LAJMI I FUNDIT:

Studenti “dandy” e i keq Enver Hoxha, tri herë në vizitë në Paris – te “armiku” Ali Këlcyra: E vërteta dhe versioni i falsifikuar i Hoxhës për këto takime!

Studenti “dandy” e i keq Enver Hoxha, tri herë në vizitë në Paris – te “armiku” Ali Këlcyra: E vërteta dhe versioni i falsifikuar i Hoxhës për këto takime!

E bija e patriotit Ali Këlcyra, Hana, ka treguar se babai i saj është takuar tri herë me liderin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhaën, në Paris para vitit 1939: herën e parë është kur i vdiq vëllai, Faik Këlcyra. Hoxha shkoi në vitin 1935 për të ngushëlluar me një kuti me puro. Herën e dytë për lindjen e Hanës, ndërsa të tretën me një letër nga Bahri Omari.

“Herën e parë ka qenë kur vdiq Faiku në 1935, herën e dytë kur linda unë edhe të tretën kur kërkoi të hynte në Bashkimin Kombëtar, dhe pastaj, më duket, që nuk u takuan më”, ka thënë ajo më 2016, pastaj plotësoi: “Po ky Enver Hoxha që ka qenë atëherë student në Francë ka ardhur për të uruar që unë kisha lindur në Paris… Por, Enver Hoxha kishte ardhur edhe një vit më parë tek babai për të ngushëlluar për vdekjen e Faikut dhe kishte prurë, siç ishte zakoni, një kuti me puro. Më vonë erdhi edhe një herë për të takuar babanë me një letër prej Bahri Omarit, shokut të ngushtë të tim ati, sepse donte të hynte në Mbrojtjen Kombëtare me qenë që nuk kishte dhënë provimet edhe ishte në rrezik të humbiste bursën që i kishte dhënë qeveria e Mbretit Zog me ndërmjetësimin e Ekrem bej Libohoves, por babai e refuzoi. E shau rëndë, duke i hequr vërejtjen që ai kishte zënë vendin e një studenti të mirë për të cilin Shqipëria kishte nevojë, ndërsa ky harakopesh nëpër Paris… Këtu nis hasmëria e Enver Hoxhës për babanë që ishte më shumë personale se politike”.


Ndërkohë gjashtë vite të shkuara, në vijim të intervistës dhënë një gazete të Tiranës, Hana Klissura e shpjegonte kështu këtë ngjarje të fundit përplasjeje mes Enver Hoxhës dhe Ali Këlcyrës: “Herën e parë që ka qenë në Itali tek kunati, edhe i jep Bahriu një letër për babanë. Brenda ishte ‘Ali të lutem, ndihmoje se ka disa kërkesa sepse e kam kunat’ dhe babai e pyet dhe Enveri kërkon të hyjë në Bashkimin Kombëtar. Nga Faiku, babai e dinte se kishte një bursë të shtetit dhe që nuk i kishte kaluar disa provime. Kur z. Hoxha i thotë babait se dua të hyj edhe unë në Bashkimin Kombëtar, i cili kishte si synim të rrëzonte mbretërinë e Zogut, babait i thotë: ‘Si kërkon të hysh, ndërkohë që t’i je me bursë të mbretit Zog’? Babai i thotë Enverit: ‘Nuk të vjen turp që me paratë e shtetit dëfren, i ke zënë vendin një tjetër studenti që mund të kishte studiuar?’ Ai i tha se ‘edhe nëse do të ishin paratë e babait tënd, duhej të të vinte turp sepse do të kishte dërguar me djersë. Ne nuk jemi organizatë bamirëse’”.

Por ç’thotë vetë Enver Hoxha? Sipas librit të tij me kujtime “Vite të rinisë”, Tiranë 1988, “në Paris u njoha edhe me emigrantë politikë, si Kol Tromarën, Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Beqir Valterin e të tjerë. Të gjithë luanin kumar, poker dhe merrnin pjesë në bastet për garat e kuajve, me përjashtim të Sejfi Vllamasit dhe të Rexhep Mitrovicës”.

Hoxha shkruan se me të gjithë ata, prej miqve të përbashkët prezantohej si i kunati i Bahri Omarit. Pastaj mëshon: “Ata as që merreshin fare me politikë, për Shqipërinë as e çanin kokën fare, pse ishin larg e njerëz nuk shkonin në Paris, si në Bari. Këta farë politikanë nuk kishin as unitet të paktën shoqëror me njëri-tjetrin, ata vetëm të luanin kumar dinin dhe përpiqeshin kush të rripte shoqi-shoqin. Para merrnin mirë, kushedi nga ç’grazhd, jo vetëm jetonin në apartamente që kushtonin, por të gjithë frekuentonin kafenetë e mëdha, si ‘La Coupole’ në Montparnas. Rrallë i shihje në kafenetë popullore, si ‘Doupont’ që kishte në çdo rrugë”.

Këtë opinion ai e përsërit tek libri tjetër i tij me kujtime, “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”: “Fare i afërt nga përbërja klasore dhe nga pikëpamjet me ‘Bashkimin Kombëtar’ ishte edhe i ashtuquajturi ‘Grupi i Zarës’, që mori emrin nga qyteti dalmat, ku Benito Musolini mbante si rezervë Mustafa Krujën me shokë e ia tundte para Ahmet Zogut sa herë donte t’i bënte presion. Mustafai hiqej sikur ishte në armiqësi me krerët e ‘Bashkimit Kombëtar’, si Ali Këlcyra me shokë, se këta në vend të liretave preferonin frangun francez dhe dinarin jugosllav”.

Në po këtë libër, njëherë tjetër, duke ngulur këmbë se disa prej eksponentëve të Ballit Kombëtar morën poste qeveritare gjatë pushtimit (të parin akuzon Mehdi Frashërin), “vetë Ali Këlcyra, dhëndri i Vrionasve, aleati i tyre, natyrisht dhe i Vërlacëve, nuk mori nëpunësi, me sa di unë, në mënyrë që të mund të hiqej edhe për ca kohë si ‘patriot i kulluar’”.

Në një rast të tretë në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, Enver Hoxha shkruan: “Një grup tjetër të kësaj kategorie të emigracionit politik përbënin ‘demokratët antizogistë’ të Parisit. Këtu bënin pjesë Ali Këlcyra, Kolë Tromara, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica e të tjerë, por Tromara, Ali Beu, Koculi e Mitrovica hiqeshin si kapot. Në fakt asnjëri nuk e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë ‘udhëhiqnin’, por këta ishin udhëheqës të erës, komandantë pa ushtarë”.

Disa paragrafë më pas Hoxha ripërsërit pikëpamjen e vet se këta politikanë merrnin financime nga qeveria franceze, ajo italiane, madje edhe në dollarë, se jetonin mirë dhe luanin kumar.

Por, kur ndodhi hatërmbetja e Enverit ndaj Aliut?

Duke iu rikthyer një çast pohimit të Hana Klissurës për tri vizitat e Enver Hoxhës tek i ati në Paris, na duhet të bëjmë disa plotësime. Faik beu, i vëllai më i vogël i Ali Këlcyrës, sipas Eqerem bej Vlorës, nuk ka vdekur më 1935, por një vit më herët. Sigurisht në këtë të ndodhur Hana nuk ka qenë, sepse do të lindte dy mote më vonë. Vizitën ngushëlluese të Hoxhës ia ka treguar patjetër i ati. Hoxha këtë çast duhet të ketë qenë në Paris, sepse bursa nga qeveria shqiptare iu pre në shkurt 1934. Ai qe regjistruar për studime në degën e botanikës në universitetin e Montpeljesë në nëntor 1930 dhe pas pothuaj katër vitesh nuk i kishte kapërcyer shumicën e provimeve.

Në kujtimet e veta Enver Hoxha e lë të mjegullt muajin për ku nga Montpelje u nis për në Paris, por këtu e pohon se ndenji vetëm dhjetë muaj. Po ashtu ai nuk e saktëson kur u nis për në Bruksel, në detyrën e ndihmësit të konsullit të nderit Marothi, por nënkuptohet se kjo duhet të ketë ndodhur në fundvjeshtë 1935. Siç po ashtu Enver Hoxha shkruan në librin “Vite të rinisë”: “Aty nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë…”!

Këto pozicionime të kohës i bëjmë për t’i verifikuar me çfarë Hana Klissura thotë se prania e Hoxhës në shtëpinë e të jatit ka qenë tri herë. Duhet që ai të ketë qenë në Paris kur ndërroi jetë Faik beu, po ashtu nuk duhet të ketë qenë aty kur lindi Hana, por në Bruksel. Ai u largua nga kryeqyteti i Belgjikës drejt Shqipërisë kur ajo ishte pesë muajsh.

Por, atëherë kur ka ndodhur përafërsisht biseda e qortimit të ashpër të Ali Këlcyrës ndaj Enver Hoxhës për çështjen e bursës studimore që merrte nga Zogu e ndërkohë donte të regjistrohej tek “Bashkimi Kombëtar”?

Enver Hoxha në librin e tij me kujtime, “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”, fillimisht vë në dukje një portret të Ali Këlcyrës dhe vetëm pastaj ndërhyn për të kujtuar Protokollin me Dalmacon: “Më kishte rënë njëherë rasti të takohesha me feudalin ‘demokrat’ përpara luftës, kur isha student né Francë. Më duket se kthehesha nga Shqipëria, ku kisha qenë për pushime dhe né Bari kisha takuar Bahriun, i cili më kishte dhënë një letër për Ali Këlcyrën që banonte né Paris. Sipas adresës që më kishte dhënë Bahriu, i vajta beut né shtëpi. Kishte një apartament shumë të mirë, gjë që më bëri përshtypje e mu duk e çuditshme për një emigrant. Aliu më priti ftohtë e me fodullëk e mezi më futi né sallon. Vetëm kur mori vesh se kush më kishte dërguar, e ndryshoi tonin, më dha një cigare e i ra ziles për të thirrur shërbêtoren franceze, sé cilës i tha të më bënte një kafe. Gjaté kohës që piva kafenë më pyeti për çfarë studioja e ç’kishim nga Shqipëria. Beu i Këlcyrës më dëgjonte me indiferentizëm e si me bezdi. Atëherë dhe unë i qëndrova akull dhe pyetjeve të tjera iu përgjigja fare shkurt dhe, me të pirë kafenë, u ngrita e ika. Që atëherë nuk ia kisha parë fytyrën as jashtë, as né Shqipëri, kur erdhi bashkë me pushtuesin. Po për bëmat e tij, ama, kishim dëgjuar.

Ali Këlcyra ishte ndër propagandistët e shquar të reaksionit e të Ballit, ishte nga ata që villte vrer më shumë kundër luftës për çlirim, kundër komunistëve e partizanëve. Jo vetëm kaq, se tradhtari Ali Këlcyra nuk mbetej vetëm te llafet; ai bashkë me bashibozukët e vet u qëndronte përkrah trupave italiane né operacionet ndëshkimore kundër krahinave, ku luftonin çetat e batalionet tona, ai digjte e vriste, godiste pas shpine. Për të gjitha veprimet e tij ne ishim né dijeni dhe e kishim paralajmëruar, dikur edhe e arrestuam, po e lamé të lirë duke i thënë që të kishte mendjen, se herë tjetër nuk do të shpëtonte mirë”.

Momenti kur Hoxha kërkoi të regjistrohej tek “Bashkimi Kombëtar” duhet të ketë qenë periudha e para shkurtit 1934, moment kur iu pre bursa. Qortimi i Ali Këlcyrës, ku ndodhej edhe togu i fjalëve “të të vijë turp” dhe arsyeja përse e gjykonte të pacipë (“përdor për dëfrim bursën e Ahmet Zogut dhe ndërkohë kërkon të regjistrohesh në një organizatë antizogiste!”), i ka të gjitha gjasat të jetë e fund motit 1933. Me studimet e nisura në Universitetin e Montpeljesë në fundvjeshtë 1930, viti i mësipërm është ai kur stili i sjelljes “dandy” (që kujdeset për veshjen e dukjen – v.j.) të Enver Hoxhës e mbushi kupën, duke shkaktuar jo vetëm shumë fjalënaja tek shqiptarët në Francë, por edhe shqetësim në Ministrinë e Arsimit në Tiranë.

Duke mos pasur prova për vënë në verifikim nëse kjo skenë me “të të vijë turp” ka ndodhur vërtet apo jo, ose e rrëfyer prej Ali Këlcyrës përbën vetëm një pjesë të saj, kryesorja është: Enver Hoxha e ka vizituar Ali Këlcyrën në apartamentin e tij në Paris plot tri herë. Kjo do të thotë se ka hyrë dhe ka dalë “si në shtëpinë e tij”. /Shqiptarja/

Në trend Lajme

Më shumë
Macron bisedon në telefon me Kurtin - e lidh anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me zbatimin e Asociacionit

Macron bisedon në telefon me Kurtin - e lidh anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me zbatimin e Asociacionit

Lajme
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Mujanoviq: Regjimi në Beograd dëshiron të rrezikojë Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën

Mujanoviq: Regjimi në Beograd dëshiron të rrezikojë Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Abdixhiku i bindur se LDK-ja do të jetë formuese dhe bartëse e Qeverisë së ardhshme: Ditën e parë do ta rrisim koeficientin

Abdixhiku i bindur se LDK-ja do të jetë formuese dhe bartëse e Qeverisë së ardhshme: Ditën e parë do ta rrisim koeficientin

Lajme
BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

Lajme
Kalo në kategori