LAJMI I FUNDIT:

Tentim vrasje ndaj punëtorit të Zyrës Administrative në veri

Tentim vrasje ndaj punëtorit të Zyrës Administrative në veri

Një shpërthim tjetër ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në ballkonin e një banese të një qytetari serb në qendër të veriut të Mitrovicës, por nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të “Kosovapressit” bëjnë të ditur se në atë banesë jeton Nemanja Kokeric, i cili është punëtor i Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, dhe incidenti ndërlidhet me sulmin e grupeve të caktuara kriminale ndaj qytetarëve serbë të cilët punojnë në institucionet e Kosovës.

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq, ka konfirmuar për “Kosovapress” se Nemanja Kokeriq është punëtor i kësaj zyre.


“Ky është një tentim vrasje ndaj Zyrës tonë dhe punëtorëve të saj dhe asgjë më shumë”, ka thënë shkurt Hoxhiq.

Pas incidentit, kanë intervenuar njësitë e zjarrfikësve, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe pjesëtarët e policisë të stacionit veri për të hetuar ngjarjen. /Telegrafi/