Totti lë në hije kampionin

22:40 / 16.02.2013

Roma është fitues i kryendeshjes së javës së 25-të në Serie A. Giallorossët kanë shënuar fitore prej 1-0 kundër Juventusit në Stadio Olimpico.

Gjysma e parë e takimit ishte e zbehtë sa u përket rasteve dhe i tillë ishte edhe rezultati. Mund të përmendet vetëm gjuajtja e lirë e Andrea Pirlos, e cila u mbrojt nga Maarten Stekelenburg.

Në fillim të gjysmës së dytë, Pogba i krijoi rast Vucinicit, mirëpo malazezi dështoi t’i shënonte ish-skuadrës së tij.

Në vazhdim, Buffon ia mohoi golin Osvaldos, por jo edhe të kapitenit legjendar. Pjanic dërgoi një krosim të ulët drejt zonës, topi u bllokua nga futbollistët mysafirë dhe arriti te Francesco Totti, i cili me një supergoditje la të pashpresë portierin bianconer (58’).

Giallorossët kanë mundur të shënojnë edhe disa herë në rrjedhën e takimit falë rasteve të shumta që krijuan, ndërkohë që bardhezinjtë nuk mund të ndërtonin një aksion vërtet kërcënues.

Juventusi mbetet në krye të tabelës me pesë pikë më shumë se Napoli që me fitore eventuale ndaj Sampdorias mund ta ngushtojë diferencën në dy pikë.

Ndërkaq, Roma ngjitet në pozitën e shtatë me shtatë pikë larg pozitës së tretë që e mban Milani. /Telegrafi/


Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.