LAJMI I FUNDIT:

Talebanci i Serbisë dhe Kosova

Serbia gjithnjë është përpjekur t’i paraqesë shqiptarët si fundamentalistë islamikë. Edhe luftës së fundit në Kosovë është përpjekur t’i jep konotacion fetar. Trilloi gjithçka për UÇK-në. Gjoja po e ndihmonin edhe ato vende, shumica e të cilave as sot ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet. Serbia e bënte këtë propagandë me qëllim që siç thotë populli, të hajë me dy lugë, të arsyetojë sadopak dhunën tek disa qarqe Perëndimore dhe të zgjasë sa më shumë që mundet pushtimin mbi Kosovën.

Pamjet nga Kosova deri në vitet e 90-ta që përmes RTS-it (radiotelevizionit shtetëror serb) shpërndaheshin nëpër botë, të kujtonin kohën e Mesjetës. Gjithnjë shihej një fshatar shqiptar i hipur mbi gomarin e tij derisa kalonte përpara një xhamie dhe gruaja që ecte disa metra prapa tij. Pamje të skamjes dhe prapambetjes të një kategorie shoqërore, që për një arsye a tjetër, i gjen edhe sot në çdo shoqëri, kudo nëpër botë, madje edhe në shtetet më të zhvilluara.


Por, skamja tek ne vinte për shkak të pushtimi njëshekullor nga Serbia, që plaçkiste gjithçka që i vinte përdore. Prapambetja vinte nga sundimi serb dhe turk, apo këtë të fundit më mirë ta quaj sundimi otoman se mos po ka reagime nga Ambasada Turke dhe Ministria e Arsimit… E sa i përket përkatësisë fetare, shumica e shqiptarëve janë myslimanë dhe asnjëherë nuk hezituan të deklarohen për këtë fakt. Madje krenohen. Asnjëherë shqiptarët katolikë apo ortodoksë nuk janë ndjerë pakicë dhe këtë vlerë kombit tonë nuk mund t’ia merr askush, sot as kurrë.

Serbia nuk ka ndryshuar. Mashtrimi, siç e pranon edhe vet, është arma e saj më e fortë. Edhe tani Beogradi u propozoi shqiptarëve të Preshevës të zhvendosin lapidarin e dëshmorëve në oborrin e një xhamie. Por, shqiptarët nuk ranë në kurth, sepse nuk luftuan për fe, por për liri dhe të drejta që u takojnë si popull autokton. Dhe pasi nuk mundi t’i mashtrojë, Ivica Daçiq veproi njëjtë si “babai” i tij: me ushtri dhe polici e shkuli lapidarin në kohën kur po negociohej për të, dhe i krahasoi ish ushtarët e UÇPMB-së me militantët e Al Qaedas.

Duke qenë vet një militant i dëshmuar dhe që i shkon krahasimi me militantët e Al Qaedas, “talebanci” serb Daçiq nxiti (ose porositi) shkatërrimin e disa varrezave të serbëve nëpër Kosovë. Sepse, kjo nuk mund të jetë hakmarrje për lapidarin e dëshmorëve në Preshevë. Nëse ndonjë shqiptar mendon se ky është një lloj revanshi, atëherë nuk ka arritur ta njoh armikun e tij. Shkatërrimi i varrezave është krim edhe nëse është bërë nga frustrimi, si hakmarrje ndaj asaj që regjimi i pasardhësit të Sllobodan Millosheviqit bëri me lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së.

Edhe serbët edhe shqiptarët e dinë se problemi në Luginë nuk zgjidhet me lapidarin, edhe sikur të kthehet që sot në të njëjtin vend. Ashtu sikurse e dinë që shkatërrimi i atyre varrezave i bën dëm shtetit të Kosovës. Andaj dua të dyshoj. Dua të dyshoj, sepse serbët (mendoj tek shteti serb) janë në gjendje të bëjnë gjithçka, madje t’ia fusin vetvetes edhe shishën e coca-cola’s në prapanicë vetëm që t’ua hedhin fajin shqiptarëve. Ju kujtohet Martinoviqi…

Por, sot kemi shtet dhe nuk do doja të dyshoj se dikush mund të bëjë çfarë të dojë në Kosovë. Aq më tepër kur çdo ditë dëgjojmë tek del nga goja e politikanëve tanë fjalia “Shteti i Kosovës, sovran dhe i pavarur!”. Gjithçka është e qartë, ashtu është, apo të paktën do të duhej të ishte, por nëse bëhen gabime të mëdha gjatë konsolidimit të shtetit, atëherë vije deri tek pështjellimi, rrëmuja dhe çrregullim i plotë i asaj shoqërie.

E kush e do kaosin në Kosovë!? Askush nga shqiptarët. Prandaj, liderët tanë në pozitë dhe opozitë duhet të bashkërendisin veprimet dhe asnjëherë të mos bëjnë sikur po qeverisin. Kemi shtet dhe askush nuk mundet privatisht të merr iniciativë dhe ta shkulë nga oborri i universitetit “Kishën Ortodokse Serbe”, as barrikadat në veri, as lapidarin në Gorazhdec të Pejës. Kjo është punë e institucioneve të shtetit tonë.

Qeveria jonë duhet të vendosë për kishën e ndërtuar dhunshëm, ta lë si kishë ortodokse (jo serbe), ta heq prej aty, apo ta shndërrojë në një institucion tjetër. Qeveria jonë duhet t’i shuaj strukturat paralele serbe, t’i heq barrikadat në veri. Ajo duhet ta heq edhe përmendoren në Gorazhdec të Pejës, mbi të cilën janë emrat e disa policëve dhe paramilitarëve serbë të rënë gjatë luftës dhe ku thuhet të jenë “viktima të terroristëve shqiptarë”. Pra, kjo është punë që duhet pastruar nga qeveria jonë, nuk është fontanë dëshirash e ndonjë individi të paguar apo të frustruar.

Nëse populli është i pakënaqur me punën e qeverisë dhe do reciprocitet të menjëhershëm të raporteve me Beogradin, nuk mund të pres më, atëherë këtë përgjegjësi duhet ta kërkojë në Prishtinë. Natyrisht, qeveria nuk bie me 500 apo 5000 protestues. Më shumë, dhe varet nga këmbëngulësia dhe arsyeshmëria e kërkesave të tyre. Para disa vitesh në Hungari, pak më shumë se 15 mijë veta ngulën shatorët në shesh dhe aty qëndruan gati tri javë, ditë e natë, derisa ra qeveria. Ra pa trazira. A duam demokraci? Kjo është ajo!

Në fund desha tu kërkoj falje të gjithë atyre miqve tanë që mund tu pengojë fjala “armik”, e të cilën e kam përdorur në këtë opinion. E di që këtë fjalë nuk e kanë për qejfi aspak. As fjalën luftë. Mbase me të drejtë kërkojnë nga ne ta zbusim pak fjalorin për hir të së ardhmes. Por, a thua çfarë po kërkojnë nga Serbia? Deri sot ajo nuk ka ndryshuar dhe derisa të ledhatohet, do të ketë qasje armiqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Prandaj, nuk dua që t’i kërkoj falje askujt. Fqinjësia e mirë mes Kosovës dhe Serbisë është larg, shumë larg. Serbia, në fakt, asnjë fqinj nuk e ka shtet mik. Ky është realiteti.