“Problemi i Pepes quhet Varane”

16:50 / 7.05.2013

Jose Mourinho ka vazhduar përleshjen verbale me lojtarët e Real Madridit. Ai ka reaguar ndaj komenteve të bashkëkombësit të tij, Pepe, rreth trajtimit të Iker Casillas.

Qendërmbrojtësi ka deklaruar se trajneri duhet të tregojë më shumë respekt për kapitenin e Los Blancos, ndërsa 50-vjeçari e ka sulmuar në mënyrën e tij.

“Komentet e Pepes? Është lehtë të analizohet ajo që thotë ai. Pepe ka një problem dhe emri i tij është Raphael Varane. Një 31-vjeçar (Pepe është 30 vjeç) e ka humbur vendin ndaj një 19-vjeçari. Është ligji i jetës. Por, kush e pati guximin ta angazhonte Varenen? Unë”, ka thënë Mourinho në një konferencë për gazetarë.

Më pas ai ka shpjeguar rreth vendimit të tij për lënien e portierit kryesor të Mbretërve në bankën rezerve dhe inkuadrimin e Diego Lopez.

“Diego Lopezi më pëlqen më shumë si portier sesa Iker Casillasi. Ky nuk është një vendim personal, nuk ka asgjë të keqe mes Iker dhe meje”.

“Më pëlqejnë portierët që luajnë mirë me këmbët e tyre dhe që dalin nga vija e tyre për t’i kapur harkimet. Iker bën pritje të shkëlqyera mes shtyllave, por mua më pëlqen një lloj tjetër portieri”, ka shtuar portugezi. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.