Facebook prezanton 'Graph Search', motorin e personalizuar të kërkimit

19:35 / 15.01.2013

Këtë mëngjes, rrjeti më i madh social Facebook ka prezantuar funksionin e ri “Graph Search”, një mënyrë të re për kërkimin e gjithë përmbajtjes së Facebook e cila i përshtatet profilit të përdoruesit.

Drejtori i Facebook, Mark Zuckerberg e ka përshkruar kërkimin në faqe duke thënë se “Graph Search është krijuar që t’i përgjigjet pyetjeve specifike të ngjashme me atë – Kush janë miqtë e mi nga San Francisko?”

Për t’i qetësuar ata që brengosen për privatësinë e tyre në Facebook, faqja ka thënë se shumë përkushtim është dhënë në këtë drejtim, dhe se 10 për qind e investimeve të këtij projekti i janë dedikuar mbrojtjes së privatësisë.

Graph Search është praktikisht ri-lansimi i motorit të brendshëm të kërkimit të Facebook, duke u mundësuar anëtarëve të saj ekzistues të krijojnë marrëdhënie të reja me miqtë me të cilët nuk do të mund të takoheshin ndryshe.

“Tani, ju mund të përdorni fraza të thjeshta dhe specifike sikurse “Fotografitë e miqve që jetojnë në New York”, për të gjetur çkado që ju dëshironi” thuhet në sqarimin e Facebook për shërbimin e ri.

 

"Me Graph Search ju mund t'i kombinoni frazat (për shembull:" miqtë e mi në New York që e pëlqejnë Jay-Z ') për ta gjetur atë grup të njerëzve, vendeve, fotografive apo përmbajtje tjetër që është shpërndarë në Facebook" deklaroi menaxheri i produktit Tom Stocky dhe inxhinieri Lars Rasmusen në postimin zyrtar të Facebook.

Në rastet kur nuk mund të gjeni rezultatet e dobishme nga kombinimet e ofruara nga Facebook, kërkimi do të kalojë në motorin e kërkimit të Microsoft - Bing.

Edhe pse fillimisht shërbimi është kufizuar në versionin anglisht, Graph Search do të fillojë sot. Linku për ta pranuar ftesën për shërbimin mund të gjendet këtu.

Zuckerberg ka theksuar se Graph Search është një produkt i ri dhe i kufizuar. Tani për tani, motori special i kërkimit nga Facebook do të fokusohet në katër fusha: njerëzit, fotot, vendet dhe interesat e përdoruesve. Më shumë detaje nga ngjarja direkte e Facebook do të vijnë në orët në vijim. / Telegrafi /
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.