LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Kosova mbetet model i bashkëjetesës fetare

Thaçi: Kosova mbetet model i bashkëjetesës fetare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar agjendën e takimeve me përfaqësues të shteteve të ndryshime gjatë vizitës zyrtare në Panama.

Të hënën ai ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit të Amerikës Latine, me seli në Panama, Elias Castillo.


Në këtë takim, kreu i shtetit  është interesuar fillimisht për krijimin e një grupi të miqësisë në parlamentin panamez, e më pas edhe për mundësinë e anëtarësimin e Kosovës si shtet vëzhgues në Parlamentin Latino-Amerikan të njohur si Parlatino.

“Panama është për Kosovën qendra e Amerikës Latine. Është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, prandaj edhe kemi hapur ambasadën tonë këtu. Edhe vendet e tjera të Amerikës Latine duhet të ndjekin shembullin e Panamasë”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se bashkëpunimi ndërmjet deputetëve kosovarë dhe atyre të Panamasë si dhe të Parlatinos do të përbënte avancim i marrëdhënieve të Kosovës me këtë pjesë të botës.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Parlatino, me seli në Panama, Elias Castillo, ka mirëpritur propozimin e presidentit Thaçi, duke thënë se Kosova ka një vend në Parlamentin e Amerikës Latine.

Numri një i Kosovës  gjatë ditës ka mbajtur një ligjëratë edhe në njërin nga universitetet më me ndikim në Panama, “Universiteti i Marisë së Shenjtë”, i cili dallohet për angazhimin për të drejtat e njeriut.

Atje Thaçi është dekoruar me çmimin “Vizitor i nderit”.

Fillimisht, rektori i këtij universiteti, Juan Planells Fernandez, është shprehur se presidenti Thaçi me lidershipin dhe punën e tij për Kosovën ka qenë frymëzim për të gjithë.

“Vizita e Presidentit të Kosovës, një vend i vogël që ka dalë nga një dhembje, por me një qëndrim të pajtueshmërisë dhe të dialogut të hapur për të gjithë, pa dyshim se është një sinjal i shpresës për njerëzimin dhe si e tillë e sinjalizon botën që të vazhdojë një rrugë të tillë”, ka thënë rektori Fernandez.

Në ligjëratën e tij para udhëheqësve të universitetit dhe studentëve, ai ka thënë se Kosova mbetet model i bashkëjetesës fetare, transmeton Klan Kosova.