Lazio e Viola zhvendosin Interin

16:56 / 22.12.2012

Me rezultat 1-0, Lazio e ka mposhtur Sampdorian në transfertë, për t’u ngritur në pozitën e dytë në tabelën e Serie A.

Golin me vlerën tri pikë për Biancocelestët e shënoi Hernanes në minutën e 31-të.

Fiorentina e ka turpëruar Palermon në Renzo Barbera duke e mposhtur me rezultat 3-0 para tifozëve të vet.

Stevan Jovetic shënoi dy herë në portën e Sajmir Ujkanit (50’ dhe 83’), ndërsa Gonzalo Rodriguez e vendosi rezultatin përfundimtar. Goli i dytë i Jovetic dhe goli i Rodriguez u shënuan nga pika e bardhë.

Fitore ka shënuar edhe Napoli si mysafir i Sienas. Të dy golat e napolitanëve u shënuan në fund të ndeshjes, ndërsa realizues ishin Maggio (86’) dhe Cavani nga penaltia në minutat shtesë.

Pas xhiros së 18-të, Lazio zë vendin e dytë në tabelë me një pikë më shumë se Fiorentina që zë vendin e tretë me pikë të barabarta me Interin që gjendet një pozitë më poshtë.

Napoli në vend të pestë ka dy pikë më pak se pozita e dytë dhe duket se gara për pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve do të jetë mjaft e ngushtë në vitin e ardhshëm. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.