Telefonat e mençur marrin 40% të shitjeve globale

11:37 / 9.12.2012

Rreth 40 për qind e të gjithë telefonave mobil të shitur në nivel global për tremujorin e tretë të vitit 2012 kanë qenë telefona të mençur, krahasuar me 30 për qind sa ishin një vit më parë, thuhet sipas Ericsson Mobility Report.

Raporti gjithashtu ka zbuluar se trafiku i të dhënave nga telefonat mobil është dyfishuar ndërmjet tremujorëve të tretë të 2011 dhe atij të 2012, ndërsa pritet që kjo rritje të jetë rreth 12 herë më e madhe mes viteve 2012 dhe 2018. 

Mes vitit që po e lëmë pas dhe vitit 2018 pritet që edhe numri i abonuesve mobil të rritet nga 6.6 miliardë që pritet të jetë në fund të 2012, në 9.9 miliardë deri në fund të 2018. 

“Mobiliteti vazhdimisht është duke u bërë pjesë domethënëse e jetëve tona, përmes telefonave të mençur mobil dhe kompjuterëve tablet, pajisje këto të cilat e kanë ndryshuar mënyrën se si ne e përdorim internetin” ka thënë Douglas Gilstrap, zëvendës drejtor dhe drejtor i strategjisë tek Ericsson.

“Çdo ditë e më shumë, ne kemi afër dorës pajisje mobile të cilat na lejojnë qasje të shpejtë në informata, argëtim dhe ndërveprim social” ka shtuar ai. 

Kina udhëheq tregun me 38 milionë abonime të reja, e përcjell nga Brazili me 9 milionë, Indonezia me 7 milionë dhe Filipinet me 5 milionë. / Telegrafi / 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.