjekimi i sindromës Sjögren

Terapia është kryesisht simptomatike dhe bazohet në kompensimin e lotëve (duke qitur disa herë në ditë, pika të quajtura lot artificialë). Në veçanti është e rëndësishme higjiena e gojës për të parandaluar pasojat e mungesës së pështymës. Rekomandohet larja e shpeshtë e gojës me tretje antiseptike dhe përdorimi i çamçakëzit pa sheqer.

Ekzistojnë edhe barna (pilokarpin dhe cevimelin), të cilat mund ta shtojnë prodhimin e lotëve dhe pështymës në një shkallë të mjaftueshme, mirëpo përdorimi i tyre duhet të jetë në konsultim me mjekun për shkak të efekteve të padëshirueshme anësore.

Te të sëmurët qe janë përfshirë edhe organet tjera dhe sistemet tjera organike (siç është lëkura, mushkëritë, veshkat, sistemi nervor) ordinohet terapi e kohëzgjatur anti-inflamatore dhe imunosuprsive (glukokortikoide, azatioprin, antimalarikë etj.).

Mbi të gjitha, tani për tani nuk ekziston një terapi e kënaqshme për ta mjekuar sindromën Sjögren. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori