LAJMI I FUNDIT:

Ta mbrojmë sportin e shqiptarëve… nga shqiptarët!

Nuk është hera e parë kur testohen edhe një herë nervat e shqiptarëve, qoftë për një ndeshje futbolli, apo ndonjë ngjarje të rëndomtë politike. Të mërkurën, para takimit ndaj Gjeorgjisë, si një rrufe ishte shpërndarë lajmi se Armand Duka, kreu i FSHF-së, urdhëroi policinë që të ndalonin tifozët Kuq e Zi që të brohoritej “Shqipëri etnike”. Ndonëse janë thjesht “korale”, ky ishte një ofendim i rëndë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm në stadium, por dhe më gjerë edhe në rrugë, shtëpi, apo nëpër lokalet ku të gjithë ishin mbledhur ta shikonin këtë sfidë të parëndësishme të kombëtares tonë. Vërtet shokuese…

Por, pse Duka mori një vendim të tillë, këtë askush nuk e di. Dikush e akuzon për qëndrim pro-grek, teksa dikush tjetër nuk ka hezituar të politizonte me rastin, duke fajësuar faktorët politikë si indikatorë të këtij urdhri. Por, ja që është një përzierje më e keqe e mundshme, e të gjithë faktorëve.


Kombëtarja shqiptare nuk po kalon nëpër momentin më të mirë. Kjo për shkak të debatit të madh nëse futbollistët nga Kosova do të duhej t’i bashkoheshin kombëtares sonë. Pyetje e çuditshme nëse duhesh apo jo t’i bashkohesh ekipit kombëtar që do t’i takoje, pasi edhe Kosova nuk është pranuar në UEFA dhe më mirë është që të kemi një ekip të fuqishëm sesa dy ekipe të ndara duke mos luftuar për kualifikimin nëpër kompeticionet botërore.

Kthehemi te Duka, pasi ky njeri është drejtpërdrejt i lidhur edhe me këtë proces. Na kujtohet sikur sot rasti i Granit Xhakës dhe buja e shkaktuar nëpër media, se Duka i kishte kërkuar të holla atij për të luajtur për kombëtaren shqiptare. Nuk dihet nëse kjo ishte e vërtetë, pasi kurrë nuk dolën në dritë faktet, mirëpo gjithmonë lakohet emri i një njeriu: Armand Dukës.

Pikërisht, është Duka ai që tani edhe po refuzon krijimin e kampionatit mbarëkombëtar. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, urdhëroi ministrin e Sportit që të krijohej kampionati i përbashkët kombëtar, ku do të garonin ekipet më të fuqishme të trevave shqiptare, dhe përsëri është Duka ai që ka penguar këtë proces, me shkasin se statuti i UEFA-s dhe FIFA-s nuk lejon që të bëhej një gjë e tillë. Në këtë rast edhe vet udhëheqësit politikë janë të mbështetur për muri nga ky njeri, pasi vihet në pah statuti i dy organizatave të mëdha të futbollit dhe në këto rrethana, sado i madh të jetë impenjimi dhe sakrifica e liderit shtetëror, idetë bëhen të parealizueshme.

Dhe, pas gjithë këtyre pengesave që po i shkakton zhvillimit të futbollit shqiptar, Duka doli edhe një herë në skenë duke tentuar të parandalojë thirrjet “Shqipëri etnike” dhe nuk e ofendojnë askënd, pasi një gjë e tillë ndodhë në gjithë botën. Ashtu-kështu, tifozëve “Kuq e Zi” nuk iu bë vonë për prezencën e policisë në tribuna, pasi ata vazhduan me përkrahjen e djemve tanë, të cilët përkundër “mjegullës” institucionale, nuk po ndikohen që të japin më të mirën.

Shqipëria etnike është një ideal i kahmotshëm historik dhe ai duhet ta largojë nga mendja e tij tendencën se mund të bëhet faktor që kjo të ndryshojë.

Nuk mund të jenë thirrjet “Shqipëri etnike” më të rrezikshme për futbollin tonë dhe për gjithë futbollin e Ballkanit se sa fiksimet e ndeshjeve. Europoli konfirmoi ditë më parë se edhe Vllaznia dhe Tirana janë duke u hetuar për manipulim ndeshjesh, ndërsa Duka ka heshtur. Shaqiri është shndërruar në yll dhe Xhaka është instrumental për Zvicrën, e Duka ka heshtur: nuk ka bërë as tentimin e vetëm më të vogël për t’i sjellë ata në vend.

Dhe, më banalja është heshtja e tij për anëtarësimin dhe luftën e madhe të Fadil Vokrrit dhe Federatës së futbollit të Kosovës (FFK), për pranim në instancat më të larta ndërkombëtare të këtij sporti. Ai hesht atëherë kur më së paku duhet të hesht. Kështu është shumë e natyrshme që FIFA të “luajë” me Kosovën për modalitetet, që deri tani do të duhej të ishin harruar, pasi Serbia dhe “miqtë” e saj po e kryejnë punën e tyre me mjaft sukses, sigurisht të ndihmuar edhe nga heshtja e Armand Dukës.

Heshtja e tij kundrejt fenomeneve negative dhe heshtja e tij në lobimin për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, ashtu sikurse pengimi për krijimin e kampionatit mbarëkombëtar shqiptar, janë jashtëzakonisht më të dëmshme se sa ndalimi i disa koraleve të tifozëve, të cilët e kanë një ideal që nuk do t’i shuhet derisa ai të arrihet.

Është e kot që të fajësojmë fqinjët tanë për mos ndërkombëtarizim të sportit e mos zhvillim të kampionateve tona, apo për dështim të zhvillimit të gjithmbarshëm kombëtar. Jemi ne pengesa më e madhe e vetvetes. Për sportin po ashtu jemi ne pengesa e zhvillimit. Është aty edhe zotëri Armand Duka…