LAJMI I FUNDIT:

S’ka konflikt interesi, AKK aplikoi standarde të dyfishta

S’ka konflikt interesi, AKK aplikoi standarde të dyfishta

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), pos që nuk ka bërë analizë të duhur të ligjit në fjalë, ka aplikuar edhe standarde të dyfishta, duke u bërë se po ngritë zërin diku, e duke heshtur dikur tjetër. Me ligjin në fjalë kërkohet parandalimi i konfliktit të interesit në mes të interesit publik dhe privat, përderisa të dyja pozitat, në të cilat jam përzgjedhë përmes konkursit publik, janë pozita profesionale, thotë Ejup Qerimi, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së, gjatë një interviste ekskluzive për KosovaPress.

Kryeshefi i PTK-së Ejup Qerimi ka thënë se duke mbajtur pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së dhe anëtarit të Bordit Drejtues të Trustit nuk është në konflikt interesit pasi sipas tij, “Ligji mbi parandalimin e konfliktit të interesit thotë se qëllimi i këtij ligji është parandalimi i konfliktit të interesit në mes të interesit publik dhe privat. Ku është këtu interesi privat?”.

“Asnjë biznes privat që ka çfarëdo lidhje me mua nuk përfiton nga vendimet e mija në PTK apo Trust pensional! Të dy pozitat janë pozita profesionale të fituara përmes konkursit publik. Pozita e KE në PTK e fuqizon rolin tim të përfaqësimit profesional të punëdhënësve në Bordin drejtues të Trustit pensional. Unë jam punëdhënësi në PTK dhe njëkohësisht përfaqësues profesional i punëdhënësve të Kosovës i nominuar nga AKB (Aleanca Kosovare e Biznesit), Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimeve (STIKK), Shoqata e përpunues të drurit të Kosovës (SHPDK) dhe i aprovuar nga Oda Ekonomike e Kosovës”, tha ai.


Qerim tha se rasti është iniciuar nga ai personalisht pasi që ka marrë opinionin legal nga zyrtarët ligjor të PTK-së dhe Trustit pensional se ai, nuk është në konflikt të interesit. ” Arsyeja pse e kam inicuar rastin ka qenë vetëm për t’i siguruar palët e interesit në Trust se unë jam një person i përgjegjshëm dhe se kujdesem që hisedarët në Trust e posaçërisht punëdhënësit, të cilët i përfaqësoj unë, të ndihen të sigurt me përfaqësimin profesional që unë e bëjë në emër të tyre”, ka thënë Kryeshefiekzekutiv i PTK-së Ejup Qerimi. Sipas tij, AKK-ja nuk e ka marr parasysh dispozitën e Ligjit mbi parandalimin e konfliktit të interesit, i cili e definon se interes privat është interesi privat pasuror ose personal jo-pasuror i zyrtarit të lartë që mund të ndikojë në vullnetin e tij në vendimmarrje gjatë ushtrimit të funksionit publik dhe se konflikt i interesit është konflikti i interesit publik dhe interesit privat të zyrtarit të lartë.

“Pra, AKK ka arritur deri tek vendimi duke mos kryer analiza të mjaftueshme që mund të jetë edhe si rezultat i moseksperiencës në këtë fushë apo me këtë ligj në të kaluarën! AKK dëshiron të implementoj këtë ligj, mirëpo pa e kryer mirë analizën e rastit dhe kjo rezultuar me njollosjen e personalitetit tim dhe destabilizimin e institucioneve të Kosovës përmes vendimeve të saja të ngutshme”. /Telegrafi/