LAJMI I FUNDIT:

Ta duash shtetin e të mos ndërrosh komb

Ta duash shtetin e të mos ndërrosh komb

Ata që i kanë kaluar të dyzetat, e kanë përjetuar kohën kur shqiptarët në Kosovë bëheshin gjithë sy e vesh nga ekrani i televizorit, për të pritur se mos dikush në Shqipëri po e nxjerr ndonjë fjalë për ta.

Gjeneratave të reja sot mund t’u tingëllojë si përrallë, ama realiteti i viteve ’80-ta ishte që kushdo që zihej, qoftë edhe duke e dëgjuar një këngëtare nga Tropoja, si Fatime Sokoli, duke kënduar “Moj Kosovë, moj kështjellë burrnie”, ose këngë të ngjashme, dënohej me burg prej një deri në gjashtë muaj, në mos edhe më tepër.


Tendencat e regjimit serb ishin të qarta: t’i mbanin sa më larg njëri-tjetrit shqiptarët këndej dhe andej kufirit; t’ua shkëpusnin çdo lidhje dhe t’ua shuanin ëndrrat që një ditë të bëhen bashkë!

Këndej shtypeshim ne, e atyre andej u kërkohej që të mos përziheshin në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Të shtypur e të ndarë mbetëm deri në fund të shthurjes së plotë e të përgjakshme të krijesës shumetnike të quajtur Jugosllavi, derisa përfundimisht, fal angazhimit politik e ushtarak vendës dhe intervenimit të NATO-s, ia dolëm të shkëputemi nga Serbia.

Ndarja, e më pas krijimi i shtetit më të ri në Evropë, ishte projekti më kapital i kohës, marrë parasysh faktin se NATO-ja kishte intervenuar për të na e shpëtuar sovranitetin njerëzor e jo sovranitetin shtetëror – sepse ne nuk e kishim atë.

Edhe shtetin që e krijuam pas afro një dekade së frymuari të lirë, e ndërtuam mbi “paketën” e mbushur me plot kompromise kushtetuese e juridike, në interes të komunitetit serb.

Dhe, sot, pikërisht për shkak të atyre kompromiseve jemi kurthuar. Të gjithë jemi dëshmitarë se Kosova si shtet shumetnik nuk po arrin të bëhet shtet funksional, sado që e drejta për pavarësi i është përligjur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Të gjithë e dimë se pengesat për t’u bërë shtet funksional nuk bëhen nga Shqipëria, por kryekëput nga Serbia.

Por, ja që erdhi dita që disa “mendjendritur” e “vizionarë” të Kosovës t’u kërkojnë shqiptarëve të Shqipërisë që të mos merren me ne, sepse ne nuk jemi si ta, se as gjuhën s’e kemi njësoj, se ne jemi “komb kosovar”, e mbi të gjitha se ne qenkemi zot në shtëpinë tonë.

Thirrjet e tilla, të përcjella edhe me ofendime e përbuzje ndaj pjesës tjetër që nuk pajtohet me ta, vijnë në kohën kur Serbia, me Kushtetutë, vazhdon ta mbajë Kosovën si pjesë integrale të saj dhe kur haptas nuk lë gurë pa lëvizur për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Yryshi për ta gjykuar këdo që u jep të drejtë përfaqësuesve të Shqipërisë që të flasin për Kosovën, si njerëz që nuk e duan shtetin e tyre, si njerëz që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit apo, si njerëz që kanë koncepte të gabuara për kombin, s’mund të jetë qëllimmirë.

Këta gjykues po e mohojnë faktin se shumica e shqiptarëve në Kosovë e duan shtetin, e duan flamurin, e festojnë 17 Shkurtin, u gëzohen fitoreve individuale e grupore kudo në arenën e jashtme, por që në asnjë rrethanë nuk pranojnë t’u imponohet me zor që të bëhen anëtarë të një kombi të ri të ideuar nga një grup i vogël opinionistësh që vetëquhen “elitarë”.

Shtetin mund ta duash edhe pa ndërruar komb!

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Kalo në kategori