LAJMI I FUNDIT:

Thaçi në Bërno të Sarajevës: Bashkëpunimi dhe miqësia çojnë drejt BE-së

Thaçi në Bërno të Sarajevës: Bashkëpunimi dhe miqësia çojnë drejt BE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Samitin e vendeve ballkanike të Bërnos në Sarajevë, ka thënë se Kosova ka dëshmuar që është një vend që di të ndërtojë raporte të mira ndërfqinjësore dhe ka bërë hapa të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt integrimit Europian.

“Unë këtu vi pas zhvillimeve pozitive për Kosovën, prandaj unë jam optimist pasi tash rishtazi kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe jemi anëtarësuar në UEFA dhe FIFA, por tani kemi nevojë për ndërtimin e fqinjësisë së mirë, Kosova raporte shumë të mira me të gjithë fqinjët e saj”, ka thënë Thaçi.


Në Samitin e Bërnos që synon forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e dialogut politik të rajonit, Ballkanit dhe Bashkimit Europian, Thaçi ka folur edhe për raportin e Kosovës me Serbinë.

“Edhe me Serbinë kemi bërë një hap që pak kush kishte imagjinuar. Vetëm para pesë viteve askush nuk do ta kishte besuar se do të kishte shtrëngim duarsh mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka deklaruar Thaçi, njofton Klan Kosova.

“Mos të harrojë se pas arritjes së marrëveshjes se prillit 2013 kanë ndodhur edhe vizitat e para mes Shqipërisë dhe Serbisë. Madje, besoj se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë model edhe për Maqedoninë e Greqinë”.

Thaçi është shprehur me tone optimiste për të ardhmen e rajonit në integrimet evropiane, por ka thënë se as Brukseli nuk duhet të vonohet me këtë proces.

“E ardhmja e rajonit është e ardhme europian e sigurt, edhe pse dikush ec më ngadalë e dikush më shpejt, të tjerë kanë probleme më të theksuara se të tjerët, por ajo që është e rëndësishme është që të punojmë në agjendat tona të përbashkët që të përshpejtojmë rrugën evropiane”.

“Kjo do të përfshinte trupa të përbashkët për luftimin e fenomeneve si luftimi i terrorizimit dhe Brukseli do ta kuptojë se nuk bënë të vonohet me Ballkanin, sepse vonesa të tilla nxisin nacionalizma të rinj të cilët do të hapnin problem për rajonin”.

Sipas presidentit të Kosovës, Serbia dhe Kosova duhet të shkojnë drejt avancimit të dialogut dhe të punohet në marrëveshje, drejt një miqësie dhe drejt pajtimit e bashkëpunimit.

Në fjalën e tij Thaçi ka folur edhe për projekte infrastrukturore që vendet veç e veç, por edhe në bashkëpunim me njëra tjetrën duhet të ndërmarrin.

“Të gjithë kemi ardhur një konkludim që nuk mjafton vetëm të kemi mirëbesim dhe vetëm të kemi takime, por rajoni jonë nga vitet 90-ta e tutje është në një situatë më të mirë se kurrë ndonjëherë, prandaj ka qenë i nevojshëm debati se si do të zhvillohet rajoni ekonomikisht”.

“Të gjitha vendet këtu që jemi, jemi vende multietnike, prandaj në kuadër të kësaj mendoj se është e rëndësishme që po flitet për infrastrukturën që lidhin shtetet, si për shembull ndërtimi i autostradës. Sot jemi shumë afër me kilometra, por për të ardhur nga Prishtina në Sarajevë bënë orë të tërë”, tha ai.

“Ne duhet ta shkurtojmë periudhën kohore të qarkullimit tonë, prandaj mendoj se ne si vende të rajonit duhet të jemi shumë të përgatitura për samitin e Parisit dhe duhet të kemi projekte serioze për të prezantuar në këtë samit”, ka deklaruar Thaçi, njofton Klan Kosova.