LAJMI I FUNDIT:

Sulmohet me armë një shtëpi në Kuçovë, plagoset pronari

Sulmohet me armë një shtëpi në Kuçovë, plagoset pronari

Dy persona janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se kanë tentuar të vjedhin me armë një banesë.

Në pranga kanë përfunduar Ismet Kumria, 50 vjeç dhe Artur Polovina, 43 vjeç, që të dy banues në Kuçovë, raporton noa.al. Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për 23-vjeçarin A.Sh.


Policia lokale tha zyrtarisht sonte se dy të arrestuarit Kumria dhe Polovina në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin më armë banesën e 58-vjeçarit F.Sh. Në momentin kur kanë hyrë në oborrin e banesës janë ndjerë nga pronari i shtëpisë dhe djali i tij A.Sh. Në këto momente palët janë përleshur me njëri-tjetrin.

Njëri nga autorët e dyshuar, Ismet Kumria, ka qëlluar me armë, ku për pasojë është plagosur pronari i shtëpisë, i cili po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Beratit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy autorëve.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 43-vjeçarit Artur Polovina u konstatua se në serën në pronësi të tij kishte të kultivuara 207 rrënjë bimë kanabis, me një lartësi 120-160 cm. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 1 armë automatik kallashnikov, 2 maska, 2 palë dorashka, një varëse floriri dhe 2 krëhra me fishekë.