LAJMI I FUNDIT:

Tërpenovski: Shpresojmë se nesër do të zgjedhim anëtarin e pestë në komisionin ad-hoc (Video)

Tërpenovski: Shpresojmë se nesër do të zgjedhim anëtarin e pestë në komisionin ad-hoc (Video)

Katër anëtarët e trupit “ad-hoc” edhe sot nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e anëtarit të pestë të tyre, i cili sipas marrëveshjes, duhet të jetë nga radhët e gazetarëve dhe ekspertëve shqiptarë të medias. Anëtari i këtij komisioni, Goran Tërpenovski tha se ka optimizëm se deri para takimit të liderëve më 31 gusht do të ketë zgjidhje.

“Emra të ri nuk ka, por për atë them se jemi të hapur. U morëm vesh që mos të japim detaje, me qëllim të mos ketë ngecje të punës. Kurse partitë le ta shohin punën e tyre, ne punën tonë, dhe shpresojmë që të gjejmë zgjidhje, që mos të jemi pengesë për mos mbajtjen e zgjedhjeve në 11 dhjetor”, tha Tërpenovski, njofton Tv21.


Afati për zgjedhjen e anëtarit të pestë skadoi më 24 gusht. Partitë i kanë bërë thirrje përfaqësuesve të komisionit që të zgjedhin anëtarin e pestë.

Takimi i ardhshëm i anëtarëve të komisionit është caktuar nesër në mesditë. Komisioni “ad-hoc” sipas marrëveshjes do të funksionojë në kuadër të Agjencisë për Shërbime Audio dhe AudioVizuale, dhe ka për detyrë që të monitorojë mediat gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, apo 100 ditë para zgjedhjeve. Ky komision gjithashtu duhet të vendos edhe për gjobitjen e mediave, në rast se do të ketë shkelje gjatë ndjekjes së fushatës zgjedhore. Ndërsa, anëtari i pestë do të jetë i rëndësishëm pasi që vota e tij do të jetë vendimtare gjatë marrjes së vendimeve./Telegrafi/