LAJMI I FUNDIT:

Sot, aksioni i madh pastrimi në 30 komuna

Sot, aksioni i madh pastrimi në 30 komuna

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”, sot organizon aksionin e madh të pastrimit të mbeturinave në 30 komuna në Kosovë, ku pritet të largohen 150 deponi ilegale në tërë Kosovën.

Në një komunikatë për media, nga kjo iniciativë kanë bërë të ditur se hapja zyrtare e aksionit do të bëhet në komunën e Prishtinës, duke filluar prej orës 10:00, tek shtëpia e shëndetit në lagjen Kalabria, ndërsa nisja e vullnetarëve për këtë pikë bëhet në ora 09:30 nga sheshi “ZahirPajaziti”.

“Po ashtu, secila komunë do bëjë hapjen zyrtare në të njëjtën kohë, duke filluar prej orës 10:00, në qendrat që janë caktuar nga koordinatorët lokal. Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” fton të gjithë qytetarët pa dallim që të bëhen pjesë e këtij aksioni, që të gjithë së bashku do të japim kontributin për të përmirësuar imazhin e vendit për sa i përket ambientit, dhe të jetojmë në një vend të pastër. Iniciativës do t’i bashkohen zyrtarë komunalë, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërmarrjet regjionale të pastrimit të mbeturinave, kompan i të ndryshme private, përfaqësues dhe vullnetarë të organizatave të ndryshme që operojnë nëpër komuna, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Bazuar në të dhënat nga aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksionit të së nesërmes do t’i përgjigjen mbi 50 mijë vullnetarë. Ju bëjmë me dije se nxënësit e secilës shkollë në Kosovë do të pastrojnë hapësirat përreth objekteve të tyre, dhe në shumicën e shkollave në Kosovë, në orën e parë do të ligjërohet për mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në komunikatë.

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” , ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të dalin dhe të pastrojnë lagjen, fshatin, qytetin e tyre dhe të vazhdojnë edhe pas kësaj dite t’i mbajnë të pastër.

Sipas kësaj iniciative, aktivitetet e tyre nuk do ndalen në këtë datë, por do të vazhdojnë deri në arritjen e objektivave të tyre. /Telegrafi/