LAJMI I FUNDIT:

Sulmi në Stamboll, a është Kosova e rrezikuar nga sulmet terroriste?

Sulmi në Stamboll, a është Kosova e rrezikuar nga sulmet terroriste?

Për të gjashtën herë me radhë brenda këtij viti, Stambolli është goditur nga sulmet vetëvrasëse të cilat morën jetën e dhjetëra personave dhe lanë të plagosur shumë të tjerë.

Sulmi i fundit që ndodhi mbrëmë në Aeroportin Ataturk në Stamboll, ku u dëgjuan të shtëna armësh dhe pati shpërthime të bombave, mbetën të vrarë 41 persona dhe 230 të tjerë u plagosën.

Njohësi i sigurisë Burim Ramadani ka vlerësuar se sulmi i mbrëmshëm në Stamboll është sinjal për ngritjen e rrezikut në vendin dhe rajonin tonë.

Ai në një prononcim për Telegrafin sulmet e mbrëmshme i ka cilësuar si akte tmerruese terrori ndaj krejt njerëzimit.

“Sulmet në Aeroportin e Stambollit janë akt tmerrues terrori mbi krejt njerëzimit dhe jo vetëm mbi Turqinë. Paraqesin nivelin jashtëzakonisht shqetësues për shkallën e çmendurisë së terrorizmit që ka kapluar botën. Turqia si një vend me struktura të fuqishme të sigurisë ka arritur deri tash të parandalojë një numër të madh të akteve terroriste, por sigurisht se nuk është e mundur të parandalohen në masë të plotë. Turqia është afër Kosovës dhe rajonit tonë, prandaj sulmi në Stamboll është edhe një sinjal për ngritjen e rrezikut në vendin dhe rajonin tonë”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se për Kosovën, jo vetëm në aspektin e sigurisë nacionale, por edhe për sigurinë e qytetarëve të saj që udhëtojnë në Turqi, sulmet e tilla të çmendura paraqesin një rrezik të veçantë.

“Situata e sigurisë brenda Kosovës është e tensionuar në përgjithësi, bazuar në faktorë të ndryshëm politik, ekonomik, agresioni dhe ekstremizmi. Unë e shoh situatën e sigurisë në Kosovë si mjaft të ndjeshme dhe lehtësisht të dëmtueshme”, tha Ramadani, duke shtuar më pas se institucionet e sigurisë, por edhe institucionet politike, duhet të ndërtojnë një ambient më të qetë dhe më bashkëpunues me qytetarët, në mënyrë që të shmanget çfarëdo rreziku.

Ndërkaq, analisti Halil Matoshi ka vlerësuar se sulmet e kryera në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit janë veprime të njeriut me mendje kriminale e për qëllime thjesht politike.

“Këto sulme duhet t’i shërbejnë si vërejtje Erdoganit dhe kastës së tij që ta shohin se kokëzimi me terroristët, përkatësisht lëshimi pe para tyre, për qëllime po ashtu politike kur ata janë larg shtëpisë gjithnjë kthehet si bumerang në shtëpi. Me terroristët nuk ka negocimi”, ka thënë Matoshi për Telegrafin, duke theksuar se vrasësit e fëmijëve janë monstrum dhe e njohin vetëm gjuhën e forcës, si Sllobodan Millosheviqi.

Matoshi më tej ka thënë se kosovarët duhet ta dinë së këto janë dinamika të jashtme dhe lidhje me ta nuk kanë, prandaj duhet të bëhen të mençur dhe të guximshëm që ta mbrojnë lirinë e vet kombëtare dhe shtetin e tyre, Republikën e Kosovës, sepse sipas Matoshit duhet t’ia rikujtojnë vetës gjithnjë se ishte viktimë e terrorit shtetëror të Serbisë fashiste.

Ai ka shtuar se në momentin që e tërë bota rrezikohet nga sulme të tilla, atëherë edhe Kosova hyn në këtë listë.

“Natyrisht se kur rrezikohet tërë bota edhe Kosova e ka një shkallë rreziku, por jo për arsyet e njëjta që e rrezikojnë Stambollin ose këdo tjetër. Mendoj se nëse shteti modern laik funksionon, nëse shoqëria shekullare funksionon, rreziqet zvogëlohen. Shkalla e sigurisë gjithnjë duhet të jetë e rritur, domethënë organet e rendit dhe mekanizmat e sigurisë duhet të jenë profesional dhe sy hapur në çdo moment”, u shpreh Matoshi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

Lajme
Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Siguri
U raportuan tri gropa në

U raportuan tri gropa në "Ndreqe.com", Komuna e Prishtinës intervenon në rregullimin e tyre

Prishtina
Kalo në kategori