LAJMI I FUNDIT:

Sykes-Picot, përcaktuesi i Lindjes së Mesme

Sykes-Picot, përcaktuesi i Lindjes së Mesme

Më 16 maj 1916, në mes të Luftës së Parë Botërore, Britania e Madhe dhe Franca nënshkruan një pakt sekret në Londër. Zyrtarisht i njohur si Marrëveshja për Azinë e Vogël, pazari, i negociuar nga diplomatët Mark Sykes dhe François Georges-Picot, ka përcaktuar fatin e rendit politik në Lindjen e Mesme që nga ajo kohë. Por jo edhe për më shumë kohë.

Një shekull më parë, fuqitë që më pas u bënë fituese të luftës në Evropë, të shqetësuar me ndarjen e rajonit (në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane), vizatuan “një vijë në rërë” (siç e quajti shkrimtari James Barr), që zgjatej nga porti i Akrës në Mesdhe në Palestinën e veriut në Kirkuk, në Irakun e veriut. Të gjitha territoret në veri të asaj toke, në veçanti, Libani dhe Siria, shkuan te Franca. Territoret në jug – Palestina, Transjordania dhe Iraku – shkuan te Britania e Madhe, e cila synonte në veçanti të mbronte interesat britanike në Kanalin e Suezit, rruga kryesore detare për te India britanike.


Gjithsesi, paralelisht me këtë, Mbretëria e Bashkuar po negocionte me arabët, të cilët ishin rreshtuar me britanikët dhe francezët në një kryengritje kundër sundimit Osman – para së gjithash me Hussein bin Ali, Sherifi i Mekës. Husseinit i qe premtuar Siria në rast të një fitoreje ushtarake kundër turqve. Por, me marrëveshjen Sykes-Picot, Siria i qe dhënë Francës. Kështu që një nga të dyja palët qe e sigurt se do të mashtrohej në lidhje me plaçkën e luftës dhe qe e qartë që në fillim se cila qe pala më e dobët, arabët, të cilët kërkonin pavarësi.

Marrëveshja sekrete e negociuar nga Sykes dhe Picot solli më pas krijimin e shteteve që i shërbyen fuqive koloniale evropiane dhe interesave të tyre gjeopolitike. Ato nuk i shërbyen realiteteve shoqërore, fetare dhe etnike të rajonit. Një rend politik u imponua mbi Lindjen e Mesme myslimane nga fuqitë kristiane evropiane që injoruan edhe premtimin e tyre për pavarësi të arabëve – një rend që ka qenë rrënja e një shekulli lufte dhe konflikti.

Në botën arabe, trauma e kësaj tradhtie dhe disfate e lëvizjes kombëtare ka vijuar gjatë. Por, Sykes dhe Picot sollën një pajtim mes dy fuqive të mëdha të Antentës dhe rendi rajonal që ata krijuan në fund të shumë shekujve sundimi turk/osman jetoi gjatë. Hegjemonët evropianë, Britania dhe Franca, zunë vendin e Portës së Lartë, duke garantuar këtë rend ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte përmes fuqive rajonale të autorizuara prej tyre.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara e morën rolin e garantuesit të sistemit të Sykes-Picot. Por, eksperienca e Amerikës në Irak pas ndërhyrjes së vitit 2003 dhe përhapja e trazirave atje e gjetkë, bëri që SHBA-të të tërheqin forcat e veta dhe të reduktojnë angazhimin e tyre në këtë rajon. Me këtë, sistemi Sykes-Picot filloi të rrëzohej.

Kjo është arsyeja se pse krizat kryesore në Lindjen e Mesme sot po ndodhin saktësisht në zemër të marrëveshjes Sykes-Picot: Siria, Libani dhe Iraku. “Çështja Kurde” gjithashtu është rikthyer me forcë.

Vetëm Izraeli dhe Jordania duken stabile. Pa ripajtim mes Izraelit dhe Palestinës, është vetëm çështje kohe para se fuçia e barutit në Palestinë të ndizet sërish. Dhe, stabiliteti i Jordanisë mbështetet gjerësisht te besnikëria e ushtrisë dhe e fiseve beduine ndaj monarkisë, si dhe te shërbimi sekret shumë efikas. Por, këto janë baza të pamjaftueshme për qëndrueshmëri, veçanërisht nëse shohim ndryshimet tektonike që po ndodhin në vendet fqinje, Irak dhe Siri.

Këto dy vende janë tashmë skenat kryesore të betejës për një rend post Sykes-Picot në Lindjen e Mesme. Që të dyja vendet kanë qenë të paqëndrueshme për një kohë të gjatë, sunduar nga diktatorë laikë Bathistë që detyruan shumicat popullore që i përkisnin një sekti mysliman rival, përveç popullsisë së madhe të kurdëve, të cilët kanë ëndërruar prej kohësh për pavarësi.

Rendi post Sykes-Picot do të jetë rezultat i luftimeve në vitet e ardhshme mes fuqive rajonale – para së gjithash dhe kryesisht mes Iranit dhe Arabisë Saudite – dhe forcave të tyre ndihmëse të motivuara nga feja, të tilla si hezbollahët shia dhe Shteti Islamik sunit. Çdo ndërhyrje ushtarake nga Perëndimi mundet vetëm ta përkeqësojë situatën.

Epoka kur një hegjemon nga perëndimi mund të mbante kontroll në Lindjen e Mesme, me forcë ushtarake nëse qe e nevojshme, ka përfunduar. Forcat rajonale dhe jo fuqitë e jashtme (përfshirë Rusinë), do ta krijojnë rendin e ri në Lindjen e Mesme që do të dalë nga ajo çfarë mbetet nga sistemi Sykes-Picot. Nga koha kur luftërat indirekte si ajo që po bëhet ne Siri ta kenë përfunduar punën e tyre, Marrëveshja Sykes-Picot do të kalojë në histori.

Por, rendi i ri mund të kërkojë kohë që të shfaqet, për shkak se asnjë nga fuqitë e rajonit nuk është mjaftueshëm e fortë për të imponuar vullnetin e saj mbi të tjerët. Nëse ata zgjedhin një betejë të pavlefshme për hegjemoni, Lindja e Mesme do të përballet me një katastrofë të madhe politike dhe humanitare. Në fund, rraskapitja totale e të gjitha palëve do të detyrojë një ripajtim dhe hapat e parë në këtë drejtim janë një marrëveshje paqeje për të gjithë rajonin.

Një gjë është e qartë: sa më shumë kohë të kërkojë shfaqja e rendit të ri, aq më keq do të jetë për të gjithë. Një proces i zgjatur i ballkanizimit të Lindjes së Mesme mund të rezultojë në asgjë më shumë se sa varfëri dhe vuajtje – duke krijuar një minë me sahat të stërmadhe për paqen botërore.

Për ata që janë jashtë rajonit, shpresa e vetme është që askush brenda rajonit të mos ketë interes serioz për të realizuar një skenar të tillë. /Project Syndicate/Përgatiti në shqip: Reporter.al/

Në trend

Më shumë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori