LAJMI I FUNDIT:

Testi i maturës dhe liberalizimi i vizave

Testi i maturës dhe liberalizimi i vizave

Jonuz Salihaj

Ka vazhduar vlerësimi me nota më të larta i ministrit Arsim Bajrami dhe të emëruarve në Këshillin e Maturës Shtetërore, për procesin testimit të maturantëve të zhvilluar me 18 qershor.


I pari i MAShT-it, në vend që të anulonte procesin e dizajnuar kryekëput për manipuluesit, dhe të kërkojë falje publike maturantëve për një proces tërësisht të korruptuar, u arsyetua para opinionit publik se nuk ka arritur askush ta mund teknologjinë e kopjimit.

Përgjegjësi tjetër i cili mban postin e këshilltarit të ministrit Bajrami dhe njëkohësisht është kryetar i Këshillit të Maturës Shtetërore, që paraqet konflikt të pastër interesi, procesin e testimit e vlerëson shumë të suksesshëm.

Nga ky proces rezultoi se 74,1 për qind të maturantëve e kanë kaluar me sukses testin. Si zakonisht, nxënësit më të suksesshëm janë të gjimnazeve, kurse ata të shkollave profesionale vazhdimisht kanë treguar rezultate shumë të dobëta – asnjëherë deri më tani nuk e kanë përmbushur pragun e kalueshmërisë.

Megjithatë, askush nuk e ka pritur që kalueshmëria në gjimnaze të arrijë në 91.1 për qind dhe në shkollat profesionale në 59.6 për qind, që vërteton përdorimin masiv të të gjitha formave të kopjimit.

Kjo në të vërtetë konfirmon parregullsitë në masë gjatë organizimit të këtij procesi. Nuk është fare e vërtetë se kemi të bëjmë me vetëdijesim të gjithë akterëve të përfshirë në proces, siç po pretendo ta mashtrojë opinionin publik z. Guri.

Megjithatë, edhe me një rezultat të tillë jo real dhe të fryrë, mbi 40 për qind të maturantëve të shkollave profesionale do të privohet nga e drejta për studim, pasi nuk e kanë përmbushur minimumin e kuotës prej 40 për qind të pikëve të përgjithshme të fituara.

Të gjithë pajtohemi që maturantët që nuk i kanë përmbushur këto obligime nuk i plotësojnë kriteret për vazhdimin e studimeve në arsimin e lartë me të vetmin kusht, që procesi i vlerësimit të jetë i rregullt dhe instrumenti matës – testi – të jetë i standardizuar. Asnjëri prej këtyre kushteve nuk është plotësuar, pasi administrimi i procesit ka qenë tërësisht i dështuar, kurse testi për shkollat profesionale nuk ka qenë në harmoni me planprogramin shkollor.

Opinioni publik, si zakonisht është mësuar me këto shkelje të shndërruara në dukuri, se të rinjve më të mirë, nxënësve shembullorë vazhdimisht iu është nëpërkëmbur dinjiteti. Ata nuk kanë fuqi që këtë gjendje ta ndryshojnë, sepse janë pakicë, prandaj detyrohen të pranojnë rezultatin që ju servohet.

Logjika e pranimit të poshtërimit, në Kosovën e pasluftës është bërë përditshmëri. Shkaqet e një gjendje të tillë duhet kërkuar pikë së pari në mungesën e shtetit ligjor.

Shteti, piramida e të cilit është involvuar direkt në uzurpimin e pronës publike dhe private të qytetarëve, duke cenuar kështu të drejtën elementare për jetë të lirë, nuk ka kohë të merret me ”çështje të parëndësishme” siç është arsimi.

Në një shtet të tillë, kot paraqet fakte për shkelje, askush nuk i dëgjon ato, por e keqja ma e madhe është inkorporimi i sistemit arsimor në funksion të këtyre dukurive. Do të nevojitet shumë kohë, që ky sistem arsimor i kapur, të orientohet kah vlerat kombëtare dhe evropiane. Ky sistem në të cilën nuk ka etikë, nuk mund të mbijetojë.

Është e patolerueshme që një ministër të deklarojë se testi i maturës duhet të mbahet për shkak të liberalizimit të vizave. Pra, nxënësit tonë duhet të përdorin të gjithë mekanizmat kopjues, për të treguar me çdo kusht rezultat “pozitiv”, sepse në këtë moment opinioni mund të mashtrohet me premtimet boshe të pushtetarëve për lëvizjen e lirë.

Kosova ka obligime të tjera që i ka pranuar edhe me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të vitit 2008, për çrrënjosjen e analfabetizmit deri në vitin 2015, njëra nga objektivat kyçe të mileniumit të tretë, bazuar në Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Statistikat e fundit flasin për 53 mijë analfabetë klasikë dhe 82 mijë analfabetë funksional[.

Për lëvizje të lirë nevojitet jetësimi i një sistemi arsimor efektiv i cili prodhon vlerën shtesë në të gjitha komponentët e tij, sistem ky i cili ngërthen në vete vlerat globale.

Kosova ka pranuar sistemin parauniversitar 5 +4 + 3 i cili është evropian, ka promovuar një kurrikulë finlandeze të avancuar, e cila nuk është zbatuar kurrë, por nuk ka përmbushur asnjëherë standardet elementare të cilësisë, duke ju falënderuar politikave arsimore nepotiste partiake.

Çështja e vlerësimit të jashtëm z. ministër është çështje legjislative, nuk ka lidhje me liberalizimin e vizave. Ekziston Ligji për Provimin Shtetëror të Maturës, i cili duhet të zbatohet.

Se sa është seriozë MAShT-i për zbatimin e këtij ligji, mjafton të shikoni vendimin për caktimin e formës dhe përmbajtjes së Certifikatës së Maturës Shtetërore, i cili është nxjerrë vetëm dy ditë para se të shpallen rezultateve e maturës shtetërore.

Para se të merreni me liberalizimin e vizave përmbushni detyrimet Tuaja të përcaktuara me ligj.