Lamtumirë Google Reader! Ja 4 alternativa të reja

23:45 / 30.06.2013

Të hënën, fansat e grumbulluesit të përmbajtjes online – Google Reader, do t’i thonë lamtumirë shërbimit të tyre të preferuar.

Kjo, pasi që Google Reader do të mbyllet më 1 korrik, sepse Google ka thënë se ka pasur rënie në përdorim të shërbimit, si dhe për shkak të strategjisë së kompanisë që t’i grupojë shërbimet e saj në sasi më të vogla.

Nëse keni qenë përdorues i rregullt i Google Reader, tani është koha e duhur që ju që t’i eksportoni faqet tuaja të preferuara online në një shërbim tjetër zëvendësues.

Dhe këtë mund ta bëni duke klikuar tek Settings, Import/Export dhe t’i përcillni hapat e nevojshëm për eksportimin e përmbajtjes tuaj përmes Google Takeout, funksion i cili do ta shkarkojë përmbajtjen në një ZIP follder. Dhe më pas, shumica e lexuesve RSS do të ju mundësojnë importimin e abonimeve tuaja si XML fajll.

Që nga muaji mars i këtij viti, Google kishte njoftuar se do ta mbyll shërbimin e saj Google Reader, dhe pas këtij paralajmërimi në internet janë shfaqur disa opsione të reja të cilat synojnë t’i plotësojnë nevojat tona për shërbime të bazuara në RSS. Disa nga opsionet e rekomanduara janë të listuara më poshtë.

Feedly - Deri më sot, opsioni më i mirë i Google Reader mbetet Feedly. Aplikacioni i këtij shërbimi është shumë fleksibil, duke u mundësuar përdoruesve të zgjedhin në mes të opsionit të dukjes i cili ngjan me Google Reader, apo të zgjedhin opsionin i cili më shumë i ngjan shfletimit të një reviste.

The old reader – Vlen kryesisht për përdoruesit të cilët e duan thjeshtësinë. The Old Reader është shërbim shumë i mirë. Dizani i këtij opsioni është shumë i ngjashëm me Google Reader, ndërsa përdorimi i tij është shumë i lehtë.

Flipboard – Aplikacioni i famshëm i iOS dhe Android u mundëson përdoruesve leximin e përmbajtjes në format të revistës, i cili është shumë dinamik.

Digg Reader – Është shërbim i ri, i cili është lansuar vetëm para 24 orëve, mirëpo përdorimi dhe dizajni i tij është shumë i thjeshtë dhe elegant.

Lexues të Telegrafi.com, cilin prej lexuesve RSS e përdorni ju?

Përveç opsioneve të listuar më lartë, cilin shërbim tjetër do ta shtonit ju?
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.